Kulturë
Kadri Kadiu: Nëna ia di hallin djalit
E shtune, 11.03.2017, 12:09 PM
NËNA IA DI HALLIN DJALIT
(Marrë nga Libri "Dheu që dhemb" i Kadri Kadiut)
Devolleshë e bukur shumë, ma ke lënë djalin pa gjumë
Thëllëzë e bukur e malit, ç'mi ke bërë kështu djalit?
Që të do moj ty aq shumë, gjithë natën rri pa gjumë
Po ma tret, po ma sëmur, ku e ke gjithë atë nur?
Nënë, ç'faj kam unë e mjera që nuk të fle ty pëllumbi
Gjithë natën unë shoh ëndrra, edhe qaj kur më del gjumi
Edhe qaj kur më del gjumi, se ëndrra më bëhet zhgjëndërr
Se në ëndërr isha nuse, dhe yt bir më ishte dhëndër
Ah moj ëndërr, pse më ike, zemrën time e zhurite
E zhurite, e coptove, djalin që dua ma largove
Si qiriri unë po digjem, vallë me djalin kur do piqem?
Kur do piqem të nxjerr mallë, e të nxjerr me të sevdanë?
Çupë e bukur devolleshë, çudite gjithë dynjanë
Punëtore porsi bletë, e bukur je si një zanë
Kur më hyn moj ti në magje, bie erë manushaqe
Kur më hyn moj ti në valle, më kërcen porsi sorkadhe
Ah moj çupë, zanë e malit, ia zhurite zemrën djalit
Po nëna hallin ia di, idhulli i tij më je ti
Të keqen, mos ma mundo djalën, jepja besën, jepja fjalën
Ki gjynah nga Perëndia, marrçi nga ditët e mia !