E enjte, 10.10.2024, 05:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Halimi: Sekreti i lumturisë për individin e vetmuar

E diele, 17.11.2019, 01:27 PM


SEKRETI I LUMTURISË PËR INDIVIDIN E VETMUAR

Përkitazi për romanin: “Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj”, autor Ismail Aliu

Nga Mr. Sc. Fatmir Halimi

Qysh në fillim të këtij shkrimi diskursiv dua të them  se "Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj" i autorit Ismail Aliut, është një roman më ndryshe se romanet e tjera, me një rrëfim krejt tjetërfare sesa rrëfimet që kemi lexuar deri më tani nga shkrimtarët tanë të letërsisë shqipe. Pra, para vetës kemi një libër të shkruar nga një krijues tashmë i dëshmuar në letrat tona, si publicist e shkrimtar, pasi që Ismail Aliu me shkrime ka filluar të merret shumë herët, qysh si student, ku disa shkrime i botoi në gazetën „Zëri i Rinisë, (Prishtinë), „Zëri i Kosovës“ (Cyrih) e në gazeta dhe revista të tjera. Prandaj, mund them se romani "Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj" i shkrimtarit Ismail Aliut është një krijim letrar i ndërtuar mbi rrëfimet e përjetuara nga kryepersonazhit Besnikut në formën e një bashkëbisedimi me Plakun, Trajnerin, zonjën H. Lypësin, Mësuesit dhe në formë të korrës-pondencës me gruan e tij SH.                         

Ndërsa për sa i përket titullit "Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj", është shumë interesant dhe karakteristik. Vetë zbërthimi i titullit na shpie në disa venerime si: atë artistik, simbolik e figurativ. Venerimi simbolik e figurative i titullit zbërthehet si një itinerar- udhëtim i individit të vetmuar, siç është Besniku, nëpër kohë  dhe nëpër vende e  sisteme të shoqërive të ndryshme. Autori jetën e Besnikut na e jep nga fëmijëria e tij në Tetovë, ku përmes tij si fëmijë dhe i ri do të paraqitet në detaje të stërholluara jeta e shqiptarëve në Maqedoni dhe ne ish –sistemin komunist jugosllavë. Besniku si vrojtues, por edhe si person aktiv në shkollë dhe shoqëri do t’i paraqet të gjitha represaliet dhe dhunën që ushtroi pushtuesi jugosllav mbi shqiptarët. Pra, mund të them se tërë rrëfimi është një rrugëtim i pandalshëm i individit të pakënaqur me shoqërinë, deri kur Besniku definitivisht do të largohet nga Tetova dhe do vendoset diku në njërin nga vendet e Evropës perëndimore, siç ceket është Gjermania. Por që as këtu nuk ndalet rrugëtimi i tij pasi që, ai edhe këtu është i vetmuar dhe jo i lumtur. Por, mbi të gjitha titullin mund ta konkretizojmë se Besniku duke thurë ëndrra për jetën, ka harruar të jetoj dhe kjo i ka sjellë atij vetminë e madhe, pra vetmi që lidhet me qenien njerëzore, me njeriun, apo si në rastin tonë me individin, i cila për ta vrarë ketë vetmi dhe izolimin e madh del në rrugë, ku së pari takon lypësin, plakun , mësuesin etj.           

Konkretisht mund të them, se shumë kritikë ndajnë mendimin, që shkrimtari nuk është këtu për ta interpretuar, por për ta shkruar veprën e tij, prapëseprapë interpretimin na e bënë çdo shkrimtar përmes titullit të veprës së tij. Pra, titulli i veprës për diskursin kritik çdo herë merret si çelës për interpretim. Në rastin tonë titulli i romanit Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj zbërthehet nga vetë autori në momentin kur ai ka vendosur që ta emërtoj me këtë emër duke i lënë anash shumë tituj, që duke u bazuar në përmbajtje, hipotetikisht do të mund ta kishte emërtuar si: Koha e ndryshimeve, Odisejada ime ose Sekretet e lumturisë, të cilat edhe janë nëntituj të rrëfimit në vepër.

Fabula

Kurse, sa i përket fabulës së romanit Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj të Ismail Aliut, në kuptimin më të shkurtër, do ta kisha konkretizuar me disa fjali, si një rrëfim mbi jetën e një individi, i cili edhe pse e ndërron ambientin shoqëror prapë është i vetmuar dhe kërkon të dal nga kjo gjendje apatie dhe i harruar. Ai përmes Besnikut, personazhit kryesor, i cili vihet në lëvizje për të gjetur sekretin e lumturisë, për të gjetur forcën e trupit, fuqinë e besimit dhe fuqinë e momentit, që duke i përdor ndjenjat edhe emocionet ja arrin qëllimit. Qëllimi arrihet përmes Plakut një figurë shumë komplekse në roman, sepse përmes tij autori do t’i zbërthen të gjitha mëdyshjet dhe dilemat që i ka Besniku për jetën. Duke e parë romanin në vija të trasha dua të them se ky roman është një filozofi për jetën, dua të them se është një roman psikologjik, sepse aty trajtohen të gjitha temat psikologjike që e mbërthejnë njeriun e sotshëm, pavarësisht se ku jeton ai, sepse njeriu i sotshëm njësoj përballet me problemet e dashurisë, më problemin e besimit në vete, me luhatjet psikike, siç është besimi, emocioni, vetmia e shumë të tjera. Por, mbi të gjitha duhet të them se romani ka një përfundim të lumtur, pasi që Besniku duke i takuar të gjithë njerëzit, për të cilët Plaku ia kishte dhënë numrat e telefonit, duke biseduar me ta dhe duke i vënë në zbatim këshillat e tyre arrin të bëhet një njeri optimist për jetën, arrin që ditën e sotme ta jetojë sot dhe tu gëzohet vetëm të mirave e anëve pozitive që sjellë jeta.                                                                                     Shkrimtari Aliu rrëfimin e tij për ngjarjet, të bëmat dhe episodet e shumta të jetës ia kalon, ia lë në dorë rrëfimtarit, kryepersonazhit Besnikut dhe personazheve të tjerë, prandaj këtu mund të them se autori ka përdor edhe kategoritë stilistike  letrare si metatekstin, intertekstualiteti, shkallën e shkrimit, toposin, kronotopinë e të tjera, kategori këto që romanit i japin edhe një vlerë të lartë letrare e artistike në letërsi. Prej të gjitha këtyre në shkrimin tim do ta veçoj shkallën e shkrimit.

Shkalla e shkrimit

Ky roman ka disa nivele apo shkallë  të shkrimit e të rrëfimit, të cilin e bëjnë shumë kompleksiv, të ngatërrueshëm e të vështirë për t’i hetuar autorin dhe narratorin, sepse nganjëherë krijohet përshtypja se autori e rrëfen jetën e vet, por duke u përqendruar më thellë në zhvillim të ngjarjes, kjo del që nuk është e vërtetë. Pra, kemi një narrator krejt të ndryshëm nga autori. Nga kritikët shkalla e shkrimit ndryshe cilësohet edhe si kategori stilistike, gjë që romanit Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj ia shton edhe më shumë vlerën artistike e letrare. Me shkallë të shkrimit kuptojmë aktin ose veprimin kur autori me vetëdije ikë nga rrëfimi në veprën e tij, atë ia lë në dorë narratorit, ndërsa narratori rrëfimin na e paraqet përmes personazheve të tjerë, të cilët tregojnë për ngjarjen që u ka ndodhur atyre, apo njerëzve të tjerë, i cili mandej ua kalon dhe personazheve.

Vetë shkrimtari është shkalla e parë e shkrimit, sepse është ai që na e jep veprën letrare. Shkalla e dytë e shkrimit është narratori, i cili në roman është i paemëruar. Ai na tregon për lumturinë apo hidhërimin, për vetminë dhe për problemet shoqërore që ka individi, që në rastin tonë është vetë kryepersonazhi Besniku.

Kurse shkalla e tretë e shkrimit na paraqitet përmes rrëfimit të personazheve, siç janë: Plaku, Mësuesi, Trajneri, zonja H. e shume të tjerë.

Përfundim

Pas këtij shqyrtimi teorik të diskursit letrar mbi romanin Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj të Ismail  Aliut vijmë në disa përfundime.

Së pari, romani Duke thurur ëndrra për jetën, harrova të jetoj na vjen si perlë në letërsinë tone, i cili të lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjet në faqet pasuese të tij. Është roman, i cili vazhdimisht ngreh idenë e kërkimit të shpëtimit nga vetmia, monotonia e përditshmërisë deri te gjetja e forcës për jetë, Autori përmes këtij romani na e paraqet edhe përpjekjen e individit për ruajtjen së identitetit të familjes në shoqëri.

Së dyti, si për nga rrëfimi i tekstit e po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe realizimi i tij si tekst, është roman modern, që me sukses autori i shfrytëzon kategoritë stilistike. Kjo tashmë është vetëdije letrare, të cilën e zhvillon shkrimtari ynë Ismail Aliu në gjithë diskursin e tij letrar romanor.

Përfundimisht mund të them se leximi i këtij romani kërkon vullnet të madh të lexuesit për ta pranuar vuajtjen e personazhit, vetminë e tij në mes të njerëzve, por edhe sekretin e lumturisë dhe fuqinë e besimit njëkohësisht.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora