E shtune, 27.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Kabashi: Për dy vrasje

E merkure, 29.06.2016, 08:11 PM


Për dy vrasje, për Bllacën dhe një dhunë ekonomike të pafund

Nga Gjergj Kabashi

Vitet shkojnë shpejtë, sikurse vet jeta që rrëshqet e ecën të thuash pa u hetuar! Përpara 17 vitesh i kisha mbushur 17 vite si gazetar i Gazetës Rilindja duke qenë, në fund, edhe zv/Kryeredaktor i saj. Shumë vite punë, angazhime të sinqerta profesionale dhe idealizëm profesional e atdhetar, që është pak e vështirë të shpjegohet nga kjo distancë kohore, kur tashmë «shumë ujë ka kaluar nën urë! Po të mos ishte gazetaria profesion që dëshmon, kallxon e njohton vazhdimisht, personalisht do të isha një person i pa gjurmë, pasi gjurmët ti fshinë e shlyen ai që është më «i zoti»!?

E njerëz të «zot» ne shqiptarët kemi mjaft, por zotësia e tyre nuk mund të tregohet e dëshmohet si zotësi e aftësi njerëzore, por si destruktivitet,si poshtërsi e idiotizëm, që është vështirë ti gjëndet shembull tjetër krahasues. Më e keqja prej të gjitha të këqijave për një shoqëri e popull është kur krimin e ka të futur në gazetari,aty ku gazetari i paaftë dhe formuar në kushte e rrethana panjerëzije, nuk mund të qëndroj e ruaj identitetin njerëzor dhe integritetin profesional, por bëhet pjesë e së keqës, të praptes dhe të pahijshmes. Xhelozija profesionale,paaftësia dhe mungesa e arsimimit të duhur, një pjesë të gazetarëve nga Kosova e paraluftës,-në vecanti ata që me bërryla e thonjë ngjiteshin në udhëheqje gazetash,i ka pas shndërruar në  të paprekshmit e kohës, të cilëve as me fjale e me asgjë nuk kishe se cka tu bëje. E të ngjiteshe në ato «maja» nënkuptonte se ti duheshe ta kishe njëfar «ize», pra një leje dhe shtytje nga qarqe të fuqishme politike e në vecanti të atyre që ishin me ndikim aty ku bëhej gazetaria, nga ish-«Sigurimi Shtetëror i Kosovës» së kohës së autonomisë,që në këtë a atë mënyrë, tërthorazi,kan pasur ndikim edhe përgjat periudhës së heqjes së dhunshme të autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë së Slobodan Milosevic-it.

Si  brez i gazetarëve të rinj të kohës,gjithsesi me formim më cilësor kulturor dhe arsimor, kishim probleme të mëdha jo vetëm botëkuptimore, por edhe te natyrës së mbrojtjes së të drejtave tona si njerëz e gazetarë.Asnjë të drejtë njerëzore e profesionale që na takonte nuk mundëm ta realizonim në atë kohë, përkundër përpjekjeve tona të jashtezakonshme që edhe ne ta kishim e fitonim të drejtën tonë «nën diell». «Tandemi» i përbëre prej krimineleve të gazetarisë dhe atyre qyqarëve të të ashtuquajturit «sigurim shtetëror», nuk të lenin të qetë në asnjë mënyrë ,sidomos më së keqi e kishte ai që sado pak i kuptonte dhe u kishte rënë në «fije» intrigave të tyre. Në mesin e atyre të paktëve që kishte arritur ti kuptonte, isha edhe une,kurse ata nuk i kan pasur kurrë në qef ata që i kuptojnë e »lexojnë»,pra ata që nuk mund ti gënjenin e mashtronin.

Megjithëse i kisha   kaluar të thuash njëzet vite gazetari aktive, duke lënë prapa një vepër të mirë profesionale që kriminelët nga “profesioni” nuk donin kurrqysh ta shihnin, se lere më ta vlerësonin, më pati shkue e gjithë ajo kohë,angazhim e jetë profesionale «së koti»,pa nuk arritur të bëjë asgjë për familjen time. Për mua kjo ishte një tragjedi personale dhe familjare,me të cilën nuk mund të pajtohesha! Këtu edhe kishte qenë qëllimi i tyre,të përdornin,pos tjerash,dhunë të rëndë e të padurushme ekonomike ndaj meje e keshtu,tërthorazi,edhe ndaj familjes sime. Dhunën fizike të ushtruar nga kriminelet e bashkuar «shqiptaro-serbë» të shërbimeve «sekrete», disi e pata duruar, por atë dhunë ekonomike që më pati qit në gjunjë, nuk e pata duruar kurrë dhe ajo më ka lënë një vërragë në shpirt dhe një traumë shpirtërore që vazhdon të rizgjohet sa herë e kujtoj. Sa herë që të përpiqem të kthehem pas e të mendoj për të, më duket sikur jam duke shkelur nëpër një «fushë të minuar» për shkak të lëndimit shpirtëror që më shkaktuan, duke më prekur aty ku i dhemb cdo njeriu, cdo krijese të gjallë të kësaj bote. Të jeshë gazetar i mirë, madje gazetar mjaft i dalluar i kohës së atëhershme, e të mos fitosh asgjë, kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë,sic më ndodhi mua.

Më e keqja dhe më trishtueshmja për mua ishte kur më thoshin «bënë dicka për familjen tënde», e, po ata, nuk me lejonin të bëja asgjë për të!

Njejt sikurse «shoku im më i ngushtë» që me familjen e vet  vinte të flinte në banesën tonë që e kishim me qëra, në kohën kur nuk kisha si ta ngija familjen me bukën e gojës,e krevatëve duhej tu fusja «dru» për fundi që të «mbaheshin». Mos ta kisha ndërruar gjendjen ekonomike për të mirë tash, do të më vinte shumë keq të flisja për varfërinë që ma imponuan dikur. Ai dhe familja e tij e e dashur për ne, natyrisht që kan qenë të mirëseardhur në votrën tonë  dhe i kemi pritur, nese jo ashtu sic duhet pritë ai që të vjen në derë, së paku me zemër të hapur… Të njëjtin «shok e koleg» që pastaj, me identitet të «fshehur» së bashku me një mori banditësh të zgjedhur nga dofar «sigurimesh shtetërore», prej fillimit të nëntorit 2000 e deri më 23 nëntor të atij viti më provokojnë, mundohen të më nënvlerësojnë dhe bëjnë «qesharak» për mundin dhe sakirificën time për profesion e Atdhe në atë kohë, gjithnjë përderisa «cubat» e profesionit dhe të asaj të së vetquajturës «elitë kulturore e publicistike e policore» të LDK-së, ia marrin jetën apo më mirë të thuhet e lënë në baltë duke u përpjekur që të mos e kujtojnë kurrë, por ta harrojnë një ditë e më parë  Xhemajl Mustafën, shokun  e mikun «e madh» të tyre, që në realitet tashmë e mbroj vetëm une nga harresa dhe intriga e madhe e një krimi tepër të menduar të antishqiptarëve, që në këtë a atë mënyrë i kemi në pushtet dhe si “fytyra” publike.

Më kan ardhë vërejtje të gjithanshme nga miqë e dashamirë,të cilët më kritikojnë dhe thonë “se përse nuk je më konkret, duke folë e duke i renditur emrat e mbiemrat e personave të caktuar, «kështu e kështu»… Lehtë është të flasësh përanash,duke më treguar se si do të duhej të flisja une tash,kur 14 vite të plota e kam mbajtur të fshehur e të ndrydhur në vetvete krimin e ndodhur e shkaktuar nga sherret e tyre,problem që, praktikisht, nuk ka pasur të bënte me mue fare, pasi problemin-provokimin nuk e kisha menduar e bërë une, por ata, kriminelët e bashkuar që sot po heshtin dhe që nuk do të qesin asnjë fjalë prej gojëve të tyre të ndyra dhe shpirtërave të tyre katran të zinj,pa qenë të detyruar nga një polici profesionale, që dua të besoj (qoftë edhe naivisht), se Sot duhet ta ketë Kosova.

Askush nuk më lajmërohet, askush nuk ma thotë qoftë edhe një fjalë e fjali të vetme hapur, por si deri tash, vetëm fshehtas,- sidomos duke u fshehur pas gjithfarë emrash të shpifur-nofkash, vazhdojnë të më shajnë,duke më fyer e kërcënuar me metoda të luftës speciale, që i «zotërojnë» në vecanti kriminelët e shërbimeve «sekrete»… Por une do të flas edhe më tutje, njejtë si deri tashti, do ti them të gjitha deri në fund, por me kusht që edhe të tjerët që me «identitet/e» të fshehur/a, (që në atë kohë  e qonin «bishtin» të hasdisur pas nofkës së Bujar Bukoshit), të dalin tashmë hapur pasi shumica e tyre janë «gazetarë» dhe deshtën a nuk deshtën duhen detyruar të dalin hapur dhe t’ia shpjegojnë opinionit publik në Kosovë se cka më kan thënë, pse më janë drejtuar në atë mënyrë, kush u ka qëndruar pas dhe kush mund të jenë ata që i kan mashtruar? Mendimi im është që në gjithë këtë ka pakgjë misterioze se nuk jemi popull aq i madh dhe të gjithë pak a shumë e njohim njëri-tjetrin, pra jemi pak dhe «elita» kulturore-publicistike e kohës, ka qenë e kufizuar dhe secili e ka njohtë tjetrin në vija të trasha se si «merr frymë», cilat janë pikëpamjet e tij, mënyra e të menduarit, vokabulari i tij, gabimet e tij,vetvlerësimi për vetën etj.  «Edhe ty të kap plumbi dhe atë në vendin e duhur», më pati shkruar një «trim» i fshehur pas nofkës në shkrimin paraprak, që ma kishte botuar Zemra Shqiptare. Natyrisht që ka qenë gjithmonë e ditur se të parët që lajmërohen janë ata që e kan bërë krimin,ata që janë afër dhe që u intereson që me cdo kusht e mjet ta mbajnë të fshehur dhe që ai krim të mos zbulohet kurrë.  Tjetri, kishte shkruar që «E ka sosë me e ngjallë Xhemail Mustafën!», ndërsa tjetri nga ish rubrika e kulturës së Gazetës «Rilindja» para dy vitesh, në shenjë mospërfillje për ngjarjen e trishtë të ish kolegut, duke dashur të më thoshte se skam cka të shkruaja për te, më thoshte: «Flej mirë… dhe ktheu edhe në krahun tjetër!». Haaaahaaaaa! Fjalët e tilla të atyre që i kemi konsideruar pa të drejtë mendime të njerëzve «elit», mua mund edhe të ma prishin pak qetësinë, por jo edhe gjumin, se gjumi nuk do të duhej ti zinte ata që janë kaq të ulët,aq jonjerëzor;që kan preokupime aq bestiale,sic kishin «shoqëria» e «Bujar Bukoshit», që u «pajtua» të shndërrohej në urë të baraspeshës së të fëlliqurve, e cila aq të zeza është duke i shkaktuar Kosovës sot e kësaj dite.

Më 18 mars të këtij viti pas po thuaj 17 vitesh,erdhëm në një vizitë të papritur me gruan në Kosovë ,duke zbritur në Aeroportin e Shkupit dhe pasi e kaluam kryeqytetin e vendit, e lutem taxistin që të na ndalonte në Bllacë, afër kufirit me Kosovën, pasi me 1 prill të vitit 1999 edhe ne si familje i kishim kaluar aty nja gjashtë ditë tepër të gjata të jetës sonë, pasi ushtria e policia e Serbisë na kishte ndjekur nga Kosova. Bllaca në atë kohë ka qenë një vend i madh i trishtimit njerëzor, vend ku nje popull të tërë e «hudhnin» nga trenat, duke e larguar nga Atdheu. Kujtimet e Bllacës, Stenkovecit e të kampeve të tjera, jan kujtime të trishta ku nën qiellin e hapur njerëz nga e gjithë Kosova qanin dhe rënkonin për vendin e lënë dhunshëm,për të afërmit e vrarë,të plagosur,të humbur… Dhe Bllaca,po ashtu, kujtohet si vend i përpjekjeve të njeriut për të mbijetuar e për të mos u dorëzuar në ato kushte të jetës mizore. Bllaca kujtohet e duhet të mbahet në mend përgjithmonë, për solidaritetin e jashtëzakonshëm vëllazëror të shqiptarëve të Maqedonisë, që nën dhunën e egër policore të maqedonasve, na sillnin buken e ujin… Dhe, ajo Bllaca e kujtimit tonë të idhët, as pas 17 vitesh nuk ishte një vend përkujtimi dhe nuk kishte asnjë shenje të vetme aty për të treguar për një popull të tërë, të deportuar nga Serbia e Milosevicit, në një «vend të huaj»,larg shpive,fshatrave e qyteteve të veta në Kosovë…

Në Bllacë ne u munduam të ktheheshim pas në kohë e ti shihnim «hijet» e jetës sonë,pikëllimin tonë, ngarendjet e fëmijeve tane të vegjël, fëmijeve të tjerë,të lindjeve e vdekjeve aty…

Une e dij që Bllaca nuk harron kurrë, por pse harrojmë ne,pse harron Kosova?

Në Bllacë e Stenkovec pata filluar të merrja shënime për një popull të ndjekur aty, për një jetë personale e familjare të mohuar, duke qenë pafundësisht zhgënjyer dhe i pikëlluar për atë që na kishte gjetur. Më 28 prill 1999 nga po ai aeroport i Shkupit, patëm ardhë në Norvegji,duke menduar që do të ktheheshim pas një kohe,pas nje viti,pas dy vitesh,pas tre vitesh… Por nuk u kthyem Kurrë, ashtu sic patëm menduar në ato vite nostalgjie e mërzie, duke u kthyer tash pas 17 vitesh për herë të parë nga ajo kohë nga i njejti aeroport nga ishim nisur për në Norvegji, e duke u ndalur, domosdo, në vendin e e quajtur Bllacë,në vendin e Lotëve dhe të Pikëllimit Tonë.

Pas 17 vitesh të kaluara si gazetar i Gazetës «Rilindja» dhe 17 vitesh të kaluara në mërgim, pasi ua kisha nisë përpjekjeve për së dyti që të bëja dicka për familjen, me forcën e vendosmërinë e madhe personale e familjare, arrita ta rimëkëmbja atë jetë të rrënuar qëllimisht nga krimi i bashkuar «gazetarë» e kriminelë të të ashtuquajturave «shërbime sekrete». Betejat me krimin në gazetari i kam fituar të gjitha, ndërsa tash më ka mbetur edhe ajo për ti mposhtur kriminelët që u përpoqën të më vrisnin mua e familjen time dhe që e vranë Xhemajl Mustafën.

Meqenëse vazhdoj të mbetëm «në betejë» dhe as që e kam ndërmend të tërhiqem prej saj, une kërkoj «popull» pasi jam i vetëdijshëm se gazetaria e Kosovës ende mirret me llafe ndejash dhe me gjëra që nuk është vështirë të mos shihen. Sado që ka kaluar kohë e madhe dhe jeta i ka lënë gjurmët e veta edhe tek une, vazhdoj të ndjehem i «ri» e të mos dorëzohem. Gjithmonë dua të shpresoj që Policia e Kosovës ka për ta mposhtur krimin,duke e sjellë krimin dhe kriminelin përpara përgjegjësisë e pasqyrës që ta shohi vetveten se kush është ai dhe ata që i bënë gjithë këto të zeza ndaj popullit dhe vendit të vet, ndaj njerëzve të vet të pafajshëm. Policia e Kosovës tashmë e ka kuptuar që une jam duke LAJMERUAR vazhdimisht për një krim të madh e të turpshëm dhe që une,në këtë mënyrë publike, në vend se ti lajmëroj «policitë e botës», po e lajmëroj atë. Ne dhe vetëm ne mund dhe duhet ti zgjidhim punët tona, se nuk ka polici në botë,as gazetari, e kështu me rradhë, që mund të mendoj për neve, nese ne nuk mendojmë për vetën tonë, për vendin tonë, për Kosovën tonë.

As Xhemajl Mustafa me familjen e vet, e as unem e familjen time, nuk e kemi merituar një poshtërim të këtillë, andaj une jam ai që po kallxoj se në këtë a atë mënyrë kemi qenë të tradhëtuar dhe që të tjerët me heshtjen e vdekshme për ne, i ndërtuan dhe vazhdojnë ti ndërtojnë karrierat e veta të mjera. Mos qofsha në lëkurën e tyre! Une po kallxoj se ka gjithfare vrasjesh, sic ishin vrasjet që na i bënë,në vecanti vrasja fizike e Xhemajlit, por le të dihet që vrasja më e rëndë është vrasja morale e atyre që, duke na vrarë ne, e vranë vetën dhe Kosovën.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora