Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Fat tjetër për librin
E diele, 26.11.2017, 10:11 AM
 Fat
tjetër për librin
Fat
tjetër për librin
Nga Mehmetali Rexhepi
Miq të çmuar të librit!
Shkrimi merr shtytje brenda dy faktorësh: faktorit kohë dhe jetë. Faktori i parë me shumëçka e kushtëzon të dytin... Njeriu i shkrimit është rob i kërkesave dhe kërshërive të tija, andaj bezdia e tij mund të të prishte edhe me më të dashurën e jetës...
Jeta hap hulli dhe lyp të mbjellat e saj. Të mbjellat kërkojnë farë cilësore, mandej: as thatësi, as ligatinë, diell dhe shi, as për tu djegur, as për tu kalbur. Korrjen dhe shirjen e të mbjellave e bëjmë së bashku me lexuesin.
Brenda faktorit kohë, nga e mbjella deri te korrja a vjelja, futen gafe dhe skajshmëritë e stinëve, humb vrullin prirja, zbehet pamja e ndjeshmërisë, kallinjtë e ideve mund të mos jenë veshur me kokrra frutash, shkunden nga shtrëngatat e motit dhe të njeriut...
Shkrimi ka çmimin e jetës. Për tu bërë libër, shkrimi ka koston e vet, por kostoja më e shtrenjtë është mos leximi, injorimi i librit.
Lexues të çmuar! Ju bëni dhe zhbëni shkrimtarët! Pohimi kapet si konstatim paradoksal, por pa ju: miq lexues, ne do të bënim monologun e pa fund të pritjes së ardhjes të dialogut. Monologu pa dialog i ngjan absurdit të Beketit. Padyshim, mos leximi i shkrimit është vdekje e heshtur e tij!
Andaj, në qoftë se kemi arritur të quhemi shkrimtarë, këtë gradë e jepni ju! Gjithsesi, në anën tjetër të këtij diskursi, fare pranë është vdekja, sikurse këmisha në trupin tonë. Varet prej jush: a do të na mbani për të tillë!
Në këtë diskurs, me gjithë respektin për kritikën si institucion parësor i vendosjes së rendit të vlerave, nuk do t`ia lejoja asaj karrigen e arbitrit. Kritiku dhe kritika do ta bëjë përzgjedhjen e vet. Më intereson lexuesi, receptuesi i heshtur, ai anonimi, por jo anonimusi. Kureshtja do të duhej të rrinte zgjuar për urtarin që nuk të përkëdhelë, nuk të mburrë; për atë të madhërishmin pa politesë, për absorbuesin e të bukurës dhe të së madhërishmes.
Si duket prore kemi mësyrë të bukurën pa e gërshetuar me të madhërishmen. Bukuria pa të madhërishmen gjithnjë mbeti e brishtë, duke mos i përballuar madje as acarit të parë dimëror...
Ecja këtij rrafshi doemos shtron pyetjen: a kemi arritur ta vëmë lidhjen e pashkëputur mes asaj, ose atij, lexuesit të heshtur, të panjohur, por me të cilin na identifikon magjia e shqiptimit të pazëshëm të shtatë zanoreve dhe njëzet e nëntë bashkëtingëlloreve me ndjesi fisnike, me dashuri njerëzore të pakufi; gjithnjë për t`iu shmangur egoizmit, indiferencës, lakmisë, urrejtjes, grykësisë, krimit dhe diktaturave të të gjitha ngjyrave.
Ritmet e jetës dhe epoka e internetit, në garën e përsosjes së jetës, vallë a mos ju duket sikur e tallin ngathtësinë e librit letrar?! Ndaj shkrimtarë: lypjani një fat e dinamikë tjetër imagjinatës dhe realitetit të pa eksploruar rreth nesh...
Çfarë të bëjmë për të mos ngelur në të njëjtën klasë?
Gjilan, më 18 nëntor 2017

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










