E diele, 28.04.2024, 06:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Kurorë tingëllimash

E enjte, 13.12.2018, 08:22 PM


Nexhat Halimi

Kurorë tingëllimash

kujtime për dean

ky gjakshkrim është i këputur besimi

hije lojës me zamare ritëm zë e varg

udhëtim i gjatë shpirtit afër e kaq larg

në ecje fatit për gurë magjikë zgjimi

ëndrra shfaqet e shpërndarë ndër yje

e lidhet stuhi e dhemb zemra e ngrirë

jallisë rrjedh lumi i turbullt e i fryrë

milingonat një e një ecin varg për hije

ec dhe unë lë gjurmë vetëm në borë

stuhi a diçka e paparë trokon në orë

e zamarja lidh tingujt qiellit të ndarë

kujtimi në unaza zinxhiri stërzgjatet

bëj përpjekje ta bart mollën e çarë

ura mes brigjesh i ndanë e lidh fatet

II vetëtima

ura mes brigjesh i ndanë e lidh fatet

natën nën pëlcitje lulesh të çel vetëtima

brenda syrit pik gjak dridh bubullima

e ylberi ëndrrës krua më krua luhatet

kuajt ikin për kallinj të grurit në lëmë

këputet prej meje hija vërvitet bukës

zot ja ende më pikas syri plak i ukës

zamarja e shelgut lidh tingujt në gjëmë

tashmë çdo gjë ikur kot mendoj në lot

pafund ec fushës nën pikëza të vesës

në dorë me disa copëza letra kujtesës

në këtë mënyrë fëmijëria zë kolovatet

unë e harroj udhën e rikthimit eci kot

jeta ndërmjet pikëllimit e çastit zgjatet

III tatuazhi i zemrës

jeta ndërmjet pikëllimit e çastit zgjatet

në studion e skulptorit zgjohet fluror

ky gjak pik pamje peizazhit shpirtëror

ti plagën gërget e zjarri i krijon aktet

ky peizazh rrjedh gjithësi nga figurat

u` lë gjurmë i vetëm udhës me borë

është stuhi e më dhemb zemra në dorë

e hijet pikin kaq gjak nga miniaturat

e kujtimet me njëra tjetrën në zinxhirë

krah më krah terrin e robëron zgjimi

e mes lodrash shëtit ende ai ariu i mirë

e radhis ndonjë kujtim për ty në letër

fluturat ti e fusha e lojës tashmë fjetur

tatuazhit të zemrës nis pikë udhëtimi

IV pikë udhëtimi

tatuazhit të zemrës nis pikë udhëtimi

ik rreth botës sillet e përsëri kthehet aty

iluzioni për të përjetshmen  ndrit në sy

e në degëz mimoze e në det çel fillimi

`i herë ndodh rënia e gjethit nën stuhi

ai gjeth që i ndezi bukuri qiellit e ujit

i shkundi aromë drite e zgjimi çdo kujt

e iku të merr udhë faqes në gjithësi

tashmë e kujtojmë me hije mbi dritare

të gjelbër të zverdhur e të tharë fare

e i prekim vragat e kohës nëpër fytyrë

ndiej dhembje tash e ec kaq i mpirë

të arrij te vetja të arrij te ëndrra e ngrirë

inkognito vij e ti më prek në pasqyrë

V inkognito

inkognito vij e ti më prek në pasqyrë

trok zemrës i ndien dhe avull frymës

lëvizje të egra në dritare ndizen bimës

e flatër ylberi më përplaset për fytyrë

me ëndrra të mbytura në njërën dorë

zbres kodrën e kishës e dal në kalanica

krejt nga fillon e përfundon dumnica

kaloj për një trok kali udhës me borë

ty natyrisht të zgjon magji ky rrëfim

kurrë s`ke qenë aty ku era e sjell lisin

aty ku mali as verës nuk e heq plisin

kufirit me vrasësit vdekja  ka kurorë

ja pse nuk të marr atje pse është flijim

me ëndrra të mbytura në njërën dorë

VI fluturimi nga pjeshka

me ëndrra të mbytura në njërën dorë

e tërheq kaun për kapistre përmes alesë

qiellit flatron zogu me krahë në shpresë

e më kapin ëndrra me vrull shpirtëror

shfaqen dobësi me përzierje e të vjella

e përtypë copëz kashte pështyj në yll

me etje fluturon nga pjeshka `i bilbil

e rrënja e njërit besim del nga shpella

rrugës në të djathtë dea më ndjek hije

udha me pluhur në të dy anët me kavak

e trëndafilit të bardhë i pik gjethi gjak

në pullaz të hirtë lëviz siluetë kumrie

mendja më ik në flamur qiellit në vlorë

e zjarri e rikthen gjithësinë në kurorë

VII hije e mujit

e zjarri e rikthen gjithësinë në kurorë

ndër asfodela ik mes e mes pafundësisë

xhuxhi me mjekër e gjarpër zbret urtisë

unë provoj t`i ndërlidh qostekët në orë

xhuxhi e pagëzon dritë gjarprin në hi

apo unë besoj gjarprin e mitit të vjetër

e gjarpri është gjarpër s` ik gurit tjetër

gjarpri i shtëpisë është veç gjak në gji`

ja xhuxhi me mjekër kotet matanë lumi

djeg duhan kaçak pastaj e kotë gjumi

e varka lidhur për shelgu pret të ik ujit

lakrën dhinë ujkun t`i bart ca pa gdhirë

kot ka vjet pret të shfaqet hije e mujit

përsëri lë gjurmë i vetëm udhës ngrirë

VIII shkuarje ardhje

përsëri lë gjurmë i vetëm udhës ngrirë

veç me kujtime me ëndrra dhe aromë

me përplasje në shkrime vetë në dhomë

për guri e muri në udhëtim të vështirë

afërsia vjen brenda meje e ndez sanë

largësia ngel mes rrjedhash ndër gurë

prek me shuplakat gjithë gjak në mur

e qeni më shikon ngul e leh në hënë

e pikas nën sy ndezur i rrëshqasin lot

s` beson as në shkuarje as në ardhje kot

e brenda zemra i trokon me tis vetmie

kurrë më s`do ta shoh e do të ndiej mall

diku në ndonjë shkronjë etja më kall

është stuhi plaga pik dhembje në hije

IX xham i ngrirë

është stuhi plaga pik dhembje në hije

ja befas përmbi dritare shfaqet `i siluetë

xhamit të ngrirë bie gjak zogu i nxehtë

dëgjohet pak dhe zë i vajshëm kumrie

është thëllëzë a ndoshta bilbil i verdhë

pak përmbi dritare në gjak bie i shtrirë

e pikas dhembja e robëron fare të mpirë

shtang dora e pena varg më nuk derdh

çfarë të shkruaj për plagën në mua vallë

çfarë të shkruaj për plagën në ty zot

çfarë për gjakun e zogut zemrës kallë

tash ikin kaq vjet e bie vetmi e lot kot

ka ngelur veç kujtimi të ndrijë në gjëmë

rënie e rëndë e vigu thyhet ndër këmbë

X dumnica e fjetur

rënie e rëndë e vigu thyhet ndër këmbë

a do të arrij matanë pa i rënë këput ujit

ja në `i gur të  zi vërehen gjurmë të mujit

e kali gjok sillet rreth mullarit në lëmë

larg tashmë ka ngelur dumnica e fjetur

veç unë e kam afër në pikëzat e gjakut

ja as gjyshja s`është më të lëviz sokakut

ka mbetur vetëm hija e një dritë tjetër

a e heton dea gjyshja s`na pret aty dot

veç drita flakë zgjohet te varret e gjata

ylli kurrë s` shuhet te ti e unë me mot

fryn era brezit kufitar e bie shtrëngata

e të moshuar gra fëmijë ngelin pa mëmë

damar i kosovës pingëron nën gjëmë

XI orë xhepi

damar i kosovës pingëron nën gjëmë

kaq vjet është këputur trëndafili pa çelë

gjoku i zgjon ëndrrat me rrufe në jelë

e zogu nën varrë është vrarë mbrëmë

molla e kuqe në toplicë e çarë pa vjelë

guri i kuq në malësi të madhe kaq tharë

e tre gurtë e zinj në prevezë të ndarë

e kulla e balshajt në mjegull ka ngelë

ja dea çastet e kanë copëtuar dardaninë

ti e mban në zemër unë në shpirt zinë

tashmë çahet dhe qielli nga bubullima

kaq kot ëndërroj ngjitje zbritje rumisë

gurin më të madh e bart lartë gjithësisë

etja e dashurisë dridhet mbi vetëtima

XII sahat kulla

etja e dashurisë dridhet mbi vetëtima

t`i hyjë zjarri shpirtit e të bie sixhim shi

të projektohen figura të fatit me magji

a hënës ia vë putrën ujku ndër ulërima

peizazhet e zymta ende s`më ikin kokës

dal me ty të shihem me rr b e bie borë

ti ec sy yll me librin harry potter në dorë

te sahat kulla më bie ballit hije e tokës

mbase i këput rripat e dheut xixëllima

a e zgjon tokën e vjetër shkundullima

tek sulltani heziton për pastë a akullore

s`ndodh të mos blejmë dhe ca fletore

ecim për troke të zemrës vizatuar iLirie

afsh i brendshëm me vrull vjen e bie

XIII peizazh

afsh i brendshëm me vrull vjen e bie

të jetë i gdhendur secili detaj ca mbi gji

të varen kujtesë datat çastet ngjarjet aty

dal nëpër borë me ty  në orë dashurie

jeta i ka bërrylat ecjes ligjet e kornizat

ndërmjet hyjnë tregime rrëfime novela

ka jetëshkrime e peizazhe me asfodela

mes uji e zjarri frymës thyhen shtizat

ja pse zemrat ndizen e ndodh ndahen

pse ndërmjet zjarrit e përpjekjes çahen

pse kaq pikëllohet secili kaq i dhemb

e lulëzon behari molla piqet në rremb

kurorëzohen ëndrra rrjedhin psherëtima

në degë të njërit rrap zgjohet ulërima

XIV valë të gjalla

në degë të njërit rrap zgjohet ulërima

te sahat kulla veç e vjetra përtypet esa

zemra e njëjtë trokon e çel ca kujtesa

veshët mbush` zëra bien fishkëllima

e ti ja ndërmjet ëndrrës vetëtimës fle

e përgjërimet e vajet mbetur kujtime

e koha rrjedh e muron fjalë e rizgjime

e dëgjohen valë të gjalla larg në liqe`

shëtis me dean udhët e vjetra të qytetit

ja xhamitë hamami e muzeu e tjetër

pjesa më e madhe s` shihet ka fjetur

s`është maksi e është siluetë e poetit

në orë xhepi për qostekë ndrit trokimi

ky gjakshkrim është i këputur besimi

magjistrali

ky gjakshkrim është i këputur besimi

ura mes brigjesh i ndanë e lidh fatet

jeta ndërmjet pikëllimit e çastit zgjatet

tatuazhit të zemrës nis pikë udhëtimi

inkognito vij e ti më prek në pasqyrë

me ëndrra të mbytura në njërën dorë

e zjarri e rikthen gjithësinë në kurorë

përsëri lë gjurmë i vetëm udhës ngrirë

është stuhi plaga pik dhembje në hije

rënie e rëndë vigu thyhet ndër këmbë

damar i kosovës pingëron nën gjëmë

etja e dashurisë dridhet mbi vetëtima

afsh i brendshëm me vrull vjen e bie

në degë të njërit rrap zgjohet ulërima



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora