Kulturë
Ilir Muharremi: 'Heroinat', plagjiat apo vepër origjinale?
E merkure, 23.08.2017, 07:20 AM
“Heroinat”, plagjiat apo vepër origjinale?
Kritika nëse i bëhet një vepre nuk i bëhet menjëherë, duhet të kalojnë ca vite. “Heroinat”, u kritikua që në fillim, por nuk u detajua kritika. Nuk u saktësua a është plagjiat në tërësi? Në ditën e inaugurimit të veprës kam reaguar në Facebook në lidhje me këtë. Në tekst mund të lexoni detajet e veprës plagjiat.
Nga Ilir Muharremi
Fjalori i gjuhës shqipe kuptimin e plagjiaturës e përkufizon si paraqitjen e një vepre nga dikush tjetër të përvetësuar si të veten: vjedhje letrare, muzikore, artistike, duke marrë pa treguar burimin. E dyta, kur dikush paraqet veprën e huaj me emër të vetin, ose kur dikush huazon ndonjë tekst ose pjesë nga teksti e nuk e bënë të qartë burimin (kjo identifikohet si plagjiaturë e pjesshme), tjetra, kur dikush e përkthen ndonjë shkrim dhe nuk e bënë të qartë burimin, pra e paraqet si të tijin, apo kur dikush huazon pjesë të ndonjë teksti të huaj, prapë nuk e tregon burimin, ose tregon tekstin por burimin e parafrazimit nuk e tregon dhe e fundit kur dikush e paraqet një vepër te veten apo të ndonjë pjese të saj në provime apo ngjarje të ndryshme, identifikohet si vetë-plagjiaturë.
Në çdo vend të botës plagjiatura ndiqet me ligj, kurse te ne, ajo ndodhet në qendër të qytetit konkretisht përballë obeliskut më të madh në kryeqytet NeëBorn. Bëhet fjalë për memorialin “Heroinat” të inauguruar më 12 qershor të 2015-tës. Edhe në media u diskutua se a është plagjiaturë apo vepër origjinale nga artisti Ilir Blakçori. Si qëndron puna? A mund të cilësohet si vepër plagjiaturë, atëherë ne po bëjmë një përshkrim të dy veprave dhe vet lexuesi le ta përkufizojë:
Memoriali “Heroinat” rrëfen për sakrificën e femrave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, veçanërisht grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në luftë nuk rranë vetëm heronjtë kemi edhe 20 mijë heroina të dhunuara. Memoriali “Heroinat” është vendosur në një këndë të fshehur krahasuar me memorialit tjera në kryeqytet. Memoriali u inaugurua me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Kosovës. Vepra u krijua me 20 mijë shufra të hekurit. Në sipërfaqen e kësaj skulpture, shufrat marrin trajtën e medaljoneve. Vepra duket si impozante, në fytyrën e saj vërejmë butësinë e natyrës femërore. Koncepti i saj është i dyfishtë sipas realizuesit Blakçori: gjatë ditës nën efektet e dritës natyrale, medaljonet reflektojnë dritë e hije mbi imazhin e portretit. Nëse afrohemi vërejmë portrete individuale të medaljoneve, që identifikojnë nënat, bijat, motra që humbën në luftën e fundit.
Interesante është se vepra jo veç që u frymëzua nga një vepër tjetër, por është e njëjtë sikurse ajo e artistit Asif Khan, 'MegaFaces' 2014. Pjesa e kokës “Heroinat” dhe “MegaFaces” (i njëjti realizim i këtij monumenti ishte i vendosur edhe në Lojërat Olimpike 2014, që janë mbajtur në Sochi të Rusisë), janë të njëjta, me vështrim të njëjtë, vetëm se pjesa e flokëve te “MegaFaces” i mungon, këtë nuk e përdorë artisti te “Heroinat”. Pjesa e ballit, syve, hundës, gojës, vështrimit, copëzat e medaljoneve (të ngjashme) në fytyrë, shikimi, tërë mimika, janë identike. “Heroinat”, është fytyrë gruaje, kurse “Megafaces” duken si fytyra të fëmijëve, vetëm biografia e personazhit ndryshon derisa pjesa e idesë dhe realizmit mbetet mu e njëjta. Në stil, anatomi dhe koncept janë të njëjta. Këto vepra ngjajnë si dy pika uji. Nuk kopjohet vetëm ana vizuale, kopjohet edhe koncepti autentik i veprës “MegaFaces”. Kjo vepër tashmë e kopjuar ka lëvizje emocionale, por unë si qytetar i thjeshtë më shumë do pëlqeja murale të shkëmbit me simbole historike të heroinave në vend të një vepre të kopjuar.
“MegaFaces” përbëhet nga 11 mijë aktivizues, që shfaqin fytyra të ndryshme me anë të kinetikes nga jashtë. Poashtu edhe këto fytyra janë identike sikurse të “Heroniave” të minimizuara. Nga distanca, nëse i vështrojmë të dy veprat afër, dallimet janë vetëm në pjesën e flokëve sipër. Kjo nuk mjafton për tu distancuar tërësisht nga vepra, dhe ta quajmë si krijim origjinal.
Atëherë, çfarë mund t’i thuajmë kësaj? Pjesa hyrëse e tekstit e dëshmon si referencë origjinalitetin e këtij memoriali në kryeqytet. Mos të harrojmë se vepra “Heroinat’, kap shumën prej 120 mijë eurosh. Artisti e fitoj konkursin pasi dy herë radhazi u anulua për shkak mospjesëmarrjes së artistëve. Iniciatorja e projektit Alma Lama kishte thënë se ky memorial duhej të ishte bërë i pari në Kosovë. Po, mirëpo ana artistike estetike duhej të ishte origjinale, ndonëse edhe unike. Gratë e rëna në luftë të gjithë i kanë prekur, dhe meritojnë të jenë në një vepër origjinale. Lama vet ka pohuar: “Gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2013, pra në dhjetor të 2012 unë kam përgatitur një amendament ku është përshkruar ideja e memorialit si dhe shuma e nevojshme për ta realizuar këtë projekt. Ideja dhe koncepti i një memoriali që nderon kontributin e grave gjatë luftës është përkrahur nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe u miratua njëzëri.” Mirëpo, a e kanë parë skicën ose buceten e memorialit dhe kërkimin se mos vallë është plagjiat, pasi do vendoset në qendër të qytetit? Normalisht që jo, vetëm i kanë ngritur duart pa qenë të informuar. Dakord jam me idenë e memorialit si propozim ta gëzon kryeqyteti sakrificën dhe madhështinë e gruas, por jo me realizmin e tij.
Memoriali ashtu si është tash ka të veçantë portretin, është shumë i kohës, dhe nuk paraqet ndonjë grua me armë në dorë me përmasa të trupit të rritura siç jemi mësuar shabllon t’i shohim në skulpturat komuniste të Shqipërisë, ose me emocion folklorik - patetikë, kjo vlen të veçohet këtu, por nuk mjafton vetëm kjo. Pasi që gratë e meritojnë një vend të rëndësishëm në luftën e fundit, e meritojnë edhe një memorial origjinal nga duart e artistëve.
Çuditem pse nuk kanë reaguar heroinat dhe ideatorët e këtij projekti, por vetëm me duartrokitje e zbuluan kopjen e tillë. Ndoshta nuk kishin njohuri për një vepër identike që ekziston dikund në botë. Tjetra, anëtarët e komisionit vlerësues dhanë pëlqimin e kësaj figure dhe e zgjodhën, prapë se prapë arti është si treg, ku artisti ofron mallin pa ndërgjegje, blerësit e konsumojnë, atëherë artisti fiton. Por, arti i vërtetë madhështor rrjedh nga sinqeriteti i autorit, dhe veprat e mëdha kishin ndikime e pak prej tyre qenë plagjiaturë.
Projekti u financua nga taksapaguesit e Kosovës dhe Kuvendi vendosi miratimin e tij. Kjo vepër vetëm emrin e ka origjinal “Heroinat” ngaqë balancohet me heronjtë dhe të tilla qenë ato gra që dhanë jetën për vendin e tyre. Picasso me kotë nuk thotë: “Artistët e këqij kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”, e kjo vepër i takon të parës në këtë thënie.