Kulturë
Qazim Shehu: Refrektare
E hene, 29.08.2016, 06:25 PM
REFREKTARE
QAZIM D. SHEHU
Kur errësira yjet në dukje vë,
Për çfarë kam humbur e pranë s`më ke,
Në një yll të kërkoj dhe vështrimin lë
Afrër tij, aq sa drita e tij ma nxë.
Dhe aq sa drita refrekton,
Në mijëra kilometra largësi,
Shoh dritën tënde që vonon,
Dhe pamjen mugulli,
Por asnjë yll nuk më shkëndijon
Edhe pse bëhet errësi…
MORNICAT E ZEMRËS
Me mashë të dëshirës shprushita
Mijëra gaca të zemrës,
Edhe kur u linda edhe kur u rrita
Dhe tani që afrohem një moshe të dhembjes.
Ato pastaj në trupin tim
Hidheshin hapësirave të tij,
Dhe kur u dogja në përvëlim,
Pa mundur të kthehesha në hi,
Edhe kur më ndezën sa mendime
Sa fjalë memece u hapën gojën,
Në tokën e tyre intime
Vijonin e vijonin lojën,
Si parathanie e lajmëruar,
Gjysmën e zemrës duke djegur
Gjysmën duke e zgjuar…
BALZAKU
Me gishta vetëtimash na prenë
Gjithnjë një këmishë fati,
Ardhë nga qielli suprem,
Gati për tek shtati.
Rrezet diellore e shkopsitën
Sa herë na fryhej gjoksi nga dëshirat,
Edhe kur përmes hovesh e grisnim
Me ëndrra e arnonim të mirën…
Po kurrë prej saj nuk pamë gjë
Edhe pse prej jetës mund të zbrisnim
Ca vite që humbnin pa zë
Ca varfëri të mërzitshme.
Shagreni vononte dhe Balzaku
E solli atë në një roman,
Vetëm për kaq, së paku
Na ngazëlloi se ekziston…
URAT E AJRIT
Dorë e mëshirës së lumit
Diku aty ku hollohej uji,
Vuri ca gurë dhekrijoi
Një va.
Kur pa si kalëronin dëshira
Dhe njerëzit
Mbërdhinin gjymtyrët për ta.
Gjithë urat e takimit në ajër
Ishin aq të gjata,
Sa valët zbrapseshin,
Në netët e vlagta.
Kur ura e vërtetëu bë,
Dhe vau mbeti nën të,
Tani në bregun tjetër
S`thërret më asnjë zë,
Urat e ajrit malli
I trillon për tjetërkë…
PORTA
I shfletova sa libra me radhë, gjersa
Erdh koha dhe pashë se fjalët ishin po ato,
Dyndur tek një portë që mbyllte hapësirën e dijes.
Disa ishin të lodhura, disa ngulmonin
Portën ta shqynin.
Të tjera prapsonin e më kërkonin
Nga mendja ime të merrnin udhëzime,
Dhe unë u nisa, të tjera shoqe
Fjalë të ngarkuara me pajime
Hollësishë dhe kurthesh të nevojshme,
Po kur shkuan atje, porta ishte hapur
Dhe dija kishte thelluar ca hone...
QEPUR ME PENJ DËSHIRASH…
Dhe mali si një kokë kali
Yjeve u hingëllin,
Diçka që nuk shihet para yjeve
Aty ,me sa duket ,mbërrin.
Hija e jetës që nuk do të zverdhet
Dhe penjtë e dëshirave që këputen nga
Tmerret…