Kulturë
Nexhat Halimi: Ai zog vetëtimë fluturon qiellit
E diele, 17.11.2019, 01:16 PM
Nexhat Halimi
Silueta e vetmisë së gurit
(Fragment)
Ai zog vetëtimë fluturon
qiellit
-Ai
zog vetëtimë fluturon qiellit.
-A
e sheh ja atje shfaqet ai zog që nuk shihet?
-Ai
gjithnjë është aty!
-E
përmendi dhe Rrustem Berisha. Tha, a e sheh apo nuk e sheh, Zog i zi, në
fluturim gjithë sfondit ngjyrë gjaku.ai nuk vritet. Ai vetëm bëhet të vritet e
gjithnjë prapë është aty…
-Varg
i poezisë është, - i fola.
-Fluturon
pandërprerë... është flakë.
-Vjen
e shkon e gjithnjë është.
-Ja,
shikoje... shikoje! Ja sesi del e hyn nga vargu i poetit, me shpirtin e paepur
të Dedaj.
-Në
këtë mënyrë e lexon ti gjakun e poetit?
-Tërë
jetën e njoh e më njeh. Qemë të afërt në të mirë e të keqe, - e nis rrëfimin Rrustem
Berisha me respekt për Rrahman Dedajn. -Fshatrat qenë afër, fqinje. Rreth
hapeshin arat e bukës, të cilat ndaheshin me një rrip mali, i zgjatur skaj më skaj e i takonte fshatit Kodërzë. Fshati tjetër Penuhë
kishte male nga ana e shpinës së Buricës. Me të korrur të drithërave – grurit e misrit, arat mes malesh i shfrytëzonim për kullosa bagëtish
nga të dy fshatrat. Unë e Rrahmani njiheshin
atëherë, mirë, ndërsa ende ishim bari.
Më
vonë, i nisem mësimet e klasës së pestë në Podjevë. Tashmë do të bëhemi
bashkëshkollarë për katër klasat e
fundit të shkollës tetëvjeçare dhe nuk u ndamë më derisa diplomuam në fakultet.
E kryem Shkollën Normale në Prishtinë dhe bashkë e filluam dhe punën në
Radio-Prishtinë, ndërsa ende ishim student. I përgatisnim emisionet për fëmijë.
Në
vitet që kaluam së bashku: bari, nxënës,
studentë, gazetarë, përkthyes pak e poet, ndërsa dhe në punë e në ndeja ai ka
qenë i qetë, njeri që nuk rrëmbehej as nuk përulej.
Veç
kohës në fshat, nuk mbetet pa mbresa as
udhëtimi për Podjevë, në shkollë .
Me
Rrahmanin vinin dhe tre bashkëfshatarë në shkollë e unë isha i vetmi nxënës nga Kodërza. Ndodhte
të udhëtoja me ta dhe gëzohesha. Nuk ishte as pa frikë ai udhëtim, ku niseshim
natën nëpër terr për të zënë fillimin e orëve. Udhëtonim më këmbë 12,5 km e kaq
dhe në të kthyer. Ecja ditore, katër vjet me radhë, përbënte gjysmë maratone.
Rruga dimrit mbushej me baltë nga dëbora e shiu, bënte acar e ecnim të qullur
shpesh. Na zgjidheshin tojat e opingave
dhe bëhej belaja. Me duart e mpita e të bëra dru nuk mund t’ i lidhnim tojat e
opingave. I tërhiqnim zhagas me majat e
gishtave të këmbëve për të mos i tretur. Ndonjëherë kemi hyrë te kooperativisti
në Gllamnik, për t`u ngrohur e për të lidhur opingat. Herë në shkollë e herë
tjetër në shtëpi arrinim të dërmuar, të lagur deri në palcë, të ngrirë duarsh e
këmbësh nga moti i ligë. Gati e pabesueshme, për katër vite megjithatë shkonim
e vinin të lumtur dhe kurrë nuk jemi ligështuar e bërë pesimistë.
Në
atë cope kohe, sa ishim bari, na nuk kishim tufa të mëdha bagëtish, e kjo gjë
na mundësonte kohën ta kalonim më tepër me biseda, në përpjekje për të tjerrë ëndrra, apo ndonjë herë dhe të
parashikonim diçka nga e ardhmja, që e
shpresonim shumë të lumtur. Për çudi, nuk do të ketë ndodhur të kemi ndonjë
zënkë mes veti, thua ishim përgatitur për udhëtim më të gjatë e me harmoni të
ëmbël.
Njëjtë
dhe familjet tona njiheshin. Kishin shkuarje ardhje, ndeja te njëri- tjetri.
Krejt
këto bëjnë njohjen e natyrshme që nuk shpreh asgjë të pazakontë.
Të
ndodhte, të na binte diçka në dorë nga shkrimet, emocionoheshim. Shpesh herë
nuk ishin vepra, veç ndonjë tregim apo vjershë, shkruar me dorë ose në
shaptilograf. I lexonim bashkë nga disa herë dhe ndjenim kënaqësi. Ka ngjarë të
mos i kemi kuptuar çdo herë të gjitha në thellësinë e tyre, veç ngelnin gjatë
me porositë e tyre në ne. Mbresë të veçantë na la leximi i “Andrra e jetës” e Ndre Mjedes. Të
entuziazmuar gjatë kohë me këtë, mendonim në vete, athua do të mund të shkruajmë
na ndonjëherë diçka të tillë.
Ëndërronim
dhe ishim larg cakut real.
Veç,
megjithatë, filluam të shkruajmë.
Rrahmani shkroi vjershën “Katundi”, ndërsa unë njëfarë proze poetike “Kënga e
rinisë”.Shkruam,më pastaj e përmirësuam, prapë e shkruan, më pastaj e
fshijmë,gati krejt javën. Në fund, të dy
shkrime ia dorëzuam arsimtarit të gjuhës, Shefqet Kelmendit, i ardhur nga Peja,
i cili i gëzohej secilit sukses të
nxënësve. I mori punimet e dy ditë më vonë na lajmërojë për botimin e tyre në
“Zanin e rinisë”. Në fund të marsit të
vitit 1955, të dy punimet do të botohen. Ky qe çast ndoshta vendimtar t`i përkushtohemi shkrimeve përgjithmonë.
Letërsinë
shqipe,kryesisht, e lexonim në mënyrë
ilegalë.
Çdo
gjë shqipe i bënte pengesë pushtetit serb, sidomos mbahej nën vështrim familja
Dedaj. Ata e kishin kundërshtuar kolonizimin me serbë të bërë nga Serbia. Dhe,
ndërsa nuk munden ta mbronin token e tyre, dolën dhe e vrau kolonin në arë. Do
të dënohen me burg e do të torturohen tërë kohën për këtë gjë. Disa anëtarë të
familjes së varfër Dedaj do të vdesin në burg nga maltretimet. I vetmi nga
burgu doli i gjallë babi i Rrahmanit, Murseli, i cili qe në moshë filloristi.
Vetëm dhe ai me qafën e thyer. Jetoi me kokën e rrëzuar në sup – gurthyes,tërë
jetën. Ta mbaj familjen për një kafshore bukë. Veç ia vlejti. Ai dhe nëna
Nefise, e lindën poetin ndër të shquarit në letërsinë shqipe.
Familja
Dedaj, për trimërinë e vet dhe flijimin e bërë për tokën, qe e nderuar nga
populli
dhe
e kënduar në këngë nga rapsodët popullorë, përkundër shtimit të presionit dhe
ndjekjes së atyre që nuk i përmbaheshin ndalesës së një gjëje të tillë. Veç
Rrahmani do të gjente fuqi të shkruante poezi nën ashpërsinë e presionit çfarë
përjetonte gjithnjë. Nuk flas me superioritet për të, veç rrallë në kohën e
vështirë që e kaluam, do të gjeje një njeri të tillë të sinqertë e të sigurt në të gjitha veprimet
që bëmë bashkë.
Natyra
e tij jepte shenja të njeriut të mbyllur. Unë them dhe mendoj kështu, atij i
është dashur një qëndrim i tillë, që s’ është i lehtë të mbahet, pse shteti nuk
e ka larguar kurrë nga vëzhgimet dyshuese për shkak të veprimeve të të parëve
të tij. Shteti jugosllav ka dyshuar përgjithësisht në shqiptarë, por tek ai
është dashur vetëm një grimë dyshim për ta rrokullisur me çfarëdo dënimi. Këtë
kam dashur ta di nga ai, sa herë, por
nuk ia kam biseduar, pse dhe unë kam ndie një frikë për të.
Poezia
e tij do të bëj udhëtimin me ato vepra, që do ta ruajnë të gjallë kohën e
brezit letrar në të cilën krijoi…
*
Ai
zog vetëtimë fluturon qiellit.
-A
e sheh atë zog që nuk shihet?
-Ai
gjithnjë është aty!
-E
përmendi dhe Rrustem Berisha. Tha, a e sheh apo nuk e sheh, Zog i zi, në
fluturim gjithë sfondit ngjyrë gjaku. Ai është gjithnjë aty, ai nuk shihet, ai
vetëm ndihet. Është frymë, është besim, është vetëtimë, fluturim nga ik e vjen
çdo çast për mjedis shpirtit.
-Varg
i poezisë është, - i fola.
-E
poezia e mendimi krijojnë amshim.
-Je
njëmend i një mendje me këtë që e thua?
-Fluturon
pandërprerë... e s`shihet e është flakë.
-Flakë
e pashuar!
-Vjen
e shkon e gjithnjë është.
-Ja,
shikoje...shikoje!