E diele, 28.04.2024, 12:33 AM (GMT+1)

Mendime

Driton Gashi: Martesat mes detyrimit dhe aranzhimit

E enjte, 23.06.2016, 08:41 PM


Martesat mes detyrimit dhe aranzhimit

Nga Driton Gashi

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës joqeveritare Terre de Femmes, 60 % të martesave në botë nuk janë lidhur nga dashuria. Kjo do të thotë se këta persona nuk janë takuar rastësisht dhe kanë rënë në dashuri me njëri-tjetrin, por për fatin e tyre kanë vendosur prindërit, familjarët e tjerë, farefisi, fqinjët etj. Këto martesa në radhë të parë kanë për qëllim sigurimin ekonomik të nuses dhe dhëndërrit, por edhe të familjeve të cilat miqasohen.

Kjo formë e aranzhimit të martesave ekziston edhe sot në shoqëri tradicionale, ku familja luan rolin kryesor në sigurimin e ekzistencës, mbrojtjen e individit dhe të afërsisë emocionale. Në këto shoqëri  shteti ofron pak ose nuk ofron fare ndihmë sociale dhe mbrojtje.

Në mediat gjermane viteve të fundit është tematizuar martesa e detyruar si formë ekstreme e martesës së aranzhuar. Këtu bëhet fjalë për emigrante të reja nga shtetet islame, të cilat përkundër vullnetit të tyre detyrohen të martohen me një bashkatdhetar, në të shumtën e rasteve nga vendlindja. Për emigrantët e rinj vlen e njëjta gjë, të cilët poashtu martohen me një vajzë nga vendlindja, ose nga vendlindja e prindërve. Këto vajza, të cilat vijnë pastaj në Gjermani ose në shtete tjera të Evropës Perëndimore, nga kritikët quhen « nuse të importuara ».

Martesat e detyruara ose të dhunshme arsyetohen nga personat që e preferojnë këtë  mënyrë martese me traditat shumëvjeçare, me dëshirën për t’u martuar me një bashkëkombas, me frikën nga asimilimi dhe humbja e identitetit etj.

Për kritikët e shumtë martesat e dhunshme shkelin të drejtat elementare të njeriut, ku personit i prehet e drejta për vetëvendosje.

Sa i përket meshkujve të martuar me dhunë, nuk ka të dhëna, pasi që në shoqëri patriarkale meshkujve nuk u « ka hije të paraqiten si viktima ». Pra, edhe nëse një mashkull detyrohet të martohet me një femër që nuk e do dhe nuk e ka parë kurrë përpara, ai nuk do t’a pranojë se ai ka qenë kundër kësaj lidhjeje martesore dhe do të pajtohet me fatin.

Shoqata joqeveritare Terre de Femmes, e cila mirret me mbrojtjen e të drejtave të femrave, supozon se  çdo vit në Gjermani  rreth 30.000 emigrante detyrohen të martohen me një person që nuk e njohin dhe të cilin e kanë zgjedhur të tjerët. Kjo organitatë është duke bërë përpjekje që këtë fenomen t’a bëjë më publik dhe që shoqëria të sensibilizohet për këtë. Kjo temë deri tash ka qenë tabu, edhe në një vend modern si është Gjermania, ku gati çdo fenomen negativ publikohet. Terre de Femmes sqaron këtë « heshtje » të deritanishme me faktin se vendasit nuk janë interesuar aq shumë për mërgimtarët dhe jetën e tyre private. Një fenomen të tillë ata e kanë vlerësuar si traditë kulturore, të cilën të ardhurit duan t’a kultivojnë edhe këtu.

Por, pas publikimit të shumë librave autobiografike, pas filmit « Gegen die Wand » të regjisorit me prejardhje turke Fatih Akin dhe pas disa vrasjeve spektakulare të disa femrave, të cilat kanë protestuar dhe nuk u janë nënshtruar detyrimit të familjes, fenomeni i martesave të aranzhuara dhe me detyrim është bërë temë gati kryesore, kur bie fjala për integrimin e të huajve në Gjermani.

Necla Kelek, sociologe me prejardhje turke, e cila prej vitesh mirret me temën e migrimit dhe  të integrimit të të huajve në Gjermani, para disa muajve ka publikuar studimin e saj të tretë me titullin : « Bijtë e humbur ».

Në këtë libër autorja mbron tezën se jo vetëm femrat muslimane janë viktima të traditave primitive dhe jonjerëzore, por edhe burrat. Ata duhet gjithnjë të luajnë rolin e burrit që i ka të gjitha nën kontroll, të kujdeset për familjen e vet, të ruan nderin e familjes, të respekton prindërit pa asnjë koment, pra deri në nënshtrim etj.

Ky libër, si edhe të parët, prapë kanë shkaktuar debate të ashpra në opinionin gjerman, sidomos në rrethe ekspertësh. Për sqarim :

Studiuesit e migracionit në Gjermani ndahen në dy grupe:

1.         Grupi i tolerancës së paskajshme

Ky grup përbëhet nga studiues, në mesin e tyre edhe mërgimtarë ose fëmijë mërgimtarësh, si profesoresha e pedagogjisë interkulturore në Universitetin në Essen  Yasemin Karakasoglu, punëtorë socialë, pedagogë, aktivistë për paqe, aktivistë për ruajtjen e të drejtave të njeriut etj.

Këta njëzëri janë të mendimit se mërgimtarët kanë të drejtën natyrore t’i kultivojnë traditat e tyre, qofshin ato edhe jokonforme me shoqërinë e shumicës.

Se mërgimtarët posedojnë potenciale dhe të mira që i kanë sjellë nga vendlindja, këtë fakt nuk mund t’a mohojë askush. Por nëse është fjala për martesat e dhunshme, për vrasjet me motiv nderi, atëherë nga ky grup nuk dëgjohet asgjë.

2.         Grupi i kritikëve

Në këtë grup hyjnë autore dhe intelektuale mërgimtare,  të cilat vetë e kanë përjetuar çka do të thotë të martojnë me dhunë me një person që nuk e njeh. Pra, autorja e lartpërmendur, Necka Kelek, vetë ka qenë viktimë e traditave primitive të familjes dhe rrethit të saj. Edhe avokatja me prejardhje turke Seyran Ates e ka të njëjtën biografi. Ajo tash mbron juridikisht gratë, të cilat kanë mundur të lirohen nga martesat e dhunshme.

Feministja e njohur gjermane Alice Schwarzer i takon poashtu këtij grupi. Në revistën e saj “EMMA” ajo rregullisht portreton gra dhe vajza, të cilave u mohohet e drejta elementare njerëzore  për t’a zgjedhur vetë partnerin e tyre jetësor, por edhe për të vendosur vetë se si do të jetojnë.

Këto dy grupe janë në grindje permanente, sidomos pas një publikimi si të autores Necla Kelek, e cila ka arritur të ngjitet në toplistat për shitjen më të mirë të librave në Gjermani.

Necla Kelek dhe ithtarët e saj akuzohen nga “Grupi i tolerancës së paskajshme” (kështu i quaj unë) për nxitje të paragjykimeve ndaj të huajve dhe për shkrime senzacionale dhe bulevardeske.

Kush e ka lexuar këtë libër, ka vërejtur se Kelek ka bërë një punë të shkëlqyer, qoftë shkencore (argumentative), por edhe gazetareske. Ajo ka marrë informata nga studiuesit më me nam nga e gjithë bota, por edhe vetë ka bërë përkjekje që t’i mbron tezat e saj, duke bërë intervista me persona që i kanë përjetuar vetë martesat e dhunshme, diskrimimin nga familja, dhunën, arrestin shtëpiak etj.

Pra, kush dëshiron të mirret seriozisht dhe pa i mbyllur sytë me këtë temë, për të cilën shumë mendojnë se nuk ekziston më, i rekomandoj librat e autoreve të lartpërmendura.

Sa është relevante kjo temë për mërgimtarët shqiptarë?

Jam i vetëdijshëm që me këtë shkrim do të thej një tabu. Po filloj me gjërat pozitive:

Martesat e dhunshme te shqiptarët pothuajse janë zhdukur, edhe ato, ku bashkëshortët janë takuar për herë të parë në natën e martesës. Ky fenomen është tematizuar në disa romane shqiptare, si në “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit, ku personazhi kryesor Dija martohet me dhunë me një burrë, i cili mund të ishte gjyshi i saj. Edhe në romanin “Pse” të Strejo Spasses personazhi kryesor detyrohet të martohet kundër vullnetit të tij dhe si pasojë ai bën vetëvrasje. Ne të gjithë kemi qarë kur i kemi lexuar këto romane, por asnjëri prej nesh nuk është distancuar kategorikisht nga këto “tradita”, të cilat deri vonë e kanë përcjellur realitetin tonë.

Por, martesat e aranzhuara, pra ato ku të tjerët zgjedhin dhe prezentojnë kandidatë për t’u martuar, ende janë realitet, sidomos te ne mërgimtarët. Në këtë kontekst dua të përmend një libër autobiografik të një shqiptarjeje nga Kosova. Libri quhet “Mein Schmerz trägt deinen Namen“ (Dhimbja ime ka emrin tënd) dhe është shkruar nga Hanife Gashi, në bashkëpunim me shoqatën Terre de Femmes. Ky libër ka bërë jehonë në mediat gjermane, por në asnjë medium shqiptar nuk është përmendur, (së paku mua nuk më ka rënë në sy).

Autorja përshkruan se si ajo në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare martohet kundër vullnetit të saj, rrihet dhe poshtërohet nga i shoqi dhe nga familja e tij. Pason pastaj emigrimi në Gjermani, ku ajo shpreson se do të përmirësohet gjendja e saj, nëse ajo dhe i shoqi ikin nga kontrolla e familjes së madhe patriarkale. Por edhe në mërgim vazhdon dhuna nga i shoqi, më vonë edhe kundër vajzës së saj të parë, e cila rritet dhe dëshiron të jetojë jetën e saj si bashkëmoshataret e saja gjermane. Kjo i pengon shumë të atit, deri në atë masë, që pas shumë rrahjeve dhe maltretimeve, edhe kur e merr vesh se vajza ka një lidhje me një djalë, ai e vret vajzën e vet dhe e hedh në një liqen. Këtë akt ai e arsyeton me “ruajtjen e nderit të familjes”.

Pra, siç shihet, ende ekzistojnë persona, të cilëve “nderi” i familjes u duket më me rëndësi se jeta e fëmijëve të tyre.

Ky libër është shumë emocional dhe në disa kapituj shumë vështirë për t’u përmbajtur.

Autorja Hanife Gashi, nëna e vajzës së vrarë nga babai i vet, ka thyer heshtjen dhe ka treguar për atë çka i ka ndodhur asaj dhe vajzës së saj. Ajo me këtë autobiografi dëshiron t’u jep guxim femrave tjera, të cilat gjenden në një situatë të tillë, që të mos durojnë dhunën, të ngrehin zërin kundër padrejtësive dhe të jenë të. vetëdijshme për të drejtat e tyre.

Në shumë vende në libër Gashi potencon se ky fenomen nuk është gjithëpërfshirës në Kosovë dhe se ajo me këtë libër nuk ka për qëllim të diskreditojë shqiptarët e Kosovës dhe t’i paraqet ata si primitivë. Kjo gjë për autoren është shumë e rëndësishme, kur dihet se shqiptarët e Kosovës nuk posedojnë imazhin më të mirë në Evropën Perëndimore.

Me gjithë këtyre rasteve të hidhura, na mbetet të shpresojmë se këto në të vërtetë do të mbeten raste, e jo gjithëpërfshirëse. Ndoshta ky libër kontribon në atë anë që t’i kushtojmë pak çaste traditave tona, t’i reflektojmë ato në mënyrë më racionale, besa të distancohemi nga to nëse ato janë të natyrës së ashpër dhe jonjerëzore.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora