Kulturë
Qazim Shehu: Romani i Qamil Alushit, një overturë e shpirtit njerëzor
E premte, 23.08.2019, 08:17 AM
ROMANI I QAMIL ALUSHIT, NJË OVERTURË E SHPIRTIT NJERËZOR
NGA
QAZIM D. SHEHU
Qamil
Alushi, i njohur si studiues i periudhës
së Skënderbeut , vjen tashmë me romanin”Edhe yjet derdhin lot”, një prozë e
nivelit të arritur artistik, ku
trajtohet një periudhë para tetëdhjetë viteve, me normat dhe zakonet, të cilat jo vetëm ngjyrosin perceptimin e
asaj kohe, por në mjaft tregues i hedhin spirancat e kuptimit dhe analogjitë
edhe për sot.
Në
qendër të romanit është një grua e cila,
qoftë për mendjelehtësi apo për diferencë moshe nga i shoqi, gënjehet dhe martohet në një vend të largët, duke u ndarë nga i biri, një fëmijë katër
vjeç, me premtimin se atë do t`ia sjellin shpejt, por kjo nuk ndodh…
Kjo
fabul , sa e thjeshtë , aq prekëse,
mbart në vetvete mundësinë për të shtjelluar një dramë të fuqishme
njerëzore në gjerësi e thellësi, duke depërtuar në botën e brendshme
shpirtërore të një nëne e cila bëhet pre
e normave dhe sjelljeve të ngurta, e sidomos e atyre njerëzve që dinakërisht thurin intrigën dhe po dinakërisht e çojnë atë deri në
fund.Është mjaft e rëndësishme të kuptojmë se deri ku shkon rrethi i mbyllur i logjikës të zhytur në
injorancë dhe pashpirtësi i këtyre njerëzve, është po kështu e rëndësishme të
ndjekim fatin e kësaj gruaje të gjorë, e
cila jeton çdo çast me ëndrrën për të
birin.Dhe e gjithë kjo paraqitet përmes një rrëfimi tronditës me detaje dhe
aspekte të ndryshme që ia mbajnë pezull
frymën lexuesit.
Ky
roman zbulon një ide të thellë, një ligjësi të brendshme shpirtërore, kur një
grua, një nënë, për asnjë çast nuk duhet ta heqë mendjen nga i biri të cilin ia
kanë ndarë dhe nuk di ku është.Prandaj,
për të nuk ekziston asnjë lloj dashurie tjetër më e madhe në botë se ajo
për fëmijën.Në vendosmërinë dhe peshën e kësaj dashurie, ajo nuk i nënshtrohet asnjë rrethane.Për të,
braktisja e fëmijës, është fundi i botës, mbarimi i ekzistencës së saj.
Duke
qenë një njohës shumë i mirë i temës, i lëndës jetësore, por dhe duke pasur
përvojë dhe kujtesë për realitetin që shtjellon, Alushi arrin të ndërtojë një
roman me dy linja daramatike: nënë e bir (në largësi)dhe një grua e degdisur në fatin e vet të mbrapshtë
dhe njerëzit e ambienti që e rrethon. Brenda këtyre linjave që përpikmërisht
takohen me njëra tjetrën dhe ecin paralel duke zgjeruar frymëmarrjen e
narrativës, pluskojnë e shpërthejnë,
sipas rastit , gjendje shpirtërore të ngulfatura e shpërthyese,
apo, herë herë, disi të qeta por me një cipë të përzishme
dramatike.
Është
meritë e këtij autori që ato t`i japë me natyrshmëri e besueshmëri, duke ecur
hap pas hapi me kujdes me penën e tij, për t`iu afruar personazhit të vet me
autencitetin e rrëfimit.
Vërtet
është një kohë e largët, por sa shenja i bën ajo së sotmes, dhe këtu autori e
ngre nivelin e rrëfimit drejt një toni meditues për fatin e një gruaje, të
gruas në tërësi, kur na kujton sesi
trafikohen disa gra të sotme jashtë dëshirës së tyre nga një skotë e tërbuar meshkujsh injorantë e
të egër.
Ky
ton meditues, jo vetëm zbërthen shpirtin
njerëzor plot trazime e brenga të mëdha, por arrin të na japë në qasje të
njëmendtë filozofike edhe natyrën e një shoqërie gjysmë të egër, plot
indiferencë dhe të mbërthyer nga interesi material.
Se
çfarë vlon në shpirtin e Sabinës(personazhit kryesor të romanit)edhe pse ajo
rrethon në heshtje veten dhe përcillet nga gënjeshtrat e Kasketës(vëllait të
burrit të dytë, një nga figurat artistike më interesante) autori e ka dhënë
përmes situatave dhe ngjarjeve nga më të ndryshmet në libër.Ai ka ditur që, përmes pamjes së parë
të Sabinës (nënshtrimi ndaj fatit, heshtja, një vetëtërheqje në brengën e
saj, duke e vuajtur atë me durim)të
sjellë fytyrën e vërtetë të një gruaje fisnike dhe njëkohësisht
këmbëngulëse në ëndrrën e saj për të
takuar të birin.
Përmes
nënshtrimit të saj ndaj fatit, për të cilin edhe vetë është pakëz fajtore për
shkak të naivitetit dhe padjallëzisë së vet;ndaj normave të ngurta e barbare të
një zakoni mesjetar, autori ka ditur të sondojë edhe në shpirtin e saj, duke
zbuluar me një rrjedhë rrëfimore lirike-dramatike, botën e saj të pasur prej
nëne, prej gruaje, prej njeriu të mirë.E përmes këtij këndvështrimi mjaft të
hollë, ngrihet në antipod figura e njeriut -hije(Kasketa) që, si personazh,
ngjyroset me një gri të ftohtë , duke na
e dhënë atë si njeriun që di të lëvizë e
të besohet, i shtyrë nga forca e së
keqes.Kasketa i ngjet gjarprit që të pickon kur nuk e mendon, ai është mjeshtër
i intrigës dhe i sajimit kur duhet të paraqitet si i vërtetë dhe i besueshëm;gëzon një autoritet prej vëllai të madh, ndaj burrit të
Sabinës (një njeri me horizont të kufizuar) dhe, gjithë qëllimin e ka që
gjithçka të ecë siç do e siç duhet kundrejt normave dhe zakoneve çnjerëzore;nuk
njeh kufizim në veprimet e tij, nuk e bren ndërgjegja, s`ka asnjë skrupull dhe
pendesë, i kujdesshëm në çdo gjë, duket se e thur skenarin përmes një fantazie
diabolike.Por atë e “çarmatos” qëndresa prej nëne e Sabinës, kërcënimi i saj se
ajo do të vetëvritet dhe do t`i japë fund jetës nëse nuk do ta takojë të
birin.Para këtij fakti Kasketa bëhet esëll, dhe nuk e ka hallin nëse do të
vritej ajo, por se kjo do bënte bujë në opinion, dhe ai ishte burrë me
“namuz”.Ai e gjykon turpin jo për atë që ka bërë, por sesi ajo që ka bërë do të
ballafaqohej me zakonin.Atëhere ai tërhiqet, vepron , premton
, dhe Sabina takon të birin.
Lexuesi
do të ndeshë faqe të tëra lirike dhe dramatke në momentet e takimit të Sabinës
me të birin.
Zemra
e përvëluar e një nëne mend plas nga mallëngjimi, nga një dashuri e madhe për
krijesën e saj.Por edhe këtu ajo nuk vë ulërimën, është e vetëpërmbajtur,
gjykon vetveten , e nënshtruar dhe e bindur ndaj marrëzisë që ka bërë, por s`ka
gjë:mjafton fakti që takoi të birin dhe kjo për të është gjithçka.Me një
përshkrim të lirshëm dhe të ngjeshur,
duke iu bindur mënyrës së tij të të treguarit , por edhe vlerësimit
ndiesor të çastit, autori ka ditur të japë portretin e një nëne të penduar
thellësisht, të shpalosë botën e saj të madhe, një botë fisnike që lundron në
detin e dashurisë së madhe për të birin.Efekti emocional që krijohet në këto
pjesë të romanit është i pashlyeshëm, lirik , daramatik, tronditës , dhe ta
sjell në mënyrë bindëse forcën e madhe të ndjenjës mëmësore.Autori ka ditur ta
paraqesë këtë me zotësi.
Kjo
nënë nuk duhet dënuar, mendon i biri, ndonëse edhe ajo është fajtore që buron
nga naiviteti i vet.Nëna është për të shpirti zemra dhe mendja e tij, poezia e
ndjenjave.A mund t`i thuhej saj një fjalë jo e mirë që do ta rëndonte edhe më
shumë.Kur zemra dhemb , atë mund ta godasësh lehtë.Faqe të tëra të një zhbirimi
psikologjik në botën e të birit shkojnë deri në fund të përshkrimit bindës dhe
poetik, për të kuptuar atë lidhjen e shenjtë nënë –bir, por shkëmbi i
rrethanave u rri para si pengesë.
Po
çfarë do ndodhë me Sabinën?Pse ajo nuk duhet të bashkohet me të birin?Sërish
dilema të mëdha bëhen barriera të pakapërcyeshme reale dhe psikologjike.I biri
ende nuk e ka jetën e vet në dorë, as Sabina.Ata nuk mund të afrohen me njëri
-tjetrin përfundimisht, ndonëse shpirtërisht
janë aq afër.Sabina rikthehet sërish në shtëpinë e burrit të saj, por
tashmë më e lehtësuar shpirtërisht dhe njëherit më e ngarkuar.
Ajo
që quhet teknika e së papriturës që vonon zgjidhjen është shfrytëzuar nga
autori me efikasitet dramatik, duke nxitur këshërinë se çfarë do të ndodhë më
tutje.Dhe ajo çfarë do ndodhë më tutje nuk është tjetër veçse kalvari i një
nëne, i një gruaje që humbet ngadalë në shurdhërinë e ambientit, një mjedis i
kufizuar, i pashpirt, pa asnjë shtegdalje, pas asnjë gjykim realist, sepse këtë
nuk mund ta lejojnë rrethanat mizore në të cilat është i mbërthyer individi
grua, në rastin konkret, të një gruaje
që është degdisur kundër dëshirave të saj larg fëmijës, siç është Sabina.Kemi
kështu një roman me një kompozicion të mirëmenduar ku jepen ndërthurje linjash
që sillen drejt dy fateve paralele që
zhvillohen në largësi nga njëra tjetra,
po që përmbushin gjithnjë mesazhin e një jete të ndarë midis dy qenieve
që duan të rrinë pranë njëri tjetrit,
por që nuk rrinë dot.Endri, djali i saj, biri i një ish- pasaniku, e sheh veten gati në mes katër rrugëve, ai
mbetet jetim me nënën gjallë, për të
cilën nuk di se ku ndodhet.
Personazhi
i Endrit është dhënë nga autori me një vizatim të plotë, të ngadalshëm ku nuk mungon asgjë për të kuptuar mirë sesi
zhvillohet rrjedha e jetës së
tij.Mungesat, privacionet, vetmia, të qenit i ndërgjegjshëm për pozicionin e
tij, nuk lënë tek ai gjurmë vrazhdësie, përkundrazi, tek Endri shohim djalin e zgjuar dhe
vullnetmirë, studentin që mbaron shkollën dhe bëhet mësues, njeriun e kulturuar
që do librin, që arsyeton bindshëm dhe kërkon të ngjitet në jetë, të bëhet
dikushi, të bëhet i dobishëm, edhe pse kushtet i mungojnë, edhe pse kurrë nuk e
ndjeu nga afër dorën e nënës, dhe
kujtimi i hidhur për vdekjen misterioze të babait të pasur e çojnë herë herë në
mendime të trishta.
Në
figurën e tij lexuesi do të gjejë dëshminë e freskët të perceptimit të jetës
dhe kuptimin e saj se ajo mbetet gjithnjë e bukur edhe kur jeta të dhuron pak
mundësi.Endri është skalitur brenda urtësisë dhe mençurisë së tij, brenda
kujdesit për të gjykuar mbi jetën pa
lënduar kënd, për t`u bindur mbi atë që thuhet dhe flitet.Mjaft situata të bukura
shtjellohen përmes tij në marrëdhënie me nxënësit, në marrëdhënie me vajzat, në
krijimin e vatrës familjare etj, etj.Ai
është intelektuali i kohës me tiparet më të plota;ndjeshmëria, sjellja,
urtësia, zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj njerëzve, janë disa tipare esenciale që e spikasin si
personazh, cilësitë pozitive të të cilit të joshin dhe të bëjnë për vete.Edhe
sjellja e tij, në fund të romanit, me të
ëmën është mjaft dinjitoze, ajo vjen jo vetëm nga shtysa e e dashurisë ndaj
mëmës, por edhe nga botëndijimi dhe botëkuptimi i tij.
Prekëse
dhe mjaft e qëlluar është mbyllja e romanit, ku autori për pak kohë e ka
shpëtuar Sabinën nga vuajtjet, brenga, por tashmë është vonë, edhe pse
ribashkimi me të birin është një ngushëllim, një qetësim, por edhe një vuajtje
e madhe për të kuptuar sesi do kishte qenë jeta e saj sikur të mos e ndanin
dhunshëm nga i biri.Me poetikë të ngrohtë jepet
kujdesi i Endrit për të ëmën, me një
vërshim të hollë ndiesor autori
shpalos mjaft momente të këtij kujdesi.
Romani
i Qamil Alushit vizaton edhe mjaft personazhë të tjerë, njerëz të mirë, ndonëse
të kufizuar.Një nga këto është edhe Merushja, motra e Kasketës.Në portretin e
saj autori jep tiparet e mirësisë dhe fisnikërisë së gruas malësore,
mirësjelljen dhe zemërgjerësinë, bujarinë dhe respektin, por edhe autoritetin e një gruaje me vlera
dhe serioze.Edhe pse në ato mjedise të përcaktuara nga normat dhe kodet e
ngurta, nga varfëria dhe izolimi, shfaqen njerëz të mirë, që shqetësohen për
tjetrin dhe i vijnë në ndihmë.
Autori
di të vizatojë me zotësi mjedise, mjedisin social(jetesën e thjeshtë e me një
varfëri të pranueshme të këtyre njerëzve), mjedisn etnografik, mënyrën e
veshjes, enët e ndryshme të ujit apo gatimit, mjedisin natyror, malet, grykat,
lumenjtë, peizazhet e mrekullueshme në çastet e perëndimit të diellit apo në
stinët e ndryshme, mjedisin
blegtoral(momenti kur Fehmiu shkon në stan për të marrë bagëtitë për darkën e
martesës)mjedisin psikologjik, që
përcaktohet nga hija e burrave nursëzë e
kapdai(Kasketa, Sula), apo kur fjalët
janë të pakta dhe një fjalë e pamenduar e gruas përfundon me një të bërtitur të
burrit apo kërcënime të tjera.Me zotësi
jep ai pozitën e nënshtruar të gruas në një mjedis të tillë në atë kohë, duke u futur brenda botës së
saj shpirtërore e duke nxjerrë prej andej ngjyrat e shumta të një shpirti të
ndrydhur.Kjo, se autori e njeh mirë jo
vetëm atë mjedis, historinë, kulturën, traditat, gjeografinë, psikologjinë e
njerëzve në atë kohë, por pa u ngutur
përmes fantazisë së vet krijuese ka
arritur që përmes këtij dekoracioni të përgjithësojë ide dhe të skalisë
personazhe që bëhen tepër të besueshëm
dhe rrinë mirë në kohë, edhe pse përmes shenjimit të tyre ideorë mesazhojnë në
mjaft raste edhe me të sotmen.Ndaj, ky roman,
edhe për këtë lexohet me kuriozitet dhe
interes, sepse ai apelon artistikish kundër dhunimit të personalitetit
të njeriut, veçmas të gruas.
Portretizimin
e personazheve, sidomos kryesorë, e bën duke
gjurmuar me besnikëri mendimet e tyre
që pluskojnë përmes ndjenjave të thella dhe trazimeve shpirtërore, përmes linjave rigoroze dhe një pëlhure narrative të qepur mirë, pa
asnjë arnë në rrëfim dhe kjo i ka sjellë ose sjell edhe një stil të shtruar rrëfimor ku shpesh xixëllojnë figura poetike të
natyrshme.
Pasuria
e informacionit jetësor ia ka lehtësuar shkrimtarit mundësinë që të shkruajë
rrjedhshëm, por njëherësh të jetë edhe i kujdesshëm që të mos e shpërdorojë
fjalën , përkundrazi fjala gjendet në pozicionin e vet, thuhet kur duhet dhe
shmanget kur nuk është e nevojshme.Kjo siguron
lakonizmin, dhe romanin mund ta lexosh edhe për këtë aspekt të formës ,
edhe për këtë mjeshtëri të gjuhës narrative.
Përshkrimet
e detajuara shkojnë gjithnjë në funksion të vlerësimit të situatës tronditëse apo të shtjellimit të
gjendjeve psikologjike që motivohen nga të ndodhurat apo të papriturat që
personazhi ndesh.Por edhe dialogjet , shpesh të ngjyrosura nga fjalë
dialektore, janë me masë dhe në vlerësim të portretizimit të personazheve të
ndryshëm.Kështu, te Sabina , në fjalët e
saj , kemi shqiptimet e fjalëve që paraqesin një nënë të dëshpëruar, ndërsa në
fjalët e Endrit spikatin thëniet e një
djali të zgjuar dhe i pangutur në gjykim.Fjalët e Kasketës ndryshojnë gjithmonë
sipas situatave , sepse ato ndihmojnë për të kuptuar portretin e një hileqari
dhe manovruesi të kujdesshëm, por të
lig.
Realizimi
i një dialogu funksional ndihmon në dhënien e psikologjisë së
personazheve, tipizimin e tyre, por
njëkohësisht ngjyros emocionalisht mjaft situata.
Skenat
lirike janë disa herë mjaft domethënëse(komunikimi i mësues Endrit me nxënësen
që më vonë do të bëhet gruaja e tij, komunikimi i Endrit me një vajzë tjetër
kur ata bisedojnë për tregimin “Shakaja” të Çehovit);takimi i Endrit me nënën
në arën me misër apo në spital etj, etj, janë dhënë nga autori me penelata të
holla dhe mjaft të ndjeshme .Ky lirizëm vëhehet edhe në mënyrën e rrëfimit, ku
autori shpesh e shmang vetën e tretë duke kaluar në të dytën.Ai e shmang disa
herë pozicionin e rrëfyesit të jashtëm duke kaluar në detyrën e rrëfyesit të
brendshëm, kur ia jep këtë drejtë ndonjë
personazhi tjetër, dhe kështu, me këtë mënyrë,
ai ka synuar dhe ia ka arritur të na japë një roman me një vështrim të
gjerë artistik mbi fatin e një gruaje, të përshkruajë dhe të rrëfejë deri në
maksimum gjithë botën shpirtërore të personazheve(sidomos Sabinës), duke
skalitur karaktere njerëzore të besueshme.
Ky
roman të trondit pikërisht për situtatat që përshkruan , të mbush me frymën e
tij dhe shkriftësinë e rrëfimit, duke ta sjellë idenë se jeta është e bukur dhe
vlerësohet më shumë , kur nëpërkëmbet dhe njeriu nuk arrin ta marrë në
dorë fatin e tij dhe ai përcaktohet nga të tjerët.Si një meditim i thellë për
jetën dhe fatin e një gruaje dhe të fëmijës së saj, romani arrin ta injektojë
pikërisht këtë dhe të të bindë artistikisht po për këtë.Veprimi nuk ecën me
shpejtësi, sepse edhe koha e të
ndodhurave është e gjatë, por tensioni dhe dramatika e siguron një shpejtësi të
habitshme goditëse si efekt dhe mënyrë
për të kuptuar e për t`u gjendur sa më afër të vërtetës njerëzore.
Fjalia
e pastër e çiltër dhe e qartë ka shënuar gjithnjë lëvizjen e duhur të saj, për
të kapur çdo dridhje të shpirtit njerëzor.
Me
romanin e tij”Edhe yjet derdhin lot”, një titull domethënës, autori paraqet një
tablo të jetës njerëzore në një kohë të
caktuar duke shenjuar artistikisht përmasat e saj, ngjyrimet e ndryshme
historike dhe mentale, po njërherësh
edhe fatin e gruas e të individit në përgjithësi.Trajtimi i figurës së
gruas nuk është i panjohur në letërsinë tone, as në letërsinë botërore,
por, në këtë roman, Qamil Alushi sjell diçka të vetën, origjinale,
duke e parë më tepër Sabinën si nënë se
sa si grua, e cila gjatë gjithë romanit mundohet të kuptojë dhe e kupton me
dhimbje se çdo veprim pa mend të bën të kërkosh mendtë.Si një roman me një
kompozicion të shtrirë linjat vijnë dhe
lidhen ose shkojnë paralel me njëra tjerën ,
marrin korent vetëm nga trazimet shpirtërore dhe nga situatat dramatike,
gjithnjë në gjenerimin e një vuajtje që është në kërkim të shpresës.Por ajo që
mbetet më e veçantë është se autori
ka ditur të skalisë botën e nënës
, sidomos të një nëne të vuajtur, ku privacionet dhe kufizimet , dhe ata që u munduan t`ia pengonin ndjenjat
mëmësore, nuk ia zbritën dot, as ia ulën
forcën e ndjenjës, fisnikërinë dhe besimin se do të vinte një ditë më e
bukur.Në të gjithë romanin ngrihet meritueshëm portreti madhështor i çdo nëne ,
që freskohet nga dashuria e pamposhtur për fëmijën.