Kulturë
Nuhi Veselaj: Brerore lavdie feniksëluftëtarëve
E marte, 19.11.2019, 10:17 PM
BRERORE LAVDIE FENIKSËLUFTËTARËVE ANONIMË E TË TJERË
SADOPAK TË NJOHUR TË
SHKRIMSHQIPNXËNIES
KUDO QË ISHIN, JANË E DO
TË JENË
Verba
volant, skripta manent (Fjalët i merr
era – shkrimi rron përhera)
Nga
Dr. Nuhi Veselaj
Parasqarim
motivimi
Lindja e
lashtoshqipes, natyra dhe struktura saj, si për gjuhë të tjera, edhe për të,
mbetet enigmë, por ne sipas parimit ontologjik logjikisht mbështetur në
realitetin e sotëm, po shprehemi ortoletrarisht se Zotynë që
nga krijimet e para të shoqërisë njerëzore, popull-kombin tonë e ngarkoi dhe e
bekoi me këtë gjuhë, por
sidoqoftë, edhe pse misteret e ADN-së mbesin të pazbërthyera qartë, ne duke
falenderuar të parët e të parëve tanë e pasuesit në vijimsi, tashti jetojmë
shqip: flasim shqip. gëzohemi e brengosemi shqip dhe së këtejmi edhe mësojmë,
meditojmë, por edhe lexojmë, shkruajmë e krijojmë shqip. Nuk thuhet kot se
KrijuesiZot, si të tjerëve edhe të parëve tanë, kur ua besoi vetëqeverisjen mbi
Tokë bashkë me dhantitë
si: vetëdija, vullneti dhe
kujtesa historike, duke ua bekuar gjuhën ua ngarkoi përgjegjësinë me
detyrim për ta mirëmbajtur
dhe t’ua trashëgojnë brezave dinjitetshëm, sa më të më të pasur, po edhe me
ngarkim përgjegjësie. Së këtejmi, edhe sot secili individ shqipfolës i
memendshëm lidhur me këtë dhanti ka detyrim ndaj vetvetes, familjes, rrethit
shoqëror dhe ndaj kombit e ndaj hyjnisë që ta japë kontributin e vet në arat
frytdhënëse brenda kufijve të nënqiellit të Nanës
së Atdheut në të mirë të gjuhës shqipe, prandaj edhe ne sipas dëshirës
së kësaj Nane këtë
punim aurealë të
titulluar: “Brerore lavdie
feniksëluftëtarëve anonimë e të tjerë sadopak të njohur të shkrimsbqipnxënies
kudo që ishin, janë e do të jenë”, po ua kushtojmë pikërisht
shqiptrashëguesve dinjitozë ose feniksëshqipkultivuesve anonimë e të tjerëve që
në rutinë deri tashti dhe tashembastashi, sipas mundësisë ta kryejnë amanetin
rreth trashëgimisë së shkrimshqipnxënies.
Së këndejmi, pikërisht duke u mbështetur në
historikun dhe përpjekjet rreth shqipshkrimit apo shkrimshqipnxënies anonime,
jo mjaft të njohur që meritojnë të zbardhen e të përkujtohen me respekt për hir
të ecejakës së vështirë të mësimshkrimit shqip gjatë historisë sonë jo të
largët, meditimin tonë do ta shprehim me disa fjalë në këto 6 pika:
1) Gjurmë
shqipe e shqipshkrime nën hijen e feniksëluftëtarëve pararëndës e frymëzues të
rilindësve tanë, të cilët, në krahasim me gjuhë të tjera, na e lanë shqipen të
identifikuar botërisht të tipizuar si gjuhë më vete si në aspektin e brendshëm
strukturor, ashtu edhe në atë të botës së jashtme.
2) Shkrimshqipnxënia, para, gjatë e pas LPB
me theks shkolla e konvikti “Kosova” në Kolgecaj e Krumë, vepër vlerëshume kjo,
por pak e përkujtuar te ne.
3) Takimi ynë i parë në Kosovë me
shkrimshqipnxënie në “Tokat e Lirueme”, bashkuar Shqipnisë-Nanë gjatë LDB
(1941-1944).
4) Vazhdimi i shkrimshqipnxënies zyrtare
ndaras Shqipëri/Kosovë, 1945-1966, në dy nënperiudha mjegullnajash 1945-1948
dhe 1948-1966.
5) Rreth shkrimshqipnxënies euforike
standarde në Kosovë si në Shqipëri (1967-1999)..
6) Realiteti i ri pas demokratizimit, sfidat
rreth krizës konceptore të një grupi standardistësh paskajorefobë nga Qendra,
pengues drejt normëzimit të natyrshëm të shkrimshqipnxënies.
Natyrisht, fjala përmbyllje si përfundim nuk
do të mungojë me shprehje urimi e mesazh suksesi për feniksët e shqipshkrimit.
1. Gjurmë
e shqipshkrime nën hijen e pararëndësve dhe të vetë rilindësve tanë
si
feniksëluftëtarë të vërtetë me frymëzim iluminist kombëtar
Pa hyrë në
parahistori e histori të lashtë nga mesjeta e tutje, po nisur nga mesjeta e
vonë e teknej ia vlen të përkujtohet trashëgimia e feniksëluftëtarëve të
shqipshkrimit nga pararendësit e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilët na lanë
vepra të sukseshme shkrimi, pikërisht në shqipe me potencial modern të identifikuar
qartë, duke filluar nga Formula e Pagëzimit (1462), veprat e shkrimtarëve të
Veriut të konfesionit katolik, me jehonë vërtet kombëtarie “ën së dashuni të botës sanë”. Kalojmë
nga Jugu përmendim uniatët, pastaj anonimin e Elbasanit dhe shqipshkruesit voskopojarë
e pasuesit e tyre të konfesionit ortodoks, pa harruar shkrues e poetë muslimanë
bejtexhi nga të gjitha viset e Shqiprisë pasi që edhe tek këta u përftuan
shkrime me vlera përtej fetare, ashtu si ishin edhe një mori shkrimesh me shumë
vlerë që i prinin shkrimit shqiporilindës nga arbëreshët e Italisë.
Sidoqoftë, lidhur me sa u tha ia vlen të
theksohet e vërteta, se këta shkrimtarë të vjetër pararilindës bindjen dhe
besimin e tyre tre konfesionor e shprehën me alfabete të huaja, por me fjalë të
gjuhës që e kishin dhuratë perëndie. Po sido që të ketë qenë, kjo stafetë e
shkrimit të shqipes gjithnjë duke u vetëdijësuar u përkap dhe më me zemër e
ndërgjegje të plotë nga feniksluftëtarët tanë rilindës, shebëlltyra të ndritura
atdhetare, të cilët pa dallim feje, krahine e ideje, deri edhe në gojën e ujkut
çpikën armën mbrojtëse, 36 shkronjat (Alfabeti
shqip i Stambollit), për të folurët shqip me
të cilat u identifikua dhe u madhua shqipnxënia, duke rrezatuar edhe përtej
perde-kurthave të Qendrës së Osmanisë në Stamboll dhe qarqeve të shteteve
shoviniste fqinje, të cilat nuk e donin zgjimin kombëtar të shqiptarëve.
Ç’është e vërteta, rilindësit tanë si feniksë
të vërtetë arritën të nxirnin nga shpirti i popullit dhe të derdhnin e
ngulitnin po në ndërgjegjen e masës të asaj popullate nektarin e
shkrimshqipxënies sonë të shëndoshë, mësim-ushqim ky i mbjellë në arën kombëtare,
e cila bimonte e shumohej në çdo çast, kudo ku i jepej mundësia, siç ishin
saksitë lulësore mendore intelektuale të shoqatave të mërgimtarëve shqiptarë,
por edhe në strofullogjet kanunore fisnike brenda trojeve vendëse, ku kishte
gjurmë lashtotradita shqip, e cila u bë bimë substancë elikzire që jepte fryte
pavdekësie për arbërshqiptarët, duke u shfaqur si gjuhë shkrimi gjithandej jo
vetëm diasporave por edhe brenda trojeve shqipfolëse, duke ndjekur shembull
burimet që prinin siç ishte Shkodra loce me
rrethinë me shkollat
shqipe-katolike, me kombinin shkronjash latine, por
me përmbajtje gjithnjë e më
me ngjyrim shqiptarie.
Ndërkaq, si rezultat i kësaj veprimtarie
rilindëse, sidomos me alfabetin shqip të Stambollit (Samiut) u krijua premisa
gjithnjë me përmbajtje më të fortë shqiptare, kështu në Korçë, (lule
shqiptarie), jo pa vështirësi u bë hapja
e shkollës së parë zyrtare kombëtare shqipe. Po ashtu në këtë vazhdë u
vulosën si tapi dy veprat madhore emblematike të kulturës së
shkrimshqipnxënies: Kongresi
i Manastirit (1908), dhe Normalja
e Elbasanit (1909). Dhe kështu shkrimshqipnxënia përkundër pengesave të
shumta nga jashtë e brenda, në prag ashtu edhe gjatë Luftës I Botërore, nuk
kishte të ndalur.
2.
Shkrimshqipnxënia në prag, gjatë e pas LPB, me theks shkolla e konvikti
“Kosova” në Kolgecaj e Krumë, vepër pak e
përkujtuar te ne
Është e
vërtetë se periudhat gjatë e pas Luftave Ballkanike si dhe Luftës I Botërore,
gjeografisë shqipfolëse i solli fatkeqësi më të mëdha se koha e Turqisë, ngase
tokat shqiptare, vetëm pse ishin pothuaj formalisht nën sundimin turk, të
përkrahura nga Europa, u pushtuan nga shtetet fqinje, gjoja si toka turke.
Kështu fillimisht Çameria iu aneksua Greqisë, ndërkohë një pjesë e Kosovës
Lindore (Sanxhaku i Nishit etj) Serbisë (1878), më vonë krejt Kosova dhe
Maqedonia Perëndimore e disa vise anësore veriore, po ashtu Serbisë e Malit të
Zi (1912), kështu, si rrjedhojë, shkrimshqipnxënia e filluar në kohë të fundit
të sundimit turk tashti në viset e pushtuara shqiptare nga okupatorët e rinj
pati ndërprerje, sepse as Greqia, as Serbia e Mali i Zi (1912-1915), assesi nuk
toleronin mësimin shqip, mirëpo për fat pas shpalljes së Shqipnisë së Mosvarme
(1912), një pjesë e gjeografisë shqipfolëse u emnua autonome (1913), e cila fitoi
me fjalë e letër liri shkrimshqipnxënieje, ku feniksët vullnetarë të
shqipshkrimit nuk e ndërprenë mësimin shqip, andaj sigurisht ndërkohë e me
kohë, në këto vise pati njëfarë përparimi nga pikëpamja e shkrimshqipnxënies.
Madje deshi
fati që gjatë viteve (1915-1918) në rajonet nën pushtimin e Austrohungarisë, ku
bënin pjesë edhe disa treva të Kosovës e më gjerë, pati liri
shkrimshqipnxënieje, të cilën e shfrytëzuan po feniksëmësuesluftëtarët tanë
vullnetarë, ndërsa mjerisht viset jugore të Kosovës në trevën që ishte nën
pushtimin bullgar, nuk qe e lejuar një mundësi e tillë.
Me fjalë të tjera Autrohungaria, jo vetëm
lejoi, por përkrahu e ndihmoi edhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Madje,
çka është tejet me rëndësi për kulturën tonë kombëtare: pikërisht në atë
periudhë u ravijëzua edhe standardi e gjuhës zyrtare shtetërore i të shkruarit
shqip, duke përkrahur edhe zbatimin e administratës shqipe. Kështu në Komisinë
Letrare Shqiptare të Shkodrës (1917) që përbëhej nga intelektualë me përgatitje
të lartë profesionale e atdhetare, zyrtarisht në administratë e shkolla u
stabilizuan shkronjat e Kongresit të Manastirit dhe në parim, pra, u ravijëzuan
drejt bazat e një gjuhë të administratës dhe të shkollës shqipe, duke
rekomanduar gjuhën e Shqipnisë së Mesme (elbasanishten), gjuhë kjo, e cila duke
u përpunuar paksa vazhdoi së përdoruri gjatë tërë Periudhës së Pavarësisë së
Shqipnisë Londineze 1918-1939, pa u ndërprerë më 1939-1944 dhe u shtri në
Kosovë në vitet 1941-1968.
Ndërkaq, fatkeqësisht, pas ripushtimit të
Kosovës nga Serbi-Jugosllavia 1918-1941 shkrimi shqip rreptësisht ishte i
ndaluar, mirëpo në ato fillimvite të riokupimit serbo-jugosllav 1918-1922, jo
pak individë e familje kosovare, qoftë nga trevat që kishin qenë nën
administrimin austrohungarez, qoftë edhe atij bullgar, si refugjatë kaluan ose
u ndodhën në vise që konsideroheshin se do t’i takonin Shqipnisë së Pavarur,
kryesisht në Malësi të Gjakovës e në Lumë. Kështu pikërisht për fëmijët e
familjeve të tilla kosovare në vitin 1922/23 ishte hapur Shkolla e Kolgecit
(Tropojë), e cila ndërkohë u transferua në Pukë 1928. Pranë kësaj shkolle ishte
hapur konvikti me emrin
“Kosova”. Kjo ka
rëndësi praktike e historike për kosovarët dhe që duhet përkujtuar si lavdi
kombëtare, jo aq për emërtimin “Kosova”, por për faktin se mesa
di, është konvikti i
dytë pas atij të Elbasanit (1909), ku atje pati frekuentuar një numër simbolik
i fëmijë-shkollarëve kosovarë, kurse këtu, në shkollë-konviktin Kolgecaj e
Pukë, numri i shkollarëve (në raste jo vetëm fëmijë) përgjithësisht kalonte
edhe 100-shin, 80% prej të cilëve ishin kosovarë. Ky fakt me vlerë
kulturo-historike patriotike ia vlen të përkujtohet me jehonë. PO ritheksoj
duhet rikujtuar solemnisht si vepër e madhe sidomos nga shteti e shkolla e
Kosovës si dhe asociacionet si Lidhja e shkrimtarëve etj, në shenjë falenderimi
për drejtuesit e atëhershëm të shtetit e popullit shqiptar dhe në veçanti duhet
mos-harruar feniksëmësuesit e shkrimshqipnxënies, ndër të tjerë si më të
dalluar: Niman Ferizi, Sali Morina, Idriz Jaku e të tjerë si Beqir Kastrati, i
cili, pas LDB, atë përvojë e vazhdoi me sukses në drejtimin e Shkollës Normale
të Gjakovës. Aq më tepër kjo vepër ka rëndësi atdhetarie, sepse kur kemi
parasysh gjendjen ekonomike e politike të Shqipnisë së atëhershme, kjo ishte
sakrificë tejmase atdhedashurie, solidaritet i vërtetë vëllezëror me kosovarët,
ngase Shqipnia asokohe, sapo ishte emnuar si shtet, apo më mirë me thënë, sapo
kishte shpëtuar nga kthetrat gjakatare të ushtrive të huaja dhe gjendja në
shtetin e ri shqiptar vazhdimisht ishte tejet e brishtë si ekonomikisht ashtu
edhe politikisht.
Sidoqoftë, ndërkohë rrjeti shkollor i
shkrimshqipnxënies në Shqipni në periudhën 1918-1939 pati rritje. Kjo pasqyron
të vërtetën sa arsimdashës ishte populli ynë, i cili edhe në kushte tejet të
rënda, deri edhe me krizë buke, bëri përparime vigane në shkrimshqipnxënie, siç
ishte rihapja e rifuqizimi i Normales së Elbasanit, vazhdimi apo hapja e Liceut
të Korçës, ashtu si edhe edhe rihapja apo zgjerimi i Gjimnazit të Shkodrës si
dhe ndërkohë Shkolla e Shulcit në Tiranë etj. Në të vërtetë, vullneti për dije
e shkollë i manifestuar në këtë periudhë ishte e mbërrime e madhe për shtetin,
por edhe për mbarë popullin shqiptar, siç do ta tregojë e ardhmja e afërt,
ngase ndërkohë një pjesë e asaj klase intelektuale entuziaste pikërisht si
forcë potenciale e shkrimshqipnxënies do të angazhohet shumë sukseshëm në trevat
e Kosovës e në vise të tjera gjatë LDB e në vijimsi.
3. Takimi ynë i parë me shqipshkrimnxënien në
”Tokat e Lirueme”
bashkuar Shqipnisë
Nanë gjatë LDB (1941-1944)
Në të
vërtetë, gjatë Luftës II Botërore, kur pothuaj në tërë botën armatat në
formacione rivale, me plot ushtarë, oficerë e gjeneralë, luftonin njëra-tjetrin
pa mëshirë, duke shkaktuar humbje njerëzish e shkatrrim pasurish, ne fëmijët i
një pjese të Kosovës të ashtuquajturave Toka
të Lirueme që iu ribashkuan Shqipnisë
Nanë, patëm fatin që për të parën herë të takoheshim me shkrimshqipnxënie
institucionale, në shkolla shqipe.
Ç’është e drejta, sa më kujtohet ose dua ta
kujtoj romantikisht, që në prezantimin e parë me ne, ku ishim bashkë, nxënës të
grupmoshave të ndryshme të shoqëruar me ndonjë përfaqësues nga prindët e
pushteti, që tani po e jap të stilizuar, mësuesi ynë, i shkodran, Hilmi Duli,
na u drejtua veç tjerash me këto fjalë:
...Edhe na në këtë kohë lufte, së
bashku do të rreshtohemi e do të luftojmë në një front të veçantë, në frontin
jo të lehtë të luftës së shkrimshqipnxanies dhe si mjet të parë nuk do ta kemi thikën e pushkën po shkumësin e lapsin. Dhe për
fillim luftën tonë do ta ngrohim jo me marshe e zhurmë pushkash e topash, por
me kangë për Flamur e për Atdhe dhe paralelisht do të njihemi me armën tonë
themelore: 36 shkronjat e
shqipshkrimit dhe me to do të çajmë përpara në frontin e dijenisë e të
shqiptarisë.
Dhe vërtet, edhe ne me vullnetin që kishim,
sigurisht të motivuar euforikisht edhe nga nxënësit e klasave më të larta të
konvertuara tash nga mësimi serbisht në shqip dhe nga prindët dhe rrethanat
lirijoshëse në ato momente, natyrisht, duke vepruar me dëgjueshmëri e disiplinë
ushtari, duke konsideruar mësuesin komandant deri edhe në gradën më të naltë,
gjatë tri-katër viteve (1941-1944) arritëm jo vetëm të mësonin e zotëronin
shumë shpejt armën 36
shkronjëshe shoqëruar me këngët patriotike, por edhe me përmendshimin
e vargjeve dhe të tregimeve më të bukura nga librat
e këndimit në gjuhën tonë, të përvetësuara gjithnjë me uniformën shpirtërore kuqezi, por
aq më tepër tash të joshur edhe me krenari familjare, e ndjenin veten si
pjesëmarrës të një faqeje të historisë së lavdishme kombëtare, në veçanti të
shkrimshqipnxënies. Kështu edhe unë si krejt nxënësit e shkollave te ne, edhe
pse si fëmijë (8-11 vjeç, si të rriturit e ndjenim veten se u bëmë më të pasur
me shqipshkrimin edhe si ushtarë flakadanë të shqiptarizmës në kuadër të
armatës së shkrimshqipnxënies ndihmonin mësimshkrimin tek të tjerët. Dhe vërtet
si pjesëtarë të një armate të lavdishme në Tokat
e Lirueme që udhëhiqej nga 200 e sa mësues oficerëkomandues e nëpunës
zyrtarë të dërguar nga Shqipnia Nanë, arritëm një fitore të mrekullueshme
masive në arenën e brendshme të shqiptarsisë, pa pësuar asnjë humbje, pa
derdhur asnjë pikë gjaku e loti, pasi lufta jonë ishte në
rrugën e drejtë: për dije e atdhedashuri, ishte në frymën e kauzës rilindëse të
zgjimit kombëtar me ndihmën e shkrimshqipnxënies, me shkollën shqipe.
Kështu themi sepse, edhe pas mbarimit të
luftës së vërtetë shfarosëse, edhe pse te ne ndodhi rikthimi i pushteteve të
errësirës serbo-sllave, megjithatë, përkundër intrigave e kurthave gjithandej e
këndej, nuk mundi askush me na zmbrapsë nga koncepti idealist kombëtar rreth
nevojës së vazhdimit të shkrimshqipnxënies, vlerë hyjnore kjo, e cila në qenien
tonë shqiptare do të mbetet e vulosur në mendje e shpirt si dëshir-ideal i pashuar
drejt përbashkimit kombëtar mbi bazë të shqipligjërimit, gjë që për këtë flasin
veprat atdhetare-kulturore të mbarë ajkës së njerëzve të brezit tonë, sepse e pamundshmja ndërkohë e me kohë
vërtet do të bëhet e mundshme (!), pra edhe me ndihmesën e brezit tonë dhe
të atyre që i edukuam shembëllisht ne, apo jo?!
4. Vazhimi
i shkrimshqipnxënies zyrtare ndaras Shqipëri /Kosovë 1945-1966,
në dy
nënperidha mjegullnajash 1945—1948 dhe 1948-1966
Periudha e
shkrimshqipnxënies ndaras Shqipëri–Kosovë (1945-1966 (Jugosllavi), kur kemi
parasysh politikën ndërshtetërore, mund të trajtohet në dy nënperiudha, e para
1945-1948 dhe e dyta 1948-1966.
a) Nënperiudha 1945-1948
Në të vërtetë, në fillimvitet pas përfundimit
të LDB (1944-1948) edhe pse thuhej se marrëdhëniet politiko-shoqërore
ndërshtetërore të dy shteteve socialiste Shqipëri-Jugosllavisë ishin në një
vijë (komuniste), ne si nxënës më fort ndjenin jehonën e propagandës jo shqipe,
po ruso-jugosllave me parullat e klithjet si: “Oxin
Krasnaja Armija”, “Zhiveo
Stalin-Tito-Enver! etj., kur shkrimshqipnxënia në Kosovë ishte minore
dhe ishte e ndarë nga ajo në Shqipri, megjithatë ende nga Shqipëria kishte
kuadro mësuesish që ndihmonin ose ishin të punësuar në shkollat e Kosovës, por
programet mësimore ishin të ndara, sepse tekstet në shqipe nuk silleshin më së
andejmi. Sidoqoftë, në të dyja anët bëhej fushatë kundër analfabetizmit dhe kjo
ishte punë shumë pozitive. Për fat, edhe arsimi shqip në Kosovë edhe pse shumë
i ligshtuar, nuk u ndërpre. Por, ndërkohë, cilësia mesimshqipnxënies, si me
thënë, pësoi edhe më keq në vitin 1948 kur për shkaqe politike, ndodhi e
ashtuquajtura Rezolutë e
Informbyrosë 1948, me të cilën Jugosllavia u
leçit nga kampi socialist me Bashkimin Sovjetik në krye, kurse Shqipëria u
forcua nën atë ombrellë, atëherë marrëdhëniet Shqipëri Jugosllavi, sidomos ato
kulturo-arsimore me Kosovën u ndërprenë pothuaj hermetikisht.
b)
Nënperiudha 1948-1966
Nga Rezoluta e Informbyrosë (1948),
si akt politik, siç u tha, pësoi edhe më keq shkolla shqipe, sepse disa kuadro
nga Shqipria që ende kontribuonin këndej u dëbuan e disa u larguan pasi nuk u
lojalizuan me regjimin titoist, por ndodhi diçka keq me disa intelektualë
vendës, kundër tyre u intensifikuan maltretime, duke i shpallur armiq
“informbyroistë” vetëm pse përpiqeshin që me përforcim të shrimshqipnxënies të
vepronin kundër asimilimit, ndërrimit të kombësisë në turq e muslimanë
(boshnjakë), madje edhe kundër shpërnguljes.
Përveç asaj që sapo u cek në këtë periudhë
1948 -1966, përveç ndarjes fizike, lidhur me shkrimshqipnxënien ndodhi edhe një
ndarje tjetër lidhur me vetë gjuhën mësimore (zyrtare-administrative). Në
Shqipëri, pas Çlirimit u
hartuan dhe u miratuan “Ortografi të gjuhës shqipe”, duke u fuqizuar kodi i ri
zyrtar mbi bazë të toskërishtes, ndërsa në Prishtinë (Jugosllavi) sadokudo te
shqiptarët vazhdonte shqipja zyrtare që ruante traditën mbi bazë të gegnishtes.
Mirëpo, edhe pse ky dallim ortografie nuk ishte aq shqetësues, pasi për fat
dialektet e shqipes nuk kanë mospërputhje të mëdha, por ndërkohë edhe ky dallim
sidomos në Kosovë shfrytëzohej politikisht nga pushteti për shpërlarje truri me
edukimin socialist jugosllav, duke shfrytëzuar për keq po këtë dallim dialektor
si adut që nga populli shqiptar të identifikoheshin aktualisht dy kombësi
(kombe): albanci (albanezi)
zyrtarish quheshin, si me thënë, toskëshqiptarët në
Shqipëri, ndërsa këta në Kosovë (Jugosllavi), pra gegëshqiptarët quheshin shiptari (jo albanci). Ky
ishte shqetësim me vend, ngase duke u zmadhuar ky emërtim-ndarje mbi bazë
dialektore, ishte rrezik të humbiste shprehëse burimore e gjuhës së shtetit amë
te ne, por edhe do të zbehej sadopak ndjenja njëkombëtare në të dyja anët e
kufirit dhe si rrjedhojë sidomos këndej do të jetësohej më lehtë dëbimi ose
asimilimi i tyre, vepër kjo djallëzore e planifikuar nga Jugosllavia (serbe) që
me këto masa sadopak të bënte të veten, duke zbehur në këtë mënyrë reagime nga
Shqipria, pasi për botën e jashtme, gegëshqiptarët kishin tjetër gjuhë nga
toskë-albanezët(!), apo jo?
Në të vërtetë, kjo ndërprerje e marrëdhënieve
Shqipëri-Jugosllavi për shkak të Rezolutës
së Informbyrosë 1948 zgjati deri në vitin 1966, kur në Brione (ishuj)
të Kroacisë u
mbajt i ashtuquajturi Plenum
i Brioneve (1966), ku për interesa të udhëheqjes së Federatës Jugosllave u
demaskua nacionalshovinizmi serb, konkretisht grushti
i hekurt i shtetarëve shqiptarofobë serbojugosllavë, me në krye Aleksandër
Rankoviqin. Vërtet tashti, pas këtij Plenumi, qëndrimi brutal ndaj shqiptarëve
filloi paksa të shlirej politikisht e shtetërisht, por emërtimi ndarës albanci/shiptari propagandisht
ende vazhdont edhe me lajkëtimin e rendit të ri të: vetëqeverisjes
socialiste me të drejta të barabarta për kombë e kombësi (republika e krahina)
në Jugosllavi që kishte efekte joshëse kjo ndasi përfshqiptarët,
propagandë joshëse kjo, e cila ndikohej edhe nga pasojat e ndarjes së
drejtshkrimit mbi bazë dialektore . Ky shqetësim që prekte, pra, identitetin
njëkombëtar nuk ishte i pranishëm vetëm tek disa intelektualë e studiues të
gjuhës shqipe gjithkëndej, por edhe i disa intelektualëve politikanë e
udhëheqës shqiptarë, të cilët, ashtu si edhe disa kolegë të federatës
jugosllave, e kishin ndjerë në palcë hegjemonizmit serb, andaj me gjallërimin e
të drejtave të shqiptarëve që të bashkëpunojnë kulturisht me Shqiprinë donin ta
dobësonin sadopak nacionalhegjemonizmin e egër serb, por edhe ta zbusnin, si me thënë
politikisht Shqipërinë kritikuese ndaj vetadministrimit
të moderuar jugosllav..
Pikërisht kjo shlirshmëri bashkëpunimi u
manifestua në kulturën gjuhësore te ne, siç do të sqarohet në vijim.
5. Eufori,
përparime e sfida rreth shkrimshqipnxënies standarde
në Kosovë
si në Shqipëri 1967 -1992
Pas
Plenumit të Brioneve (1966), ç’është e vërteta, në shenjë demokratizimi sipas sistemit të ashtuquajtur:
vetëqeverisje jugosllave Kosova u lejua me fillue bashkëpunim kulturor
(edhe pse i kontrolluar) me Shqipërinë. Kjo mundësi u shfrytëzua rrufeshëm nga
kuadrot politiko-kulturorë shqiptarë nga të dyja palët, edhe në planin e
harmonizimit të gjuhës zyrtare drejt shqipes letrare të Tiranës. Është e
vërtetë se tashti u nxor nga heshtja dhe shpërtheu haptas slogani nga pala
kosovarfe: Një komb, një
gjuhë letrare”, slogan ky që gufoi dhe u përqafua euforikisht nga
brezi ynë posa na u dha një mundësi e tillë.
Së këtejmi, pala shqiptare kosovare, pra,
shfrytëzoi këtë atmosferë ashtu si edhe ajo e Tiranës, Kështu kur në Tiranë u
botua teksti Rregullat e
drejtshkrimit të shqipes 1967 (Projekt), ky
tekst pa asnjë vërejtje, mbase pse nuk kishte mundësi polemizimi, u aminua
euforikisht në Konsultën
gjuhësore të Prishtinës më 1968. Në këtë situatë, studiuesit
normëvënës të Prishtinës me prof. Idriz Ajetin në krye, duke u zotua që teksti
i Projektit do të fillojë së zbatuari menjëhershmërisht pa asnjë vërejtje te
ne, hoqën dorë nga drejtshkrimi i vet mbi bazë gegnisht dhe kështu dhanë
mundësi që Tirana shtetërore, pikërisht duke shfrytëzuar qëndrimin kosovar, ta
konsolidonte edhe më tepër standardin e vet mbi bazë të toskërishtes. Dhe
vërtet, pas Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968), pa vërejtje e me një
entuziazëm të paparë filloi zbatimi i Projektit të Rregullave
të drejtshkrimit (1967) në të gjitha institucionet shqipe në Kosovë
(Jugosllavi) dhe kjo fazë zbatimshtrirjeje zgjati pesë vjet. Është e vërtetë se Konsulta e Prishtinës u
shfrytëzua nga Qendra rreth paravendosjes së standardit unik mbi bazë të
toskërishtes që u miratua pa ndonjë ndryshim qenësor në Kongresin e
Drejtshkrimit, Tiranë (1972), ku mori pjesë edhe një delegacion nga shqiptarët
e Kosovës (Jugosllavisë) e më gjerë, të cilët nënshkruan Rezolutën me të cilën
pohohej solemnisht se në këtë Kongres, edhe pse quhej Kongresi i Drejtshkrimit,
të shpallet: njëzimi zyrtar
i gjuhës letrare kombëtare shqipe.
Sidoqoftë, flas nga përvoja ime, në periudhën
1967-1984, si shumë prej nesh, ashtu si edhe unë, që kishim provuar edhe
burgje, izolime, përndjekje, represalje nga pushteti titorankoviçist, ku
domosdo rëndonte edhe qëndrimi fanatik yni ndaj shkollës e gjuhës shqipe, tash
në atmosferën postbrioniane filluam të ndjenim paksa njëfarë shlirje prangash
nga mendja, edhe pse ende mbanin rezervë ndaj besës jugosllave,
por sa i përket normëzimit rronim nën narkozën e euforizmit, sepse me këtë na u
hap një deriçkë shprese drejt Shqiprisë, kur vetë emri i saj na i ngrohte
synimet, prandaj Projektin e pranuam me mish e shpirt dhe përpiqeshim ta bënim
të pamundurën që ta zotëronim dhe ta zbatonim kudo këtë normë, aq më tepër pas
Kongresit (1972), kur edhe u kompletua ai standard me vepra mbështetëse, si: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe
(1973), Fjalori drejtshkrimor (1976), Gjuha letrare shqipe për të gjithë (‘76),
Gramatika e Akademisë I (1978), Studime mbi leksikun I, II, III, Fjalori i
gjuhës së sotme shqipe (1980) etj., me të cilat kryesisht fuqizoheshin
po ato rregulla të Projektit 1967,
të cilat për ne konsideroheshin vepra pa të meta, andaj si të tilla u gëlltitën
nënvetëdijshëm nga goja e truri ynë, si me thënë, si buka për të uriturin, edhe
pse mbase dilnin nga furra e veprimtarisë pa u pjekur mirë, por vetëm pse ishin
bukë e miellit të drithit tonë shqipoligjërimor dhe e gatuar nga profesionistët
tanë më me famë të përkrahur nga qeveria shqiptare, pa llogaritur fare se si do
ta pranojë midja atë ushqim-strukturë të sistem-standardit që sadopak e kishim
të ravijëzuar, prandaj veprat në fjalë ishin të përqafueshme pre nesh.
Sidoqoftë, norma e re e vullnetshme realisht në formë të shlirshme te ne
vazhdoi të bënte shtatshtrirjeje pa kurrfarë rezerve si gjuhë zyrtare, si gjuhë
shkolle, administrate, publicistike deri edhe në veprimtari letrare artistike.
Në të vërtetë, veprat e sapocekura pas
kongresiane mua më gjetën të parapërgatitur, me që gjuha shqipe më kishte
rrëmbyer shumë më parë, që në bankat e para të shkollës fillores si dhe të
shkollës së mesme, të cilën si dashamirës i saj e kultivoja qoftë si krijues
vargëzimesh të para, qoftë si mësues filloreje e ndërkohë pa shkëputje nga puna
edhe e studiova gjuhën shqipe, e kreva fakultetin, magjistrova dhe doktorova po
nga kjo fusha e gjuhësisë shqiptare.
6.
Realiteti i ri pas demokratizimit, sfidat rreth krizës konceptore të një grupi
standardistësh paskajorefobë nga Qendra pengues drejt normëzimit
të natyrshëm të shkrimshqipnxënies
Ç’është e
vërteta, deri në vitet e ’90-a unë si edhe më parë, që nuk isha pa shokë shumë,
ndonëse e dinim se Shqipria ishte me halle, por kurrë nuk kemi duruar që dikush
të hedhë baltë mbi Nanë-Shqiprinë,
Atdheun tonë të shenjtë, madje nuk i përfillnim as ata që njollosnin
politikisht udhëheqesit e saj, sepse ndërrimi i pushtetit me dhunë në komunizëm
do të shkaktonte luftë qytetare, destabilizim e kaos të shoqërisë në të gjitha
poret e jetës si edhe në çështjen e gjuhës zyrtare, gjuhë kjo, e cila na
ushqente nëpërmjet radiostacioneve të Shqiprisë si dhe disa burimeve që
ilegalisht mund të na binin në dorë. Kështu duke pasur bindje se rreth gjuhës
letrare kombëtare gjithçka ishte zgjidhur drejt dhe në mënyrë profesionale, çdo
vërejtje apo thashetheme që pëshpëritej edhe lidhur me largimin e gegërishtes
në përgjithësi dhe kërkesën për paskajoren e mirëfillt në standard, e quanim të
pabazë, edhe pse pikërisht ajo na paraqitej si penguese e parë. Sa ishim
fanatikë në zbatimin e atyre rregullave pa paskajore po përmend faktin se në
biseda të lira, e korrigjoja vetveten, madje edhe të tjerët sipas devizës: Fol shqipo fol me mend,/paskajores
mos e përmend. Kështu i korrigjoja bashkëfolësit, nxënësit, studentët,
mësuesit, këdo, deri edhe të moshuarit në familjen e gjerë, ndeja odash e
takime të ndryshme. Dhe pikërisht për t’ua mbyllur gojën pëshpëritësve kundër
shenjtërisë së normës së Kongresit dhe për herrjen më lehtë të paskajores nga
ligjërimi spontan i vura vetes për detyrë që të studioja më në hollësi shtyllat
bazë të këtij kodi. Së pari fillova nga Drejtshkrimi... duke
e krahasuar me
drejtshkrimin e mëparshëm: ortografinë mbi bazë të Komisisë Letrare të
Shkodrës, e në veçanti me Ortografinë
e gjuhës shqipe të Prishtinës 1963, të cilën e kishim në përdorim deri
në vitin 1968. Nga ky krahasim dhe nga përthellimi logjik në studimin i bazave
teorike mbështetëse rreth formimit të stadardeve gjuhësore të gjuhëve të
ndryshme, menjëherë më ra sy se norma e shqipes mbi bazë të toskërishtes ishte
e ngushtë e jo gjithpërfshirëse e vlerave të domosdoshme të thesarit të shqipes
së natyrshme, megjithatë ishte pozitive pasi tashmë ishte shpallur si gjuhë e përbashkët letrare
kombëtare, dhe përkrahej shtetërisht, madje dhe
besonim se baza e saj do të përplotësohej ndërkohë e me kohë. Kështu, pra, për
ne baza e përzgjedhjes toskërishte në
parim aspak nuk kontestohej, nuk kontestohet as sot por ajo bazë, për të qenë mbidialektore, siç i
takon çdo norme standarde do të duhej zgjeruar bazën e vet. Këtë bindje e
përforcuam pasi pasi u përthelluam sadopak në ristudim-konsultimin e
shtyllavetë tjera bazë dhe konsultuam në hollësi Fjalorin
drejtshkrimor dhe Gramatikën si dhe shkrime të tjera, të cilat
përkundër propagandës se ishin të përkryera, vërehej lehtë se në to nuk
pasqyrohej i plotë as sistemi emëror as ai foljor, madje kishte disharmoni mes
tyre, pa përmendur atë më të rëndësishme se në to nuk ishin përfshirë vlerat
kryesore përfaqësuese të shqipes globale as thesari historik, as ai aktual.
Kështu gjatë trajtimit të gjithanshëm të
këtyre shtyllave mësuam të vërtetën se standardi zyrtar mbi bazë të
toskërishtes fillimisht ishte plasuar alapartizançe më 1945 dhe po sipas asaj
parimsie ishte formëzuar dhe kishte vepruar si gjuhë shtetërore mbi atë bazë
deri në vitin 1967, dhe si e tillë u miratua në Konsultën e Prishtinës (1868)
dhe kështu u mundësua edhe të shpallurit e kurorëzimit të saj si gjuhë e
përbashkët zyrtare shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).
Por sidoqoftë, pa marrë parasysh ecejaket e
formëzimit, tashti gjuha standarde shqipe ishte një fakt në funksion
mbarëkombëtar që nuk mund të mohohej dot. Kjo ishte arsyeja që kërkoja ide si
me zbutë këtë problem kaq të madh. Për një veprim të tillë kishim parasysh atë që ishte thënë në Kongresin e
Drejtshkrimit, siç ishte fjala prof E. Çabej, i cili porosiste që “...drejtshkrimi nuk duhet bërë
tepër i ngrirë”...dhe se “puna
e drejtshkrimit ndërkaq nuk ka mbaruar...” Po ashtu edhe prof.
Androkli Kostallari ndër të tjera, në fjalën e mbylljes së Kongresit pranonte
që as gramatikisht puna nuk qëndronte mirë, sepse sipas tij:
“... studimet e thelluara në fushën e morfologjisë ende nuk kanë filluar”. Madje
edhe nga Rezoluta e
Kongresit lexojmë: “Institucionet
shkencore arsimore... t’u kushtojnë vëmendje të vazhdueshme problemeve të
drejtshskrimit dhe të ndëmarrin studime të mëtejshme në këtë fushë ... duke
marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare “Rregullave
të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen (...) përmirësimet e
plotësimet e duhura”.
Kështu duke u thelluar në këtë problematikë,
duke pasur në vijë dy mendim-propozime të cekura nga profesorët tanë të nderuar
Rexhep Ismajli e Fadil Sulejmani arrita në gjykimin se sa për fillim si mundësi
e parë e përmirësimit të standardit ekzistues, i cili duhet të mbetet bazë,
ofrohej rikthimi i paskajores së mirëfilltë në standard, së
paku si rast i veçantë, pa u ndërlidhur me paradigmat e sistemit foljor të
gegrishtes, i cili komplet ishte përjashtuar nga normëzimi aktual. Dhe vërtet
paskajorja e mirëfilltë me autonomi kuptimore që ka ofrohej një sigurrë
zgjidhjeje me burime të kthjellta që po t’i kthehej derdhja në bazenin standard, jo vetëm
nuk do të prishte punë fare, por do ta vazhdonte me kthjellue, forcue dhe
pasurue bazën e gjuhës së sotme letrare shqipe, duke e kthyer ecjen e saj në
binarët apo rrjedhjen e saj të sigurt drejt një standardi të natyrshëm.
Kështu
pasi e përblova mirë e mirë në mendje këtë ide-zgjidhje gjeta rastin që për
këtë e njoftova profesor Androkliun, duke i theksuar këto nënfusha autonome
semantike që mbulon paskajorja e mirëfilltë si rasti veçantë pa prekur normën
aktuale, siç janë:
1) barasvlerësia e plotë ndaj infinitivit të gjuhëve të tjera,
2)
të shprehurit e idiomave të veçanta
frazeologjike me paskajore,
3)
e drejta e përdorimit të paskajores në fushën e krijimtarisë artistike dhe
4)
në raste sinonimie paskajore / lidhore e trajta të tjera, ku përdorimi i saj
del i arsyeshëm.
Me
të cekur të fushave të caktuara autonome, profesori i nderuar, më dëgjoi me
mirëkuptim dhe më porositi që sa më parë ta
paraqitja me shkrim këtë zgjidhje, në
mënyrë që t’ua marrim nga goja (kundërshtarëve), që
edhe me këtë formë ta pasurojmë kodin e shqipes së sotme letrare kombëtare.
Në
të vërtetë, konteksti për tri nënfushat e para është pasuri që assesi nuk mund
të anashkalohet, madje as të mbulohet (përkthehet) plotësisht me ndonjë mjet sinonimik, ndërsa
fusha e katërt mund të mbulohet sinonimisht me ndonjë trajtë të lidhores, duke
u konkretizuar me njërën nga tetë vetat përkatëse, por megjithatë paskajorja
mbetet me kuptim autonom në fushën abstraksionit, madje përveç barasvlerësisë
që ka me ndonjërën nga tetë vetat e lidhores, varësisht nga koteksti ka
barasvlerësi edhe me trajta të mënyrave të tjera foljore, por edhe edhe me ato
emërore në raste të caktuara.
Sido
që të ketë qenë që nga ajo kohë fitova bindjen se fushata e luftës që bëhej kundër zhdukjes së
paskajores së mirëfilltë në fakt ishte vetvrasje për vete normën në fuqi, ngase
me një përjashtim a zhdukje të tillë normës i mbyllej rruga e
perspektivës drejt standardit të natyrshëm të gjuhës shqipe. Andaj lidhur me këtë ide-zgjidhje, pra për
paskajoren e mirëfilltë në standard, kur
m’u dha rasti, opinionin
tim e paraqita fare shkurt në Konferencën
shkencore me temën bosht: “Gjuha
letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, Tiranë, nëntot 1992, kur
mjerisht prof. A. Kostallari nuk ishte më në jetë, andaj nga pasuesit
normëvënës nuk hasa në mirëkuptim.
Vërtet, ndërkohë rreth nevojës për integrimin
e paskajopres së mirëfilltë në standardin ekzistues kam bërë edhe paraqitje të
veçanta me shkrim: më 1997, 2000, 2006, 2015 etj., shih titujt e veprave më
poshtë.
Ç’është e drejta, ne përveç kësaj teme gjatë
vëzhgimeve tona kritike rreth problemeve të standardit të shqipes ndërkohë kemi
trajtuar edhe jopak tema të tjera në këtë frymë, pa qenë i ngarkuar nga vendi i
punës, pa qenë i inxitur nga ndonjë institucion apo epror, përkundrazi,
pa përkrahje, pa u
stimulua fare nga askush as gojarisht as materialisht, duke respektuar
ndërgjegjësisht standardin në fuqi, për hir të emërtimit gjuhë shqipe e përbashkët me
vetiniciativë vijova për aq sa munda dhe dita me kontribue në të mirë të
përvetësimit e përmirësimit të këtij standardi (edhe pse kryesisht
njëdialektor), me qëllim që duke paraqitur të metat t’u bëhen përforcime,
përplotësimie e përmirësime shtyllave kryesore të këtij standardi me synim për
të arritur në një standard më të natyrshëm të gjuhës globale shqipe. Së këtejmi
për të njohur lexuesin e nderuar dhe studiuesit e interesuar, mbase ende të
painformuar me temat e trajtuara prej nesh që nga ajo kohë e deri në ditët
tona, tash fill po i paraqit titujt e 15 veprave, deri tash të botuara nga
fusha e gjuhësisë shqiptare, duke i shoqëruar me ndonjë sqarim nga përmbajtja:
1. Çështje të shqipes standarde në
fushë të leksikut dhe të fjalëformimit I, Rilindja 1997, fq.
224
-ku pas parathënies jepet punimi, Përsosja e shqipes standarde faktor
integrues në jetën tonë kombëtare, i cili në njëfarë mënyre në disa
pika ceket paskajorja si dhe paralajmërohen temat që do të trajtohen në
vazhdimësi. Ndërkaq aty rreth konsolidimit të modeleve të caktuara emërformuese
mbi bazë të disa prapashtesave të specializuara, janë trajtuar katër tema: a) Përcaktimi i rregullës për formimin
e emrave prejfoljorë të vepruesit me –ËS, b) Formanti
–AS si ndajshtesë e specializuar për emërtimin e njerëzve sipas vendbanimeve e
prejardhjes... c) Rreth
formimit me prapashtesim të emrave të sendeve në shqipen letrare -UE/S, -ORE etj. dhe
ç) Formanti –TORE
prapashtesë e mëvetësishme në shqipe me prirje specializimi për emërtimin e
vendshërbesave. Mjerisht zgjidhjet pragmatike që ofrohen nga analizat
përkatëse të këtyre temave nuk janë shfrytëzuar, andaj atë ditë e sot çështje e
tilla sot e kësaj dite kanë mbetur përgjithësisht të hapura.
2. Paskajorja, çështje e shqipes
standarde, Dardania sacra, Prishtinë 2000, fq. l69–
u prit mirë si punim, pati jehon, madje nuk
përçmohej as vlera e mesazhi i saj, por ndërkohë u gogolëzua, me shpifje se
integrimi i saj gjoja do ta prishte standardin e pastër të toskërishtes?!
3. Foljet më -O – në gjuhën shqipe,
Dardania sacra, Prishtinë 2002, fq, 245
– Meqë Xhuvani –Çabej i kishin trajtuar vetëm
prapashtesat e parashtesat e sistemit emëror të shqipes, ne trajtuam kryesisht
prapashtesat e sistemit foljor të shqipes dhe vërtet arritëm në rezultate të
reja. Në gramatikat shkollore si dhe në atë të Akademisë, përmenden nja 8-9
prapashtesa foljore, nga analiza jonë dolën risime që lypsen vlerësuar, ngase
në formimin e foljeve marrin pjesë 27, përkatësisht 28 prapashtesa, të cilat
kanë prirje specifikimi për nënfusha të caktuara semantike.
4. Paskajorja dhe standardizimi i
gjuhës shqipe, Prishtinë, 2006, fq.
280
Meqë ndërkohë ishin pajtuar studiuesit nga
Tirana e Prishtina me arsyetimin se paskajorja gege, edhe pse cilësohej si shtyllë kurrizore
e gegrishtes atë assesi nuk e pranuaka standardi aktual mbi bazë të
toskërishtes, ne, edhe pse kishim sugjerim që të hiqnim dorë nga botimi i këtij
libri propaskajores në standard, përndryshe do të kisha pasoja bojkotuese, ne,
megjithatë e publikuam, me të cilën argumentuam të kundërtën, nevojën e domosdoshme
të integrimit të paskajores, pikërisht për nënfushat e caktuara autonome
semantike që mbulon ajo etj.-etj.
5. Rreth formëzimit të emërtimeve të
njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe (tezë doktorate) MASHT e
RK-së, Prishtinë 2014, fq.290
Edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, po edhe në
Kosovë emërtimet e njerëzve sipas profesionit e sipas organizatave
ndërkombëtare si ILO etj. kanë mbetur çështje të hapura, por aq më tepër kanë
mbetur çështje fjalëformuese brendapërbrenda shqipes, por edhe në raportin
Kosovë-Shqipëri. Me rastin e konstatimeve dhe të formimit të emërtimit
të vepruesit si emërtim i njeriu sipas profesionit domosdo konstatohet edhe
trajta e pjesores së paskajores së mirëfilltë, por edhe të asaj standarde te
foljet me prapashtesën -r e –rë tipi: ziej (me zie, zier) zies e zierës; blej (me ble, brerë)
bles e blerës etj.
6. Rreth identitetit të gjinisë
asnjanëse në shqipen e sotme, Era, Prishtinë, 2015, fq. 200
Rreth asnjanësit të shqipes të gjithë
studiuesit e deritashëm kanë dështuar, ngase kanë analizuar kryesisht apo vetëm
tipin asnjanës
pandajshtesor, ndërsa i kanë lënë të patrajtuar 3 tipa të tjerë asnjanës
paranyjëzorë: a) asnjanësit
prejmbiemërorë, 2) asnjanësit
prejpjesorë dhe
3)asnjanësit prejrrjedhorë, të cilët janë aktivë në shqipen e sotme,
përdorimi i të cilëve, sidomos në fushën e abstraksionit puqet, përkatësisht
ndërkëmbehet sinonimisht edhe me paskajoren me+pjesore.
7. Shumësi dhe shquarsia e emrave në
shqipen standarde, Era, Prishtinë, 2015, fq 528
Vërtet, në gramatikën e Akademisë, por edhe
në punime të tjera, shumësi dhe shquarsia e emrave nuk është trajtuar në
hollësi dhe në mënyrë të plotë, andaj nga analiza jonë dolën rezultate me jopak
risime, të cilat duhen vlerësuar drejt, ngase kompletojnë njohuritë përkatëse në
shqipen e sotme letrare dhe njëherazi dalin në dritë shumë prirje zhvillimore
që nuk janë hetuar më përpara, siç është edhe prapashtesa –aj e specializuar për
fushën e antroponimisë e jo parësorisht për atë të toponimisë, apo jo?!
8. Drejt standardizimit të gjuhës
shqipe, Era, Prishtinë 2015, fq.
516-
Në këtë vëllim trajtohet historiku i gjuhë së
shkruar shqipe, që nga shekulli XV e në veçanti nga Shoqëria e Stambollit e
deri në ditët e sotme. Vërtet gjatë analizës saktësohen e ofrohen risime,
konstatime e zgjidhje që nuk njiheshin më përpara. Trajtohen të gjitha
ortografitë pas LDB, të Tirtanës dhe të Prishtinës. Nga trajtimi i tekstit të Drejtshkrimit në fuqi
po cek faktin në 64 paragrafë të Drejtshkrimit dalin mbi 200 çështje të
diskutueshme (!), madje trajtohet në hollësi edhe çështja e paskajores
me+pjesore për të cilën rikërkohet urgjentisht integrimi i saj në standard.
9. Kontributi i Asdrenit në formimin e
gjuhës letrare kombëtare shqipe, Era, Prishtinë 2015 , fq. 204
Edhe kjo temë magjistrature për kontributin e
Asdrenit për gjuhën letrare shqipe e formuluar nga prof Kostallari ka risime që
nuk janë vërejtur nga studiuesit e tjerë, siç është edhe përdorimi i gegizmave
nga autori dhe në veçanti përimtimi i përdorimit të paskajores së mirëfilltë.
10. Çështje të shqipes standarde në
fushë të normëzimit II, Era, Prishtinë 2015, fq. 272
Këtu në 20 tema trajtohen çështje të
diskutueshme të nomës standarde, të cilat kërkojnë vlerësim e zgjidhje. Secila
temë në vetvete zgjon interes.
11. Çështje të shqipes standarde III,
28 tema të hapërdara, Era, Prishtinë, 2017, fq. 273
Edhe në këto 28 tema janë trajtuar çështje
nga fusha të ndryshme të standardit të shqipes, të cilat përmbajnë shumë risime
që gjithsesi kërkojnë vlerësim e zgjidhje.
12. Çështje të shqipes standarde rreth
emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë IV, Era, Prishtinë, 2017, fq 249
Këtu është vazhduar trajtimi rreth formimit
të emrave të vepruesit me cilësi profesioni, ku veç tjerash janë konsultuart
tri guida (tekste të emërtimeve të njerëzve sipas veprimtarisë) të pas vitit
1990, të botuara me plot gabime, dy në Shqipëri e një në Kosovë, andaj tërhiqet
vërejtje që edhe çështjet nga kjo fushë të zgjidhen e harmonizohen si duhet,
duke pasur parasysh, edhe natyrën fjalëformuese të gjuhës shqipe në raport
Shqipri-Kosovë-Maqedoni etj., si dhe të harmonizohen emërtimet që imponohen në
raporte ndërkombëtare.
13. Çështje të shqipes standarde rreth
disa termave nga fusha e teknikës dhe e ekonomisë V, Era, Prishtinë,
2017, fq
178
Në këtë vepër janë përfshirë disa tema me të
cilat ishim të ballafaquar në Kosovë, me synim që zgjidhjet të jenë në harmoni
mes profesionistëve të dy shteteve Shqipëri - Kosovë.
14. Çështje të shqipes standarde rreth
vendbanimeve, VI, Era, Prishtinë, 2017, fq. 253.
Meqë në Kosovë u bënë përpjekje si edhe në
Shqipëri më parë rreth shqipërimit të disa emërtime të vendbanimeve ne ofruam
përvojën tonë, duke gjetur e mënyra emërformuese të të kësaj natyre me prapashtesat e
specifikuara sipas natyrës së gjuhës shqipe.
15. Fjalor pune (poslovni
re?nik) shqip –serbisht, për ndërmarrjet metal-përpunuese – me theks
terminologjia tekniko-teknologjike, Era Prishtinë, 2017, fq, 155
Edhe pse e titulluam këtë vepër si Fjalor
pune (menagjimi),
në të vërtetë është Fjalorth
dygjuhësh shqip-serbisht e anasjelltas, i cili përmban afro 5000 zera
dhe 3000 nënzëra, gjithsej mbulon afro 8000 koncepte emërtesash kryesisht nga
fusha e tekniko-teknologjike, me interes për shqipen standarde. Ky Fjalorth dygjuhësh
serbisht shqip e anasjelltas është
hartuar gjatë procesit të punës konkrete si përkthyes në ndërmarrje industriale
metalpërpunuese “Amortizatorët”- Prishtinë, andaj përmban edhe terma me interes
nga fusha të tjera, me të cilat ballafaqoheshim në vendin e punës. Është me
rëndësi të konsultohet kjo vepër dhe të shfrytëzohet ndërtimisht në raport me
profilizime të gjuhëve të tjera.
Të gjitha këto vepra që kapin afro 4
mijë faqe tekst (3985), pa llogaritur intervista e artikuj të botuar nga kjo
fushë që ende nuk janë letërlibërtuar, kanë mbetur, pothuaj, ende të pa
vlerësuara rigorozisht, edhe, pse në to shtrohen edhe çështje të hapura e
risime nga fusha e standardit, siç është edhe çështja e paskajores së
mirëfilltë, për të cilën qysh para afro 30 vitesh e në vazhdimësi kam kërkuar
ugjentisht integrimin ose rikthimin e saj në standard, por njëherazi pa marrë
parasysh rrjedhojat, edhe e kam filluar me përdorë praktikisht në shkrimet e
mia, përkundër disa reaguesve (studiues e intelektualë të dalluar) të cilët
janë shprehur pro rikthimit të paskajores së mirëfilltë në standard, por mesa
kam vërejtur numër i konsiderueshëm i tyre ende po hezitojnë me e përdorë në
shkrimet e tyre, dhe kështu nënvetëdishëm po demantojnë vetveten dhe njëherazi
po ndihmojnë paskajorefobët në luftën e tyre për zhdukjen apo gjthsesi janë
kundër paskajores në standard.
E tham se në veprat tona kemi shtruar mjaft gjerësisht
çështjen e paskajores së
mirëfilltë (me+pjesore e shkurtër), por edhe tani në 6 pika, do t’i
them ca fjalë, të cilat duhet t’i dëgjojnë të gjithë e në veçanti standardistët
mohues të paskajores.
E para, standardistët paskajorefobë, mohimin
e rikthimit të paskajoires në standard vazhdojnë ta arysetojnë: “Norma
e sotme e hartuar mbi bazë të toskërishtes nuk e pranon paskajoren (gege)”. Çdo njeri që njeh punë,
kur e krahason këtë arsyetim me titullin e shtyllës bosht të standardit: Gjuhë e përbashkët letrare
kombëtare shqipe, e kupton se arsyetimi
i tillë vret vetveten, apo jo?! Kjo kuptohet lehtë, pasi nuk kemi të
bëjmë me standard të një dialekti po me standard
të përbashkët të gjuhës shqipe, standard ky që ka detyrim, të përfshijë të
gjitha vlerat më thelbësore jo të një dialekti, por të gjuhës (shqipe) që e
përfaqëson, apo jo?!
E dyta, edhe arsyetimi tjetër plotësues se
gjoja: “Toskërishtja nuk ka
paskajore me+pjesore, andaj nuk e njeh atë”, konstatim ky që del shumë i diskutueshëm
dhe gjithsesi dëmton tipologjinë e vërtetë të gjuhës shqipe?! Ne kemi sjellë
argumenta të parrëzueshëm në të mirë të ndeshjes së paskajores me+pjesore, jo
vetëm në këngë, por në të folur në të gjitha viset jugore, madje fundi i fundit
nuk mund të thuhet se shqipja nuk ka paskajore të mirëfilltë, apo jo?!
E treta, kur thuhet se arbërishtja (Itali) i
takon toskërishtes pa infinitiv, e vërteta e demanton këtë konstatim.
Studiuesit kanë sjellë me dhjeta shembuj që e thonë të kundërten. Ne sa për
kërshëri, po e sjellim një fakt që zgjon shumë interes. Në një abetare arbëreshe (Libër këndimi i progamuar nga
Golletti, 1997), ndeshëm tekstin:
Kur zë
vasha m’u leeee,/ pra m’u rritë, m’u bë kopile,/ proskonit vejin e vijiiin...
Pra,
kuptohet qartë se në atë abetare
të programuar u rekomanduaka mësim-përdorimi i shprehjeve me
paskajoren e mirëfilltë: me
u le, me u rritë, me u
bë (kopile), të cilat mbesin pjesë e kultivimit të kulturës gjuhësore
me paskajore tek arbëreshët,
E katërta, lidhur me pikën e mësipërme pyesim
standardistët aktual nga Qendra, kapës të politikës së standardit gjuhësor, pse
në abetare ose në librat e filloristëve tanë e përgjithësisht, mos të veprohet
si tek arbëreshët? Pse mos të ketë vend në librat tanë shkollorë edhe ndonjë
shprehje lapidare idiomatike me paskajore si kjo:
O sa mirë
me qenë shqiptar, me folë shqip e me pasë atdhe!
Nuk besoj
se ka njeri të esëlluar nga bota shqiptare, jo vetëm ata që e kanë të lindur
paskajoren e mirëfilltë në strukturën e tyre ligjërimore, por edhe nga të tjerë
ngado qofshin ata, që nuk e kuptojnë këtë perlë, apo nuk vlerësojnë rëndësinë e
kultivimit të pasurimit të standardit të natyrshëm të shqipes me paskajore: me qenë (shqiptar), me folë (shqip) dhe me pasë (atdhe), shprehje kjo
normale e gjuhës shqipe, që josh shpirtin e çdo shqipfolësi, apo jo?! Kërkojmë të vlerësohet kjo që e thamë.
E pesta, të kuptohemi ne nuk kontestojmë
normën, por jemi këmbëngulës në kërkesën që edhe paskajorja me +pjesore të jetë
e pranishme në standard, sepse siç e kanë vërejtur me dhjeta e dhjeta studiues
e intelektualë, dëbimi i saj i ka shkaktuar e po i shkakton kulturës gjuhësore
të shqipes shumë dëme, si nga pikëpamja historike ashtu edhe ajo aktuale, dhe
aq më keq refuzimi i saj nga disa standardistë paskajorefobë nga Qendra po
ndikon fatalisht edhe në unitetin shpirtëror kombëtar.
E gjashta, paskajorefobët duke u përpjekur
paskrupullisht për zhdukjen e paskajores së mirëfilltë kanë përdorur e po
përsërisin edhe sot shumë të pavërteta, duke theksuar se rikthimi i saj në
standard prishka gjithçka, gjë që nuk është e vertetë, por me një progandë të tillë
kanë arritur që disa respektuesve naivë t’ua shpërlajnë trurin.
Ne nuk po përmendim këtu fakte të tjera,
ngase diçka më shumë paralajmërojmë se do të themi në një trajtesë tjetër që do
të pasojë së shpejti, titullin e së cilës po e zbulojmë me qëllim: “Gogolëzimi i paskajores së
mirëfilltë, trill patalogjik i shpifur me pasoja fatale ndaj njëzimit të
standaradit të shqipes së natyrshme”. Do të isha i lumtur, nëse dikush
argumenton të kundërtën.
Sido që të jetë, duke e lënë temën rreth
paskajores të prangosur për standardin, marrim guxim të kërkojmë nga
feniksëluftëtarët anonimë e të tjerë të shkrimshqipnxënies jashtë e brenda
trojeve shqipfolëse, kudo që janë, ta
kenë detyrë morale me i thye barrierat penguese nga veprimet e këtyre
paskajorëfobëve standardistë kapës të politikës së standardit
gjuhësor, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se sa dëm i kanë shkaktuar deri tash normëzimit të shqipes së natyrshme dhe unitetit ligjërimor kombëtar, duke mosqasur
prurje të domosdoshme nga norma e natyrshme e shqipes globale, siç është edhe
paskajorja e mirëfilltë (me+pjesore e shkurtër).
Përfundim
Nga kjo aureollë ose brerore, kushtuar
feniksëluftëtarëve të shkrimshqipnxënies, u përpoqëm të sjellim te lexuesi
historikun e gjuhës shqipe nga një këndvështrim i veçantë. Edhe pse enigma
rreth lindjes së gjuhës shqipe qëndron, por sido që të zbërthehet kjo për ne
dihet se falë lashtoshqipes, përkatësisht të të parëve tanë pas hapërimeve
shumë shekullore ne e gëzojmë të trashëguar këtë gjuhë zemre, mendje e pune si
gjuhë të folur, por edhe si gjuhë të shkruar.
Ç‘është e vërteta, nuk ishte lehtë të ruhej e
të mbrohej duke u gjallëruar ky identitet i përbashkët shqiptar, sepse historia
njeh dështime të mëdha të gjuhëve të komb-popujve të caktuar, ngase disa syresh
u shuan gjuhësisht, disa u rrudhën, gjeografikisht, por në anën tjetër disa
edhe u ripërtërinë, u ringjallën, duke e lulëzuar rritën e gjuhës së tyre.
Shikuar në këtë kontekst mund të thuhet se shqipja pësoi shumë rrudhje në
etnogjeografinë e vet gjuhësore, por megjithatë ajo u ringjall pikërisht edhe
në saje të veprimeve të vetëdijshme të shumë feniksëluftëtarëve shqippërdorues
e kultivues nga e kaluara, të cilët jo vetëm e folën, por edhe e begatuar trashëgimin
e saj edhe edhe me vepra të shkruara. Për këtë, pra, falenderimi, parësorisht i
takon vetë bashkësisë shqipfolëse me në krye feniksëluftëtarët anonimë e të
tjerë të derisotëm e sidomos të ardhshëm të shkrimshqipnxënënies, të cilët NanëMadhja Shqiptare, e cila
bashkë me bekimin e mësimit të shqipes përsërit detyrimin moral për të tashmen
e të ardhmen për të gjithë bijt e bijat e veta, për çdo
nxënësushtar të shkrimshqipnxënies, nga çdo prind atdhedashës e nga çdo mësueskomanduesi të shqipkultivimit
që përveç pajisjes me
uniformën shpirtërore kuqezi që është lulja më e bukur e shqipohistorisë, të
pajisë vetveten dhe rrethin familjar të ngushtë e të gjerë me shkrimshqipnxënie
dhe të ndihmojë shqipfolësit të bashkëjetojnë dhe bashkëshoqërohen në
bashkësitë që madhojnë mbretërinë e shqipopoezisë dhe të shqipodijenisë
universale e atdhetare, veprimtari kjo, e cila e dalë nga thelbi i shpirtit
shqiptar i priu kombit tonë nëpër shekuj në luftën e shenjtë për mbijetesë e
begati njerëzishmërie dhe po i prin sot me mjete bashkëkohore për një jetë me
edukatë e shqipodashamirësi që kjo të mbetet kurorë e përjetshme e trashëgimisë
njerëzore.
Dhe së fundi, NanëMadhja
e Atdheut të gjithë shqipfolësve e në veçanti feniksëluftëtarëve
anonimë e të tjerë pak ose shumë të njohur, brenda e jashtë trojeve shqipfolëse
dhe kudo që jetojnë dhe e kanë shqipen në shpirt, mendje e zemër, në shtratin e
së cilës, siç e ka thënë një studiues: mund të gjejë
prehje çdo gjuhë e huaj, ndërsa kjo jona, gjen
qetësim vetëm në shtratin e vet, të angazhohen deri në pamundësi që t’ua
lënë brezave këtë gjuhë edhe me njohuri shqipshkrimi, të cilët i përshëndet me
ngrohësinë e rrezeve të para nga nënorbita e Atdheut Shqiptar, të shoqëruar me
kaltërsinë qiellore të këtij vendi, me ahtin e freskisë të bjeshkëve tona si
dhe me aromën e luleve dhe të fryteve vendëse, natyrisht bashkë me devizën e
perëndishme të jetëgjatësisë e të harmonizimit të idealit të përbashkësisë sonë
kombëtare, duke kërkuar edhe vazhdimin e tolerancës së shenjtërishme: “Fe që Zotynë e bekon – shqiptaria
feja jonë, duke respektuar pra me mend, me shpirt e fjalënjerëzishmerie çdo
besim të rrënjosur tek besimtarët tanë, të cilët me gjuhën e përbashkët
standarde si Toskë e Gegë duhet të
jenë së toku si kokrrat në shegë, ndërsa në situata edhe: si
dy rrfe që shkojnë tue djegë, sepse: Npër
gjuhë shqype bota mbarë .../ Ka
me ju njohtë për shqyptarë. (Atë Gj. Fishta) dhe gjithsesi duke ua
kujtuar të vërtetën ligjërimore se shqiptarët Gegni
e Toskëni kanë frymim një Shqipri, sepse: Në një diell jemi rritur /si dy
lisa pranë ngjitur... (Asdreni), sespe: Geg
e Tosk, malci jallia/janë nji komb me
u da s’duron/fund e maje nji a Shqipnia/ e nji
gjuh’ t’gjith na bashkon (Dom
Ndre Mjeda), prandaj
edhe norma e sotme mbi bazë të toskërishtes duke u sforcuar me palcën kurrizore
të gegnishtes siç është paskajorja
e mirëfilltë, siç provokojnë edhe
shprehjet: ka me ju njohtë (bota)
si dhe e papërkthyeshme: (gjuha
e kombit) “me u nda
s’duron” si dhe me prurje të tjera, duhet të bëhet edhe më e mirë, më
e sfocuar me të dyja koinetë në bazë dhe kështu grushtbashkuar të
çajnë e shqyejnë përpara drejt sukseseve të reja si në botën e brendshme ashtu
edhe në arenën globale ndërkombëtare, gjithnjë duke falënderuar edhe
feniksëluftëtarët anonimë e të tjerë vullnetarë të shkrimshqiponxënies, kudo që
ishin, janë e do të jenë.