Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lutja e shqiptarit
E enjte, 01.08.2019, 08:54 PM
LUTJA E SHQIPTARIT
Nga Frank
Shkreli
Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në botën ku
jetoj unë dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare,
gjatë gjithë vitit shënohen ditë në kujtim ose kushtuar personave të dalluar të
historisë amerikane, çështjeve dhe subjekteve të ndryshme, llloj, lloj. Një prej tyre është edhe Dita e Lutjeve, një
ditë kjo që shënohet çdo vit të ënjtën e parë të muajit Maj. Në këtë ditë, e cila e ka origjinën në vitin
1775, amerikanët inkurajohen të falënderojnë dhe t’i luten Zotit. Kongresi Kontinental Amerikan kishte caktuar
një lutje të përditshme, ndërsa themeluesit e këtij kombi po përpiqeshin të
themelonin një shtet të ri. Ç’prej asaj
kohe, presidentët e ndryshëm gjatë historisë amerikane, u kanë kërkuar
amerikanëve që t’i luten Zotit, sidomos në raste emergjente ose tregjedi
kombëtare. Por ishte viti 1952, atëherë
kur Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi ligjin për Ditën Kombëtare të
Lutjeve, nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm demokrat, Harry Truman. Ndërsa në vitin 1988 ka qenë presidenti
republikan, Ronald Reagan, ai që ka nënshkruar një shtojcë ligjore, për të
caktuar zyrtarisht të Ënjtën e parë të muajit Maj, si Ditën Kombëtare të Lutjeve.
Historikisht, çdo vit, presidentët e ndryshëm amerikanë
kanë vazhduar këtë traditë duke shënuar Ditën Kombëtare të Lutjeve me një
fjalim ose me ndonjë deklaratë të posaçme, ndërkohë që shumë amerikanë të feve
të ndryshme, zakonisht, marrin pjesë në ceremoni fetare, në qendrat e tyre
fetare të preferuara.
Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të
Lutjeve, Majin që kaloi në deklaratën e tij kushtuar kësaj dite,
Presidenti Donald Trump u shpreh se,
“Sot në këtë Ditë Kombëtare të Lutjeve, të bashkuar, falënderojmë të Madhin Zot
për bekimet e mëdha që Ai i ka dhënë Kombit tonë, ndërkohë që kërkojmë edhe
ndihmën e Tij të përherëshme. Ne
gjithashtu pranojmë varësinë tonë në ndihmën dhe dashurinë e Zotit për të
ndihmuar familjet, komunitetet dhe vendin tonë, për të na ruajtur nga e keqja
dhe të fali begatinë dhe paqën…Sot lutemi gjithashtu që Perëndia të mbajë të
fortë Atdheun tonë, të ruaj Forcat tona të Armatosura, ndërkohë që përballemi
me sfida mbrenda dhe jashtë vendit. Kjo
traditë Kombëtare e lutjeve ka ruajtur dhe ka fuqizuar besimin tonë në Zotin
dhe do të vazhdojë të na ndihmojë edhe në kohërat më të mira si dhe në momentet
më të vështira. Si Amerikanë që jemi,
të mos harrojmë kurrë fquinë e lutjeve dhe madhështinë e Krijuesit tonë, ka
thënë Presidenti amerikan, në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të
Lutjeve, të ënjtën e parë të Majit që kaloi.
Përballë kësaj historie dhe kulture fetare amerikane
është e vështirë të marrim me mend politikanët e sotëm shqiptarë anë e mbanë
trojeve –që përballë sfidave të mëdha me të cilët përballen sot shqiptarët --
që në ditë të mira e të vështira -- t’i drejtohen Zotit me lutjet e tyre për
ndihmë dhe për bekim, për veten, për familjet e tyre e mbi të gjitha për Kombin
e vet. Që të pakën njëherë në vit të
tregojnë përvujtërinë e tyre duke iu drejtuar Krijuesit për ndihmë dhe për
bekim, siç ndodhë këtu në Amerikë me politikanët amerikanë, duke filluar nga
presidenti. Por duke shfletuar disa
gazeta të vjetra të diasporës shqiptare të pas luftës, zbulova se -- në një
kohë kur Enver Hoxha ndonëse mohonte ekzistencën e Zotit, ai njëkohësisht i
kishte deklaruar luftë Perendisë duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist
në botë – diaspora anti-komuniste shqiptare në Romë kishte Lutjen e saj për
Ditën e Pavarësisë Kombëtare të të gjithë Shqiptarëve, pa dallim, “Lutja e
Shqiptarit për Ditën e Flamurit”. Nuk
dihet autori i kësaj lutjeje që është botuar në gazetën e imigracionit politik
shqiptar, “L’Albanie Libre” që botohej në Romë. Është botuar në gazetën, ”L’Albanie Libre”
me 28 Nëntor, 1961. Është një lutje, që
nuk i përket asnjë feje në veçanti, por është gjithëpërfshirse, pan-shqiptare,
pa dallim feje, krahine e ideolgjie, drejtuar “Perendisë që është “Një për të
Gjithë Shqiptarët e mbarë njerëzimin”, sipas lutjes. Është një lutje drejtuar Zotit të
Gjithëpushtetshëm, në atë periudhë historike, në kulmin e luftës së ftohtë.
E përzgjodha këtë lutje për lexuesin për dy arsye. Një, sepse është një lutje gjithnjë aktuale
edhe për gjëndjen e sotëme aktuale të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta,
megjithëse është shkruar pothuaj 60-vjetë më parë. Arsyeja tjetër është për të treguar dallimet
në pikëpamjet dhe në botëkuptimet e këtyre burrave emigrantë antikomunistë
shqiptarë në krahasim me regjimin e Enver Hoxhës që i kishte dëbuar nga Atdheu
i tyre dhe i cili kishte filluar procesin e të ashtuquajturit “revolucion
kulturor” alla kinezçe në Shqipëri, duke zhdukur nga faqja e dheut çdo ndikim
dhe paraqitje fetare , pasi kishte eliminuar ose burgosur një numër të madh të
klerikëve shqiptarë. Një çmenduri
vërtetë e një udhëheqsi të krisur dhe një tragjedi kombëtare! Pason teksti i plotë i “Lutjes së
Shqiptarit në Ditën e Flamurit”, drejtuar Perendisë nga përfaqsues të
emigracionit antikomunist shqiptar pas luftës së dytë Botërore.
Është një lutje që i kërkon falje por edhe ndihmën e
Perëndisë për “fajet e merituara” pasi duke “mohuar urdhërat Tua, u armiqësuam
ndërmjet veti na shqiptarët”, ndërkohë që na “mungojnë ndjenjat vëllazërore”,
ndërsa “zemrat tona po kalben në urrejte, o Perendi”, duke i kërkuar Zotit të
“përtërij zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar” dhe
kërkon Afshin shelbues të vllaznisë Kombëtare”
Vijon teksti i plotë i “Lutja e Shqiptarit në Ditën e Flamurit”:
“O Perendi, që je
Një për të gjithë Shqiptarë e mbarë njerërzimin,
Prire syrin Tëndë të mëshirshëm kah
vuajtjet tona.
Lehtëso peshën e mjerimeve që rëndon
tash qindra vjetësh mbi kurrizin
e shpinës së kombit.
Ndoshta jemi fajtorë para Teje e Ti
kërkon pastrimin tone nepër pendesën e merituar të fajeve.
Pra O Zot, mjaft jemi dërmuar e
flijuar në rrokullim të motive,
Por megjithëkëtë jemi gati t’i
shlyejmë mëktatet me dënesë e lotë,
Mjaft që përdëllesa e Jote ta ndrisë
si rreze këndellëse fatin tonë të terratisur.
Çdo Arbnorit, Ti i falë dy gisht
nderë në shteg të ballit. Na u përpoqëm
që dhuratën Tënde ta ruajmë nepër ndjekjen e gojdhanave stërgjyshore.
Por tepër gjat errësira na ka
mbuluar errërsira. Tepër shumë rrufe
zharritëse shkrepën mbi ne, tepër armiq prap na ndrydhin jetën anë e kand.
E jemi vetëm në këtë shekull, ku nuk
punon e drejta dhe ku i shlyen gjurmët burrënisë. Duke mohuar urdhërimet Tua, u armiqësuam
ndërmjet veti na Shqiptarët, kështuqë na mungon, në çaste ngushtice,
ngushullimi i ndiesisë vëllëzërore.
Ajli, zemërat tona u kalbën në resë e në urrejtje, o Perendi.
Përtërije Ti zjarrin e dashurisë që
vëllazëron, po deshte me na shpëtuar.
Na jep në këtë ditë në të cilën kremtohen lidhjet e gjakut të
përbashkët, afshin shëlbues të vëllazërisë kombëtare. Bën që loti e vuajtja të ringjallin ndiesinë
vëllazërore. Ban që ndiesija vëllazërore të jetë krypa e bukës tonë të
përditëshme, drita e fjalëve që na burojnë në buzën e rreshkur për krojet e humbura të atdheut, paalci I çdo
veprimtarisë tone, flatra e deshirave flakruese kah ka ato agime të bardha që Ti o Drejtësi e
pambarueme, sigurisht na ke ruajtur në fund të stinave të mjerimit.
Na liro nga vneri i mënisë e i smirës
dhe atëherë do të ngrehemi në dritën e kohërave të reja për tu nisur me bekimin Tëndë kah vallja e
agimeve fatbardha që ngjallin pranverën
mbi murana të Dëshmorëve të Lirisë, sjellin
hare lumnuese në prak të kasollave sot të mbytura në vaj dhe zgjojmë
hymne galdimi në gojë të breznive të njoma për më të madhin lavd të Flamurit,
tekembramja ngallënjyes mbi çdo hije
përdhunuese”.
Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtre të Lutjeve në vitin 2015
këtu në Shtetet e Bashkuara, ish-Presidenti Barack Obama, është shprehur se,
“Kur lutemi, kujtohemi se nuk jemi vetëm – dhe se shpresa jonë është një
shpresë e përbashkët. Lutja na kujton
të ndajmë të mirën e të keqen me njëri tjetrin, na kujton gjithashtu se të gjithë
jemi bij dhe bija të Perendisë….dhe se në periudha të vështira dhe përballë
sfidave që shpesh duken të pa përballueshme, lutjet janë një forcë e fuqishme
për paqë, drejtësi dhe për një të ardhme më të mire dhe më të ndritur….”
Lutja është botuar në gazetën “L’Albanie Libre”, organ i
“Bllokut Kombëtar Indipendent” që botohej në nga emigrantët anti-komunistnë
Romë, e që lexohej në çdo 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ose siç
njihej edhe Dita e Flamurit.