Kulturë
Linda Mala: Një shkrim pak më ndryshe për nënën
E hene, 31.12.2018, 10:27 AM
Një shkrim pak më ndryshe për nënën
Botimi i dytë i librit i plotësuar i Nexhat Halimit “ A vuan më pse nuk vuan”
Shkruan Linda Mala
Sipërfaqe e pafundme e hapësirës së jetës me një dizgë të mbushur lule, me narcisë të egër, gjithë aromë të mirë. E tëra e mbyllur brenda qelqit të ndritshëm të jetës, përbri rrjedhës së vijës së ujit të një lumi të qetë. Ndërmjet fushës ik dhe një udhëz me bar të ndrydhur, të shkelur. Atë bar e ecë nëna nga vjen në perspektivë jetës me pesë fëmijë. Përreth i bredhin dhe tri silueta, një vajzë dhe dy djem. Tre fëmijë të vdekur të nënës, e cila pahetueshëm flet me ta dhe ec e pikëlluar. Kjo pamje ka të gjitha udhët e rënda të jetës, kjo hapësirë i prek të gjitha ngjyrat e jetës, duke i ndierë ca pikë gëzimi e burimet e pikëllimit dhe të vuajtjes. Ky është një copëz e ditarit të pashkruar të nënës, para shpërthimit të luftës atdhetare dhe futjes së saj në kolonën e pafund me refugjatë. Udha do ta shpier deri në tokën e Amerikës. Fëmijët, tashmë të rritur shpërndahen njëjtë në botë, për ta shpëtuar kokën nga vrasësit e vjetër serbë. Nëna, me një djalë, do të vuajë dhembjen e vet larg tokës së shenjtë të atdheut. Do të plaket, do t`i afrohet njëqind vjetorit të ditëlindjes së vet e – me zemër të plasur, do të vdes. Fëmijët do ta kthejnë në varret e Dumnicës, sepse ajo shfaq dëshirën të varroset aty, ku i ka dhe tre të vegjlit e vet.
Tash fle në tokën e Dumnicës, bri rrjedhës së lumit dhe jallisë me lule të xhenetit, pranë tre fëmijëve të vet të vdekur.
Ky ditar për nënën në këtë mënyrë, me gjithë insertet, copëzat, kujtimet e fijet e dhembjes për shuarjen e saj, vjen e ndërthuret në një libër të tërë “A vuan pse nuk vuan më”, të botuar këtë vit. I njëjti libër, me të njëjtin titull, botim i dytë dhe i plotësuar, do të botohet po ashtu këtë vit, në krye të njëvjetorit të vdekjes së nënës. E ky libër kam ndjenjën se është tepër i veçantë për shumë arsye,
1., për veçantinë e shkrimit poetik modern,
2., për kaq poezi kushtuar nënës që do të jetë njëri ndër rastet e rralla në letrat shqipe.
3., për ikjen me mjeshtri të cilinës do ngjashmëri me ndonjë shkrim kushtuar nënës
4.,për lidhjen e nënës me vendlindjen e vet
5., si dhe lidhjen e autorit me nënën dhe çdo gjë që tashmë i mungon...
Ja pse autori Nexhat Halimi, krijues me përvojë, nuk mund t`ia këpus fijet vetes me mësimet e lirikës e të epikës sonë, të cilat ia mësoi nëna, pse nuk i ik për asnjë çast silueta e nënës, e cila ndonëse e pa shkollë, e mësoi t`i lidh shkronjat njërën me tjetrën,e mësoi të shkruajë poezi, në moshë të hershme, gjithnjë duke i qëndruar afër si ta radhis ndonjë këndim, gjithnjë duke i sugjeruar se poezia, që nuk e ka frymën, mendimin e muzikën brenda vetes, nuk ka ndonjë peshë të veçantë.
Ndoshta kjo poezi në të parë shfaqet personale dhe mund të përjetohet si e tillë, por secila poezi që nuk e ka brenda epikës së vet dhe lirikën, ndjesinë e thellë të autorit, është pa gjak dhe e vetmuar. Ka veç formë, sado që forma është diçka tjetër dhe cila do të jetë forma e jashtme, brendësia e flet esencën, e esenca është se nëna është zemra e shtëpisë, nëna është historia e secilit rrëfim dhe e secilit çast, e secilës datë apo ngjarje në jetë. Të gjitha këto detaje, po të lexohet libri me përkushtim, do të hasen në ndonjë poezi apo në ndonjë varg, siç është ta zëmë, -
ja ka engjëj mes mallëngjimit dhe lotit, apo
e hija jote më thur çorape për dimër, apo
natyrisht s`do të kthehesh kurrë më nënë!
Poezitë Darka me nënën, Kalimi i vigut të Muharremit, Siç të dua, Vjelja e mollëve, S`je e je, Bukuria e vdekjes e të mos radhis më,sepse secila është e shkruar me përkushtim, secila shfaq dhembjen e hapësirën për liri të autorit që të përshkruajë kënaqësinë se e kishte nënën, pa të cilën tashmë mund të jetë gjithë vetmi e dhembje dhe është. Kanë mbetur vetëm kujtimet dhe silueta e nënës siç përshkruhet në këtë poezi:
kalimi i vigut të muharremit
tri dele dy lopë një kalë e një buallicë
kullosin të shqetësuara kodës në dumnicë
nëna mbyll derën e ecim udhën e vjetër
retë e rënda përzihen mbi vigun e fjetur
vetëtimës së rrjedhës së ujit në thellësi
duhet kaluar vigun deri te ara me kalli`
nëna rropatet me pesë fëmijë njërin në gji`
nuk i bie gjuha në gojë cijat pandërprerë
e lidh atë në parzëm tjetrin e vë kaliqafë
të tretin e të katërtin i merr për dore
e unë nënë ç`të bëj pse mua s` më more
ma jep dorën nënë ta kaloj dhe unë këtë ferr
drita e ditës nis e del veç akoma bën terr
ecim udhën me këmbët e lagur me vesë
Është rast i rrallë në letërsinë shqipe që një autor t`i përkushtoj nënës një libër të tërë; një libër me forma të ndryshme, siç janë tingëllimat, vargjet e lira dhe kurorat sonetike, e të gjitha pa përjashtim e krijojnë një poemë për nënën. Kjo poemë e gdhendur me mjeshtërinë më të spikatur të autorit, vetëm pse i qan gjithnjë zemra, vetëm pse i mungon bërthama e shpirtit dhe gjatë tërë jetës do ta kujtoj në kthesat e ndryshme e të rënda të jetës, të mbështetet në nënën, e cila nuk është e prapë është. Në çdo rast ia heton siluetën, ia ndien aromën e gjakut, të të njëjtit gjak, i cili i lëviz, i rrjedh furishëm nipër damarë dhe ky, autori, secilën mbrëmje darkon me nënën, i mbledh frutat me nënën, i lidh duajt e grurit me djersën e nënës dhe i bart të lashtat në shtëpi, të dimërojë i qetë duke ia ndier frymën, duke e shkuar nga ajo i thur çorape për dimër.
Libri me poezi “A vuan më pse nuk vuan”, jo vetëm shpreh dashurinë, jo vetëm shpreh besimin, jo vetëm shpreh gjithësinë, të cilin nëna e lë të ndihet dhe pas shuarjes së saj mes gjurmësh të secilit fëmijë.
E zemra qan, por dhe trokon me hov pse ajo qe në jetë, pse ajo gjithnjë është.
Libri është i rrallë, i veçantë. I shkruar me duhmën e gjakut e të dashurisë së përhershme për nënën se, siç e flet autori, ajo është një monument, është kullë me ullirin mijëvjeçar para derës. Ajo përfundimisht është gjithësi.