Mendime
Skënder Kapiti: Jo sharje ndaj futbollistëve
E shtune, 18.06.2016, 06:55 PM
Jo
fyerje e sharje ndaj futbollistëve të talentuar shqiptarë
Nga Skënder S. KAPITI
Po bëj ca pyetje pasi po dëgjohen fyerje dhe akuza të ndryshme për sportistët shqiptarë që luajnë me përfaqësueset e futbollit të vëndeve të tjera si p.sh kundër atyre që luajnë me përfaqësuesen zvicerane pasi shorti i vendosi në përballje me njëra-tjetrën dy përfaqësueset, atë shqiptare dhe atë zvicerane në këtë kampionat europian. 1- A është tradhëti dhe a e meriton te fyhet ndokush pse ai luan sport për përfaqësuesen e një shteti në të cilin lind, rritet, ushqehet dhe përsoset si talent dhe profesionist apo është e kundërta: ndershmëri, personalitet dhe dinjitet, ashtu sikurse është krenari dhe dinjitet për çdo shqiptar që është edhe artist, këngëtar, humanist, shkrimtar dhe shkencëtar i madh në vënde të ndryshme të botës si dhe profesor i madh që jep njohuri dhe mësim nëpër akademitë dhe universitetet e botës dhe që respektohen atje.? Pse kjo hipokrizi patriotike fyerjesh per futbollistët shqiptarë kosovarë kryesisht, dhe a do ta shprehte këtë mllef negativ kjo pjesë e opinionit sikur të kishim deputetë, politikanë, kongresmenë, senatorë apo kryebashkiakë , jo vetëm në vëndet e Europës dhe të Amerikës po edhe gjetkë, individ me origjinë shqiptare, gjë e cila do të ishte vetëm e mirë dhe shumë pozitive, dhe pse nuk qënka pra kështu edhe me sportin e futbollit dhe me futbollistët ? 2- A është respekt dhe mirënjohje ta duash, t’i sherbesh dhe ta respektosh vendin dhe shtetin i cili të siguron jetën, lirinë, punën, profesionin (pasi edhe sporti është profesion), mirëqënien e sigurinë siç janë Zvicra, SHBA , Italia, Gjermania etj, qe jane dhe vende dashamirese per popullin tone? Ata të cilët nuk janë mirënjohës nuk mund të jenë kurrë patriotë.
3-A ëshë tradhëti apo virtyt e krenari për njeriun që t’i jetë mirënjohës vëndit apo shtetit i cili i mundëson ta realizojë vetveten dhe personalitetin e tij, në vëndet e prosperuara demokratike euro-perendimore dhe kur respektohen dhe vlerësohen prej atij vëndi kombesia, identiteti, kapaciteti, dhuntia, arritja dhe talenti i individit?
4- Këto talente po të mos jetojnë e punojnë në këto shtete a do t’i kishin realizuar këto në Shqipëri dhe në Kosovë, ku shumë shqiptarëve këtu j’u shkatërrohen ëndërrat dhe kurrë talentet e tyre nuk shpërthejnë e nuk realizohen as në Shqipëri dhe as në Kosovë, por vdesin ato, dhe madje nuk garantohet as siguria e jetës dhe ajo ekonomike? 5- Shkëlqimi, kontributi dhe roli i këtyre talenteve shqiptare në vëndet demokratike perendimore mike të Shqipërisë a nuk ndikojnë në rritjen e respektit dhe të imazhit të mirë për të gjithë shqiptarët, pra prej këtyre shëmbullmirëve të talentuar vetëm sa rritet krenaria jonë, apo jo?
Në raport me këto tani po ju pyes dhe për këtë: 1-A tregojnë Shqipëria dhe Kosova ndonjë përkujdesje për diasporën shqiptare dhe a ju kanë krijuar atyre kushte e mundësi për t’u riatdhesuar dhe për të kontribuar dhe investuar në Shqipëri dhe në Kosovë, p.sh. a e ka respektuar dhe vlerësuar sa dhe si duhet politika e Kosovës kontributin e jashtzakonshëm të diasporës shqiptare për lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës, dhe më herët për mbijetesën e substancës shqiptare në Kosovë, si dhe familiarët e heronjve dhe kontribuesit e mirëfilltë të luftës çlirimtare? 2-A tregon politika dhe pushteti pse jo edhe shoqëria shqiptare respektin dhe interesimin serioz dhe të duhur për të ftuar jo vetëm sportistët por edhe akademikët, shkencëtarët, intelektualët, artistët dhe profesionalistët e biznesmenët nga diaspora për të kontribuar për Shqipërinë? Jo vetëm kjo nuk është bërë por përkundrazi edhe ata të tillët që janë e jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë janë të dëbuar, të përjashtuar, të diskriminuar dhe që pengohen nga egoizmi, smira, injoranca, antipatriotizmi, antitalenti, kundërintelektualizmi dhe nga korrupsioni sidomos i politikes, e cila kushtezon dhe u mundeson te merituarve qe të mos u lejohet të arrijnë atje ku e meritojnë talenti, merita, përkushtimi dhe dhuntia e tyre. Kjo sjellje dhe veprimtari e politikes mund te quhet tradhti, apo jo.
Bota e civilizuar investon për shkencën, akademinë, për të mirën, pra për dhuntinë, edukimin dhe sportin ndërsa në Shqipëri ju kërkohen lekë, dollarë dhe euro, pra ryshfet për të lujtur p.sh. futboll me përfaqësuesen e Shqipërisë, madje edhe për të ardhë e për të investuar diaspora paratë e tyre në Shqipëri, ashtu sikurse edhe shiten e blihen drejtesia, titujt e diplomat por edhe votat, postet, vëndet e punës dhe detyrat publike e shtetërore.
Pse të mos jemi krenar edhe për futbollistët p.sh.edhe si Shaqiri, Behrami, Xhaka, Jonuzaj etj. që luajnë e respektohen nga Zvicra e vënde të tjera me futboll të madh të cilët u mundësojnë atyre vëndin në përfaqësuesen e tyre; pse mos të ndjehemi krenar me Shkodran Mustafin që luan me kampionen e Botës Gjemaninë ashtu sikurse ndjehemi kranar p.sh. me Nënë Terezen, Nobelisten e madhe të bamirësisë që shërbeu në Kalkuta ashtu si dhe me Nobelistin tjetër të madh, shkencëtarin shqiptaro-amerikan, Ferid Murati; siç ndjehemi krenar me Artistin e madh Aleksandër Moisiu që luajti në skenat botërore; siç ndjehemi krenar edhe me ishfutbollistin Fadil Vokrri, boksierët Aziz Salihu, Luan Krasniqi, Nuri Seferi etj., ndaj të cilëve jo vetëm politika dhe një pjesë e opinionit në Shqipëri, por edhe mediat në Shqipëri i eklipsojnë por edhe duke ekspozuar edhe fyerjet për disa prej tyre, duke treguar edhe një neglizhencë urrejtjeje dhe xhelozie, neglizhencë dhe indiferentizëm djallëzor që e duk edhe me prezantimin, paraqitjen dhe informimin aspak dinjitoz dhe jointeresant për publikun që bënë këto media edhe me rastin e antarësimit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA. Ne krenohemi edhe me ish-perandorë të Romës dhe të Bizantit me origjinë iliro-shqiptare pavarësisht se u shërbyen atyre. Ne krenohemi me Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti edhe për faktin se ai nderohet dhe respektohet nga Perëndimi pasi ai e mbrojti atë prej okupimit të ushtisë otomane.
Por të vijmë pësëri te futbolli për të cilin po flasim kryesisht sot. A nuk janë përfaqësueset e futbollit të Gjermanisë, Francës, Holandës, Belgjikës etj. si përfaqësuese multietnike dhe askush prej vëndeve të tyre prej nga ata vijnë : nga Europa Lindore, Afrika apo Amerika Latine nuk i shan, ofendon dhe nuk i etiketon si tradhëtarë. Edhe në kampionatin shqiptar luajë futbollistë nga Europa (madje edhe serbë), nga Afrika dhe Amerika e Jugut dhe nesër nuk është çudi se ndonjë i huaj edhe mund të luajë me përfaqësuesen shqiptare, dhe mos atë do ta paragjykojnë bashkëkombasit e vet si tradhëtar dhe do ta shanin e fyenin. Shikoni sa shumë janë inatosur dhe xhelozojnë serbët kundër shqiptarëve jo vetëm se ata nuk marrin pjesë në Kampionatin Europian të Francës, por edhe pse nuk ka asnjë futbollist serb që të luajë në përfaqësueset e shteteve të tjera pjesmarrëse në të.
Jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë po se po, por kudo ku ka shqiptarë nëpër botë: arritjet, veprat e mira dhe rezultatet e larta të tyre në çdo aspekt qoftë, pra edhe në atë sportiv si në futboll si sporti më paqësor, më i ndjekur dhe më prestigjoz global, ato kontribuojnë në afrimitetin mes popujve, në rritjen e njohjeve dhe të respektit reciprok mes tyre dhe sidomos në rritjen e respektit, imazhit dhe të krenarisë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Por, krenaria më e madhe dhe më të mirat mbi të gjitha janë përfaqësueset kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilave zëmra e çdo shqiptari kudo në botë ju uron dhe u dëshiron atyre përfaqësim dinjitoz dhe fitore në garat europiane dhe botërore të futbollit si dhe ekipeve dhe sportistëve të të gjitha llojeve te sporteve e tjera.