Kulturë
Blerim Rrecaj: Bie borë e bien tupanat...
E enjte, 20.12.2018, 10:06 PM
Bie
borë e bien tupanat...
Nga Blerim Rrecaj
Bora që ra po i nxit fëmijët të bëjnë variante të larmishme dordolecësh. Kur s'po kanë ndonjë karrotë afër po bën që hunda të ilustrohet me një gjethe, bile kjo jo vetëm po duket bukur, po tash sikur ka hyrë në garë dhe vështirë për ta ditur se cila po rri më mirë. Dhe andej këndej njerëz bore kokën ngrenë pa mendjemadhësi. Dhe disi tinëz mund të nxjerrim nga xhepi telefonin e bëjmë ndonjë foto që kur ta shohim mund të na sjellë në mendje ndonjë pamje a foto të viteve më parë qoftë kjo e jona personale, qoftë parë ndoku si foto arkivore e kushedi se cilit vit a fund(fillim)vit. Stolisja e bredhave natyralë e artificialë ka marrë hov duke u hedhur një e dy, katër a pesë grushta xixëllonjash që ndizen, shuhen, rindezen a dhe ndonjë shall të gjatë krahë-qafe. Nën një bredh plastik mbrenda dhomës qëndrojnë toptha të vërteta pishash të mbledhura nëpër katër pesë parqe, e njëri prej tyre ku ata u rrëmbyen është edhe vendi i quajtur: Te Pishat e Sllatinës. Ndërsa përjashtë pikat ujore kacavarur degëve të drunjëve janë ngrirë e duken si fryte të tejdukshme të akullta. Krojet e ftohta pas mbulimit të tokës e faqeve malore paksa janë vakur, saqë mund të themi se Kroi i ftohtë po rrjedh ujë të ngrohtë. Mund të lajmë sytë e të vazhdojmë të hedhim hapa me tingëllimën 'fësh-fësh.' Një gjeth është kacavarur për një dege si ndokush që s'do të ndahet nga ndonjë gjë e çmuar për të, e njëra faqe iu ka mbuluar me të bardhën pëlhurë të butë, si mëndafsh. Dhe lojrat lozonjare me të bardhën borë, shfaqen e vazhdojnë në larushi mënyrash. Ca lule të vockëla të verdha kanë ulur kokën gati sa nuk e kanë puthur shtresën e borës, me përjashtim të një kërcyelli të drejtë farash kokëkafta me fije të këndshme, të hijeshme krejtësisht të bardha të këtyre luleve. E kokrrat e forta e të kuqe të kaçave duken kaq krenare dhe të patrazuara e të pamposhtura. Ndokund hasim në shtigje të pashkelura e diku shenjat e gjurmëve të bardha, që ftohtësia i ruan me xhelozi, e aty ku mund t'i godasin rrezet e diellit aty këto gjurmë munden me u përly...Dhe vazhdojmë me intermexo dhjetori. Ca gjethe bliri me damarë të degëzuar gjaku duket se po u shkojnë hundët dhe kanë nevojë për facoleta. Kristale të akullta janë renditur strehës së një muri të stolisur me tela të mbrehtë gjemborë. Në njërin prej drunjëve dekorues e gjethemëdhenj ka mbetur sall një gjeth dhe ai qëndron stoik në degën që shkon fik përpjetë bash në majë, e koka e këtij gjethi mban një plis dhe ballit ca djersë të ngrira dhe s'dijmë pse fillojmë të këndojmë...e kur malet m'i mbuloj bora...Rrugët kah nuk na shpiejnë pa mundur për t'i shmangur rrugët e përditshmërisë. Nxënësit bartin me vete dhuratat që kanë përgatitur me veshmbathje, e me gjëra të tjera për t'ua dhuruar atyre që më tepër do t'u duhen. Ndërsa jo vetëm që bije borë, por bie dhe tupani, tarabuku e surla të cilat i bartin një grua e një burrë të veshur kombëtarisht...