Kerko: a
Sevdail Hyseni: Festa e plisit të bardhë edhe në Preshevë
E premte, 08.11.2019, 10:06 PM
Festa e plisit të bardhë edhe në Preshevë
Nenshkrimi i Marreveshjes kulturore ne Presheve
Nga
Sevdail Hyseni
Java
e fundit e tetorit, në Preshevë, u karakterizua me një seancë solemne të
Konferencës shkencore: “Trashëgimia kulturore dhe turizmi”, në të cilën u
nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor:
Tiranë-Tetovë-Mitrovicë-Preshevë dhe Bujanoc.
Qëllimi
kryesor i nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor është
organizimi i Festës së Plisit të Bardhë, në të gjitha rajonet shqiptare,
nënshkruese të kësaj Marrëveshjeje, me qëllim që Festa e Plisit të Bardhë të
shpallet Festë Mbarëkombëtare, që Plisi të jetë qenësor, në mbrojtjen dhe
ruajtjen e identitetit kombëtar, kuptohet pos qenësive të tjera, thuhet mes
tjerash në këtë memorandum bashkëpunimi kulturor.
Kjo
festë kaq e dashur për popullin shqiptar, po kremtohet në Shqipëri dhe Kosovë,
nën organizimin e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, jehona e së cilës do t’i
tejkaloj kufijtë politik, për t’u shtrirë edhe në viset e tjera të etnikumit
shqiptar.
Për
ta bërë këtë festë sa më madhështore krerët e sektorit joqeveritarë nga
Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, arritën të firmosin një Marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë
kulturor, shkencor e artistik.
Subjektet
kulturore, shkencore e të artit: Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë (Agron
Isa Gjedia) , Shoqata për shkencë e kulturë “Pellazgët” Tetovë (Shefki Selami),
Qendra për Studim dhe Hulumtim Mitrovicë (Mustafë Haziri), Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë
(Xhemaledin Salihu) dhe nga Bashkësia Kulturore
Shqiptare “Perspektiva” Bujanoc (Sevdail
Hyseni), nënshkruese të kësaj Marrëveshjeje, në vazhdimësi do të zhvillojnë
veprimtari me interes të përbashkët shoqëror e kombëtar.
Në
tekstin e firmosur të këtij memorandumi bëhet e ditur se “Bashkëpunimi i tillë
synon thyerjen e barrierave të ngritura me kufij të panatyrshëm ndërmjet
popullit shqiptar, të depërtimit të ideve kulturore, shkencore e të artit, në
të gjitha rajonet shqiptare, për ta arritur synimin e integrimit shpirtëror të
popullit shqiptar, të ndarë padrejtësisht”.
Nikoqiri
i kësaj seance solemne, prof. Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për
Trashëgimi dhe Krijimtari, me seli në Preshevë, thotë me krenari se “Nënshkrimi
i Marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor është me rëndësi jetike dhe ka rol
shumë të rëndësishëm, jo vetëm për subjektet nënshkruese, por edhe për rajonet
shqiptare në përgjithësi, në integrimin shpirtëror të popullit shqiptar dhe të
arritjes e krijimit të një hapësire të përbashkët kulturore kombëtare”.
Vlen
të ceket se Shoqata për Trashëgimi në Preshevë, qe disa vjet organizon
Konferenca shkencore, në të cilën marrin pjesë studiues nga Tirana, Kukësi,
Struga, Tetova, Shkupi, Kumanova, Mitrovica, Prishtina, Gjilani, Vushtrria,
Bujanoci, Medvegja dhe ka arritur të nxisë bashkëpunimin kulturor rajonal
shqiptar dhe integrimin e kulturës shqiptare.
Marreveshja e bashkepunimit kulturor ne Presheve