Kulturë
Kalosh Çeliku: Dexhallit pas Çuke i futem në Tavernë
E shtune, 15.12.2018, 11:32 AM
DEXHALLIT
PAS ÇUKE I FUTEM NË TAVERNË
NGA KALOSH ÇELIKU
(Oh, Jo)
Ike pa thënë: lamtumirë, si Mike
pas një Nate me verë. Agim?!
Thellë, pas mesnate në Errësirë.
Matanë Vardarit, këmbekrye në bërllok:
Shtatë pash e varrose Qytetin e Qyqeve.
Varreza politike. Antishqiptare. Partisë.
Qyqe moj, mos më thuaj: Natën e mirë!...
(Nana)
Unë kam lindur Poet rebel nën Rrap
Dje, më ndiqte Shteti Komunist.
Sot, më ndjek Shteti Neokomunist:
„Xhipin“ ma dogjën para dritareve
Shtëpinë për së dyti herë në „Çair“.
Dhe, Lufta vazhdon me Neokomunistë
Brez pas brezi më ndjekin me shekuj:
Njerkën e Babait, sot ma shpallin Nanë.
Xhadia, që ende nuk e di me shekuj
Se, Unë e kam një Nanë Historike...
(Rehabilitimi Dexhallit
nëpër “Bit-Pazar”)
Dexhalli, sonte e heq vallen “artistike”
Në një Akademi solemne festive:
Edhe, atë: në ”Vitin e Skënderbeut”
Partizane, me kopenë Neokomuniste.
E ndjekin pas, para kamerave televizive
Hap pas hapi: Dudumët, rrumaducët
Faqekuqët, poetucët. Dhe, Skizofreni.
Hoxha i Allahut me tespi turku kuqezi
Përkrahu me Hojodolen. Nuse Xhadi
Teatër fundekrye “vëllazërim-bashkimi”.
Duartrokitje. Ndrikullës, do i bien udhës
Herdhet e Dashit, matanë “Urës Gurit”...
(Dexhallit pas Çuke
i futem në Tavernë)
Jo, ende nuk iki në varr pas Çuke. “Xhehnet”
Mikeve besnike, u kam shpallur: Dashuri!
Engjullit tim Grua: Burrë, përjetë në Shtrat
“Armiqëve” mi, paqe në Varr. “Xhehnem”.
E kam nxjerr sot, Kryengritësin nga brezi:
Tymeflakë, nën Rrap. “Bit-Pazar”. Shkup.
Zonjën Vdekje, moti e kërkova për Grua
Trembet Kurtizanja, nuk më do si burrë?!
Përinat, sot e mora për Grua Zonjën Jetë
Ika pas Çuke. U fsheha te “Mulliri Arapit”.
Dexhalli me trumbeta, më vë pusi te xhamia
Unë, pas Çuke, me dy “kashikara” raki rrushi
Tinëz i futem si një kaçak mali, në Tavernë...
(Zonjën Jetë e mora për Grua)
Gjumë ende s’ka. Unë dihet, jam i çmendur
Zonjën Jetë, më në fund e mora për Grua!
Gjithë jetën pata Gra besnike në shtrat
Tashti, e dua marrëzisht edhe Zonjën Jetë!
Shkaku, se: Zonja Vdekje m’i mori Pasuritë
Gruan besnike. Miket azgane mes poezive.
Falë të qofshin Zonjë, gjithë bërdhoqet politike
Unë, sot e dua marrëzisht Zonjën Jetë - poetike!
Shtëpinë e Babait mbush me fëmijë. Mëmëdheun
Dhe, Atdheun. Flej oj Kurvë në Shtëpinë Publike!
Nesër, Unë do të ngrej dolli për Cucën Boheme
Zonjën Jetë mes poezive. Librave kokëmëkokë.
Vërtetë, ishit gra të bukura aristokrate. Azgane
Vetëmse: edhe Zonja Jetë, o miqtë e mi poetë:
Padyshim, sot është një Grua e bukur besnike...