Kulturë
Nexhat Halimi: Kurorë sonetesh
E merkure, 26.12.2018, 12:03 PM
Nexhat Halimi
Kurorë sonetesh
forma abstrakte
forma s` e vret përmbajtjen e as je ti abstrakte
asgjë e zgjuar e mendjes nuk është zjarr i fjetur
s`është largim veçimi prej vijash i artit tjetër
e paqena s`është fjalë e pa thënë për qeniet aty
largimi përmes të të menduarit zgjon hapësirë
borës së rënë gjatë natës në vetminë e thellë
qiririt në tryezë përbri të cilit ti shkruan e vjell
e lehja e qenit në hënën në ujë krijon uverturë
te molla e kuqe e ndez gjakun hija me martinë
guri i secilit varr ngjallet në kohë dhe vetëtin
kumbullat tharë në hije e ja dhe degë të shtogut
sendet tretur në lidhjet e ndryshme mes vetes
ka mbetur hiri e varrat e pikëzat e thara të etjes
ora e xhepit bie hapësirës veç me jeh të trokut
II zgjimi i lules
ora e xhepit bie hapësirës veç me jeh të trokut
lëviz e krijon mes parimit të tonit e kujtimit
ec me art përgjithësimi e ja veçohet aty zgjimit
ardhjes për gjurmë pluhuri të vrapit të gjokut
krijimi i gjakut të ndezur është i papërcaktuar
me sfera teorike veç me përgjithësim fluror
zjarrit e frymës unë krijoj portrete në dëborë
ndoshta me ide dhe forcë hermetike të veçuar
vetëm pse mendja nuk lidh asgjë të tëhuejsuar
ndoshta as të largët për t`u prekur e shpirtëzuar
ndërmjet hirit e zjarrit shpërthyer flakë e gjak
parafytyrimi shfaq nocionin e fjalës pak e pak
në përpjekjen të ngjallë gjithnjë stilin e barokut
ritmi i zgjimit të lules ja pik për fije të flokut
III prejardhja abstrakte
ritmi i zgjimit të lules ja pik për fije të flokut
nëpërmjet vijash e njollash e trajtash në erë
art krejt subjektiv në paraqitje fluture në verë
art i prekur me flakë në njërin krah të zogut
ky qiell nuk kapet me shqisa veç me ndjenjë
me dritë të hapësirës së ngrirë të ujit të kroit
aty ndër degëza në lulëzim me lule të ftoit
me zë-zë të vijë gjithnjë nën etje një menjë
natyrisht syri yt shprehet në kuptimin e vet
gjithnjë të lidhur aty nëpërmjet ngjashmërisë
shtruar në sipërfaqen e lëmuar të ujit në det
e era e sjell ullirin rreth rrufesë e pafundësisë
në kuptimin e vjetër të prejardhjes abstrakte
metafora është vetë hija e skicuar në dy akte
IV kuptime të figurshme
metafora është vetë hija e skicuar në dy akte
lëvizje ka përhitje ka dhe male e njerëz aty
kush vjen kush shkon vetëm unë s`të takoj ty
s`lidhet ç`intonacion shpreh ç`ritëm e takte
figura të errëta të pakuptueshme hermetike
dy dritare hapur në ajër e nga një trëndafil
dy silueta aty s`merret vesh çfarë duan tebdil
skena shpartalluar erës së egër epiko lirike
asgjë s`e zbulon veten e prapë lëviz në orë
apo tregim për ty apo copëz poezie e vështirë
prej dritaresh hapur rrjedhin tinguj me lirë
unë vetë te pusi në mes skenës të përmend
e ti zgjon me fotografinë e thyer në legjendë
a kuptime të figurshme të trëndafilit në borë
V trëndafil në borë
a kuptime të figurshme të trëndafilit në borë
humbur ëndrrës të mos zbres venitur në hi
të mos mund shfaqet fjalë as muzikë në vetmi
ose diçka tjetër shprehur me zemër në dorë
kaq e paqartë kaq e mbyllur guacë e dalë deti
fshehtësi kaq habitëse ka gjuhë apo nuk ka dot
e pakuptueshme me figura të mbytur në lot
ec merre vesh çfarë shpreh mjegulla te poeti
diçka të mbyllur tërësisht brenda në amforë
diçka e varur e zgjuar e prapë kaq e gjorë
diçka brenda dhembjes në ëndërr të vështirë
kot nuk ka në këtë rrjedhë esa asgjë hermetike
veç ti papritur me afsh këpute zemrën e ike
as je afër tashmë as gjak fjale në këtë mënyrë
VI ritëm fluror
as je afër tashmë as gjak fjale në këtë mënyrë
diçka me intonacion e mendim të ndezur ideor
apo veç tis i ndërrimit të zërit në ritëm fluror
e lidhur prej konkretes te abstraktja në pasqyrë
e veçoj të menduarit e lidhur me përfytyrime
kaq me ritëm më trokon zemra në fushat fund
e kërkoj etjen ndërmjet ëndrre e s`e gjej kund
apo hija abstrakte merr diçka prej vetëtime
s`je jashtë mendjes megjithatë është gjë e kotë
ndërmjet kuptimit pikë gjak i ndezur e me lot
rrjedhin udhët humbin diç tërësisht ndër lirikë
vinjetë pa gjak brenda meje humb në pasqyrë
krijoj herë sipërfaqe të së dielës e herë metrikë
bëj gjakshkrim nëpërmjet tingujsh sall me lirë
VII vinjeta rrufeje
bëj gjakshkrim nëpërmjet tingujsh sall me lirë
e përdor oktavën e natyrisht krijoj hije lirike
diçka pa kuptim e jashtë ritmit me dritës epike
kaq i lidhur me gjakun e ndezur nën zinxhirë
gjarpër i fjalës apo dritë shprehjeje me figurë
ja lëviz deri në absurditet krijimi me metaforë
në mur trokon nëpërmjet frymës e njëjta orë
e unë bëj përpjekje ta zgjoj ëndrrës `i gravurë
në parvaz të dritares e gjej një lule të këputur
herë në mua e herë tjetër në ty bredh një flutur
vargëzim poezie me pikë gjaku përmbi kurorë
mbyll sytë i shtrirë fjalës i rënë në absurditet
metafora vjen kikës së shpirtit e tajit ndërmjet
sfondit të gjakut me vinjeta rrufeje agut veror
VIII njerëz e male
sfondit të gjakut me vinjeta rrufeje agut veror
rreth e rrotull me vijë shënoj vijat kryesore
përvijoj apo bie në absurditet kaq i mpirë dore
e njerëz dhe male ndrisin prapë në yll verior
hija njëjtë me pikë gjaku ravijëzohet prekjes
në figurë me trajta të dukshme e kaq të qartë
sytë e kurmet shfaqen thikës në borë të artë
udhë e hije rrudha shtëpi klithje para vdekjes
i dallueshëm nis të shquhet zjarri i yt i shpirtit
e pikë të mëdha të gjakut ndoshta trëndafila
në krahnezë pemësh të vjetra shndrisin yrtit
etja për ty merr trajtë ëndrre dhe vijnë bilbila
figura e gjallë në këtë dritë mall kaq përtrihet
tashmë arti i pakapshëm me shqisa rishtrihet
IX peizazh dimëror
tashmë arti i pakapshëm me shqisa rishtrihet
perde e tejdukshme avullit me vijë në mes kris
rrëshqet xhamit e pengon pak pamjet nën tis
e gjaku i rrjedhur shihet shtresës nga ngrihet
tymi pezhishkës së merimangës në fije ngel
herë pëlhurë herë tjetër veç rrjetë në largësi
përmbajtje e përhershme e zjarrit në gjithësi
unë vizatuar syrit të zymtë mëngët i përvjel
pamje gurësh me myshqe varresh ndezin sytë
peizazhi dimëror paraqet përshkrim të fjetur
formë e pasqyrimit përmes shembjes së vjetër
zgjohet kujtimi në frymë krijimin e farfurit
me figura artistike udha e vdekur ende shihet
ravijëzimin diçka e nxjerrë trajtash e mpihet
X parim estetik
ravijëzimin diçka e nxjerrë trajtash e mpihet
arti s`është parim estetik veç për nocione të veta
ka qëllim në vete të përmbaj çaste nga jeta
ritme dhe sende njëkohësisht uji ndërsa ngrihet
arti i të folurit e ti dhe gjakshkrimi i përveçëm
vijat e kufizimit të `i sendi japin përfytyrimin
formën me të cilën fjalët e shprehin kuptimin
nxjerrin trajtën e ravijëzuar e të ndërgjegjshëm
nisin të përcaktohen vijat e diçkaje në largësi
shfaqen trajtat e dalluara e nxirren tiparet në hi
i përvijoj rrugët e kërkimit kaq verbër vetvetes
e ardhmja humb shfaqet e gjurmët ja në borë
e digjet karakteri abstrakt i diçkaje e agon etjes
apo peizazhet më flakë përgjithësimit mendor
XI vetëm ideja
apo peizazhet më flakë përgjithësimit mendor
nocion abstrakt i shkëputur gjithmonë nga vetja
gardh mbi yje realiteti nxjerrë hijes nga tretja
diçka me jetën e papërcaktuar trokut bie në orë
përvijoj rreth gjaku të ndezur e ardhmja të vijë
me hijen abstrakte të diçkaje kodrës e te plepi
majës së të cilit vetëtima godet me armë akrepi
ja ngjallet vetëm ideja nëpërmjet zjarrit në gji`
shfaqen trajta të ngatërruara e `i urë e paqenë hi
as ka ujë as ka brigje mbetur pa formë çdo gjë
ti vjen mezhdës me tufë lulesh e nukshihesh më
ndërmjet ulërin ujku i zi e pandërprerë bie shi
dreni zbret nga gjithësi e kujtimit i ngrirë në orë
ky udhëtim përvijohet për hije zjarrit me borë
XII pamje nga shpina
ky udhëtim përvijohet për hije zjarrit me borë
sipërfaqja pa asnjë gjurmë kaq e fjetur e lëmuar
në degë pemësh ka rënë sall krahnezë e vetmuar
kujtimi pik në pikat e mëdha gjakut shpirtëror
unë ec nga konkretja te abstraktja ndër ulërima
zemra e shkëputur nga sendet dukuritë e vetitë
të pret e të pret e gjak pik e kot asgjë s` të ndrit
sall egër më bart nga një gur te tjetri bubullima
shtrihem në borë ta krijoj pamjen nga shpina
me duar të shtrira dhe sytë nga e vjedhin qiellin
kush m`i ka përgjakur shqerrat dhe kush fyellin
shuaj etjen te kroi kaq vjet në rrjedhë te gurina
e më dridhen këmbët përfshirë nga shungullima
tisi mes përmes absurdit shquhet me vetëtima
XIII pemët nën krahnezë
tisi mes përmes absurdit shquhet me vetëtima
apo ndoshta më vranë nga krijoja melodi për ty
vdekje të tillë kush s`ka jetuar me plagë në gji
rreth trupit të pajetë vinin iknin kaq xixëllima
plakat s` flisnin i ndiqnin pemët nën krahnezë
absurd foli `i vashë me kaçurrele përmbi ballë
ta vrasësh yllin e ëndrrës pa `i gjurmë në zall
heshtja me flatër gjak shtrirë mbi dritë të zezë
ky i vrari është shkrimtar është poet i yni lirik
s` harron të apostrofosh tha tjetri qe hermetik
i dëgjoja e fyelli me unazë zgjohej kush pa i ra
çdo gjë ka ndërruar kokë hije ka zbritur në va
fyelli tashmë s` binte dëgjohej veç psherëtima
e nën hënën magjike shfaqet ujku në ulërima
XIV shtamba me gravurë
e nën hënën magjike shfaqet ujku në ulërima
nën degët me krahnezë flatron `i shpend i zi
mes kodre veç bliri me degë përmbi varr të ri
te malet prej larg valë valë derdhet ushtima
ja hermetizmi vrasja pse luan me zog e fyell
ja absurdi e në asnjë mënyrë krijimi poetik
në asnjë mënyrë vetëtima përmbi liqenin lirik
e shpendi krahë hapur nga vjen e ik në qiell
ja ti e thyen ashpërsinë e malësisë me shprehi
e tufat me trëndafila rozë sall derdhin aromë
e zjarri i mbyllçr me dry në ty çilet në dhomë
në lëvizjet mes territ e dritës më kujton mua
me shtambë me gravurë zemrën ndaz në krua
forma s`e vret përmbajtjen e as je abstrakte ti
magjistrali
forma s`e vret përmbajtjen e as je ti abstrakte
ora e xhepit bie hapësirës veç me jeh të trokut
ritmi i zgjimit të lules ja pik për fije të flokut
metafora është vetë hija e skicuar në dy akte
a kuptime të figurshme të trëndafilit në borë
as je afër tashmë as gjak fjale në këtë mënyrë
bëj gjakshkrim nëpërmjet tingujsh sall me lirë
sfondit të gjakut me vinjeta rrufeje agut veror
tashmë arti i pakapshëm me shqisa rishtrihet
ravijëzimin diçka e nxjerrë trajtash e mpihet
apo peizazhet më flakë përgjithësimit mendor
ky udhëtim përvijohet për hije zjarrit me borë
tisi mes përmes absurdit shquhet me vetëtima
e nën hënën magjike shfaqet ujku në ulërima