E shtune, 27.04.2024, 03:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Sinfoni e të kryerës dhe e të pakryerës

E diele, 30.12.2018, 06:20 PM


SINFONI E TË KRYERËS DHE E TË PAKRYERËS[1]

Mjerë ai që ka dashur vetëm formën, trupin

dhe pamjen, vdekja ia rrëmben të gjitha.

Dashuroni shpirtin, se do ta rigjeni.

Viktor Hygo

Nga Fatmir Minguli

I botuar në vitin 2002, romani “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e  gurëzuar” i Anton Nikë Berishës, edhe në këto kohë, edhe në kohët që do të vinë, do të jetë roman i së ardhmes.   Do t’i qëndrojë çdo kohe ashtu siç mbijetojnë legjendat dhe historitë shqiptare. Është shpirti i romanit që e gëzon këtë përjetësi. Dhe ky  shpirt ndodhet te Gjin Bardhela.

Ndoshta është kjo arsyeja që struktura e këtij romani është ndryshe nga format (modelet) e romaneve të zakonshëm që botohen jo vetëm në letërsinë shqiptare.

Madje “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” është bërë ndryshe nga romanet e tjerë të këtij autori si “Bimorja”, ( 1993), “Nëna e dritës” (2004) dhe “Ferri i lodhur” (2007).

Viti 2002 tashmë merret i largët dhe mendja vërtitet rreth frymëzimit që ka ndjerë shkrimtari në mendje dhe në zemër të realizojë këtë përjashtim të përsosur në botën e romaneve. Edhe sot ai dallon me mënyrën e ndërtimit struktural si dhe aq fort me stilin e zhdërvjelltë dhe ky frymëzim e ka shpirtëzuar gurin e çmuar (qenësinë) të fshehur thellë ndër thellësitë e shekujve arbërorë, duke e nxjerrë në dritën e dheut.

Por të analizosh romanin “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar”, duhet patjetër të nisesh nga pasthënia e të ndjerit, Amik Kasoruho, botuar në këtë roman, ku ai  e cilëson atë:

“Kur e mbaron së lexuari  këtë vepër të mbetet ndjesia e të pakryerës , e diçkaje që mbetet pezull midis asaj që ka thënë autori dhe asaj që, mendon ti, s’e ka thënë ende[2]”.

Në këtë përcaktim tejet sqimatar unë ndjej shumë raporte, relativiteti i të cilëve është i papërcaktuar, por ndoshta  më kryesori do të ishte ai që ka të bëjë me tokësoren që i drejtohet  hyjnores, asaj që është lart dhe mistikisht e pakapshme.

Unë mbështes mendimin e Amik Kasoruhos se A. N. Berisha ia ka lënë vendin kryesore të përkryerës së mundshme, që përpiqet ta kapë dhe se e ka lënë këtë përpjekje si gjakim, në rrugë e sipër.

Nëpër kapitujt e romanit “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” autori na fut nëpër labirinte për të gjetur atë fill magjik të Arianës dhe si një Teze i magjepsur nga ky roman  e kërkon fillin për të thurur teksturën tënde për këtë roman të çuditshëm në letërsinë e stome shqiptare.

Romani, vërtet, ka një personazh kryesor, Gjinin, por do më pëlqente të sjell këtu një mendim të Roland Barthes kur ka shkruar për romanin e Viktor Hygosë “Katedralje e Parisit”: “Si roman Katedralja e Parisit, ngjan shumë me një monument  i cili është personazhi kryesor[3]”.

Dhe në romanin e A. N. Berishës monumente janë gurët (gurëzimi) që ndodhen pothuaj kudo në vepër. Gurët janë në fakt e kryera dhe formë e të  pakryerës.

Kështu është ura pa një krah, natyrisht prej guri dhe ku i ati i thotë Gjinit:

“Jo, bir këtu ka shumë jetë! Çdo gjë është në lëvizje dhe në përtëritje.”

Ura pa një krah (këmbë) është patjetër ana tjetër e detit, ana e të parëve e që nuk mund të shkonin…dritarja e gurtë e poetit De Rada që shihte nga deti[4]...

Dhe çdo gjë është në lëvizje, mendimi, shpirti kujtimet dhe deti me dallgëzimet e pafundme si një rënkim i përbashkët me njerëzit.

Dhe vetë etja u gurëzua dhe u hyjnizua. A nuk kanë qenë gurët, elementi bazë i ndërtimit të kishave dhe kështjellave, pra ruajtëses së shpirtit dhe ruajtjes së  paqes!?

Udhëtimi xhoisian i Gjinit nëpër Maqi drejt varrezave të gurta dhe kthimi tek shtëpia e tij e gurtë brenda me pak se njëzet e katër orëve, më pak se Uliksi i Xhojsit, është udhëtim nëpër personazhe njerëz, lisa, ullinj dhe gurë nëpër rrugët e Maqit legjendar.

Në romanin “Gjin Bardhela i  arbëresh & Etja e gurëzuar” ndeshemi gjithsesi me personazhe të gjallë e të vdekur, me personazhe të jetësuar që nuk janë më, por që kanë mbetur në kujtesën e fshatarëve arbëreshë dhe kujtimet e tyre janë gdhendur në gurët dhe ullirin e moçëm, trungu i të cilit, plot zgavra,  ngjan aq shumë me shkëmbim. Jo pa arsye, të krishterët e lashtë i kanë thënë Krishtit këtë: “Ngre gurin dhe do të më gjesh; preje  pemën mëdysh dhe do jem atje[5]”.

Të shkruash për strukturën e këtij romani si dhe për stilin narrativ, është pak të thuhet se brenda tyre ka poetikë. Është një poetikë ku kritika e specializuar sheh më tepër se poetikë, sheh një poetikë me veshje të veçantë me prozë poetike që futen lehtë - lehtë e formojnë subjektin.

Duke qenë e armatosur me këta përbërës alternativë, kërkon të ngrejë krye mbi subjektet, strukturat dhe stilet e zakonta. Është një kërkesë e A. N. Berisha për të fluturuar ndryshe në shtegtimet e tij krijuese.

Nuk e di dhe nuk e kam pyetur  autorin e romanit nëse ka qenë në fshatin e Maqit, por edhe nëse s’ka qenë ai na ka sjellë skenat e një fshati simbol, ka sjellë një mistikë të pëlqyer nga të gjithë shqiptarët.

Tek sheh personazhin Gjin Bardhela duke lënguar në shtratin e gurtë e të thjeshtë, pranë flakës së qiririt, dashje pa dashje, mendja të shkon te Burri i Madh i Krujës, i rrethuar nga trimat e tij. Kjo është thjeshtë fantazi e imja që buron nga vetë ky roman, por që merr krahë nga forca depërtuese në kohë dhe në hapësirë e stilit narrativ të Anton Nikë Berishës. Ai di të simbolizojë e të përputhë shqiptarët arbëreshë  me legjendat dhe të bëmat e heronjve të atyre kohëve të Motit të Madh.

Me fragmentin e mëposhtëm Anton Nikë Berisha sjell prologun e romanit të tij që është vetë tharmi i stisjes i të gjithë kapitujve, me maksimat letrare të pashoqe, rrëfenjëza të përkitura nga legjendat shqiptare,

“Çka mund të jetë?!...mendoi Gjin Bardhela i Ndre Bua Petës, ndërsa tërhoqi zvarrë shikimin nga dritarja e dhomës, prej nga mund të shihej dhe Dejti Jonë, dhe e pikasi te flaka e bishtukut, që ishte në të sosur[6]”.

Të gjitha këto e kaplojnë mendjen e lexuesit e ai e ndjen veten brenda një hyrjeje dhe pret të fillojë shfaqja. Dhe shfaqja është një simfoni ku ndihet qetësia madhore dhe tamtamet e luftërave, ndihet ndriçimi i diellit dhe egërsia e shtrëngatës, por mbi të gjitha ndihen rezonancat e shpirtit të plakut flokëbardhë  Gjin Bardhela.

Romani është një monolog i një shpirti që udhëton në kohë, monolog  i shpirtit  të Gjin Bardhelës, monolog i gërshetuar me artin e kombinimeve të metaforave mbi jetën dhe vdekjen, mbi errësirën dhe dritën, mbi të qenshmen dhe të paqenshmen, kur pema e ullirit bëhet njeri dhe njeriu nuk i përket më vetvetes, por brenda tij janë brezat që ikën dhe ato që do të vinë.

Gjatë udhëtimit të Gjinit nëpër fshat, rrugës për te varrezat, ai takohet realisht dhe virtualisht me njerëz që janë fshatarët e tij, siç është Magdalena, apo ndonjë tjetër, që sjellja dhe mëtimet e tyre të çojnë në faqet e Biblës, duke sjellë herë Maria Madalenën e herë “Këngën e këngëve” të Solomonit, dashuritë e vajzës dhe djalit.

Kjo vihet re edhe në paralelizmat e personazheve me emrat e personave historikë, duke krijuar interpersonalizimin e tyre dhe lojën me emrat e personazheve vetëm një germë i ndan. Duke ecur nëpër rrugicat e fshatit e duke shkuar te shtëpia e De Radës, duke shkuar te kisha, duke shkuar te Ulliri i moçëm, të duket sikur Virgjili shëtit Danten ndërkohë që shpirti i Gjinit e ka marrë për dore vetë Gjinin dhe e shëtit…në historitë e shqiptarëve që nga lashtësia.

Midis shumë përftimeve mjeshtërore, në stilin e romanit “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” është forma elastike e retrospektivës. Sjellja në jetë e Milosaut dhe Rinës, vetë poetit të madh De Rada, legjendat e murimit, Konstandini, besa etj., janë skena ajrore, por me këmbë në tokë, një ringjallje dhe para syve të lexuesit krijohet një amfiteatër ku spektatorët dhe aktorët janë po ata. Ky amfiteatër ndriçohet nga drita e dashurisë ndaj mëmëdheut dhe njerëzve të tij.

Në këtë roman, autori i jep rëndësi të madhe pjesëve ku trajton të vdekurit, duke na krijuar një lloj enciklopedie me emrat e tyre, por që evokon shumë të vërteta të kryera dhe të pakryera. Ai i mëshon shumë riteve dhe besimeve të ruajtura e të bartura nëpër shekuj dhe kjo jo vetëm në tokat e arbëreshëve të Italisë. Ja çka shkruan Mark Tirta për këto rite dhe besime: “Ritet dhe besimet që kanë të bëjnë me kultin e të vdekurve janë ruajtur me shumicë e me një përmbajtje simbolike tepër interesante, me disa skenarë ritual tepër arkaikë, kryesisht nga bashkësitë fshatare veçanërisht në krahinat malore, në Veri dhe në Jug të trojeve shqiptare[7]”.

Dhe ecja e ngadaltë e Gjinit drejt varrezave ku prehej gjyshja e tij, Mari, është dhe vetë ecja narrative e romanit. Dhe jo vetëm kaq, por në narrativen e Anton Nikë Berishës, pra në këtë roman, mbizotëron figura letrare e hiperbatonit, që është zhvendosja e një fjale brenda fjalisë për arsye harmonizimi, gjë që përdoret më shumë në poezi. Kjo ndodh në të folurën arbëreshe dhe brenda këtij romani ndihet atmosfera e Maqit, muzikaliteti i jetës së brendshme. Kjo ka lidhje me një fenomen letrar, atë të faktit të fshehur, që aq bukur e ka përcaktuar Mario Vargas Josa[8].

Të shkruash për romanin “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” është sikur të shkruash për një baladë ku çdo pjesë e saj të ngacmon e të vë në mendime. Ja si shprehet vetë autori gjatë meditimeve brilante në roman kur flet për vallet arbëreshe:

“Edhe në ethe vallet nuk harrohen. Pa to e pa gjuhën s’ka arbëreshë[9]”.

Duke lexuar këtë roman dhe duke e rilexuar atë shikon se përpara teje ke një poemë - baladë në prozë të vërtetë me një simbolikë të shumtë. Fakti i fshehur i këtij romani është pikërisht pakryera e ëndrrës së madhe të shqiptarëve, nevoja e njësimit shpirtëror. Një ëndërr që vazhdon…

E pakryera duhet të kryhet.

Anton Nikë Berisha jeton në Prishtinë dhe është njohës i thellë i kulturës shqiptare dhe romani i tij është thirrje për kushtrim në ndjekje  të lavdive të të parëve tanë e vendit të tij. Ura me një këmbë mangu, duhet të plotësohet dhe urat janë bashkuese, kur muret janë ndarëse e për mure Anton Nikë Berisha kurrë nuk flet.

Durrës, dhjetor 2018


[1] Vështrim mbi romanin e Anton Nikë Berishës “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar”, Faik Konica, Prishtinë 2002.

[2] Shih po aty, f. 178.

[3] Roland Barthes, në Parathënien e Umberto Ekos në romanin “Notre Dame de Paris” botim i gazetës “Reppublica”, Itali 2003.

[4] A. N. Berisha, Gjin Bardhela i arbresh, vep. e përmendur, f. 84.

[5] Kallistos Ware, Udha e ortodoksisë, Streha, Tiranë, 2015, f. 29.

[6] A. N. Berisha, po aty, f.10.

[7] Mark Tirta, Mitologjia ndër shqiptarë. Mësonjëtorja, Tiranë, 2004, f. 216.

[8] Shih Mario Vargas Josa- eseja Fshehja e faktit në librin “Sfida e krijimit”, ILAR, Tiranë, 2013.

[9] A. N. Berisha, Po aty, f. 119.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora