Mendime
Adil Fetahu: Rezulutë për gjenocidin mbi shqiptarët
E enjte, 16.06.2016, 08:00 PM
KUVENDET TË MIRATOJNË REZOLUTË PËR GJENOCIDIN MBI SHQIPTARËT
Shkruan: Adil FETAHU
Nocioni për gjenocidin
Gjenocidi është term që nënkupton vrasjen e qenjeve njerëzore të një grupi (të caktuar) etnik, racor apo fetar, si mohim i të drejtës së tij për të jetuar, qoftë në një hapësirë të caktuar, qoftë në përgjithsëi. Në këtë kuptim na qon etimologjia e vet fjalës së përbërë gjenocid: (gr. “genos” = popull; dhe lat.”occidere” = të vritet). Këtë kuptim të gjenocidit e ka caktuar Rezoluta Nr.96, e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në séancën e parë të mbajtur më 11 dhjetor 1946. Do të thotë, qysh prej fillimit të punës së vet, OKB e ka cilësuar gjenocidin si krim, sipas të drejtës ndërkombëtare, të cilin bota e civilizuar e gjykon, pavarësisht motivet e tij: a është kryer për shkaqe fetare, racore, politike apo nga shkaqe tjera. Dy vjet më vonë, në séancën III të AP të KB (më 9 dhjetor 1948), është miratuar Konventa për ndalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit (shih: Rezoluta Nr.260). Me atë rezolutë është formuluar definicioni i ri, më i gjërë, i gjenocidit. Sipas atij definicioni (neni 2), gjenocidi paraqet veprim “që ka për qëllim: (1) zhdukjen e tërësishtme ose të pjesëshme të ndonjë grupi kombëtar, etnik apo religjioz, si vrasja e anëtarëve të grupit; (2) lëndimi i rëndë i integritetit fizik apo shpirtëror i anëtarëve të grupit; (3) imponimi i qëllimshëm i kushteve jetësore me synim të zhdukjes fizike të plotë ose të pjesëshme; (4) masat me qëllim të parandalimit të lindjeve në kuadër të grupit; dhe (5) zhvendosjen e dhunshme të fëmijëve prej një grupi në tjetrin”. Secili veprim (kriminal) i përmendur veç e veç, sipas Konventës, është kualifikuar dhe paraqet gjenocid në vete Në rastin e popullit shqiptar, janë zbatuar të katër llojet e para të përmedura të gjenocidit nga të gjitha regjimet klero-fashiste serbe, greke e malazeze.
Në ligjet (kodet) penale të shteteve të ndryshme, krimi i gjenocidit është sankcionua në kuptimin e formulimit të Konventës së cituar më sipër. Kështu, në Ligjin Penal të RSFJ (1 korrik 1977), në kapitullin/kreun XVI - Veprat penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, në nenin 141, është sanksionuar gjenocidi me këtë formulim: “ Kush me qëllim për të zhdukur tërësisht ose pjesërisht ndonjë grup nacional, etnik, racial ose fetar urdhëron që të bëhen vrasje apo plagosje të rënda ose prishje (dëmtim,a.f.) të rëndë të shëndetit fizik ose shpirtëror të opjesëtarëve të grupit, ose bënë çpërnguljen me forcë të popullsisë, ose e vën grupin në kushte të atilla jetese që sjellin shfarosjen e plotë ose të pjesshme të grupit, ose zbaton masa me të cilat ndalon lindjet midis pjesëtarëve të grupit, apo bënë çpërnguljen me forë të fëmijëve në një grup tjetër, ose kush për të njëjtin qëllim kryen ndonjë nga veprat penale të lartëpërmendura,- do të dënohet të paktën me pesë vjet burg ose me dënimin me vdekje”. Kjo dispozitë e Ligjit Penal të RSFJ ka vlejtë për tërë territorin e ish-Jugosllavisë, prandaj ligjet penale të republikave e krahinave as nuk kanë pasur nevojë as mundësi ta përcaktojnë ndryshe, as që e kanë përmendur gjenocidin si figurë kriminale në ligjet e tyre penale.
Serbia, Greqia dhe Mali Zi bënë gjenocid mbi Shqiptarët
Secili veprim (kriminal) veç e veç, i përmendur në Konventë, paraqet gjenocid në vete. Ndaj popullit shqiptar në Ballkan, regjimet klerofashiste të shtetit serb, grek dhe malazez, kanë kryer të gjitha llojet e përmendura të gjenocidit, me përjashtim të transferimit dhe bartjes me forcë të fëmijëve nga një grup në tjetrin, por fëmijët i kanë vrarë, djegë ose dëbuar prej vendit të tyre bashkë me prindërit. Shteti i Serbisë ka kryer katër valë të mëdha të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Vala e parë ka qenë vrasja, terrori, shpërngulja me dhunë dhe gabitja e pronave të luejtshme e të paluejtshme të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, në kohën e luftërave turko-ruse (1876/77). Në atë valë, u vranë, maskruan, terrorizuan dhe dëbuan me dhunë nga trojet e tyre të gjithë shqiptarët, nga qindra fshatra e qyteza të atij Sanxhaku. Edhe sot e kësaj dite, pasardhësit e të dëbuarve të asaj ane (muhaxherët) mbajnë qindra mbiemra nga fshtrat prej të cilave ishin dëbuar paraardhësit e tyre. Vala e dytë e gjenocidit mbi shqiptarët u zbatua në kohën e Luftërave Ballkanike (1913/14) dhe në Luftën e Parë Botërore. Vala e tretë e gjenocidit ndaj shqiptarëve në Jugosllavi u zbatua gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), ndërsa vala e katërt u zbatua gjatë luftës së fundit (1998/99). Gjenocid në forma të ndryshme të krimeve, të kualifikuara si gjenocid, ndaj shqiptarëve u bë jo vetëm gjatë luftërave të përmendura, por edhe në kohë paqeje. Të gjitha ato u bënë me qëllim të zhdukjes së shqiptarëve, nëse jo krejtësisht nga faqja e dheut, bile në territorin e caktuar të bëhej pastrimi etnik, duke dëbuar shqiptarët e duke kolonizuar me elementin sllav, serbë e malazezë.
Në anën tjetër, në trojet jugore të shqiptarëve, shteti grek bëri gjenocid mbi shqiptarët autoktonë, duke vrarë, masakruar e dëbuar prej vendit të tyre, pjesës ma të bukur të Shqipërisë Natyrale, Çamërisë, të gjithë shqiptarët e besimit mysliman, e duke asimiluar me dhunë shqiptarët e besimit të krishterë. Edhe Greqia, bëri disa valë të gjenocidit, duke filluar menjëherë pas okupimit të Çamërisë (1913), për të vazhduar me valën e këmbimit të shqiptarëve myslimanë me grekë të Turqisë (1922-1926), të cilët i vendosi në pronat e shqiptarëve të dëbuar. Pastaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, bëri masakra të papara, derisa i detyroi të gjithë shqiptarët myslimanë të shpërngulen nga vatrat e tyre e të bëhen refugjatë në Shqipëri, ndërsa shqiptarët e besimit ortodoks i asimiloi në grekë.
Natyrisht, për të gjitha këto masakra e këtë gjenocid, një pjesë të fajit e kanë fuqitë e mëdha, të cilat në konferenca të ndryshme, bënë pazare, si në pazar të kuajve, duke i copëtuan tokat shqiptare, ua dhanë fqinjëve grabitçarë të pangopur, dhe sot shqiptarët i vuajnë pasojat e atyre pazareve, të shpërndarë në gjashtë shtete të Ballkanit. Ata që mbetën jasht shtetit të Shqipërisë e të Kosovës janë të diskriminuar akoma deri në shkallë gjenocidi.
Të miratohet një rezolutë për gjenocidin mbi popullin shqiptar
Janë këto plagë që i kanë shkaktuar dhembje e pasoja të parikuperueshme kombit shqiptar. Dhe nëse harrohet historia, ajo përsëritet. Gjenerata e re mund t’i mbajë mend masakrat dhe gjenocidin e kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998/99), por ata duhet të dinë edhe masakrat dhe gjenocidin e kryer më përpara. Për të mos e harruar, Kuvendet e të dy shteteve shqiptare në Ballkan: Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të miratojnë deklaratë apo rezolutë të përbashkët, me të cilën do të shpallnin botërisht gjenocidin që është kryer mbi këtë popull nga shtetet fqinje: Serbi, Greqi, Mali Zi, nga të gjitha regjimet e këtyre shteteve. Gjenocidi racist etno-fetar është kryer me paramendim, është bërë në bazë të planeve e programeve të shumta të institucioneve shtetërore, shkencore e kulturore, në koordinim me kishën ortodokse serbe dhe greke, përkrahur nga ajo ruse, që nga “Naçertania” (serbe) dhe “Megaliidea” (greke) 1844, deri te Plani “Patkoi”, sipas të cilit, Serbia mendoi se nuk do të mbetet më asnjë shqiptar në Kosovë për t”ia turbulluar ujin, si në përrallën e La Fontenit: “Ujku e qengji”!
Ekzistojnë argumente të pamohueshme që dëshmojnë gjenocidin mbi shqiptarët. Ato janë në arkivat shtetërore, diplomatike, ushtarake të shteteve të ndryshme, në shtypin e kohës, në librat e autorëve të ndryshëm, kryesisht të huaj, po edhe prej burimeve serbe. Për gjenocidin e kryer në periudhën 1878 deri më 1914, mjaftojnë dëshmitë e pamohueshme që përmbanë libri: “Casopis za kritiko znanosti” (Revista për Kritikë Shkencore), Lubljanë 1989, ndërsa për periudhën e Luftërave Ballkanike ka dëshmi të mjaftueshme libri i Dimitrije Tucoviqit: “Srbija i Arbanija” (Serbia dhe Shqipëria), Beograd-Zagreb,1946; Duravka Stojanoviq: “Genocid nad Albancima 1844-1912 (Gjenocidi mbi Shqiptaret 1844-1912); e veçmas libri i deputetit austriak me prejardhje hebreje, Leo Freundlich “Albania’s Golgotha” (Golgota e Shqipnisë), Vjenë 1913, e përkhtyer prej gjermanishtes në anglisht dhe prej anglishtes në shqip. Janë librat e Nusret Pllanës përplot argument me shifra, fakte e fotografi, qe të tmerrojne. Po ka me mijëra argument edhe nga burime tjera, të cilat tregojnë gjenocidin mbi shqiptarët. Rezoluta duhet të mbetet një dokument që dëshmon se nuk i harrojmë gjithë ato viktima të gjenocidit serbe, malazeze e greke, jo për t’u hakmarrë, por për t’i treguar botës e për t’i mbajtur mend, po edhe si një dokument që duhet të bashkojë të djeshmën me të sotmën dhe të ardhmën e kombit tonë.
Kohë më parë, Bundestagu gjerman miratoi një rezolutë për gjenocidin e Perandorisë Osmane mbi popullin armen (në vitet 1915-1917). Rezolutë të tillë kanë miratuar edhe disa shtete tjera. Për luftën e fundit në ish-Jugosllavi, një rezolutë për gjenocid është miratuar vetëm për gjenocidin serb të kryer në Srebrenicë, ku forcat serbe vranë mbi 8000 boshnjakë civilë, në korrik të vitit 1995. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, më 28 tetor 1999, pat deklaruar se po shqyrton mundësinë e ngritjes së aktakuzëz kundër kyretarit të RSFJ (Sllobodan Millosheviqit) – për gjenocid, mirëpo duket se politika hileqare ndërkombëtare ndikoi që ai të mos akuzohet për gjenocid, por vetëm krime të rënda të luftës dhe krime kundër njerëzimit, të kryera në Kosovë, dhe as për ato Gjykata “nuk arriti” ta gjykojë, pasi e zuri vdekja e “parakohëshme”. Presidenti amerikan, Bill Klinton, në një Konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, më 25 qershor 1999, deklaroi: “NATO i pengo përpjekjet sistematike të pastrimit etnik dhe gjenocidit”.
Këto duhet të jenë një mësim që hapin rrugë edhe për miratimin e një rezolute për gjenocidin mbi popullin shqiptar. Natyrisht, nuk janë njësoj dhembja dhe pasojat e shifrave 100 a 1000 viktima, sikur shifrat 13000, apo 25000 viktima, por shifrat janë çështje e statistikës. Për t’u kaualifikuar një krim si gjenocid, është me rëndësi ekzistimi i qëllimit për zhdukjen e plotë ose të pjesëshme të një populli a grupi etnik. E në rastin e gjenocidit mbi shqiptarët, ai qëllim ka ekzistuar, është planifikuar e programuar dhe e kanë zbatuar forcat e organizuara (ushtria dhe policia e shtetit), të frymëzuara nga kisha ortodokse, qarqet shkencore e kulturore dhe administrata shtetërore.
Ajo që është interesante te gjenocidi mbi shqiptarët, është fakti se shqiptarët u përkasin tri konfesioneve, ndërsa diskriminimi, krimet dhe gjenocidi është bërë ndaj të gjithëve, pa dallim feje. Kjo tregon urrejtjen patologjike dhe iracionale të fqinjëve tanë ndaj shqiptarëve si komb, e jo vetëm si përkatësi fetare, ndonëse edhe përkatësia fetare myslimane dhe katolike ka qenë në shënjestër të gjenocidit, gjë që tregon fakti i konvertimit me dhunë edhe të shqiptarëve katolik në atë ortodoks. Për ilustrim të përmendim rastin kur, më 7 mars 1913, në Gjakovë e rrethinë, ushtria dhe priftërit serb, brënda një dite i konvertuan me dhunë mbi 300 katolikë – në orthodoks. Me atë rast, e mbytën në mënyrën ma mizore At Engjëll Paliqin, pse s’kishte pranuar të nënshkruate deklaratën e konvertimit (shih: Leo Friendlich “Gogloga e Shqipnisë”, fq.35). Qëllimi i gjenocidit mbi shqiptarët ishte spastrimi i trojeve shqiptare, pushtimi i pronave dhe zhdukja e shqiptarëve, vendosja dhe konsolidimi e stabilizimi i kolonëve e refugjatëve serbë, grekë e malazezë në tokat shqiptare. Komandantët e lartë ushtarakë që udhëheqnin operacionet e gjenocidit mbi shqiptarët, si në Kosovë, Maqedoni a në Shqipëri, nxitnin dhe jepnin urdhëra për gjenocid. Gjenerali famëkeq, Bozhidar Jankoviq, në vitin 1913, kishte deklaruar: “ Mënyra e vetme për të vu paqë në Shqipëri është mi i shfarosë shqiptarët” (vepra e cituar, faqe 23). Gjenerali tjetër, Stefanoviq, pas vrasjes mizore të qindra të burgosurve afër Kratovës, kishte deklaruar: “Kjo pjellë duhet asgjasuar ashtu që Austria të mos i gjejë më kurrë shqiptarët e saj të dashur” (ibid, fq.29). “Do t’i zhdukim shqiptarët prej faqes së dheut (poaty, fq.11). Dhe këtë veprimi gjenocidi soldateska serbe, po edhe ajo greke e malazeze, e kanë bërë në mënyrën më të tmerrshme (L.F., fq.9).
Pasi të miratohet rezoluta nga kuvendet e shteteve shqiptare, duhet të gjenden sponsorë që edhe shtetet tjera, mike të shqiptarëve, por edhe organizma tjera ndërkombëtare, të miratojnë rezolutë për gjenocidin serbë dhe grekë mbi popullin shqiptar. Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është punë e lehtë, por edhe për rrugën më të gjatë, duhet të bëhet hapi i parë, e për shqiptarët hapin e parë duhet ta bëjmë vet na shqiptarët, përmes institucioneve tona legjitime. Kjo do të ishte një bazë juridike për të kërkuar dëmshpërblim për të gjitha ato gjenocide, dhe një argument shtesë, që arsyeton nevojën dhe realizimin e bashkimit kombëtar të Shqipërisë Natyrale. Sepse, sa të jemi kështu të shpërndarë, na kanoset rreziku i përsëritjes së gjenocidit të ri.