E hene, 05.05.2025, 09:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Xhemil Bytyçi dhe ambienti kosovar në një vepër vlerash të veçanta

E merkure, 26.12.2018, 01:34 PM


Xhemil Bytyçi dhe ambienti kosovar në një vepër vlerash të veçanta

Nga Baki Ymeri

Pas një numri të konsideruar vëllimesh poetike, të botuara në Kosovë, Belgjikë dhe Bukuresht, Dr. Xhemil Bytyçi vjen para nesh me një libër të ri me katër drama: Pushteti i rriqrave, Qenjtë e përkëdhelur, Ulurimë e trazuar dhe Përballë vetëvetes. Nga përmbajtja e tyre kuptojmë se historia shqiptare po përsëritet. Autori është një shpirt i trazuar që e zotëron mjeshtrinë e rrëfimit, parimet e estetikës dhe teorinë e vlerave. Ai i ka shkruar këto perla dramatike për një realitet të bukur në njërën anë, dhe të dhimbshëm në anën tjetër. Krejt emrat e personazheve, të vendeve dhe evenimenteve, nuk janë vetëm të imagjinuara, por edhe reale. Çdo shprehje nga tekstet e tij, dëshmon në mënyrë të qartë atë që po i ndodh kombit shqiptar, jo vetëm në Kosovë.

Xhemil Bytyçi na befason gjithmonë me realitet dhe origjinalitet. Veprës së tij nuk i mungon imagjinata e bujshme, përshkrimet reale, nyancat dhe situatat satirizuese që defilojnë para syve tanë, fragmente të shkëputura nga jeta e përditshme, si dhe nga jeta që e përjetojnë personazhet, shijet paranoike të anëtarëve të partisë për pushtet, grandomania, kopracia dhe mjerimi shpirtëror i disa politikanëve të dështuar. Disa nga personazhet e tij mendojnë se kanë rënë nga retë, do tjerë nga qielli, do tjerë duket se kanë dalë nga ferri. Autori din ta perfeksionojë artin dramatik dhe kontribuon për mbarëvajtjen dhe pasurimin e dramaturgjisë kosovare. Tekstet joshin vëmendjen e lexuesit për përshkrimin e atmosferës së ngarkuar me një ironi të implikuar.

“Katër dramat” e Xhemil Bytyçit është një libër i veçantë, i botuar në relacionin Bruksel-Prishtinë më 2018. Veprat respektive kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen e jetës dhe të shpirtit shqiptar. Në faqet e tyre takohemi me dialogun, me fjalë të zgjedhura dhe përfytyrime artistike,  me mendime të shëndetshme, me historinë, me psikologjinë dhe me natyrën. Duke shfletuar dramën e parë (Pushteti i rriqrave) me njëmbëdhjetë pamje, kuptojmë se personazhe janë kryeministri Luan Pushka; gruaja e kryeministrit Vjollca pushka, kryetari i AKP-së, ekonomisti Ylli; qeveritari, nip i kryeministrit, Vigani; gruaja e Viganit, Miranda; qeveritari në konflikt me partinë dhe kryeministrin, Fatmiri. Pason Fatlumi, qeveritar në konflikt; Premtimi, pushtetar i klanit të kryeministrit; Zana, kameriere e Motelit “Motrat binjake”; tri vajzat e motelit dhe policia.

Personazhet paraqiten me një dinamizëm dramatik, duke krijuar ambientin dhe harmoninë dramatike që nga pjesa e parë dhe deri te ajo e fundit. Këtë dramatizëm autori e bën me qëllim, që drama të përjetohet nga lexuesit apo shikuesit. Çdo dramë ka pamjet e veta. Në pamjen e parë të dramës së parë ballafaqohemi me sallën e veçantë të Qeverisë, atje ku Kryeministri mban mbledhjen e përbashkët qeveritare. Të gjithë ministrat  e dikastereve qeveritare  janë mbledhur për të diskutuar dhe zgjidhur disa probleme qeveritare dhe shtetërore. Mbledhja është e jashtëzakonshme për planin rregullator dhe zhvillimor të pushtetit aktual. Fjalën kryesore e mban Luani. Pastaj të gjithë ministrat diskutojnë për projektet  dhe  planet e tyre zhvillimore të dikastereve të tyre. Po ashtu haptazi bisedojnë edhe për  problemet që hasin gjatë punës.

Impresionojnë personazhet e dramës “Qenjtë e përkëdhelur”: Petrit Mbasbishti (Kryetar i organizatës joqeveritare për të drejtat e kafshëve); Adelina (Bashkëshortja e petritit); Hansi (Zyrtar ndërkombëtar); Shkëlqim Shaljani (Veterinar, shef i strehimores së qenjve); Violeta ( Bashkëshortja e Shkëlqimit, teknike veterinere); Tezja Fatë (Punëtore); Kryetari i Komisionit Vlerësues; Vajza, Konferencierja, Konferencieri etj.  Pason drama “Ulërimë e trazuar” me personazhet respektive: Skenderi (Kryetar i partisë); Sihana (Koordinatore për Resurse Humane); Sadiku (Anëtar i vjetër i partisë); Saliu (Anëtar i vjetër i partisë); Fatoni dhe Egzoni (Anëtarë të rinj); Agroni (Anëtar i mundshëm i partisë); Kaltrina (Vajza e Agronit); Fatos Guri (Kryetar i partisë); Sigurimi I dhe Sigurimi II.

Në monodramën “Përballë vetëvetes”, vjen Dritani pas shëtitjes kur me biçikletë kthehet në shtëpi. Vendoset në verandë. Ulet në karrige pranë tavolinës dhe fillon të bisedojë me vetveten. Para luftës ai ka qenë aktivist i çështjes kombëtare. Me shpërthimin e luftës  ka marrë pjesë aktive në luftë dhe deri te përfundimi mi luftës rregullisht ka qenë në front. Pas luftës në fillim ka qenë i kyçur në organet udhëheqëse të qeverisë së përkohshme. Nuk është pajtuar me qëndrimet partiake, haptas i ka kundërshtuar  parregullsitë në pushtet. Ndërkohë e heqin nga të gjitha postet e mundshme që i ka pasur. Demoralizohet tej mase me gjendjen ekzistuese të udhëheqjes në pushtet. Gjendja e tij sociale dhe ekonomike arrin në varfëri dhe mjerim. Gjendjen e  pasluftës dhe vështërsitë e popullatës, si  edhe situatën e vet në raport me qeverinë i paraqet ashtu siç janë. Flet edhe për shokët e luftës  që e tradhtuan dhe  ia  kthyen shpinën.

Monologun e fillon duke sjellë rrotën e biçikletës. Rrotën e biçikletës  e rrotullon dhe flet për rrjedhat e jetës dhe të shoqërisë. Arrin në  gjendjen e rëndë psikike sa që e urren veten. Mundohet që t’i përballojë të gjitha sfidat duke u përmbajtur, por kontakti me shokët e luftës kohëve të fundit i ka shkaktuar shqetësime shpirtërore. Ndërkohë shokëve iu bën  thirrje që ta përkrahin për ta ndryshuar gjendjen kaotike në qeveri së bashku me njerëzit atdhetarë, të cilët së paku kanë ndjenjë dhe idel atdhetarizmi. Me qëndrimin e tij  dhe  ndjenjën patriotike i kritikon padrejtësitë ekzistuese. Mundohet që shokët t’i  bindë që t’i  luftojnë padrejtësitë e të krijojnë kushte normale në këtë shtet. Mundohet që me ndërmjetësi të krijojë funksionalizimin e organeve pushtetare. Në anë tjetër mundohet që të pengojë migrimin e njerëzve nëpër botë. duke mos  ditur se ku e kah po shkojnë.

Josh fjala hyrëse e Luanit në faqet e para të dramës së parë. Fjalën e përqëndron në zhvillimin e pushtetit qendror dhe të pushteteve lokale për tërë territonin e Kosovës: Zonja dhe zotërinj, kam nderin që në emër të kryesisë    mbaj këtë fjalim inaugurues të Qeverisë sonë të suksesshme. Më vjen mirë që  të gjithë këtu solemnisht  jemi tubuar. Konsiderojë që aktiviteti i deritanishëm do të jetë suksesi më i madh i yni. Me angazhimet tona do t’i  forcojmë shtyllat qeveritare edhe më tej. Lirisht mund të them se kjo arritje e deritanishme është merita jonë e përbashkët, prandaj edhe  sukseset e mëtejshme  do t’i arrijmë shumë shpejt. Është shumë me rëndësi të theksojë se puna dhe angazhimi im  drejtpërsëdrejti mvaret nga besimi juaj që më keni dhënë. Me këtë rast ju shprehi  falënderime  të gjithë juve. Ndjej  obligim në vete që në këtë imperativ kohor para jush të mbaj fjalën time më të sinqertë për atë që kam premtuar dhe arritur të realizoj. Ne jemi marr me punë të mëdha dhe me vendime të vështira, por të rëndësishme për popullin. Në plan të parë  ju siguroj se projektet vendimtare që i kemi hartuar do të na inkurajojnë dhe do të na nxisin për sukseset  tona  të mëtejshme në emër të partisë më të fortë dhe të pushtetit tonë tani të konsoliduar. Tani  i shohim edhe rezultatet e para. Këto rezultate dita-ditës janë të mira e më të mira. Ju falënderoj për besimin që më keni  dhënë, ndërsa unë mburrem me angazhimet tuaja të sinqerta ndaj këtij pushteti,  i cili funksionon për mrekulli. Rrjedhat e këtij pushteti aktual haptas shihen nga sukseset që ju keni arritur të shprehni besimin  edhe te populli, i cili është i kënaqur me punën dhe angazhimet  tona  të pathyeshme që kemi ndërmarrë me duart tona të arta dhe të forta.

Pason dialogu me kryeministrin dhe zgjon kurreshtjen privatizimi në Kosovë: Ngjarja ndodh në shtëpinë e Luanit. Bashkëshorten e lajmëron se në  mbrëmje do ta kenë një mysafir të nderuar. Ai është  kryetari  i  Agjencisë Kosovare të Privatizimit (shkurt AKP). Yllin e ka thirr për të biseduar hollësisht rreth ndarjeve të tokave dhe fabrikave të cilat i kanë futur në listën për privatizim në nivel të Kosovës. Tokat  mendojnë  t’i ndajnë të  parcializuara  me sipërfaqe të  mëdha, me ndërmjetësimin e AKP-së, përkatësisht klanit të tyre të fuqishëm. Tokat do të ndahen me prioritete të funksionarëve. Funksionarët  tokat  do t’i blejnë me emra të ndryshëm të miqve dhe shokëve të tyre të ngushtë. Punën kryesore  për këtë ndarje e ka bërë kryetari i AKP-së me ndërmjetësimin  e gjykatës  dhe kadastrit. Kryetari i AKP-së më parë i ka kryer të gjitha punët rreth parcializimit. Luani pastaj bisedon me Yllin rreth privatizimit të objekteve dhe fabrikave të rëndësishme në tërë territorin e Kosovës. Ai insiston  që vetë t’i blejë e t’i  privatizojë parcelat më të pëlleshme me disa fabrika,  ndërsa pjesët tjerave t’i blejë kush të dojë sipas ankandit publik të shpallur.

Dramat e Xhemil Bytyçit meritojnë një analizë më të gjerë krikike nga ana e ekspertëve të letërsisë, por për hirë të hapsirës tipigrafike, tani për tani po e përfundojmë me kaq. Pak e për merak!

(Bukuresht, 24 Dhjetor 2018)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx