Kulturë
Neki Lulaj: Loti i Bacës
E shtune, 02.06.2018, 08:26 PM
Loti
i Bacës
Florinës që na u nda kaq shpejt nga jeta
Nga Neki Lulaj
E përpiu muzgu dritën e mbrëmjes brenda dhomës
Terri valë-valë zhurmën e jetës së bukur e platiti
U fsheh dielli i fundit i mërzitur pas kodrës
Hëna pikëllueshëm atë natë dhimbshëm shndrriti
Në fusha ra rrotull kostari me tehun e mungesës
Papritur vdekja pritën ia kish zënë pabesisht
Fryma e fundit mbeti e varur peng në grackën e rrjetës
Nga bebëzat e syve shpërtheu kroi me vërshim.
Nata gunga-gunga hapi gojën dhëmbëegër si lubi
Dy rrezeve te agimit ia thau prehërin me ftohtësi
Heshturazi dyert e pikëllimit ia hapi kobi i zi
Ku engjëlli ynë i dashur nën rreze dielli humbi shtëpi
Ajo natë kobi kurrë mos u ktheftë në këtë botë
Se ta ngriu në fytyrë buzagazin e florinjtë
Ta ngriu edhe zërin tënd të ëmbël e gazmor
Kur Florisin e Filisin i shtrëngoje me dashuri.
Në kthetrat e saj nata e pabesisë në gji të mori.
Kobi i vdekjes atje në rrugë ta kishte zënë pritën
Në këtë maj në portat e zemrave tona trokiti kobi
Me rrebesh të pamëshirshëm ditët e jetës t’i grabitën
Po fle në gjumin e rëndë engjëllushja fjalëkristaltë
Dashurinë e bujarinë prej juristes thellë e pate mbyllur
Kthehu për dashurinë e Femkos dhe të fëmijëve të rrallë,
Se zemrat dallgë mërzie vrullshëm kanë për të na mbytur.
Na i vodhe gëzimet e jetës e lotët si gurrë po çurgojnë
O engjëll si e humbe rrugën e diellit të zjarrtë ?
Baca, mama, fëmijët bashkëshorti të kërkojnë
Rrugët e jetës ta duan ecjen si zanë të bukur e rrallë .
1 qershor 2018