Mendime » Xharra
Fahri Xharra: E bisedova me Kadarenë!
E hene, 20.06.2016, 09:04 PM
E bisedova me Kadarenë!
Nga Fahri Xharra
Prandaj nuk është feja pushtimi, por është flirti që bëhet me pushtuesin. Që përzihet feja me këtë punë po, përzihet. Historia e fetarizimit të shqiptarëve, nuk ka kohën dhe s’do të ketë për një periudhë të gjatë kohën për t’u zhbiruar, sepse hap sherre të panevojshme. Etje për spekullim kemi ne! Ka një të vërtetë themelore, jo për tu harruar një poshtërsi: Luftën kundërosmane e kanë bërë njëlloj të gjithë në Ballkan. Tani, e dimë që ka fundamentalistë që besojnë në përralla, dhe ka idjotë plotë që besojnë në teza, si për shembull ato ça thotë Oliver Shmidti
Por ta dimë që nuk ra mortja vetëm tek , ne po hymnizojmë mortjen tonë !
Kapardisja është një cilësi e përgjithshme njerëzore. Atë e gjen kudo në botë, por te ballkanasit veçanërisht. E veçanërisht te shqiptarët. Kronika e gjatë e gadishullit tonë nuk mund të kuptohet mirë pa të. Madje shpesh është vështirë të dallohet ku mbaron kufiri i një bëme dinjitoze, madje trimërore e ku nis kapardisja. Kjo e fundit është e ndërthurur shpesh me të gjitha ato tipare, të mbara e të mbrapshta, të njeriut ballkanas duke i dhënë një theksim të veçantë si veseve, si virtyteve të tij. Si e tillë ajo pasqyrohet gjithsesi në vizionin për jetën, në mënyrën e sjelljes, të të menduarit, të të vepruarit e gjer në gjëra tepër të përditshme, siç janë veshja ose ecja e njeriut.
As Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, as rilindasit e shquar shqiptarë më pas, qoftë prijësat e mendimit, qoftë ata të veprimit, nuk dhanë asnjëherë shenja të një krenarie a vetkënaqësie të zbrazët. Dhe kjo vetpërmbajtje, ky dinjitet i madh, ka vetëm një shpjegim: ata ishin të përgjegjshëm për fatin e rëndë të popullit të tyre. Me fjalë të tjera, ata kishin kuptuar se historia i kishte vënë ata në krye të një populli të rrezikuar e të goditur rëndë, ndaj as mburrjet e as ethet e lavdisë s’mund të kishin vend në kokat e tyre.
Dhe për kundër të dëshprimit ne e hymnizojmë mortjen tonë !
Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej. Harrojnë se ai interesim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.
Një pjesë e “liderëve” shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutëshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meritonte populli shqiptar. Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit.
Dhe ne me këta ngrehalucë të pandreqshëm e përgatisim mortjen e re !
Akademia kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë të huaj nga gjithe bota, një nga anëtarët ishte mbreti i Spanjës , unë po zëvendësoja Karl Popper-in, që sapo e kishte lënë këtë jetë , pra Shqipëria zëvendësonte Gjermaninë, ky ishte një nder i madh…Atëherë, cili ishte shkaku që presidenti i Shqipërisë nuk i përgjigjej ftesës? Ishin rregulla shekullore, mbreti ose presidenti i shtetit që fitonte vëndin ne Akademi, merrte pjesë në ceremonine e pranimit…Mos kujtonte presidenti juaj se do të ç`njihej , do të anulohej ceremonia, pra pranimi yt nga mosardhja e tij? Apo se mund të ndërhyhej te Franca që ta bënte ketë? A e dinte ky president se Akademia, në raste të tilla, ishte më e fortë se Franca?
Ne e shkatërruam Akademinë , vetëm e vetëm për të qenë mbi te . Mortja e inteletualëve dhe ngritja e “ biznismenëve te lirisë dhe të demokracisë “
…Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë. Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike. Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën. Kur u duk se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin. Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj.
Dhe tani jemi ku jemi , Shpresojmë në kombëtaren tonë që ta ndërron imazhin e shqiptarëve për të mirë në Europë , sepse njjë pjesë e madhe “liderëve” shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutëshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meritonte populli shqiptar . Ata janë shumë largë civilizit !
( Burimi : Luan Lapi , https://topkadare.com )
Gjakovë, 20.06.16