E diele, 28.04.2024, 02:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Andrea dhe Helena (5)

E enjte, 31.05.2018, 08:24 PM


ANDREA DHE HELENA

Vazhdimi

NOVELË NGA RESMI OSMANI

15

Në Krujë pati ngjarje: u martua Zamfina, goca e vetëm  kanakare, që ishte gëzimi dhe drita e pallatit. Dhëndërri ishte një trim djalë nga familja e madhe e Dukagjinëve. Në të njëjtën ditë, u martua edhe Niketa. Nusja ishte mbesë  dhe trashëgimtare e fisnikut Vlash Matrënga, zotërues i Savrës, i fushës pjellore midis Shkumbinit dhe Semanit, me nam për kuajt e saj të vrapit dhe buajt,i kodrave me vreshta dhe ullishte, zotërues i skelës  së Pirgut. E bukur nusja, por pa  pajë.  Tokat e matrangajve, atë kohë i kishte pushtuar Andrea II Muzaka.Ajo që ishte marrë me luftë, mund të rimerrej me luftë. Për këtë as bëhej fjalë.

U bë dasmë sa u tund Kruja.

Edhe pas martese, Niketa nuk hoqi dorë nga të pirët , bixhozi dhe prapësirat që rridhnin sojesh, se të dehurin një fije e ndan nga i marri, aq sa i ati thoshte se Niketa ishte dhimbje koke e përhershme e familjes.

Pas martesave,përcollën dom Dominikun. Atë e kishte thirrur në Napoli Mbreti Robert si këshilltar privat për punët e ”Renjo d’Albania” dhe si meshtar- kapelan për shërbesat e liturgjisë së oborrit mbretëror. Andrea dhe Helena e përjetuan me trishtim largimin e tij, do t’u mungonin fjala e mënçur dhe këshillat e tij atërore, por i ngushëllonte mendimi se ai mund t’a zbuste zemërimin e mbretit që t’i falte dhe të pajtoheshin.

*    *   *

Javën e fundit të Shëndreut, para kërshëndellave, në Krujë ra borë.Malet veshën këmishën e bardhë. Sheshet e qytetit shtruan qilimin e paqmë që të vriete sytë me  bardhësinë. Kurorat e ullinjve të mbuluara nga veli i borës dhe pesha e saj, kishin krrusur degët. Kur prajti bora, nën qiellin e  përhinjtë, bardhësia e çative dhe fjollat e tymit që dilnin nga tymtarët, e bënin të dukej gjithçka të ëmdërrt e të pezullt. Sheshet e qytetit u gjallëruan nga fëmijët e hareshëm që mes të qeshurave dhe britmave të hareshme gjuanin shoshoqin me topa bore. Andrea dhe Helena dolën nga hajati i pallatit. Helena mbante për dore të dy djemtë. Karlin dhe Gjergjin i kishin veshur me tirqe të bardha të qëndisura me gajtanë të zez, belin të ngjeshur me brez, jelekët kadife me sumbulla argjendi, e mbi ta xhoket e leshit me xhufka të zeza. Ne krye plisat e bardhë,në këmbë këpucë të kuqe. Ngjanin si ca burra të vegjël. Edhe e ëma e tyre, kishte veshur xhubletën  nga ato që i quanin “më të mirat e të mirave” që në fund përfundonte si një lule zambaku e sapo çelur, sipër një gunë të bardhë të leshtë e qëndisur me kryqe. Një zonjë arbërore. Djemtë nuk i shpëtuan dot ngasjes. U shkëputën nga duart e së ëmës, bënë topat e borës dhe duke brohoritur gjuajtën të ëmën dhe të atin, pastaj fuguan drejt grumbullit të fëmijëve dhe u përzien me ta. Helena i ndoqi me sy.  Ftohtësia dhe bardhësia e borës që si me magji bënte që gjithëçka të dukej ndryshe,  i ngjalte ngazëllim, ngrohtësi dhe përmallim të brendshëm. Në Napolin e saj bora ishte dukuri e rrallë, ditë e shënuar, por edhe kur ndodhte, nuk vinte shtresë. Këtu ishte ndryshe: binte me flokë të mëdhenj, e bardhë sa të lbyrte sytë vinte shtresë dhe mbante gjatë e me të ftohtë.  Arbërorët e donin borën, biles me emrin e saj pagëzonin edhe vajzat. Në Petrelë njihte dy zonja bujare me këtë emër.

-Lulja ime e bukur, po të le vetëm. Po shkoj në kuvendin që ka thirrur im atë. E kuptoj se sa të mungon Zamfina, por po i bëj zë nuses së Niketës që të të bëjë shoqëri.-Tha dhe u nis për në kështjellë. Pasi ngau disa çape, u ndal, u kthye dhe i dhuroi një buzëqeshje, ashtu siç dinte t’I buzëqeshte ai, ngrohtë, me dashuri, ashtu si ditën e parë që ishin njohur, pastaj një e puthur me dorë.

Princi Tanush Topia, e kishte lënë kuvendin e pleqësisë dhe bujarëve arbërorë në sallën e armëve Brenda kalasë. Në pritje ishte ulur në krye të tryezës së rëndë nga deu gështenje, para një pirgu me shkresa dhe regjistra. Në shpinë të tij ,në murin me gurë të latuar, ishin vendosur, pjesëza të lavdisë: stema e principates një luan ngritur mbi këmbët e para. Majtas e djathtas, shpata të kryqëzuara, alabarda, shqyte dhe përkrenare, flamurë të kapur armiqve në luftërat e mëparshme, dhe brirë dreri të degëzuar.Antarët e pleqësisë dhe bujarët u ulën në stolat rreth tryezave të gjata, mbuluar me cohë të kuqe. Andrea dhe Niketa u ulën në krye.Amdrea vërejti se i ati po plakej. Edhe pse trupmadh, dukej që pleqëria po e rrëgjonte, ishte kërrusur në shpatulla. Ishte thinjur krejt dhe në sy nuk kishte më atë dritën e dikurshme.Si do qoftë ishte fisnik i hijshëm e hijerëndë që detyronte nderim e bindje me fjalën e mënçur dhe sjelljen e shquar. U hodhi një sy gjindjes dhe e hapi kuvendin:

-Pleqësi dhe bujarë fisnikë, u thirra që të ndaj me ju gajlet dhe të pritmet e muajve që vinë dhe të dëgjoj fjalën tuaj për atë që duhet të bëjmë që të mos ndodhemi të kapur në befasi. E them këtë se në siujdhesën ilirike, mbi vëndet tona, po teptisin retë e luftës.Rreziku dyndet nga viset veriore.Mbreti i ri i Rashkës dhe Serbisë, Stefan Dushani, ka ngritur një ushtri të madhe dhe po turret drejt jugut dhe lindjes.Ka pushtuar vise të Dardanisë, ka vrarë, djegur, plaçkitur dhe marrë skllevër.Barbari e egër dhe e padëgjuar. Turri i tij përkohësisht është ndalur, por si duket jo për gjat. Pas Dukagjinëve dhe Balshajve, sytë i ka mbi  Arbërinë, Durrësin me lakminë për  daljen në det. Thuajse jemi të vetëm përballë një armiku të fuqishëm e të shumtë në numër. E kam thënë dhe herë të tjera, është një brengosje që s’më është ndarë: ç’merr nga Ambrakia gjer në Danub e nga bregdeti gjer në Thesali, është Iliri. Jemi një popull, një gjak, flasim një gjuhë, kemi të njëjtat zakone, por jemi të ndarë, nuk arrijmë të bëhemi bashkë.Në krye të principatave janë princër trima luftëtarë dhe me emër: Gjin Bua Shpata, Depe Zenebishi, Araniti, Andre Muzaka, Balsha, Dukagjini, Zaharia , Gropajt e fisnikë të tjerë. Tepër krenarë,të pa nënështruar por ndjehen më mirë si të parë në principatat e tyre sesa të dytë në një mbretëri të përbashkët.Nuk u gjend një burrë që të na bënte bashkë dhe nuk i dihet kur do të vijë ajo ditë, dhe nëse do të vijë ndonjëherë. Neise,kemi një aleat, nbretin Robert D’anzhu të Napolit, vasalitetin e të cilit e kemi pranuar. Ka dërguar në Durrës të nipin,princin Luigj D’Anzhu, me plotfuqi  në emër të tij, në krye të një ushtrie të vogël. Kjo ushtri, nuk tremb as armiqtë por nuk trimëron as miqtë. Princi na ka thirrur për bisedime nesër në Durrës.Të shohim se përse dhe çfarë kumte na sjell nga mbreti.

Pas kësaj fjale, Tanushi heshti një valë herë, I pa në sy një e nga një bashkbiseduesit, pastaj mori e tha:

-E dini, lufta nuk është lojë, por ndeshje për jetë a vdekje, për të mbrojtur vendin, popullin tonë, lirinë apo për të pranuar sundimin dhe skllavërinë e huaj. As e kemi dashur as e duam luftën, por kur armiku na vjen te pragu, s’na mbetet tjetër veç të luftojmë dhe në u dashtë të vdesim , por me nder e faqe të bardhë.

Lagu gojën e tharë me një gllënjkë ujë dhe hodhi në tryezë porositë dhe ndau detyrat e përgatitjes për një luftë të pritshme:   të meremetoheshin dhe forcoheshin portat dhe muret e kështjellave, kujdestari thesarit të kujdesej për mbledhjen e taksave, nga kështjella e bregut të mos dilte jashtë vendit drithi,bathët, bizelet, thierzat, djathi, vaji, vera,kripa dhe ullinjtë e kripur , kuajt dhe kafshët e gjalla. Niketa të blente me para në dorë grurin, elbin, melin, bizelet e bathët dhe të niste karvanet për të mbushur hambaret në Krujë, Petrelë , Ndroq, Prezë e në Mat. Në farkëtoret e Krujës dhe qyteteve të tjerë të përgatiteshin maja ushtash dhe shigjetash, shqyte dhe shpata,saraçët të gatisnin shala dhe takëmet e kuajve të kalorisë.Nga pyjet të nxireshin lëndë për shtiza , harqe e shigjeta.Si një nikoqir i mirë, nuk harroi asgjë, qofshin edhe në dukje vogëlima,se lufta nuk bëhet vetëm me zemër mençuri e trimëri, se një krah i fortë do edhe një shpatë të mprehtë , për gjoksin një parzmore, për kryet një përkrenare, të vrasësh por të mos vritesh! I prisnin gjith’ato punë:

Andrea të shkonte në kepin e Rodonit dhe të Melit të gatiste strehimet për anijet e flotës së luftës. Të ngriheuj ushtria: kasnecët të jepnin kushtrimin, burrë për derë. Të niste stërvitja në kampet e Kasharit dhe Fush-Prezës, në krye të saj do të vihej vetë ai…..

-Fisnikë të nderuar, pres të dëgjoj edhe fjalën tuaj. Ca më shumë për ato kushte të aleancës dhe kërkesave që do t’i bëjmë princ Luigjit.

 

16

Princi Luigj d’Anzhu, nipi i mbretit Robert, i ri ambicioz, krenar për gjakun e tij mbretëror dhe fuqinë e famil;jes që i  përkiste, i priti princat arbërorë në pallatin dukal. Kishte marrë porosi nga i ungji që të ndryshonte qëndrim ndaj krerëve të principatave shqiptare, ashtu si po vinin punët, pa ata nuk ishte e mundur të përballej mbretëria serbe dhe mund të humbeshin zotërimet e mbretërisë matanë Adriatikut.  Si krenarë e fodullë që ishin, ata duheshin marrë me të mirë, t’u përkëdhelej sedra dhe krenaria , t’u bëheshin edhe lëshime dhe ndonjë premtim për ndihmë.

Princi Tanush Topia shkoi në takim me të birin, Niketën. Princi Luigj s’kish pranuar që të shkonte Andrea.Ndaj tij dhe Helenës, zemërimi i mbretit nuk ishte zbutur.” Por,- i kishte thënë ai lajmësit, - mbreti asnjëherë se kishte bërë fajtor atin për shkak të birit.”

Sa po Tanushi dhe Niketa zunë vend në tryezën e rëndë nga mermer i kuq. Princi Luigj D’Anzhu, gjithë dinjitet dhe disi i kapardisur u uroj mirseardhjen. Në krah i qëndronte mëkëmbësi i mbretit, Çezare di Falkone. Tanushi vërejti që ai e shqiptonte fort tingullin”r” si rr.

- Im ungj, mbreti i Napolit dhe i renjo d’Albania u dërgon përshëndetje dhe urime për shëndet të mirë e jetë të gjatë. Mbreti, që është  njohur me ngjarjet dhe rrezikun serb që i kanoset mbretërisë, më porosity të përtërijmë aleancën dhe kushtet e vasalitetit me princat arbërorë. Dje kasha këtu Andrea Muzakën e II, princin e Beratit dhe Myzeqesë.

Luigji I zgjidhi fjongon dhe i theu vulën e dyllit të kuq një rrotulle letre dhe e hapi.

- Zotri Tanush Topia, kam kënaqësinë të jem i pari që t’u jap lajmin e gëzuar: me propozimin e hirësisë së tij Papës dhe vullnetin e mirë të mbretit Robert, me dekret mbretëror, u është dhënë titulli fisnik e i trashëgueshëm  Kont i Arbërit. U njihet sundimi dhe pronat mbi tokat, qytetet dhe fshatrat nga lumi Mat në veri dhe lumi Shkumbin në jugë. Në perëndim  bregdeti i Adriatikut, nga grykderdhja e lumit Mat, prapatoka e Durrësit, por jo qyteti, në lindje krahinat malore të Matit deri në kufijtë me Balshajt, Dukagjinët , Gropajt dhe Aranitët.- tha dhe i Dorëzoj Tanushit dekretin , ku shquhej stema mbretërore e Napolit.

- Urime kont, qofsh përherë faqebardhë!

Ashtu siç e donte rasti, Tanushi me taktin e dipomatit që s’i mungonte bëri falnderimet e rastit, lavdëroi bujarinë, mirësinë dhe kujdesin e mbretit Robert për derën e Topiajve dhe kaloi drejt e në atë që ishte sëkëlldia e tij e madhe: lufta e pritshme me mbretërinë serbe të Rashkës.

-Lartësia juaj mbretërore, lufta vërtet bëhet me zemër, me guxim, burrëri e trimëri, këto bijve të arbërit nuk u mungojnë, por dora e luftëtarit duhet të jetë e armatosur dhe trupi i mbrojtur. Lufta bëhet me hekur, por hekuri paguhet me flori. Ushtarë ne kemi, por armët  dhe mjetet e luftës nuk na mjaftojnë. Duhen forcuar kështjellat, meremetuar dhe forcuar muret. Thesari ynë është shterrur. Sado ta shtrydhim principatën, mund të pikojë, por jo të rrjedhë aq sa na duhet. Ne marrim përsipër të furnizojmë me harxhet tona garnizonin tuaj, ti vimë në ndihmë dhe të luftojmë tok me të brenda kufijve të principatës sonë, por nga ju duam ndihmë në para.

-Konti Andrea II Muzaka, nuk pati kërkesa të tilla.

-Unë di ku pikon çatia ime. Ama, ju i kërkuat peng të birin!

-Sa e mendoni se duhet të arrijë kjo ndihmë?

-Jo më pak se një mijë dukate flori.

Princi Luigj u thartua në fytyrë dhe nënqeshi hidhur. Luixhi di Falkone luajti vendit si ta kishte pickuar gjarpri.

-Nuk ju duket se po e teproni?

-Aspak. Nuk i heq kërkesës asnjë dukat. Duhet të paguani, siguria dhe paqja, vlen më shumë se ari! Ari grumbullohet në paqe që të harxhohet në luftë, për të rikthyer sigurinë dhe paqen. Ju luftoni për të mbrojtur domenet, kurse ne për pragjet e shtëpive tona dhe paguajmë me gjak, me jetën e njerëzve tanë.

U hëngrën me fjalë, Tanushi nuk lëshonte pe. Princi Luigj, më në fund u bind.Nga thesari i mbretërisë do ti paguheshin kontit Tanush Topia njëmijë dukate ari.  U shqyrtuan një për një e me imtësi kushtet e aleancës.

Në ndërkohën që sekretari po gatiste dokumentin e marveshjes, në pritje të nënshkrimit dhe vulosjes, i gostitën me verë dhe fruta të stinës. Mëkëmbësi i mbretit Çezare di Falkone, i bëri një shenjë Niketës dhe të dy u tërhoqën në një nga dhomat ngjitur, ku as i shihte as i dëgjonte njeri. Se ç’thanë dhe përçka u morën vesh, askush s’e di veç atyre të dyve.

17

Kaluan hareshëm por edhe me mesha , lutje përshpirtje dhe shenjtëri e përdëllim kërshëndellat,me dritën e qirinjve dhe tymin erëmirë të temjanit u kremtua Shën Vasili që la pas vitin e shkuar dhe hyri me të panjohurat e veta , por me shpresa Viti i Ri 1336. Familja ishte mbledhur për të përcjellë ditët e shënuara në pallatin e krujës. Konti Tanush Topia,  mori urime dhe dhurata nga bujarët dhe fisnikëria e gjithë Arbërisë. Gëziml lshte edhe për të dy djemtë që ishin trashëgimtarë të titullit dhe kontesë së Arbërisë. Konti plak, u tha të bijve se s’kishin kohë për të humbur, duhet të niseshin, njëri për kalanë e Bregut, tjetri për në Kepin e Rodonit dhe të Melit. Niketa dukej i pakënaqur nga nisja, mos ngaqë do të ndahej nga nusja e re, apo nga tjetër gajle? Ku ta dish. Ai tha se titulli i fisnikërimit duhej festuar, dhe gjëja më e bukur do të ishin disa ditë gjuetie në pyjet e Mamurrsit. Andreas i pëlqeu, një shkrifje trupi në ndjekje të gjahut do t’i bënte mirë . I morën lejë kontit dhe pritën që ditët të ishin të kthiellta e të acarta. Kujdestarët gatitën kuajt dhe qentë e gjahut.

Pylli i mamurrsit, ishte pronë e familjes.Një pyll në fushë që shtrihej deri në bregdet.Më së shumti me dru frashëri,dhe lisi, të shpeshtë e të lartë, nëpër çeltirat  rriteshin shqopa, drizat dhe ferrat ,bimësia e nënpyllit, kulprat dhe larushku plekseshin si xhungël.Pyll I egër dhe i frikshëm. Ujrat e shirave rridhnin nëpër prroska dhe mblidhedhin neë një kanal që derdhej në det.Ky pyll ishte mbretëria e egërsirave: derrave të egër, skileve, ujqërve dhe çakenjve, gjelave të egër dhe shpezëve të gjithfar llojshëm. Në këtë limer dhe në atë të Qafshtamës, nuk lejohej të gjuante askush veç familjes princore. Për të lehtësuar lëvizjen dhe kalërimin e kuajve ishin hapur rruginca që të çonin në shtigje ku qentë nxirnin gjahun. Çeta e gjuetarëve zuri vend në pjesën lindore. Qentë në padurim angullinin, kuajt hingëllinin dhe çukërmonin tokën e ngrirë.Andrea ngjeshi në brez thikën e gjahut, hodhi në njerin sup kukuren me shigjeta dhe në tjetrin harkun, në dorën e majtë shtizën majëmprehtë dhe i grahu kalit me të katra. Prapa e ndiqnin ushakët dhe gjahtarët shoqërues. Kujdestari i qenve  i nderseu ata, duke thirrur “O derra” dhe i turri për atje ku pylli ishte më i dendur. Andrea zbriti nga kali dhe zuri vend te shtegu ku qentë do të sillnin në pritë gjahun. Niketa me çetën e vet , duke u rënë brirëve dhe zhurmuar , u drejtua për në anën veriore. Pylli ushtonte nga të lehurat e qenve, ushtima e  brirëve dhe thirrjet e ushakëve, që egërsirat të trembeshin dhe të dilnin nga strofullat.

Gjuetia shkoi mbarë. Pasdite, para perëndimit të diellit, çeta e Andreas kishte vrarë dy derra dhëmbëgremça, një skile gëzofbukur, lepura dhe gjela të egër. Shërbenjësit e morën gjahun dhe dolën nga pylli atje ku e kishin lënë të takoheshin me Niketën.

Teksa po ngarkonin gjahun në mushka,u ndje një vërshëllimë si e gjarprit. Andrea lëshoi një “Oh” dhe u gremis. Shigjetae kishte goditur në shpatullën e djathtë. Shokët të hutuar nga e papritura iu turrën sipër. Kishin dashur ta vriëninDisa syresh u turrën andej nga kishte fluturuar shigjeta, por ai që e kishte shkrehur kishte fluturuar pyllit njësoj si ajo. Askush s’u pa, edhe gjurmë s’kishte lënë. Ishte si të ndiqje një fantazmë në atë pyll të egër e të paanë. Andreas po i rridhte gjaku çurg dhe humbi ndjenjat. Shigjeta ishte ngulur thellë, provuan t’i ashkulnin, por gremçat e ngulur thellë I shkaktuan dhimbje dhe Andrea rënkoi.  Nuk mund t’ia shkulnin. Atëherë ata e thyen mbi plagë, i grisën këmishën dhe ia pllakosën plagën  që t’i ndalnin gjakun. Pa pritur që të vinte Niketa, e ngarkuan në kalë dhe nganë me sa mundën më shpejt  për në Krujë.Niketa i arriti rrugës, e pa të vëllanë, u shqetësua , mallkoi ,turfulloi ,u hakërrye ndaj atij të poshtri që kishte shtënë mbi të vëllanë dhe kur e pa se s’mund te jepte ndonjë ndihmë, u nis për në Krujë që të jepte lajmin tronditës, por u soll me kafshët e barrës ku ishte ngarkuar gjahu i vrarë dhe lajmi i kobshëm e i papritur mbërriti në kala, nga të tjerë, para të plagosurit. Nga mënyra si ia thanë, Helena dyshoi se mos Andrea kishte vdekur. Lëshoi një klithmë rrënqethëse, kuja e saj drodhi muret, riguan lotët, rrahu gjoksin, shkuli flokët, iu prenë gjunjët, gulçi i zuri frymën. Zonjat bujare e mbajtën që të mos rrëzohej. Ajo veç përsëriste si në jerm: ” Oh Andrea, Andrea, ç’të bënë, Andrea, dashuria ime….” Konti plak iu gjend pranë, e qortoi dhe i tha të mos ndillte të keqen, se Andrea ishte gjallë, vetëm ishte plagosur.Kur trumba e shoqëruesve hyri brenda portës me të plagosurin, Helena leshlëshuar, e shpërfytyruar, vrapoi si  e marrë. Ajo pa që Andrean e kishin mbështetur me bark mbi shalë, mënjanë I vareshin këmbët e nga ana tjetër kryet dhe krahët.Mbi shpatullën e zhveshur nga pecja e përgjakur, rrëkeza e gjakut kishte rrjedhur në qafë dhe fytyrë. Ishte shafran i verdhë dhe nuk jepte shenja gjallese.”Andre, Andre, jeta ime, përgjigju, folë një fjalë. Oh, oh, e mjera ç’më gjeti, Andre, Andre…” E zbritën nga kali me kujdes dhe e shtrinë përmbys në shtratin e dhomës së fjetjes. Thirrën një mjek kirurg nga të ushtrisë.  I kontrolloi rrahjen e zemrës. Ishte i gjallë. Pastaj zbuloi plagën : ishte e thellë me anë të dërmishura. Maja e shigjetës kishte mbetur Brenda. Goditja kishte qenë nga larg, vrulli i fluturimit ishte dobësuar dhe mushkria nuk ishte prekur.Kuptohej, se nga goja nuk kishte rrjedhur gjak. Helena i ktheu mënjanë fytyrën, i  rrinte sipër, lotët e saj si  shi pikëllimi i pikonin mbi fytyrë.

-Folë! Më thuaj një fjalë, më jep një shpresë. - I tha mjekut me përgjërim.

-Princeshë, ka humbur shumë gjak, plaga është e thellë, por është i ri dhe i fuqishëm, për fat mushkritë nuk i janë prekur. Do t’ia hedhë. Kjo që do të bëj, s’është pamje për sytë e një zonje, të lutem, më lini vetëm me ndihmësit e mi.  Ju, kont, mund të rrini. Ja lau plagën me uthull të fortë rrushi, Pastaj skuqi në prush thikat e mprehta. Katër veta  mbanin fort Andrean nga këmbët dhe duart.Mjeku preu dhe zgjeroi plagën nga të dy anët.Ndihmësi fshinte gjakun. Maja e shigjetës kishte hyrë thellë. Kur po e lëvizte që ta shkulte,Andrea ndjeu dhimbjet therëse dhe nisi të rënkonte. Mjeku e kapi me pinca  e nxori dhe e hodhi në legen. Pas kësaj, dogji me hekur të skuqur buzët e plagës.Në dhomë u përhap era e djegësirës së mishit. Pastaj, me tela argjendi puthiti dhe karfosi

buzët e plagës dhe i pllakosi me melhem që do ta përthanin: dyllë blete, vaj ulliri, pluhur lulebasani, pudër mersine dhe e fashoi.

-Ja, me shëndet, edhe kjo u krye. Do të bëhet mirë. Do të kalojë kohë sa të mbyllet e përthahet plaga, besoj nja një muaj, por në krye të dhjetë ditëve do të ngrihet në këmbë. Ca kohë nuk do të mundë ta përdorë shpatën.

Në ndërkohë, Helena ishte gjunjëzuar para ikonës së Shën Marisë, me duart e puqura në gjoks dhe lotët që s’i pushonin, ajo lutej me përdëllim ” O më e zgjedhura ndër gra, Nënë e Zotit, dhuruese e jetës, që pive kupën e helmit në kryqëzimin e birit, që u ngazëlleve nga mrekullia e ngjalljes së tij në amshim, bëj një mrekulli, shpëtoma dhe kthema në jetë Andrean, dashurinë e jetës sime, atin e fëmijëve të mi, shpresën e së nesërmes, lumturinë e ditëve që do të vinë.Mëshiromë mua, që veç atij dhe fëmijëve, s’kam asgjë tjetër në këtë jetë…” Dëgjoi që e thirrën. Ajo hyri me vrull. Mjeku po lante duart. Konti plak I buzëqeshi dhe e përqafoi.

- Shkoi mirë. Kujdesu për të. Besoj nga mëngjezi do të përmendet.

Helena i qëndroi mbi krye gjithë natën. I fshinte djersën, i vinte kompresa me ujë të ftohtë dhe uthull që t’i ulte zjarrminë,i lagte buzët e thara dhe i fliste zëulët fjalë dashurie, duke qenë e bindur se ai i dëgjonte.Pati kohë të sillte ndëemend tërë jetën. Ajo kishte bërë zgjedhjen e saj, një dashuri që ishte ndezur nga një shkëndijë drite e syve të djaloshit arbëror e që nuk ishte shuar asnjëherë, si një lumturi e pafund. Por në shtëpinë atërore nuk e kishin gjykuar ashtu. E si mund të ishte lidhja e një martese me dashuri fyerje dhe turpërim. Që atë çast, ati i saj, kishte dashur vdekjen e tyre. Së pari helmimi i saj, tani përpjekja për vrasjen e Andreas. Kaq mizor,zemërgur e i  pashpirt të ishte vallë? Ishte e bindur se dora që hodhi helmin dhe ajo që shkrehu shigjetën urdherohej nga oborri i të atit.Vdekja nuk po u ndahej, u sillej rrotull kurdo dhe kudo. O Zot, na shpëto! Kur ra dita, Andrea pasi rënkoi një copë herë, pushoi dhe hapi sytë. Në fytyrë buzëqeshje e zorshme, në sy dritë e mekur,me zë të ligështuar arriti e tha:

-E dashur, ku jam, çfarë ka ndodhur?

- Shpirti im, jeta ime, dashuria ime , oh sa na trembe. Kush e bëri, kujt i duhej jeta jote? E si mund të jetoja unë pa ty?Çdo të bëhesh me mua dhe fëmijët? Kë kam unë veç teje? Unë e gjallë, por shpirti im i vdekur dhe fëmijët bonjakë! Virgjëresha Mari, të qofshim falë, o Zot mëshirmadh e i tërfuqishëm, për jetë të qofsha truar, që bëre  mrekulli dhe ma ktheve burrin në jetë.

Andrea deshi diç  ç’të thoshte, por Helena i vuri gishtat në buzë:

-Mos folë, mos thuaj asgjë. Qetësohu dhe shërohu!

Konti Tanush Topia, i tronditur nga atentati ndaj të birit, thirri më vete çetën e gjuetarëve, oficerët dhe të birin Niketën. I qortoi ashpër. I quajti të mefshët, sylesh, të pazotë për të kapur një vrasës. Ngarkoi me hetimet oficerin Teodor Stoja.

- E dua të gjallë dorsin, atë që shkrehu harkun. Gjejeni, nuk e ka pirë dheu. Gjejeni dhe sillmani. Ta dëgjoj nga goja e tij se kush e donte vdekjen e tim biri. Do të ketë të bëjë me mua!

-Si të urdhëroni ju kont, vullneti juaj do të bëhet!

Kështu u mbyllën ato ditë të fillimvitit të ri në Krujë.

Vijon



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora