Kulturë
Shyqyri Fejzo: Celulari
E hene, 24.12.2018, 01:00 PM
Shyqyri Fejzo
Celulari
Mbas zgjedhjeve të fundit, edhe në bashkinë tonë u ndërruan kuajt. Këtij të riut, në fillim asnjë nuk ia dinte tekat. Njëri thoshte se valla paska qejf gjuetinë, tjetri se paska qejf „të bekuarën” raki një i tretë e tirte fjalën për sportin, të tjerë, qoftë larg se e kishim si baba, për seksin, për të bukurën e delikatesën. Dhe kështu, histori të vërteta, gjysëm të vërteta dhe të sajuara, nuk kishin të mbaruar. Ka mbetur ajo fjala, gjithnjë, kokave që rrinë u lëviz gjuha. Jo se ekipi ynë i bashkisë “vriste Mucon” duke bërë pallë ariu, po c’është e vërteta, ato të flamosura thashetheme i shkonin për shtat.
Një ditë, duke “gërmuar” një mikun tim se ku i shtinte dyfeku të parit tonë të bashkisë, nga ai që e njihte me themeli, “bleva” atë që ai nuk betohej për atë besë, por vetëm për atë shkresë. Ksisoj nuk lashë gjë pa rregulluar. Vërtet u lodha, por tashmë isha i bindur se jo kryetari ynë i bashkisë, po dhe vetë kryetari i shoqatës së kryetarëve të bashkive të vendit të vinte, kisha sigurinë se nuk do i ulja sytë përdhe para tij. Dhe mbledhja e parë në sallën e bashkisë nuk vonoi.
-Të hiqen telefonat e zyrave deri në një urdhër të dytë. Deri tani kini bërë batërdinë në shpenzime. Buxheti i shpenzimeve telefonike ka sosur me kohë, deri në fund të vitit...i verifikova faturat. Kë nuk kini marrë në telefon!..Më do brenda vendit, apo jashtë shtetit…
-Si do të punojmë pa ndërlidhje? Pa ndërlidhje, ka thënë në kohën e vet ai, nuk ka komandë dhe pa komandë nuk ka fitore..-e shkrepi një nëpunës i vjetër në prag pensioni e tepër I guximshëm.
-h
ë! Ta kuptova qerrata! Dhe unë e di se kush e ka thënë atë, por mos harro një gjë. Ai nuk e dinte se do të delnin celularët. Po ju desh ndërlidhje, sic thotë ky zotnia, blini celurë dhe flisni me ta sa të doni- ishte fundi I fjalës së tij.
Ne, një të thënë i pari e një të bërë.Të nesërmen plasi pazari i celularëve. Njëri e donte erikson, tjetri nokia, njëri me kartë vodafon e tjetri amc.Më pas, sejcili lavdëronte daullen e vet. Disa i blenë dhe po i përkëdhelnin gjithë qejf. Të tjerë, të cilët u a kishin vjelë bashkën me kohë celularëve, qeshnin nën buzë. Ata e dinin se kllapitësi i ri i parave do ua gjysmonte rrogën mujore, ndaj rrinin buzëvarur. Kuptohet, edhe unë nuk do bëja vec të tjerëve. E bleva një nokia bisnes. Pa e njoha dhe i bëra “ujë” të dhënat taktike e teknike të mallit të ri elektronik. Prita e këmbeva urime me miq e shokë.
-Mos merr kurrë vetë i pari. Bëj zile dhe prit të të marrin- e dha ultimatumin e parë ime shoqe.
-Po kur të vjen vetëm një zile?-pyeta dhe e bukosa. Aq e kanë gratë.
Koha rridhte e rridhte. Ajo nuk lidhet me litar. Filloi java e re, pastaj muaji i ri i punës. Horoskopi ma dha rrugën xham fare për ne të akrepit. Por, or tyngjatjeta, edhe horoskopit nuk i dalka fare nganjëherë. Kaloi e marta që është e dalluar për tersllëqe dhe që këtë muaj ra tamam në datën 13. Kaluan dhe ditët e tjera. Të premten, që në orën tetë, celulari im filloi cërr-cërr-cërr!
-Urdhëroni!- i përgjigjem me tonin e zakonëshëm zyrtar në zë e në lëvizje të trupit.
-Të ngrënca mëlcinë- tha zëri prej andej nga vinte. C’është e vërteta, ky lloj propozimi më hutoi që në mëngjes, por e mblodha dhe si u mendova pak, i them si me ankim.
-Ti mirë e ke, por mëlcinë e kam me cirozë- shtova ashtu kot një diagnozë që sapo më erdhi ndërmend. Se, në fund të fundit, atij mikut do i iknin paratë nga celulari dge jo mua.
-Atëhere, të grënca të gjitha ato që bëhen kukurec,-vazhdoi zëri i kllapitësit të organeve të përbrendëshme.
-I kam të gjitha të infektuara me mykozë, pas antibiotikëve që bëra kohët e fundit- I them për të zgjatur edhe ca bisedën, ndërkohë po përpiqesha të njoh zërin e atij që më fliste.
-Atëhere të bëfsha nënën,- shau rëndë qerratai, duke ngritur edhe zërin pale! Mu duk se ma ngjeshi me një cekan në kokë.
-Nuk kam nënë. Kam vetëm njerkën po ajo është shumë e sertë dhe me të mendoj se nuk do të bësh hair- i them
- Gruan!-tha burri i botës dhe e mbylli telefonin.
Fshiva djersët dhe me zor po merrja frymë. Isha bërë si i shkuar në dërstilë. Nuk më kishte ndodhur kurrë si sot. U enda një copë herë nëpër zyrë pa objekt, ku të më conin këmbët. Nuk kishin kaluar plot dhjetë minuta, kur ra përsëri zilja e celularit. Zëri i këtij birkos të ri ishte më i hollë e melodioz.
-Të bëfsha gruan!-ishte përshëndetja e tij pa u prezantuar fare. Po përcillesha e mendoja ta bëja pelte sikur ta kisha afër, por ma shpejtoi.
-Hë! Të erdhi mirë,a? Shkruaj edhe njëherë në gazeta po deshe, ku na kritikoje edhe për fjalorin e pistë e jashtë etike, ...zotrote!- tha dhe e mbylli.
Në cast m’u kujtua se më ishte botuar para dy ditësh në gazetën lokale një shkrim kundër zhargonit të pistë që dëgjohej, flitej e shkruhej në media. Kur i u terezita unë ti sulesha, ma hodhi. Më mbylli telefonin. Erdha e u bëra të më vije hekurat. Nuk po merrja vesh gjëkundi se cfarë po më ndodhte. Këtë djall telefon e dija se e ka shpikur për herë të parë një mësues gjerman me emrin Filip Rejs dhe e përsosi më tej amerikani Bell. Sikur ta dinin ata se sa lloj telashe do tu nxirnin njerëzve si këta, më dukej se nuk do të mbërthenin asnjë vidhë në aparat. Zilja e telefonit përsëri mu duk se më zgjoi mga një si gjumë i shqetësuar dhe i përciptë.
-Të bëfsha gruan!-ishte dëshira e zërit më të ri. Edhe kësaj here nuk munda ti kthej përgjigje këtij nepslliu të seksit. Në moment hyri në zyrë sanitarja e bashkisë me kovë e fshesë në dorë. Më hodhi një vështrim pak si të cuditshëm nga koka tek këmbët.
-Ti heq një fshesë zyrës? Apo e lëmë pas një ore, se po të shikoj që je shumë i lodhur. Kini punë të flamosurat…Ja, ja! Po bie përsëri telefoni,-foli sanitarja.
-Merre atë telefon, të lutem, se je afër tij,- i them. Ajo afroi celularin tek veshi. Në cast u skuq vishnjë në fytyrë dhe gjithë inat foli:
-…Si, si? Pa thuaje edhe njëherë!-
Dëgjonte me vemendje, pastaj tundi kokën. Në cast rrëmbeu kovën dhe fshesën, përplasi me forcë nokian tim pas murit dhe doli nga zyra me vrull.
…-Po bëj kaq vjet.Kurrë nuk më ka ndodhur kështu!-ulërinte sanitarja në koridorin e zyrave të bashkisë.
Mbylla derën, mora celularin në dorë dhe po e fshija. E vura në tavolinë duke menduar se “e hëngri kullotën” dhe hajde dëgjo gruan pastaj. Shikoj në ekran se mos kishte dalë numuri I telefonit të atij mikut që tërboi sanitaren dhe mua, por jo or ti. Telefoni sikur të kishte pritur atë cast. Mbasi ra dy a tri herë, duke sjellë në veshët e mi gjithnjë e me tone të lartë një melodi të Shtrausit, të cilën e kisha vendosur një ditë më parë, u binda se nuk e kishte gjetur hataja nga pëplasja e fortë. Mbasi e mora në dorë me merak shkela butonin jeshil.
-Po, more xhan po! Bexheti jam. Të më bësh gruan? Ph! Maskara! Do ta shikosh ti, do ta shikosh!-I fola tërë inat. Po unë ia kisha futur kot se ai birkoja e kishte mbyllur me kohë telefonin. Cudi! Pikasa se në cdo dhjetë minuta më merrnin në telefon. Më shanin me rrënjë e degë për familjen e gruan, pastaj e mbyllnin telefonin. Pa dale, pa dale po vrisja timen. Po unë përse e kam gojën, apo vetëm për bukë. Mirëpo, qerratenjtë nuk e zgjatnin bisedën se do ua kisha thyer atë cikëz samar.Nuk më la zilja e telefonit që të meditoja më gjatë. Prita sa zilja të bjerë tri herë pa ta prek me dorë. Isha djegur që në mëngjes tri herë nga qulli... Ndjeva se më mbahej fryma nga inati dhe isha bërë ujë në djersë. „Hë, se ta tregoj unë ty“, iu betova me vehte. Dhe mendoja se kur t‘ ia jap në dorë atë cikë hesap, dhe le të frynte sytë pastaj. Ksisoj i u sula.
-Të ngrënca gurmazin, mëlcinë dhe shpretkën. Të ngrënca cfarë bëhet kukurec!,-e nisa bisedën i pari unë, tani me armën e tij.
-He,he, heee! Po ku më gjete mua more xhan që i kam të gjitha të sëmura.-filloi të më përgjigjet qerratai.- Unë marr një grusht kokrra në ditë, sa të mbjellësh një kopësht, po të ishin fara misri apo qiqre!- po më sqaronte.
…-Mirë atëhere! Të bëfsha nënën!-shpejtova e ngrita zërin se mos ma kredhte ai I pari.
-Edhe nënë të pamundur e kam,-u përgjigj qetë-qetë.
-Pse, të gjithë me raport jini ju? Të bëfsha gruan dhe femrat që ke në shtëpi,-shkallëzova sulmin seksual. Nga ana e tij që mori në telefon u bë qetësi. „E bukosa“ thashë me vehte për një cast, por ai pa pritur vazhdoi:
-Dakord, more lako! Nuk ta prish unë ty, që dashke tu shërbesh aq mirë femrave të familjes time. Sa të shkoj në shtëpi në darkë, do të bisedoj me nënën, gruan kunatën dhe vajzën e saj. Bëhen goxha femra dhe ka mundësi që të kthej një përgjigje që do të kënaqë,-gurgullonte zëri I tij në celularin tim.
U tërbova më keq nga përgjigja. Lëvizja nëpër zyrë si ai që e prêt ujët e hollë dhe nuk gjen tualet gjëkundi. Lëviza e lëviza, pastaj nisa të sistemoj ashtu, kot një dosje. Ndërrova fletën e kalendarit dhe ngula sytë tek disa shënime të hershme në të. Por ora nuk po kalonte. Shfryja si dem, tundja kokën, kujtoja ndodhinë me sanitaren para gjysëm ore. Kushedi se sa hapa kasha bërë nëpër zyrë e sa objekte kisha prekur pa dashje me shpresë të humbisja mendjen për cfarë po më ndodhte. Kur ra përsëri zilja e telefonit. E mbajta në dorë sa tingujt e ziles i dëgjova tri katër herë, pastaj iu turra atij që fliste.
-Të bëfsha gruan! Po, po! Tënden, po kë? Timen a?
...-Nuk ke grua? Bo,bo! i mjeri ti! Atëhere do të bëjmë një marveshje bashkë.-ngrita zërin dhe i derdha një kosh të shara.
...Të bëfsha c’ke femra në shtëpi. Do më?-u bë heshtje nga ana tjetër. Jo, po, ta dinte i biri i botës se edhe ne nuk e hamë thatë. Dihet ajo kënga” ato maja rripa-rripa…”
-Kam zagaren dhe macen femra në shtëpi,- u përgjigj lirshën si duke qeshur, qerratai.
-Dhe ato! Jo, mo jo! C’ne!- i u përgjigja shpejt, kur e kuptova se cfarë po kërkoja. Ai e mbylli telefonin. Po mendoja se qoftëlarg, mos më kishte incizuar dhe atëhere u bë nami. “Zagaren dhe macen”. Qafiri! Më vinte të bërtisja me zë të lartë. Jo po, ta merrnin vesh se nuk mund të shanin vetëm ata! Se edhe ne coc jemi në këtë fushë! Le ta provojë të më marrë dhe njëherë në cellular pas dhjetë minutash, sic po më ndodhte. Le ta provojë se po s’ju sula për vjerrën, e për tërë farë e fisin-po meditoja. Po kjo nuk shkoi gjatë. U hap me tërsëllëmë dera e zyrës. Mbeta si i ngrirë se përpara meje qëndronte kryetari i ri i bashkisë. Më hodhi një shikim piper, nga lart poshtë, pastaj nga e kundërta dhe vështrimin gozhdë e me një qeshje ironike në buzë mu duk se e nguli poshtë belit tim.
- Mirë more zotri se mua më shave me zagaren e macen, po me zevendësministrin, cfarë pate? E kërdise me të gjitha femrat. Ke dashur ti hash dhe të brendëshmet, pale!-fliste qetë-qetë, ngadalë dhe i sigurtë sikur po bënte qitje të saktë në tabellë kryetari i bashkisë.
-Bo,bo!- ndjeva se fola padashur.- Na turbulloi e ngatërroi keq fjalet ajo djall “portokalli”- desha ta sikterris fajin andej nga emisioni I topit qe jepet te djelave.
- Prit, prit, se akoma “ruda“ ti! Ishte shans se më mori direct kryeministri në telefon. Të kërkoi ty, po e ndërpreva unë, kur e pashë se cfarë na bëre ne të tjerëve.
-Mos, zoti kryetar!..- E kisha dëgjuar se rrufeja nuk bie dy herë në të njëjtin vend, por paskam qënë i gabuar. Me sytë e mendjes po kërkoja se ku mund të ishin ata telefonuesit misteriozë të seksit. Ata telefononin tek e tek cdo dhjetë minuta. Mbase tani ishin duke pirë së bashku duke komentuar bëmën më të re,
ku strumbullar u bëra vetë bashkë me telefonin e ri. Ama të përuruar i bëra! Po
ishim mirë ne pa këta djaj celularësh!
Takim me ish bariun e dhive.
Ditën e pare që erdha në fshat, pyeta për bariun e dhive, Tanushin si është. “Në shtëpi rri. Ka hyë në pleqeri të thellë, po mendjen e ka halë akoma” më thanë ata që pyeta. Mendjen e shtegëtova tutje, kur Tanushi ishte bariu i dhive. Muaji gusht ishte, kur blegtorët bëjnë e mbledhin gjethin për ushqim në dimër për dhitë. Tanushi kishte ngarkuar gomarin me gjeth dushku e kishte marrë rrugën për në fshat. Pa pritur dëgjoi biseda njerzish me zë të lartë e të qeshura. Përballë vinin katër pesë burra. Sekretarin e parë të rrethit e shoqëronin “ paria “ e fshatit. Po bënin me gisht nga Tanushi dhe I këputin një të qeshur gurgulluese, sa oshëtinte pylli për rreth. Tanushi krojti kokën, kapi për kapistalli gomarin dhe iu drejtua njerëzve.
-Ush, ush o I flamosur. O shoku sekretar, aman hiqi ato syze se më trembet gomari dhe kam frikë se më kthen samarin…” Shoqëruesit e partiakut mbetën të shtangur.Sekretari I patë “fryu pendët dhe I u turr.
-Hë! Bari gangster! Kujt I flet kështu ti? Paske lënë dhe një pëllëmbë mustaqe, pa le!- I foli sekretari pa u përshëndetur fare me të.
-Unë këto mustaqe kam. Se mos kam kostume si ti! Dhe këtyre ju bëre sevda?.-gërrici ku nuk mbante bariu I dhive.
Këto po kujtoja nga mjergulla e kohës së hershme, ku më shfaqej dhe Tanushi. Pas dy orësh që ndejta dhe u shlodha me njerzit e mi, mora rrugën për te shtëpia e Tanushit. Më priti e bija që kishte ardhur ato ditë dhe nusja e djalit. E gjeta mbështetur. Kishte hapur televizorin. Pranë në një tavolinë të vogël qëndronte kana e gota e ujit, një shportë me fruta dhe cibuku me take-tuken e duhanit. U përqafuam me mall.
-Si je? Si e ke kaluar o kockë e fortë?- I them duke i shtërngaur duart e përqafuar. “Aha! Isha dru thane, po tani jam bërë dru prej shtogu. Po shkel në fusha të minuara dhe nuk dihet kur pëlcasin të flamosurat- u përgjigj duke qeshur.
-Po nuk more leje në Bashki nuk mund të shkosh as gjëkundi. Biletat për në parajsë tani i shpërndan vetëm Bashkia- i a ktheva..-pastaj soji juaj rronte mbi 100 vite- i them më tepër për ti bërë qejfin. U krekos,uli pak zërin e televizorit, dhe sytë nuk i ndante nga ekrani. Ishte e Enjte dhe podiumin e Kuvendit e kishte zaptuar Sali Berisha.
-E dëgjove cfarë tha sot?- e pyeta.
-Thumbin dhe njëqind herë ta rrahësh, majë nxjerr. Ashtu është dhe puna e tij. Më vjen inat se Kuvendi nga të dy palët ka dhe njerëz të zot. Po heshtja e të mencurit në këto raste, i thonë një fjale, bën më shumë dëm se shpifjet.. Fjala solli fjalën e ne të dy mbasi trokitëm gotat me raki thane, tani po gjerbnim kafenë. Pa pritur, vura re se qeshi nën mustaqe, mori frymë thellë, më vuri dorën në gju dhe e zbrazi me të dy tytat.- Ai I flamosur parlamenti është bërë si ajo që tregojnë. Po kënduan shumë qyqe I del lezeti beharit…
-Si të duken problemet e sotme, me që i ndjek lajmet dhe nuk i u ndake televizorit?- lëshova pyetjen tjetër. U detyrova ta përsërit pyetjen se I kisha folur me zë të ulët. Krojti pak kokën u mbush me fryme.Rrufiti filxhanin e kafesë, puliti sytë dhe tha.
…-Të dyja janë njëlloj në rrezik. Si dhënia budallait sopatën dhe të pandershmit pushtetin.. Se, more xhan syri beson më tepër se veshi. C’ po na shikojnë lockat e syve, pak mbetet për llapat e veshëve… Muhabeti ynë shkonte qoshe më qoshe e majë më majë. E dija prej kohësh se Tanush I vinte jastek fjalës sa herë që fliste. Me mendjen halë ai përgjigjej ezber, si atëhere kur ishte I ri. Si me kujdes e pyeta për djemtë e vajzat, nipat e mbesat. U kënaqa përsa dëgjova.
-Ata kanë zënë për brirësh punën, more lako. Puna nuk poshtron njeri. Fatkeqësisht ka njerëz të tillë që sot e poshtrojnë… E keqja është se për ne fshatarët leku sot është bërë i madh sa një gur mulliri. Fshatari nuk e kap do gjëkundi. Dëgjoja aty njëditzaj kur diskutohej për atë reformën e drejtësisë. Thuhej se një gjykatës do marrë aq para në muaj sa unë nuk i marr me pensionin për 10 vjet…Këmbyem mendime për të gjitha këto zhvillime. Kur i kerkova se cfarë mendonte për refrmën e vetingun, perëndoi syte, krojti kokën dhe tha. “Unë e mendoj se kush është prej kashte, larg nga zjarri. Po hajde e gjeje sot kush është prej kashte”. Fjala solli fjalën dhe ne të dy atje në fshatin e thellë malor, në shtëpinë në cep të fshatit, afër pyllit, me Tanushin po flisnim për politikën e madhe.
-Nuk the ndonjë fjalë për ato zgjedhjet lokale në Dibër. Apo nuk i ndoqe me televizor!- e ngacmova.
-Hë- Qerrata! Unë po i them po mos shesësh gjëkundi.-qeshëm të dy.-E di se si them unë?
-Jo.- I them dhe nuk ja shqita sytë.
-Një fjale[2] i thonë “Pafsha nënën pa burrë pa nuk ka gjë se mbetem pa baba.” Kështu e bëri dhe Dibra kësaj here. Pastaj ka mbetur ajo fjala.”Do të shikosh të keqin? Zemro të mirin. Kështu e bënë ata që humbën me Dibrën. Jo se gjithshka është vënë në terezi me të sotmen, po luftohet për shtet ligjor. Kështu do ndodhë dhe me zgjedhjet mot se ata që tani bërtasin e bëjnë zhurmë si enët bosh. I pamë për 8 vjet.U a pimë lëngun.. Po ne duhet ta shikojmë e dëgjojmë deputetin. Ta njohim, të na dëgjojë e zgjidhë hallet. Po nuk bënë atë, uji nuk kullohet. Po të rroj e votoj në 2017-tën do llafosemi…Ne nuk e duam më babanë, si në Dibër. Ata qe humben prenë degën ku kishin hipur vetë”
Zhurmë e madhe në o borr
Sheh rrëmujë, baltë e njolla
Flaken cantat në koridor
Nipi e mbesa erdh nga shkolla
Në tavolinë plasi sherri
Gjellën unë e dua ndryshe
Më përvëloi piperi
A merr vesh ti oj gjyshe?
Më pas punët kanë ndarë
Djali im e nuse e mirë
Pirg janë enët e palarë
Dyshemeja duhet fshirë
Që kur hyri interneti
Me atë të gjith kanë punë
Për mua u bë kjameti
Më e humbura mbeta unë.
Në një anë televizori
Nëpër xhepa celulari
Fëmijve kohën u mori
Në shtëpi vec heshtje varri
Po deshe, gjyshe përdore
Më thotë mbesa si mënjanë
Të na bëhesh bashkëkohore
Hargaliset me të vëllanë.
C’është me ju kështu sivjet?
Mësimet duhen arrirë
Mbetët ngjitur në internet
U thotë nusja jonë e mirë
I ati fillon shtërngimet
Nuk u la fjalë pa thënë
Lini lojë, bëni mësimet
Apo e kam keq o nënë?
Fëmijët asgjë nuk thonë
Ulin kokat shtërngojnë dhëmbët
Nga prindët s’u bëhet vonë
Me inat tundin këmbët
“Ne e bëmë tonën” thot im bir
“Ne jemi baskëkohorë
Nuk mësohet me pahir
Gjithmonë me dru në dorë
Hidhet nusja,”ke të drejt
Bo,bo! Unë harrova fare
A e nisim shpejt e shpejt
Nga një lojë “solitare”
Për at të flamosur edukimi
Murron e paska ngrënë tenja
A u duhet sot mësimi?
Të keqen e paskam brenda.