Mendime
Valon Jashari: Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dëshmorët po syrgjynosen edhe për së vdekuri
E diele, 19.05.2019, 12:04 PM
Në
Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dëshmorët po syrgjynosen edhe për së vdekuri
Nga
Valon Jashari
Muaji
Maj për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është muaji i kujtimit
të të rënëve në rrugën e përpjekjes për çlirim dhe bashkim me Kosovën. Klasa
politike e Luginës së Preshevës nuk shprehë as interesimin më të vogël për të
organizuar në mënyrë institucionale, akademitë përkujtimore as edhe pas dy
dekadave. Shqiptarizmi është një filozofi multidisiplinare për të mundur që ta
zbërthejmë dhe ta konvertojmë në numra konkret të ditëve të sodit, e si duket
për shumicën absolute të lidershipit në Luginë të Preshevës dhe një pjesë të
konsiderueshme të intelektualëve të kësaj treve shqiptare është ende një
skizmë.
Kujtimi
i dëshmorëve tek ne shqiptarët e
Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më shumë po merr konotacion personal
të “heroizmit” të të gjallëve, se sa zbërthim i heroizmit e kujtimit mbi të
rënët, shpesh herë edhe me konotacione të ngjyrimeve politike, si: Ky apo Ai
dëshmorë i takon këti krahu-subjekti apo ati subjekti politik, këti apo ati
grupi të caktuar dhe disa herë edhe familjeve të caktuara.
Rikujtimi
i të kaluarës mbi atë të historisë së një figure heroike, duke anashkaluar
arealin më të gjerë të zhvillimit të ngjarjeve gjatë asaj kohe, në vete
ngërthen lidhjen e vazhdimësisë që ndjejmë me të kaluarën tonë historike, jo
edhe shpesh herë triumfuese sidomos për ne shqiptarët. Kjo qasje jo shumë transcendentale po bënë që brezave
të rinj dhe ne që po e jetojmë këtë kohë më shumë po rrekemi pas figurave duke
“hyjnizuar” një figurë të caktuar historike, shpesh herë edhe të
personaliteteve që po janë bashkëkohanikë në ditët e sodit që po jetojnë me ne,
e që në thelb ngjarjet e ndodhura të asaj periudhe historike nuk po elaborohen
e zbardhen ashtu siç kanë qenë, pavarësisht rrethanave se a ishin në dobi apo
në dëm të historisë së popullit shqiptar. Ky mentalitet izolacionist nga disa
të ashtuquajtur “kompetent” për të organizuar dhe rikujtuar figurat e ndritshme
të kombit shqiptar, që me dashje po dëmton heroizmin e dëshmorëve të kombit në
këtë rast edhe të përafrimit dhe njohjes nga brezat e rinj për të kaluarën tonë
historike.
Si
organizator të këtyre akademive kanë mbetur persona “të thirrur ” në emër të
luftës së UÇPMB-së. Këta të ashtuquajtur organizator me çdo kusht mundohen ta
mbajnë monopolin e fjalës, dhe ndajnë mirënjohje njerëzve që i shkojnë për
shtati interesave të tyre e që nuk kanë
të përbashkët asgjë me dëshmorët e vlerate kombëtare. Këta më së paku meritojnë
ti organizojnë këto manifestime e akademi përkujtimore për shumë arsye: sepse
në rend të parë po të ishin gjallë dëshmorët e kombit do ti ndiheshin të
turpëruar që nga këta persona të rikujtoheshin, pasi që deri më tani as edhe
një herë nuk kanë bërë përpjekje minimale drejt jetësimit të rrugës së tyre dhe
as që kanë qenë bashkëluftëtar. Pastaj, po ky grup klanor dirigjohen nga shteti serb dhe janë në linjë të drejtpërdrejt me politikën e
shtetit serb e në dëm të çështjes shqiptare sa që veprimtaria e tyre kurrë nuk
i ka penguar shtetit serb. Dhe, jo vetëm kaq. Disa persona po nga këto grupe
klanore e këto Shoqata mbajnë edhe pozita tjera politike në kuadër të
strukturave të qeverisjes lokale si formë e satisfaksionit që i ka dhënë Serbia
vetëm e vetëm që të heshtin dhe të minimizojnë veprimtarinë kombëtare të atyre
pak dëshmorëve të kombit që kanë rënë gjatë luftës së vitit 2000-2001. Është e
dhimbshme që në akademitë përkujtimore
të dëshmorëve ka aq pak pjesëmarrës të qytetarëve, sa që të dhimbset
shembëlltyra e dëshmorëve e që të bën të mendosh që edhe më mirë mos ti mbajmë
këto akademi e manifestime me këtë lloj garniture organizatorësh, dhe këtë
qytetari pasive që më shumë çmojnë një koncert nga një këngëtare serbe kur vjen
në Preshevë, apo ardhjen e Dudicit për të shpërla trurin me dogma religjioze,
se sa shenjtorët tanë-Dëshmorët! Kjo të bën të ndjesh nevojën për atë grushtin
e fortë të “Recitalit të Malësorit” të Migjenit, kjo ka të bëj në rend të parë
së kush i organizon këto akademi dhe qytetarët duhet vlerësuar mirë, që duhet
ndaluar dhe hequr mundësinë që jo çdo kush të “vetëthirren” në vlera të luftës
dhe të bëjnë organizime të tilla. Dëshmorët edhe së vdekuri fizikisht po
syrgjynosen sipas tekeve të disa (mupistëve) bashkëpunëtorëve të Serbisë. Për
të shkuar edhe tek ajo më e hidhura se disa nga personat udhëheqës, konkretisht
organizatorët e Manifestimit përkujtimor në Rahovicë të Preshevës janë
bashkëpunëtorë të drejtpërdrejt të shtetit serb së paku tri dekada.
Është
dëshpëruese që deri më tani pse akoma nuk është realizuar një projekt memorial.
Ku janë ato Shoqata e Shoqëri Civile e Institucione Lokale që së paku pran
Kalasë së Preshevës të ngrihet një memorial përkujtimor, për nder të heronjve
të rënë, pasi që në shikim të parë nën rrezet e diellit dhe nën hijen e hënës
vetëm në këtë mënyrë sadopak do të flasë
sakrifica e heronjve të rënë. Pasi vetëm ajo faqe e lartësisë së malit të
Kalasë së mbi Preshevës do të ishte vetë historia dhe faqja më e pastër e
krenarisë sonë shqiptare, dhe mbi të gjitha në atë memorial të gjithë dëshmorët
të vendosen në formë të plisit me kokën nga Kosova, sepse vdiqën me zemrën plot
Kosovë e plot Shqipëri!
Valon Jashari: * Ma.sc. Historisë, Ish-veteran i UÇPMB-së,
dhe ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, Lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc
dhe Medvegjë, si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare në Ballkan.