Kulturë
Xhelal Marku: Qazim Shehu - Preng Lleshaj, një jetë në stufi
E shtune, 22.12.2018, 10:11 AM
Koment
për librin e ri: “ PRENG LLESHAJ, NJË JETË NË STUHI” të autorit Qazim Shehu
Nga Xhelal Marku
Ka disa ditë, që lexuesit kanë në dorë një tjetër libër monografik të autorit Qazim Shehu, me një titull sinjifikativ: “ PRENG LLESHAJ, NJË JETË NË STUHI”. Është një libër i këndshëm dhe i pasur me fakte e argumente të shumta, që paraqesin jetën e trazuar dhe plot sakrifica të Preng Lleshajt të Prosekut të Mirditës dhe të familjes së tij, që e bëjnë atë një personazh mjaft interesant e qëndrestarë përballë të keqes dhe vështirësive, të cilat diti t’i shmang me punë e zgjuarësi dhe korrektesë të rrallë. Në faqet e këtij libri, është pasqyruar deri në detaje dhe me një gjuhë të thjeshtë, jeta e familjes së Preng Lleshajt, që në tre breza u survejua dhe u sulmua padrejtësisht nga rregjimi i egër komunist që lamë pas. Libri është konceptuar në formën e një skenari, që shpalos realitetin e hidhur të jetës së kësaj familje të vuajtur, që jetoi në varfëri dhe i mbijetoi stuhisë komuniste, me burgime, internime e dënime të padrejta, vetëm me punë, urti e dinjitet njerëzor. Libri nis me: “Fëmijërinë e vështirë” të Preng Lleshajt për të vazhduar me kalvarin e gjatë të vuajtjeve e të peripecive të jetës së tij, përmes sfidash e në punë të rënda dhe përfundon me: “Moshim dhe përshtjellime”, ku gëdhendet karakteri i fortë e shpirti luftarak i këtij personazhi qëndrestar e të pamposhtun edhe pse shëndetlig. Autori ka renditur bukur faktet dhe ngjarjet, që vijnë njëra pas tjetrës dhe e mbajnë kureshtar lexuesin nga një faqe e librit në tjetrën, për të zbuluar të vërtetat e një jete të trazuar të një familje, që jetonte në hallin e vet dhe që sulmohej vazhdimisht edhe pse nuk i kishte borxh askujt. Ndaj kur lexon këtë libër, krahas keqardhjes për vuajtjet dhe sakrificat e panumërta të familjes Lleshaj, të shtohet dhe urrejtja për rregjimin antinjerëzor e kriminal të sistemit komunist, dora e të cilit nuk diti të ndalet në sulmet e veta për gjysëmshekulli, duke e mjeruar pacak këtë popull dhe këtë vend. Edhe pse kanë kaluar 28 vite demokraci, Preng Lleshaj thotë, se askush nuk më ka kërkuar të falur për vuajtjet e pamerituara dhe tepër të padrejta, që i shkaktoi diktatura komuniste familjes time, ku pa pasur asnjë faj, BABAI im, Llesh Bardhoku, vuajti 13 muaj hetuesi (BURG) në Shkodër dhe tre vjet internim në Tepelenë. Çuditërisht edhe sot, Preng Lleshaj, si i mbijetuari i kësaj familje, edhe pse është në moshën 84 vjeç, deri tani nuk ka marrë asnjë lek dëmshpërblim për këto dënime të padrejta, sipas ligjeve në fuqi të shtetit demokratik shqiptar. Dy jetë njeriu nuk i ka...! Rëndësi ka që ai të shpërblehet sa është gjallë. Në këto kushte, ai është i detyruar të endet dyerëve të Ministrisë së Drejtësisë me letra në dorë, por pa marë asnjë zgjidhje konkrete....!!!??? Deri kur duhet të pres ky njeri i vuajtun zgjidhjen që i takon...!!!??? Zgjou pushtet, se mjaft më me sorollatje e pangopësi korruptive!!! Aq më tepër, që pushteti i Rilindjes ka sot dhe të ashtuquajturën: "Alternativë bashkëqeverisje..."!!! Atëherë ku shkojnë kërkesat dhe ankesat e popullit? Në cilin “kosh” apo syrtar flejnë ato...???!!! Pse bën shurdhin dhe memecin pushteti...? Edhe ky fakt flet qartë për një mospendesë dhe për një mungesë respekti ndaj Preng Leshajt dhe familjes së tij, si dhe të gjithë shtresës së ish të përndjekurëve politikë të diktaturës.
Preng Lleshaj rrëfen deri në detaje për jetën e tij në këtë libër, por harron të thotë edhe këto të vërteta të fundit të pas ’90-tës. Mbase ky do të ishte dhe një kapitull më vete i librit, që mendoj se i mungon historisë së dhimbshme të familjes së Preng Llesh Bardhokut të Prosekut, në Mirditë.
Urimet e mia për librin, autorit Qazim Shehu dhe suksese në të tjera botime!
Tiranë, më: 06 / 12 / 2018