Kulturë
Përparim Hysi: Dalldi
E shtune, 12.08.2017, 06:23 AM
Dalldi
Tregim lirik
Nga Përparim Hysi
Atij i ra në sy në një seminar. Tri të katrat e pjesëmarrësve në seminar qenë femra, por atij, për çudi, i mbetën sytë vetëm tek njëra. Siç e çmonte ai me syrin e tij, ajo kishte një bukuri si disi të rrezikshme: të ndillte dhe, njëkohësisht, kufirin ta vinte tek thana. E krehur bukur dhe e veshur me gusto, ajo sikur sfilonte dhe gati të detyronte t'i mbaje sytë mbi të. Kish një palë sytherës e të mprehtë që, nëse vendoste të të shihte, gati të nguleshin si turrielë e të zhbironin drejt e në thellësi të shpirtit. Pak nga pak, kjo ndjesi për të iu kthye në një makth. Ky makth gati e ndiqte nga prapa dhe iu ravijëzua në krevat, aq sa nuk e zinte gjumi. Ishte verë. Si tani: fundkorriku! Një puhizë e lehtë që vinte nga lumi, sikur hynte nga dritarja e hapur dhe bënte që të tundej dhe perdja prej tyli. Ashtu gjysmë i zgjuar, pa dashje, sikur buzëqeshi me këtë fëshfërimë të perdes,se iu kujtuan ato vargje që, pothuaj nga shpërdorimi, u vulgarizuan:" Era frynte që përjashta/ rrihte perdet e mëndafshta".
Edhe një copë herë dhe gjumi sikur po vallëzonte në cepat e syve të tij. Lëshoi një psherëtimë që e ndjeu vetëm ai dhe, më tej, ja tek u ravijëzua, portreti i saj: me një buzëqeshje të bardhë dhe dukej, në përfytyrimin e tij, sikur kish dalë nga një banjoqumështi.
* * *
Kur u zgjua, makthi dukej se kish "fjetur" me të. Se ja tek i bëhej se vështronte si i magjepsur fytyrën e saj. Aq e kish humbur pusullën, sa çdo gjë e lidhte me të. E mendonte si dritë. Dhe jo vetëm kaq: bukurinë që kishte ajo, tani ky e kish marrë mbi vete dhe, pa e pyetur fare, kish vënë mbi të domenin.
- Është imja!- bërtiste, kur qe vetëm. - Është imja, qe një llaf goje,se ajo, tjetra, kish një tjetër me "tapi" apo me "hipotekë" siç flitet tanimë këtej nga anët tona.
Por ai, për t'i bërë qejfin vetes, thoshte:- A është dashuria racionale?
* * *
Ja tek po vjen. Sytë i ka bojëqielli, një ballë paksa të shqetësuar, me një lëkurë të lëmuar dhe të butë si kadife. Kadifesë nuk i ngjitet qimja,- thotë populli. Dhe ai si ai i mbyturi që kapet prej fillit të kashtës, kapet pas kësaj thënieje dhe thotë: pra, nuk i ngjitet kush tjetër veç meje.
Vetgjyqësia i rri si hije dhe e tremb:- Po i shoqi? Kësaj pyetjeje kaq intringuese, nxiton t'i përgjigjet shpejt e shpejt dhe po sipas intersit të tij:- Me të shoqin është "ngopur". Është "velur".
Dhe vazhdon:- Po si është e mundur vallë që ato buzë aq mishtore e tërë lëng t'i "rrufisë" ai, "thjeshtri" i tij. Jo, jo,- ngulmon,- është imja. E shoh në sy dhe syri im nuk më gënjen.
Dhe priste vetëm çastin...
* * *
Kur do, do,- tha samarxhiu. Edhi dhe rasti. Të dy udhëtuan me shërbim për një seminar Kombëtar. Në atë seminar ai me fjalën e tij, gati e sundoi sallën dhe,ajo, tek dëgjonte argumentimin e tij shkencor, pak nga pak, sikur u fut në lëkurën e tij dhe, ndryshe nga ç'kish menduar më parë, u ngrit dhe mbështeti atë. Kaq. Sikur u bë një pakt. Një pakt miqësie dhe vetëm kaq.
Nuk zgjati shumë dhe, pas këtij seminari, ai u bë eprori i saj, se jepnin që të dy të njëjtën lëndë. Pikërisht, në një takim pune,ata u takuna vetëm për vetëm. Ajo hyri në zyrë ( kishte një shqetësim apo një ndjesi që e sëmbonte) dhe, kur u ul përballë tij, pa që ai, ia ngulli sytë me lakmi. Lakmi dhe jo epsh. Ajo dinte të bënte dallimin midis lakmisë dhe epshit. Sado që nuk e njihte sa duhej, megjithatë, ajo kish dëgjuar për të dhe,sa kërshi kishte, aq dhe e shqetësuar deri në trembje qe. Gjuri i tij bëri sikur e preku, pa dashje, gjurin e saj dhe ajo ndjeu një drtihmë korenti t'ia përshkonte trupin. Kur ajo e largoi si me politesë këmbën e saj, tjetri zgjati dorën dhe preku kofshën e zbuluar. Tani drithërima u bë therëse. Ai u ngrit me ngadalë dhe i vuri duarët mbi supet e saj. Ajo, në atë kohë, ndjeu sikur mbi supe po mbante peshën e një mali. Por duartë e "malit" filluan një lojë pak zbavitëse: në fillim gishtrinjtë e duarëve u bënë krëhër për flokët e saj dhe, mandej, zbritën poshtë e më poshtë. Në ato çaste,ajo i përfytyroi duarët e tij si ato sondat që vihen në kërkim duke shpuar tokën, në kërkim të ujit, naftës apo gazit. Kur "loja" u "nxeh" tepër, ajo jo vetëm u "dorëzua", po e pa veten kuspull mu në gjoksin e tij. Krahët e tij e kishin pushtuar të tërën dhe, kur ai po vinte buzët mbi buzët e saj, ajo ndeju mbi zverk frymën e tij. Më tej,"loja" qe"mbyllasysh" dhe,që të dyve, iu duk sikur mbi dhomë qe hedhur një mantel për t'i mbrojtur nga sytë e të tjerëve.
* * *
Mbas kësaj "dalldie" ( dalldi qe,se ç'mund të ish tjetër?), tek u çlirua nga duarët e tij,ajo, pothuajse, e kishte"gllabëruar" portretin e tij, sa ,pa frikë, mund ta vizatonte përmendësh.
Një mbrëmje, kur i shoqi i saj qe me shërbim, ai, tinëzisht, iu fut në shtëpi dhe bënë dashuri deri në zgjim.Pothuaj, u dergjën në krahët e njëri-tjetrit.
- M'u këput shpirti, kur u ndamë,- i shkroi ajo. Dhe shtonte:- Ç'është kështu me zemrën?
* * *
Edhe një "përballje" tjetër. Sytë e tij qenë krejt të palëvizshëm. Sy që diçka presin. Dhe ajo,sado me syulur, e dinte edhe forcën, por dhe ç'prisnin ata sy. Dhe,sado që ishte një"lojë" e rrezikshme, asaj i pëlqente. Eci me guxim drejt atyre syve që prisnin dhe,sado që ishte e ndërgjegjshme që po "mëkatonte", i jepte të drejtë vetes tek thoshte:- Ndjeja zemrën të më rrihte dhe, në mos u përgjigjesha atyre rrahjeve, do të pësoja infarkt. Kur iu "dhashë",- shpjegohej ajo,- zëre se po i bëja një dhuratë. Po vallë a ka dhuratë më të bukur se dashuria?
Nga kjo "dalldi", trupi im sikur u bë më elegant dhe këtë "elegancë" e kam vetëm për atë. E di që pak po i hyj në"hak" palës tjetër, por dashuria është mëkati më i "falshëm" dhe më iracionali.