E diele, 28.04.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Flamur Shabani: Fjalë për romanin 'Misioni'

E shtune, 02.06.2018, 07:29 PM


Fjalë për romanin “MISIONI”

Nga Flamur Shabani

Njerëzimi dhe Rruzulli Tokësor kanë marrë tatëpjetën. Si do t’ia bëjmë?

Autori i kësaj thirrjeje, Ndrio Bedalla, personazhi qendror i romanit “Misioni” të shkrimtarit Vangjush Saro, është një pensionist. Ai ka një të kaluar si profesor i biologjisë, i lidhur fort pas natyrës e mësimdhënies, sa e ka të vështirë të ndahet nga shkolla; nuk e përfytyron dot veten në pension, pa punë, duke e shtyrë jetën në limonti. Ndrio jeton vetëm, me Tuçin, një këlysh i marrë nga rruga. Gruaja e ka lënë të ve përpara dy vjetësh. Djali me nusen jetojnë më vete. Me këto detaje, duket se theksohet edhe më mirë gjendja mjerane e profesorit, pavarësisht disa elementeve e frymëzimeve, që duket sikur e ndriçojnë jetën e tij; më së pari MISIONI që e pret.

Ndrio Bedalla është prototipi i njeriut që gjithë jetën është shkrirë në punë, ka punuar me ndërgjegje, sa nuk e përfytyron dot veten pa u shërbyer njerëzve, duke ofruar atë që di të bëjë më mirë: t’u mësojë si ta ruajnë natyrën, e cila po shkon drejt shkatërrimit për mungesë të vëmendjes ndaj saj. Fundi i natyrës dhe i Rruzullit Tokësor, sjell edhe fundin e shoqërisë njerëzore; prandaj profesorit nuk i hyn në sy pensioni dhe krijon MISIONIN, për të cilin është gati të sakrifikojë edhe shëndetin e tij; për hir të shëndetit të njerëzve që e rrethojnë.

Dita e profesor Bedallës nis me nge. Veprimet e mëngjesit janë të matura, të ngadalta, të diktuara edhe nga mosha e tejshkuar. Edhe sendet që përdor, për veshje e lëvizje, janë të vjetra: borsalina, çadra me bisht druri, çanta e përdorur, biçikleta; (“nuk mbahej mend prej sa kohe e hipte”).

Aventurat e profesorit zënë e shtjellohen teksa ai mbërrin në Klinikën e Specialiteteve; duke ngjitur shkallët, ai mendon se edhe puna e MISIONIT të tij, njëlloj e përpjete është. (“As shoqatë, as parti, as pushtet, as Kuvend; në luftë të paparë kundër gjithçkaje që e dëmton njerëzimin, shoqërinë, natyrën.”) Këto pasazhe dhe ide, ai i shfaq me një farë egoizmi para pacientëve të tjerë, të gjithë në pritje për te doktori. Duke folur me ta, profesori tregon se si për të realizuar MISIONIN, kishte thirrur në kauzë dy persona, që do të shërbenin njëri si zëdhënës e tjetri si asistent. I pari është z. Varavingo, që e ndihmon në hartimin e komunikatave; me të, jep e merr vetëm me telefon. (“Z.Varavingo, e prezanton ai, shkruan poezi, prozë, skeçe, bën recensione letrare me porosi, ofron redaktime, jep mendime për të gjitha gjinitë dhe llojet e letërsisë dhe të artit; kur mundet, hidhet një vrap edhe te lajmet.”) Niveli intelektual i udhëheqësve të MISIONIT pasurohet me dajë Remën, roja e shkollës ku z. Ndrio kishte dhënë mësim. Plaku qe bindur t’i bashkohej profesorit, duke menduar se do të fitonte diçka, ngaqë ky i përmend ca fonde, pastaj z. Shrëder nga Agjencia e Natyrës në Zvicër, etj.

Në pritje për vizitë te doktori, gjithnjë duke treguar aventurat e tij, Ndrio Bedalla njihet me Marien, pastruese; ajo do të luajë një rol jo të pakët në ringjalljen e pasionit të tij të dashurisë. Maria mrekullohet nga fjalët e bukura të profesorit, prandaj e shikon atë me admirim, duke iu afruar dhe duke nxitur tek ai atë që kishte kohë pa e provuar: ndjesinë femërore. (“Misionit tim i mungon një bukuri si ti. Një duarartë. Flokëbukur. Shpirtndjerë. Si të quajnë? Marie… Oh, kombinim perfekt!”) Ndrio rrëfen më tej për vizitat e tij në shkolla dhe në kopështe fëmijësh, ku ai shkon për të promovuar MISIONIN dhe ku vihet re niveli i ulët i drejtuesve, të cilët ndotin gjuhën duke folur në dialekt, në vend të standardit. Kjo e mërzit profesorin. (“Anglishtja është ndërtuar mbi njërin prej dialekteve të gjermanishtes, duke e ngritur atë në normë; kurse ne bëjmë të kundërtën: sulmojmë standardin për t’i dhënë përparësi dialektit.”)

Heroi i romanit tregon gjithashtu për një “tur çiklistik” në Landfillin e Sharrës, ku u thotë punjonjësve të mos prekin asgjë me dorë, se do të sëmuren. Po kështu, agjiton te Tregu Çam, ku shiten gjithfarë sende plastike, metalike e kimike, veshje me fije sintetike, të prodhuara diku larg, deri në Kinë, që depozitohen te ne; (mbetje të rrezikshme për shëndetin). Edhe prodhimi i kosit dhe i nënprodukteve të tjera nga qumështi, s’është i paqtë, sepse përdoren kimikate për mpiksjen e tyre (!) Z. Ndrio shkon në azilin e pleqve, ku u flet për dëmin e veshjeve sintetike, të cilat duhet të zëvendësohen me fanella leshi, si të parët tanë, që nuk sëmureshin kurrë, sepse ato veshje ishin punuar “me fije bio”… Edhe në shtrat, kur Maria, si një profesioniste e rregjur, nxjerr nga çanta prezervativin, Ndrioja nuk pranon, sepse kjo është kundër teorisë së tij për mbrojtjen nga mjetet plastike.

Idetë dhe argumentet e veta për mbrojtjen e natyrës, profesori i vijon edhe kur e çojnë në rajonin e policisë, (sepse kishte marrë pjesë në një demonstratë kundër importimit të mbetjeve, etj.) Kur furgonit të policisë i bie goma, në pushim e sipër, profesori vazhdon të shpjegojë teorinë e vet në mbrojtje të natyrës. Edhe i izoluar në rajon, ai del në dritare dhe debaton me një nga shefat, që e mbante ndezur veturën; (që lëshonte tymrat në atmosferë dhe dëmtonte ajrin). Mirëpo, për fat të keq, ai ha një dru të mirë për këtë. Ndërhyrja e të birit avokat, e kthen në liri.

Së fundmi, vjen dita e “Debatit të madh” në sheshin “Nënë Tereza”. Pasi kishte shpëndarë kartvizitat dhe lajmërimet për pjesëmarrje në këtë ngjarje, z. Ndrio pret me durim përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që njerëzit dhe mediat nuk mungojnë. Por shpejt sheshi bëhet pronë e një mitingu të LGBT-ve, kurse më tej, shiu, stuhia, e zhbëjnë gjithçka. Veç Ndrio Bedalla nuk do t’ia dijë dhe nuk ndihet i zhgënjyer nga moti, por sepse konstaton që njerëzit dhe gazetarët nuk ishin mbledhur për të, po për paradën e shoqatave në fjalë. Kurse ATA me të cilët do të zhvillonte debatin, s’u dukën fare.

Në epilog, autori zhvillon disa hamëndje për fatin e mëtejshëm të personazhit: diku duke folur me një grup lypësish, në një rast tjetër në shoqëri me një nga gratë personazhe të romanit; pastaj thuhet se ishte parë në Buenos Aires. (“Pra, atje ishte zhvilluar ajo konferenca. Jo, jo. Në Tokio. Në Moskë, thoshin. Në San Francisko, Nju-Jork, Toronto…”) Duke përmendur qytete e kryeqytete të njohur të Botës, autori aludon se çështja e mbrojtjes së natyrës, por dhe e ndryshimit të mënyrës së jetesës, është çështje e mbarë njerëzimit.

Ndrio është një idealist, njeri i sinqertë deri në naivitet. Përpjekjet për të “ndriçuar” mendjet e njerëzve për mbrojtjen e natyrës dhe kthimin e jetës në normalitet, janë të vazhdueshme e kudo. Me mendimet dhe veprimet e tij, i kundërvihet gjithë shoqërisë, rrjedhës “normale” të jetës së sotme, duke u bërë qesharak. Figura e tij shfytyrohet sepse përballë shoqërisë indiferente, ai mbetet i vetëm, aq sa duket sikur vjen nga një botë tjetër, e huaj për të sotmen, e papranueshme. (Jo më kot, ngjarjet e romanit zhvillohen në nëntor, muaji kapërcyell i vjeshtës drejt dimrit të ftohtë, të acartë e natyrë të vdekur…) MISIONI bie ndesh me realitetin gri, me pamjen dhe interesat e ekonomisë së tregut, me zhvillimet e fundit të industrisë së prodhimit, me teknologjinë bashkëkohore, me infrastrukurën e ndërtimeve, zhurmat dhe tingujt e lartë të muzikës në lokale, me plehrat, me tymrat dhe gazrat e makinave e fabrikave, deri te nxjerrja e prodhimi i naftës në zonat naftëmbajtëse.

Në krah të Ndrios e në mbështetje të zbërthimit të figurës së tij, qëndrojnë edhe figurat plotësuese. Dajë Rema është simbol i injorantit që kërkon të përfitojë sa më shumë e me të gjitha mjetet nga situata e krijuar. Ai i bashkohet delirit të Ndrios për të zhvatur sa të mundë nga “fondet” e shoqatës me qendër në Zvicër, duke pranuar edhe rolin e një loloje, siç janë orvatja për të ndihmuar në zhveshjen e gruas në Azil, shoqërimi në shkollë e në tregun Çam, etj. Edhe braktisja e MISIONIT, duke u bërë roje në parcelat e hashashit, tregon rrezikun e njerëzve të pashkollë, si dajë Rema, që iu bashkuan pa ngurim, madje me ndërgjegje të plotë, misionit të mbjelljes së hashashit anekënd vendit, të shfrytëzuar nga njerëz të fuqishëm në Tiranë. (Urimi, nipi i dajë Remës, është dora e zgjatur e dhunshme e kriminale e njerëzve, që thirren si “të fortë”, për të zgjidhur çështjet e “vështira”, por që kërkojnë një çmim të lartë për ndërhyrje.)

Personazhi tjetër, zëdhënësi, z. Varavingo, është simboli i njerëzve që e mbajnë veten specialist për gjithçka, por asgjë nuk qullosin. Niveli letrar i tij është i dobët, sikurse edhe i mikut të tij, një poet për fëmijë, që trazon tregun me vargje, si: “Kec, o kec, unë ta ngec, kujt t’ia mbajë, le të ecë…” Kjo është edhe njëlloj tërheqje veshi, për të treguar se sa poshtë ka rënë niveli artistik i letërsisë sonë në përgjithësi dhe i asaj për fëmijë në veçanti. Po ashtu, flet për një realitet të hidhur edhe Maria, e mbetur e vetme; djali e vajza, janë në emigracion, kurse burri e ka lënë pas dore, (ngaqë punon me orar të zgjatur në punë të rënda dhe larg shtëpisë). Ajo kërkon aventurën në dashuri, në fillim duike shpresuar te fondet e MISIONIT, pastaj duke e kërkuar romancën e vet (që s’e ka pasur dot në rini) te Parku i Madh… Edhe pse mëton të bëhet master, pak a shumë aty është edhe ish-studentja e profesorit, Julinda Plasa, e cila kërkon ndihmë për titujt e saj, duke e shkëmbyer këtë me gjithçka. Por krejt ndryshe është personazhi tjetër femër, Lumnia, që rri te qoshku me një mangall ndër këmbë dhe pjek misra…

Metoda krijuese e autorit, është ajo realiste. Vangjush Saro ka regjistruar të gjithë problematikën aktuale në vendin tonë, e pasqyruar edhe në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe në programet e Qeverisë (Qeverive); dhe na e sjell në mënyrë artistike në romanin në fjalë.

Në të tërën e librit, ka një “ngjashmëri” midis Don Kishotit të Mançes dhe Ndrio Bedallës. Të dy janë idealistë, luftojnë për realizimin e ideve të tyre. Me veprimet që kryejnë, ngjallin admirim te lexuesit, sepse qëllimet janë të larta; por ky admirim shoqërohet gjatë gjithë romanit me një buzëqeshje ironike, sepse të dy janë jashtë kohës. Jeta ka ecur, ujërat lëvizin, interesat variojnë. Don Kishoti është i frymëzuar nga romanet kalorsiake dhe bëmat e heronjve e kanë mbërthyer edhe atë, saqë ëndërron të kryejë edhe ai heroizma të ngjashme, i shoqëruar nga Sanço Panço. Kurse Ndrio Bedalla, i shoqëruar nga dajë Rema, agjiton kundër “fundit të Botës”. Ai lufton me të gjitha e me të gjithë, duke sakrifikuar edhe shëndetin e vet në dobi të mbrojtjes së natyrës e të shoqërisë. Të vjen keq për profesorin, kur shikon sa seriozisht e ka marrë ai këtë MISION, ndërkohë që shoqëria, për të cilën atë s’e zë gjumi, nuk është kthyer fare nga ai krah, madje e përçmon.

Përtej këtyre “ngjashmërive”, ka edhe dallime thelbësore. Së pari, ngjarjet zhvillohen në periudha të ndryshme të historisë me diferencë 500-vjeçare në kohë. Don Kishoti i përket Mesjetës, kurse Ndrio Bedalla shekullit XXI. Edhe bëmat janë të ndryshme: te Don Kishoti do të ndeshemi me mullinjtë e erës, kurse te MISIONI do të përballemi me ndotjen akustike, landfillet e plehrave, stoqet e helmeve kimike, mbetjet inerte nga ndërtimet, bidonat plastikë, tekstilet me fije sintetike, etj.

Si përfundim, do të thosha se romani “MISIONI” i shkrimtarit Vangjush Saro, ndriçon një problem të madh të kohës, përmes një gjetjeje interesante. Romani është një prurje me vlerë për letërsinë tonë.

TIRANË/ Maj, 2018



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora