E premte, 11.10.2024, 08:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Kurorë soneti

E marte, 30.08.2016, 09:01 PM


HALIL HAXHOSAJ

 

KURORË SONETI

 

(Nëna jonë Tereze)

 

I.

 

Në cikol blerimi vetveten e gjete

Rrugë e gjatë në zemër të Dukagjinit

Ku gjithmonë shpresa qiellin prekte

Ngjeshur e bashkuar me velët e Drinit

 

Atë ditë keq Kalanë e goditi rrufeja

Një murtajë Azie kishte ardhur te pragu

Në vatra të shqipeve ishte fikur hareja

Veç në Dasmë të Madhe hetohej ahengu

 

Në çerdhe të urta pabesë erdh mjerimi

Etja e kallur shumë burime shtjerri

Ishte zgjatur nata vonë vinte agimi

 

Nëpër skuta të errëta fare s’shihej drita

Se logut të mejdanit kapërdihej tmerri

Është e vështirë jeta me valë e me prita

 

II.

 

Është e vështirë jeta me valë e me prita

Me rrugë të kryqëzuara me uri e skamje

Buzë vatrave të dhimbjes kur të agojë dita

Shkrumbi n’buzë fëmijësh e hatashme pamje

 

Breg lumit të jetës u rrite ti bashkë

Me fëmijët e lagjes plot ëndrra rinie

Kur e ktheve kokën kah bota e lashtë

Pave fytyra të zbehta e jetë lemerie

 

Të erdhi mu në zemër zëri i butësisë

U ktheve kah Qielli ku engjëjt jetojnë

U betove për Paqe – kundër tiranisë

 

Në fytyrë të pastër që di vetëm t’qeshte

Do djersë të ftohta filluan të të pikojnë

Nata e zezë si futa mjerimin e veshte

 

III.

 

Nata e zezë si futa mjerimin e veshte

N’pranga t’robërisë njerëzimi shtrënguar

Me hambarë të thatë çdo stinë vjeshte

Haraçin e vuajtjes duke e shpaguar

 

Në burime të Qiellit ishin disa gurra

Që derdhnin lëng të ëmbël të jetës

Blerimi kishte humbur ndër skurra

Keq i përzier me prangat e vdekjes

 

Rrezja e diellit ishte zbehur dikund

Dhe kishte humbur e s’dallohej fare

Athua nëna prapë do të përkundë

 

Fëmijë të buzëqeshur që ecin kah rrita

Me fanarë t’ndezur në këtë tokë amtare

Anëve të horizontit ku pak shihej drita

 

IV.

 

Anëve të horizontit ku pak shihej drita

N’atë amulli e skamje ku shuhej ngadalë

E në çdo pore lëkure kishte hyrë frika

Dhe fare nuk ndihej askund asnjë fjalë

 

Për të përvuajturit viktima të mjerimit

Që aq shumë kishte në çdo anë të botës

Grykësit e të përdalët t’humbur durimit

Fare s’e dëgjojnë këtë rënkim të kohë

 

Mijëra sy të shterur nëpër liqe jete

Për një copë buke vuanin n’këtë qiell

Pa jetë t’amshueshme pa atdhe e shtete

 

Miliona bebëza të madhuara nga tmerri

Mbetur skamnore t’gjymta për pak diell

Janë do re të zeza që dolën nga ferri

 

V.

 

Janë do re të zeza që dolën nga ferri

Mbështollën jetën mbështollën tokën

Nënave në gji qumështi tash u shteri

T’uritur n’parzëm shtrëngonin foshnjën

 

Për një copë bukë që aq shumë e pritnin

Me sy prore të mbushur  me plot dëshirë

Si hije të zeza në ajër duart i ngrehnin

Duke kërkuar që të gjejnë pak mëshirë

 

Sepse ditët e begatshme ishin arratisur

Me shporta të zbrazëta ishte natyra

Karvanët e dhimbjes veç ishin nisur

 

Kujtimet e shpresës i matnin me drojë

Asnjërit prej tyre s’i qeshte fytyra

Ose janë lëngime të t’uriturave gojë

 

VI.

 

Ose janë lëngime të t’uriturave gojë

T’rënda ishin lindjet n’t’vona agime

Plot skamnorë shtretërit e të pa shtrojë

Me ofshe për bukën me sëmurje e rënkime

 

E madhe është bota me këto ofshama

Që lëndojnë zemrat e urta e minore

N’vend t’lutjeve shumë ndihet gjëma

E brigjeve të jetës ecën vdekja prore

 

Janë përzier stinët është keqësuar moti

Diku nga thellësitë vijnë kuje e gjëmime

N’sytë e foshnjave mallshem rrjedh loti

 

Eh kjo sëmurje e keqe shumë filiza herri

Nëpër vatrat e varfra ku nuk ka gëzime

N’vetullë t’çdo pranvere t’vrarë nga terri

 

VII.

 

N’vetullë t’çdo pranvere t’vrarë nga terri

Je kraharor kështjellash në shumë brezëri

Që në shumë buzë nënash mallkimi shteri

E dashuria për to do të jetë në ardhmëri

 

Shumë motmote çelën me plot lule burbuqe

N’buzëqeshjen tënde shumë plagë u shëruan

Dhe nisen të agojnë disa horizonte të kuqe

Që keq e pamëshirshëm të ligën e dërmuan

 

Nënë – Hyjnitë ta falen të ëmblën butësi

Që të shkëlqen në sy që të shihet në faqe

Që del nga lutjet e Tua përplot me urtësi

 

Kështu vepra gjithmonë para të marshojë

Në të gjitha lulëzimet e Parajsës paqe

Ëndërrimet për bukën me magjet plot blojë

 

VIII.

 

Ëndërrimet për bukën me magjet plot blojë

Le t’i mbushin barqet e uritura në mote

Me ndihmën Tënde varfërinë do ta dëbojnë

Engjëjt bamirës të Hyut dhe Urata e Jote

 

Këngës kur ia nisin qetë fillon ëndërrimi

Noton fresku i jetës përmbi valë paqësore

Në sofrat plot bukë veç shtohet adhurimi

Se çerdhe e shpirtit është Drita Shenjtërore

 

Ajo dorë kur i prek si ledhatim i nënës

Në buzë u hiqet shkrumbi bulëzon freskia

Të ngrohta duken natën rrezet e Hënës

 

Mendojnë se Botës veç një shpirt i printe

Çdo gjë ka ndryshuar po mbretëron qetësia

Ti të ngrohtë një diell në zemër e rrite

 

IX.

 

Ti të ngrohtë një diell në zemër e rrite

Që ta nxehë tërë botën e bëre të madh

Sa që as skëterra këtë fare s’e priste

Dhuntinë hyjnore që u nis për të ardhë

 

Ti udhëton kudo nëpër të errëta skuta

Me fanarë t’pashuar me qirinj n’dorë

Duke lënë pas veti veç prehje të buta

Që për lule të rritës qëndisin kurorë

 

Kohët i freskojnë rrugët Tua të drejta

Që n’lumë t’Parajsës e kanë burimin

Duke u shndërruar në Ditë të Shenjta

 

Populli i shëruar tash i bën ballë stuhisë

Duke u bërë madhështor pa e humbur durimin

E marshojnë së bashku “Misionaret e Dashurisë”

 

X.

 

E marshojnë së bashku “Misionaret e Dashurisë”

Si kasnece të Paqes dhe për një Jetë të Re

T’ndritura në rreze e me fjalë të Perëndisë

Predikojnë mirësinë plot me gëzim e hare

 

Ato nga Qielli në Tokë e sjellin amshimin

Mandej më jetimët nuk janë të paprindër

Se në Uratat Tua shumë e gjejnë bekimin

Dhe shpirtin ia falën Shën Marisë Virgjër

 

Lakmi u ka Qielli i thërret n’prehër t’vet

Për tua bërë vendin në gji atje lart diku

Atje ku e amshueshmja është e qetë det

 

Emri yt Nënë pandërprerë ata i shndriste

Sikur dita e Hyut që shkëlqen nga fresku

Rendin e fluturojnë si engjëj t’një drite

 

XI.

 

Rendin e fluturojnë si engjëj t’një drite

Kryq e tërthor i bijnë Botës së plaguar

Vatrave t’shituara me skenar t’një prite

Ditë të reja në bebëza veç u kanë aguar

 

Rrezet e mëshirës i bartin dalëngadalë

Ato qetas i shtojnë i bëjnë madhështore

Sepse nga goja jote ka kuptim çdo fjalë

Shndërruar në lutje që këndohen prore

 

Vepra jote pra është ngrohtësi e motit

Që i bleron bimët mirë nëpër çdo stinë

Duke shtuar bukuri n’çdo skutë t’Globit

 

E mandej behari në çdo lë të del

Blerimin e vet gjëkund lë ta shtrijë

Emri t’është nderuar me Çmimin Nobel

 

XII.

 

Emri t’është nderuar me Çmimin Nobel

Në bebëza të agimit dielli po rrezon

Këngët e ndrydhura askush s’i shkel

Populli i mbarë botës emrin ta mësojë

 

Lumenjtë e jetës janë shndërruar n’dashuri

Si rrëke gëzimi prore duke u derdhur

Që burimin e kanë në të madhen urti

Kur dikur t’ligat grumbull ishin mbledhur

 

E ne sot krenohemi që Nënë të kemi

Emrin na rrite e ma bëre të ndritur

Si bijë të këtij trualli Ilir që jemi

 

Me të drejtën përdore – Trofe e Mirësisë

Duke ecur përpara – Nënëmadhe për të uritur

Zë madhështor i Paqes-Profete e Shenjëtërisë

 

XIII.

 

Zë madhështor i Paqes-Profete e Shenjëtërisë

I zbritur nga Qielli nga gjinj të ngrohta

Ardhur nëpër stinë si fllad i puhisë

Kur ëmbël i ngroh krejt foletë e ftohta

 

Paqja i shtriu krahët në të gjitha anët

Duke shëruar plagë duke çliruar pranga

Kështu filluan që të pushojnë gjëmat

N’lumin e jetës qetë po shtrohen dallgët

 

Në ballin tonë të vërejtur ndizet krenaria

Qysh nga Ilirët mbetur trashëgim në troje

E Ti veç fitore mbolle që të lindët mirësia

 

Mu nga zemër e skamjes Paqja veç po del

Si nektar për bletët për mjaltë nëpër hoje

E i madh është populli që këtë Gonxhe çel

 

XIV

 

E i madh është populli që këtë Gonxhe çel

Sa një botë me diell sa një qiell me yje

Prandaj më kënga në fyt s’do të na ngelë

Por do të ushtojë shumë si era ndër pyje

 

Udhëtojnë petritët lajmëtarë t’kësaj jete

Me dritën e agimit që shkëlqen si rreze

Për pa e zgjedhur asnjë shteg për vete

Që i ke hapur Ti – Nëna e jonë Tereze

 

Me Urata të Paqes dhe me rreze në duar

Një botë e çlirove kur po i mbyllej dera

Duke shëruar prore sytha që ishin plaguar

 

E në fund të pusit mallkimin e trete

Vatrave t’skamnorëve lulëzoi pranvera

Në cikol blerimi vetveten e gjete

 

MAGJISTRALI

 

Në cikol blerimi vetveten e gjete

Është e vështirë jeta me valë e me prita

Nata e zezë si futa mjerimin e veshte

Anëve të horizontit ku pak shihej drita

 

Janë do re të zeza që dalin nga ferri

Ose janë lëngime të t’uriturave gojë

N’vetullë t’çdo pranvere t’vrarë nga terri

Ëndërrimet për bukën në magjet plot blojë

 

Ti të ngrohtë një diell në zemër e rrite

E marshojnë së bashku “Misionaret e Dashurisë!

Rendin e fluturojnë si engjëj të një drite

 

Emri të është nderuar me Çmimin Nobel

Zë madhështor i Paqes-Profete e Shenjtërisë

E i madh është populli që këtë Gonxhe çel



(Vota: 20 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora