E shtune, 27.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Kusure e qyfyre nga fshati

E premte, 02.09.2016, 07:13 PM


KUSURE E QYFYRE NGA FSHATI

(Marrë nga Libri "Mall e Dashuri" i Kadri Kadiut)

Shpesh e qortoj veten se nuk kam mbajtur ditar. Gjatë jetës kemi përjetuar situata nga më të ndryshmet, të gëzueshme por edhe të trishtueshme; kemi kaluar halle e kemi hequr kusure, kemi dëgjuar xhevahire e kemi parë qyfyre, kemi qenë dëshmitarë të skenave për të qeshur por edhe për të qarë. Shumica e kujtimeve, natyrisht që me kohë mbulohen nga një perde mjegulle dhe duhet njëfarë sforcimi për t'i ndriçuar më mirë. Por ama, ka edhe ndodhi të jetës që në mendje mbeten si mbresa të pashlyeshme. Sot po tregoj disa mbresa të tilla që i kam përjetuar në vegjëli, se nuk i thonë kot që "i vogli mban mend".

1. Ahmetët e Fshatit tim

Fshati im, Mançurishti i Devollit, kur unë isha i vogël, ka patur pesë Ahmetër; dy në Mëhallën e Lartme dhe tre në Mëhallën e Poshtme. Të dy Ahmetët e Mëhallës Lart kishin të njëjtin mbiemër, "Rusi", kështu që për t'i dalluar, njërin e cilësonin si Ahmeti Lart dhe tjetrin si Ahmet Evgjiti (pasi atij komuniteti i përkiste). Ndër tre Ahmetët e Mëhallës Poshtë, për t'i dalluar, njërin e thërrisnin me emrin e plotë Ahmet,  kurse dy të tjerëve ua kishin ngjitur njërit Metkë e tjetrit Metush. Njërin nga këta Ahmetët e Mëhallës së Poshtme, atë që e thërrisnin Metush, neve e kishim kushëri të afërt. Ky Metushi (xha Metush i thoshim ne fëmijët), kishte një bahçe të madhe rreth shtëpisë që e mbillte vetëm me kunguj. Mbushte gjysmën e plevicës me kunguj xha Metushi kështu që, me gjithë dimrin e gjatë, në atë shtëpi nuk mbaronin kurrë kungujt. Kur binte borë shumë, burrat e fisit tonë, na merrnin me vete edhe ne më të vegjëlit dhe shkonim pasdarke (bë llaf) tek xha Metushi. Ishim fis i madh ne, gati gjysma e Fshatit binim kushërinj por edhe xha Metushi kishte një shtëpi të madhe dhe na rregullonte në dy dhoma të veçanta me vatra zjarri ku bubulonte flaka dhe ngroheshim ne, por valonin edhe kusitë që zienin kunguj. Ne fëmijët më shumë bënim qejf duke parë më të mëdhenjtë që luanin yzyk me filxhanë, luanin kaladibrançe apo ndonjë lojë tjetër për tu argëtuar e për ta kaluar natën. ( I kujtoj lexuesve më të rinj këtu se në fshatra nuk bëhej fjalë për radio e televizor në ato vite ku ndriçimi bëhej me llamba e fenerë me vajguri). Kur mbaronin lojërat, Hake Faja, gruaja e xha Metushit, i gostiste të gjithë me nga një thelë të madhe me kungull të zier dhe këtu mbyllej muhabeti për atë natë.

Një ditë dimri, babai im më dërgoi mua tek xha Metushi. "Shko ne Ahmeti jonë-më tha- dhe kërkoi një kungull që ta pjekim sonte në furrë". U nisa unë, mirëpo shtëpia e Ahmetit tonë ishte goxha larg. Nga ana tjetër po i qaja hallin vetes se si do të mund ta sillja unë kungullin gjer në shtëpi kur e dija se xha Metushi nuk kishte kunguj më të vegjël se 15-20 kile. Në këtë siklet që isha, mendja më mësoi që t'i bie shkurt, kështu që shkova ne shtëpia e një Ahmeti tjetër, (ne Metka) pasi ishte më afër. Trokita në portë dhe pas pak doli Metka.

Më dërgoi babai të më japësh një kungull- i thashë.

Me kë tallesh ti mor pizevengu i Safetit- më tha Metka- dhe më dha një shuplakë të nxehtë pas qafe.

Unë u ktheva në shtëpi duke qarë por babai nuk e prishi terezinë fare dhe vetëm qeshte. Mirë ta paska bërë- më tha-, unë të dërgova ne Ahmeti që ka kunguj, nuk të dërgova ne Ahmeti që ka dajak.

Mirëpo ja që nuk kishin mbaruar kusuret e mia nga Ahmetët e Fshatit. Pas ca ditësh, me që po bënte shumë ftohtë, babai im kishte vendosur një kërcu në oborr dhe po shkurtonte e po çante dru me shumicë që t'i kishim rezervë për stufën e zjarrit. Gjatë punës iu thye bishti i sëpatës kështu që më thirri mua e më tha:  Shko ne xha Ahmeti e më merr një sëpatë.

Ne cili xha Ahmet- i thashë unë.

Ne Ahmet Evgjiti- ma cilësoi babai.

Ky Ahmet Evgjiti ishte një burrë i vjetër; edhe sot e them me plot gojën se ai ishte një njeri fisnik, me karakter e moral të lartë; të dy, sëbashku me bashkëshorten e vet, Pemben, punonin me ndershmëri në kooperativë dhe po rrisnin dy fëmijët jetimë që iu kish lënë djali i tyre i vetëm, dëshmori i Atdheut Gani Rusi. Ishte shumë i dashur e i respektuar nga bashkëfshatarët ky xha Ahmeti, prandaj në atë kohë e kishin zgjedhur  edhe Kryetar të Këshillit Popullor të Fshatit.  Me babain tim kishin shumë shkuarje pasi i lidhte dhe puna, njëri ishte Kryetar Këshilli dhe tjetri Kryetar Kooperative.

Për ndodhinë që po tregoj, unë isha në atë kohë një fëmijë 10-11 vjeçar dhe nuk e kisha akoma të kristalizuar në mendje kuptimin e fjalës "Evgjit";  unë  kujtoja se Evgjit ishte llagapi i këtij xha Ahmetit, kështu që me këtë mendje fëmijërore u nisa për të kërkuar sëpatë tek xha Ahmet Evgjiti. Vajta unë para shtëpisë së këtij xha Ahmetit por kisha frikë të afrohesha shumë pasi ai kishte një qen të madh kështu që qëndrova pak larg dhe fillova të bërtas me të madhe: O Ahmet Evgjit; o Ahmet Evgjit....

Me që nuk po pushoja së thirruri, më në fund doli xha Ahmeti në oborr dhe thirri me zë të lartë: Pritmë aty mor mistrec se ta tregoj unë  Ahmet Evgjitin ty; rrëmbeu një hu dhe u turr të më kapte. Unë ia thirra vrapit nga sytë këmbët dhe u ktheva menjëherë në shtëpi.

Ku e ke sëpatën -më tha babai.

Çfar sëpate- i thashë unë-, ai më ndoqi deri këtu për të më rrahur.

Po pse o, çfar i the ti?

Asgjë s'i thashë, vetëm sa i thirra "O Ahmet Evgjit", ashtu siç më the ti.

Po pse s'thua që na paske nderuar- tha babai-, dhe u nis vetë për ne xha Ahmeti.

2. Kusuri i Luanit

Në Fshatin tim ishin dy berberë, xha Qaniu dhe xha Reshati. Xha Reshatin neve e kishim kushëri dhe aty shkonim për tu qethur. Dhjetë lekë për një qethje merrte xha Reshati në atë kohë mirëpo ja që ai dhjetëlekëshi ishte goxha i vlefshëm e i rëndë për xhepin e fshatarit. Ne ishim 6 kokë, babai dhe ne pesë vëllezërit, që shkonim e "faleshim" çdo muaj tek xha Reshati. Herë i jepnin lekë e herë nuk i jepnim fare kur nuk kishim. Në një rast, vëllai im i tretë, Luani ishte bërë shumë paqethur dhe babai i thotë:     Sot shko të qethesh ne xha Reshati!

Mirë- i thotë Luani-, por më jep dhjetëlekshin!

Shko ti, shko - ia kthen babai- se ia kam dhënë paratë unë atij, por kur të mbarojë qethjen, ti mos harro t'i kërkosh kusurin.

Ashtu bëri Luani, shkoi me qejf ne xha Reshati dhe u qeth. Pasi mbaroi qethjen, xha Reshati e uroi Luanin duke i thënë "me shëndet" dhe po priste të merrte paratë.

Xha Reshat; -i tha Luani-, babai më tha që të më japësh kusurin.

Ia futi një pëllëmbë kokës xha Reshati dhe i tha: Hajt pirdhu tani, mu hiq qafe!

U kthye Luani i mërzitur në shtëpi dhe i ankohet babait se ai xha Reshati jo vetëm që nuk ia kishte kthyer kusurin por ia kishte përveshur me një pëllëmbë pas kokës.

E po ja; ajo pëllëmba ishte kusuri që duhet të hiqje ti mor djalë- i tha babai.

3. Xhaketa e Shabanit dhe këpucët e Zaimit

Sot ndofta nuk e kuptojnë dot të gjithë situatën e kohës tonë pasi veshmbathjet tani janë me bollëk, duke filluar që nga butikët e panumërt me roba e këpucë firmato e deri tek Tregu i paanë i Gabit.

Më kujtohet një rast aty nga mesi i viteve 50-të. Babai tonë kishte një sebep goxha të rëndë pasi një javë më parë kishte martuar nipin, djalin e motrës së vet. Në krye të javës, pra ditën e shtatë pas dasmës, siç ishte zakoni, do të vinin për gosti në shtëpinë e dhëndrit, shtatorët. Shtatorë quheshin grupi i njerëzve më të afërm të nuses që caktoheshin për të shkuar për herë të parë ne krushqia e re dhe që ishin zakonisht vëllezër,  dajllarë,  xhaxhallarë e kushërinj të nuses. Për t'i pritur e sajdisur shtatorët, edhe nga ana e dhëndrit caktoheshin gjithashtu njerëzit më të afërm por, që ta themi troç muhabetin, nga të dyja palët bëhej kujdes që njerëzit që do i përfaqësonin të ishin edhe të gojës, dmth t'ia dinin radhën muhabetit, por të ishin edhe sa më të paraqitshëm edhe në veshje.

Babait tonë, si dajua i dhëndrit, i takonte që të ishte në krye të sofrës dhe të drejtonte gjithë muhabetin e asaj gostie. Kështu që ai e vlerësoi mirë detyrën që e priste; u la, u ndërrua, u rregullua dhe u bë gati për tu nisur. Nga këpucët, pantallonat e këmisha ishte në rregull fare (kollare nuk para mbanin devollinjtë në atë kohë), por me xhaketën sikur çalonte puna pasi asaj kish filluar t'i ikte ngjyra, pra sikur qe zbardhur.

Do të na turpërosh me këtë xhaketë mor burrë- i tha aneja jonë.

Mirë e ke- i tha babai anesë-, t'ia kërkojmë xhaketën Shabanit se ai ka trupin tim; dhe pastaj mu drejtua mua: Shko tek Shabani dhe i thuaj se më duhet xhaketa e tij për sot.

Shkova unë me vrap tek Shabani, kushëriri jonë, dhe pas pesë minutash u ktheva në shtëpi duke mbajtur në dorë një xhaketë fringo të re, sepse Shabani kishte vetëm pak muaj që ishte martuar dhe e kishte xhaketën e dhëndërisë.

Kuptohet që në atë gosti neve shkuam të gjithë të shtëpisë, familjarisht, pasi gostia bëhej në shtëpinë e hallos tonë.

Në orën e caktuar mbërritën edhe shtatorët, ishin 15 veta se ashtu ishte rregulli që numri duhej të ishte tek. Po kaq njerëz, burra, ishin caktuar edhe nga ana jonë për të marrë pjesë në atë pritje.

Ne fëmijët qëndruam poshtë me gratë dhe na dhanë porosi që të rrinim urtë e të mos shqetësonim miqtë, kurse të rriturit shkuan lart në odën e pritjes së miqve, ku ishin shtruar, ngjitur me njëra tjetrën, dy sofra të mëdha të mbushura dingë me mezera e me pije alkoolike. Dajua i dhëndrit, pra babai im, ishte në krye të muhabetit për të pritur e për të sajdisur krushqit e rinj. Pasi i uroi për mirëseardhjen, sipas zakonit, ai bëri fillimisht prezantimin para miqve të personave të palës tonë, një nga një, duke përmendur emrat e tyre por edhe lidhjen familjare që kishin me dhëndrin. Pastaj ia dha fjalën dajos së nuses, i cili, edhe ai prezantoi një për një anëtarët e skuadrës së tij.

Pasi përfunduan këto ritualet protokollare, filloi muhabeti me urime e me dollira, me të ngrëna e me të pira, e më tej, si u nxeh loja, u kalua edhe në këngë e në valle.

Në një moment, njëri nga vëllezërit e mi, Luani që ishte më tersi, i cili në atë kohë ishte nja 5-6 vjeç, u shkëput nga ne, mori shkallët përpjetë, u ngjit lart, hyri në odën ku bëhej zijafeti dhe vajti e u ul në prehrin e babait. Pastaj përfitoi nga një çast qetësie që u krijua, e kapi babain për jake të xhaketës dhe i tha: "Baba; unë e di të kujt e ke këtë xhaketën ti; të Shabanit e ke".

I erdhi shumë rëndë babait por s'kishte ç'të bënte, qeshi nga sikleti dhe i thotë: "Po mor bir po; të Shabanit e kam". Pastaj iu drejtua miqve duke thënë:  E po nuk i thotë kot Populli, o shokë, ato shprehjet se "Nuk mbahet shtëpia me miell hua"  dhe se "Kali i botës të le në mes të rrugës".

Pas këtij incidenti, për çudi, të gjithë miqtë filluan të shikojnë në sy njëri-tjetrin dhe ia plasën të qeshurës. Kishin të drejtë, edhe ata, kush xhaketën, kush këpucët e kush pantallonat, borxh i kishin marrë.

Kapakun e këtij muhabeti e vuri në fund dajua i nuses. Kur dolën për të ikur, ai nuk po gjente dot këpucët që kishte veshur kur ardhi. Vërtitej nëpër korridor i shkreti dajo por nuk vendoste dot se cilat këpucë të vishte. Më në fund, me që rakia e kishte bërë çakërqejf, ia kishte hequr turpin dhe ia kishte rritur guximin, iu drejtua të gjithëve:  " O shokë; o miq; ju lutem që t'i vishni secili këpucët e veta; ato që do të mbeten do të jenë të miat; unë, të them të drejtën, nuk i njoh pasi i kam të Zaimit".

.........

Fukarenj e hallexhinj ishim të gjithë në atë kohë, por njëlloj ishim ama; këtë e dijnë mirë të gjithë më të rriturit që i kanë përjetuar situata të tilla. Kurse për më të rinjtë, unë do të desha që të mësonin se vërtet njerzit kanë qenë të varfër në pasuri, por ishin të pasur në shpirt, me dashuri, me mirësi e me çiltërsi; dinin të bënin vetëm mirë e nuk dinin të bënin keq.



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora