Kulturë
Emine S. Hoti: Çast
E hene, 10.12.2018, 08:37 PM
Cikël
me poezi nga Emine S. Hoti
Norvegji
Çast
Nëse s`i hedh në letër në çast,
Mendimet ikin si zogjtë, fluturojnë,
S`mundemi jo, t`i rikrijojmë përsëri,
Se t`tjera gjëra shpirtin na trazojnë.
Xhevahiri më i ndritshëm
Për të mirën e vajzave e motrave tona,
T`i respektojmë ato si qenie njerëzore,
T`i ngremë sa me lart dhe t`i vlerësojmë,
Xhevahiret më të ndritshme t`kësaj bote!
Ka dhe dallgë e stuhi
Për të qenë i përgatitur në jetë,
Parashiko se ç`mund të ndodhë,
Mendo se ka dhe dallgë e stuhi,
Jeta çdo çast na vë në sprovë.
Mos u ngut
Natyra ka përplasje e befasi,
Ka erëra,acar por dhe bukuri,
Ndonjëherë në ditë të qeta,
E mbush qiellin me re e stuhi.
Sigurisht që vijnë dhe rrufetë,
Që të godasin atje ku se pret,
Miku im, duro e mos u ngut,
Mendoji gjërat më qetë...
Kurajë
Kur ke përpara një dallgë të lartë,
Mos u tërhiq, përballoje me guxim,
Tjetrën do ta kalosh edhe më lehtë,
Sepse e para të ka sprovuar,miku im.
Zemra të pastra, themele të forta
Nëse do që të jesh njeri i fjalës e i besës,
Mos e kthe si moti gëzofin nga fryn era,
Çiltërsinë, sinqeritetin t`i pranojnë kudo,
Me zemra të pastra përballohet jeta.
Era në sekondë e ndërron drejtimin,
Njeriu s`duhet të ketë rrënjët t`dobëta,
Të mos lëkundet si varka në suferinë,
Të qëndroj si burrë, si themelet e forta.
Kam dëshirë
Dëshiroj të mos shoh askënd të nënshtruar,
Askënd të gjunjëzuar dhe askënd të varfër,
Askënd t`sëmurë dhe askënd pa bukë e ujë,
Askush të mos vuaj nën këtë qiell të pastër.
Dua t`i shohë njerëzit si dallëndyshet në pranverë,
Si lulet që çelin në marsin e begatë dhe të lulëzuar,
Si rrezet e diellit që ngrohin tokën e na gjallërojnë,
Kështu t`i shohë popujt të lumtur dhe të bashkuar.