E shtune, 27.04.2024, 06:41 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Mungesa e debatit ndau LDK-në

E diele, 26.06.2016, 11:29 AM


MUNGESA E DEBATIT E NDAU LDK-NË

Shkruan IDRIZ ZEQIRAJ

Më pëlqeu një qasje realiste e mikut tim, heroit të gjallë të Kosovës, Fetah Rudit, i cili, veç tjerash, thotë: "Edhe Vjosa Osmani, z. Shefqet Dibrani, që e njoh pak dhe e madhja Donika Gërvalla, që ka bërë shumë për LDK-në dhe Kosovën, nuk do të thotë se janë kundër Kryeministrit apo se janë kundër LDK-së, ..., pot janë personalitete që kërkojnë më shumë hapësirë brenda këtij subjekti politik". Fetah Rudi ishte një kuadër i denjë i Ibrahim Rugovës kur ishte në këmbë dhe mbeti gjithmonë besnik i parimeve rugoviane edhe tani në karrocë. Mendimi i hapur dhe guximi qytetar, për ta thënë të vërtetën, pavarësisht çmimit, është e përbashkëta e Fetah Rudit dhe e Donikë Gërvallës. Kur frikacakët e sevilët i quajnë heronj "komandantët" duarpërgjakur, heroi Rudi dhe kryezonja Gërvalla, thonë se "ata nuk janë heronj, janë kriminelë".

Atentatimi dhe mbijetesa, e Fetah Rudit, fiksimi i makinës së kuqe; reagimi "blic", i shpjetë i shefave urdhërdhënës të atentatit të organizuar politik, për t`i humbur gjurmët e krimit, si në filmat horror, rezulton me shtypjen, si minjtë, i tre atentatorëve. Shpalosja e dëshmisë të heroit Rudi, krimi makabër dhe terrori i një "UÇK-je" të SHIK-ut vrastar; ngritja në kupolën e Presidentit të shtetit dhe në krye të Parlamentit të Kosovës, përkarësisht, të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, do të shënohen si rast unikal në historinë e politikës dhe të kriminalistikës botërore.

Plaga nuk shërohet duke e mbuluar. Në rast nevoje, duhet përdorur edhe bisturia, për shërimin efikas të saj. Tashmë, nuk ka mëdyshje se LDK-ja është plagosur, është lënduar rëndë dhe profilaksia lokale, retushimi rrethanor, nuk e shëron dot, madje, prova e mëtejme, do të ishte një bjerrakohë sterile.

Përjashtimi debatit brenda partiak; mospranimi i konkurrencës; shmangia e votimit të fshehtë, demokratik, duke huazuar metodën bizare aklamative, komuniste, nga partitë e krimit, partitë-banda, si PDK-ja dhe AAK-ja, me qëllim të vazhdimit të liderizmit në pakufi; Kosova me një zonë-zgjedhore, duke mbushur Parlamentin me kriminelë të SHIK-ut, janë fatale për të sotmen dhe të ardhmen e LDK-së.!!! Ndërsa, metoda përjashtuese, kulmuar në "Kuvendin " e 8-të të partisë, e ka përtokur LDK-në, madje pa shpresë ngritjeje të afërt. Kërkesa e hapësirës, nga kryezonja Donikë, gjë të cilën e kostaton edhe heroi Rudi, është sa legjitime, aq edhe e domosdoshme. Kjo kërkesë nuk është personale. Përkundrazi, prapa kësaj kërkese qendrojnë mijëra bashkëmendimtarë të elektoratit të Ibrahim Rugovës, të cilët, përshkak të mungesës të kësaj hapësire, në shenjë proteste, abstenojnë, nuk votojnë fare.

Dihet mirëfilli se Donikë Gërvallës i është ofruar kandidatura për deputete nga partia e saj, LDK-ja. Dhe, fitorja ka qenë e siguruar. Por, ajo e refuzoi pa u hamendur, sepse dinjiteti i saj nuk e përligjte praninë e saj, në të njëjtën sallë me një mori deputetësh "komandanta" kriminelë, vrasës të oficerëve dhe të veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës. Për këtë ajo fajëson krerët e LDK-së, të cilët, për interesa prsonale kanë aprovuar ligjin zgjedhor - Kosova me një zonë zgjdhore -. Për rrjedhojë, mungesa e konkurrencës të drejtëpëtdrejtë dhe hapësira favorizuese për të blerë vota në tërë Kosovën, kriminelët e haraçit dhe të hajnisë zyrtare janë bërë deputetë! Kjo është një dëshmi vetëfolëse, shumë domëthënëse se Donikë Gërvalla nuk është as karrieriste dhe as nuk ka interesa personale. Ajo është e bija e babait, e bija e Heroit të Kosovës - Jusuf Gërvalla, e cila, njësoj si i Ati, lirinë dhe demokracinë i ka për ideal. Shkelja flagrante e demokracisë, anashkalimi i frymës përbashkuese rugoviane, aplikimi i metodave satanike komuniste, linçuese e përjashtuese, e kanë rebeluar deri në kundërshti të hapur, assesi kundër LDK-së, por kundër veprimeve, hiç parimore, të një grupi, brenda Kryesisë Qendrore,  që është bërë skllav i interesave personale.

Është pikërisht mungesa e debatit brenda partisë që e ndau LDK-në. Kam bindjen se po të debatohej lirshëm, në Kuvendin e 6-të, delegatët e pranishëm, do t`u thonin stop lakmive lideriste të profesor Fatmir Sejdiut dhe të akademik Nexhat Dacit. Ata, për hir të unittit, do ta përjashtonin mundësinë e konkurrencës të mëtejme të dy kandidatëve në fjalë, do të krijonin një komision me koka të ftohta, për ta përgaditur një Kuvend të ri dhe do të dilnin me disa kandidatë për kryetar partie, madje, duke përcaktuar afat për një ose dy mandate.

Metoda përjashtuese, e shoqëruar me një propagandë të shpifur e denigruese, ka cënuar, madje deri në shkatërrim, unitetin partiak. Me këtë polarizim, pretendimi për ta ngritur, sërishmi, në këmbë partinë, është i pamundur. Madje është njësoj sikur të besohet se Hashim Thaçi e Kadri Veseli të bëjnë drejtësi për krimin e organizuar politik, të cilët shqiptarët, të kudondodhur, i akuzojnë për listimin dhe urdhërdhënien e vrasjes të 1.820 veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës.

Metoda linçuese, përjashtuese, mbyllja e dyerëve për veprimtarët e dëshmuar, si Donikë Gërvalla me shokë, e shpallur, botërisht, si veprimtarja më e madhe në Evropë, përgjatë luftës në Kosovë, e cila ka bërë më shumë për LDK-në dhe Kosovën, se sa klani i pakët, pothuajse, gishtërorë, i marrë së bashku, brenda Kryesisë të LDK-së, është skandaloz, është krim "sui genris", i llojit të vet, pasojat, rrjedhojat do të jenë të prekshme, nëse nuk reflektohet me kohë.

Vërtet, bukur e cilëson rugovistën besnike Donikë, heroi ynë Fetah Rudi: "E madhja Donika Gërvalla". Opozita majtiste e partive-banda, e gëzuar nga metodat përjashtuese në Kuvendin e 8-të të LDK-së, filloi "gjuetinë e shtrigave", duke përfituar pak anëtarë labilë të LDK-së në Deçan, Pejë dhe gjetkë. E madhja Donikë, për ta minimizuar skandalin e tërhqjes zvarrë të saj, të porositur nga krerët e LDK-së, takoi strukturat partiake në Deçan dhe Pejë, duke u thënë se këto janë gjëra që ndodhin dhe nuk guxojnë të kenë reflektim negativ tek anëtarësia, deri në braktisjen e LDK-së dhe aderimin në partitë e krimit, sepse do të turpërohen për sot dhe nesër edhe para fmijëve të tyre. "LDK-ja është parti e besës dhe e shpresës",- siç thoshte Presidenti Rugova dhe ne duhet ta forcojmë dhe prosperojmë më tej, për ta kthyer epokën e artë rugoviane, u tha Donikë Gërvalla strukturave të LDK-së.

Kuvendi i 8-të i LDK-së, pas humbjeve seriale të zgjedhjeve, duhej të ishte një reflektim i madh. Duhej t`i bashkonte në Kryesinë e saj të gjithë: profesor Sejdiun, akadamik Dacin, të votuarën masive - Vjosë Osmani, Familjen luftarake të LDK-së - Gecaj të Llaushës, Familjet e viktimizuara për mbrojtjen e LDK-së, të demokracisë dhe të Kosovës dhe të gjithë idealistët e frymës rugoviane. Për LDK-në nuk duhet të jenë të tepërt as Sejdiu, as Daci, as Vjova me rinorët e saj dhe as Isa Mustafa me të vjetërit e tij. Por, në vend të këtij përbashkimi, ndodhi e kundërta - përjashtimi!! U bashkua edhe zyrtarisht LDD-ja e Dacit dhe Kryesia aktuale, jo vetëm që nuk dha asnjë shenjë entusiazmi e gëzimi, por, në të kundërtën, u koracua fort, që të mos dëpërtojnë kuadrotë e ish-LDD-së në strukturat partiake të LDK-së!

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar së baza, ndoca komuna, qenë më përafruese. Ilustrojmë me shembullin në komunën e Istogut: Para zgjedhjeve lokale, disa veprimtarë të Degës të LDK-së në Gjermani, së bashku me përfaqësues të Shoqatës "Sali Çekaj" në Bavari, i bëmë një vizitë kryetarit të LDK-së, njëherit edhe kryeshef i komunës të Istogut, Haki Rugova. Veç tjerash, u shtrua edhe pyetja: "Si ka reflektua Dega e LDK-së aty me ish-anëtarët e LDD-së dhe raportet aktuale me ata"? Kryetari Rugova ishte balllart me zgjidhjen e gjetur: "Bashkimi, shkrirja e dy subjekteve u bë pas Kuvendit zgjedhor të Degës. Shfrytëzuam klauzolën e kooptimit, duke e bërë nënkryetar të Degës, ish-kryetarin e LDD-së Rifat Osmanin, si dhe dy anëtarë kryesie, të propozuar nga vetë ish-subjekti i LDD-së. Ata ndjehen të barabartë në partinë mëmë, LDK-në dhe ne jemi më të fortë sot se sa ishim dje". Dhe, vërtet, gëzimi i zotëri Rugovës ishte i motivuar, i përligjur, sepse zgjedhjet lokale të radhës, në saje të këtij bashkimi, u fituan në raundin e parë, pra, pa balotazh. Mjerisht, kjo shkrirje e bashkëpunim pa hile nuk ndodhi gjithëkund e aq më pak në Kryesinë Qendrore të LDK-së.

Gazetari oborrtar, miku im, Xhevat Rexhaj, plasoi dy gënjeshtra, dy rrenë të mëdha: Një, Isa Mustafa bashkoi LDK-në me LDD-në dhe dy, familjet e viktimave të SHIK-ut respektohen nga Isa Mustafa!? Kryesia aktuale e LDK-së, ka zhurmuar edhe kur ka aderuar një anëtar i LDD-së në LDK-e, por e ka heshtur, madje, tërësisht, bashkimin, shkrirjen zyrtare të LDD-së në LDK-e. Në rastin e ceremonisë të bashkimit të këtyre dy subjekteve, i organizuar në Ulm të Gjermanisë, me praninë e kryetarit Daci dhe rë përfaqësuesëve të Degëve në Mërgatë, organizatori Hilmi Gashi, më ka ftuar në cilësinë e gazetarit. Andaj, duke qenë në rrjedhën e mirëfilltë të këtij bashkimi, roli i Isa Mustafës ka qenë nulitet, zero. Kjo dëshmohet edhe me mospërfilljen dhe mospërfshirjen e kuadrove të LDD-së, në strukturat e LDK-së, të emërura në "Kuvendin" e 8-të të saj.

Një krahasim: Si veproi Prof. Dr. Sali Berisha me rastin e bashkimit me Partinë e re të ndarë të ish-këshilltarit të tij, Genc Pollo? Dr. Berisha e bëri Pollon nënkryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Ministër të Arsimit. Në mandatn e dytë qeverisës, përshkak të akuzave të bëra nga opozita kundër Pollos, për nepotizëm, Berisha krijoi një ministri të re dhe Pollon e emëroi Ministër Shteti. Kuadrot tjerë të partisë së Pollos i bëri ministra, zëvendësministra, drejtorë të drejtorive të ndryshme; kandidatë për kryetarë bashkishë dhe poste të tjera, që, realisht, nuk ishin as në raport numerikë, për pozitat kaq të shumta. Dhe, brenda një kohe të shkurtër, as që merrej vesh se kush ka qenë në Partinë e re të Pollos apo në PDSH-në e Dr. Berishës. Kjo ishte politika e mençur e liderit demokrat shqipar, në saje të së cilës i gëzoi dy mandate fituese radhazi.

Pikërisht, këtë duan dhe ngulmojnë elektorati numerikë i Presidentit Rugova dhe përfaqësuesit e tij, që kasta aktuale  drejtuese e LDK-së i anatemon dhe i lufton pamëshirshëm dhe marrëzisht. Po të ishte shfrytëzuar energjia 8-mujore e strukturave të LDK-së, kundër Kryetarit të Nderit të LDK-së, Fatmir Sejdiut dhe periudha 13-mujore e luftimit dhe e denigrimit e kryezonjës Donikë Gërvalla dhe bashkëmendimtarëve të saj, për të punuar dhe motivuar elektoratin masiv rugovian, LDK-ja mund t`i thoshte Kadri Veselit dhe bandës së tij: "M`i rrofsh opingat dhe koçët, shkojmë që tani në zgjedhje të parakohëshme!" Vërtet, e kemi dëgjuar edhe sekretarin e LDK-së, Ismet Beqirin, duke thënë se "jemi gadi për zgjedhje", por, me këtë gjendje, ka depozituar dhe administruar humbjet e radhës. Kjo është e pritshme edhe për të ardhmen, mjerisht!

Përsa i përket respektimit reciprok të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe të Familjeve të viktimave të SHIK-ut, ia kujtoj mikut tim gazetar, Xhevat Rexhaj, se është ose lajthitje, nga mosdija, ose gënjeshtër e qëllimshme. Por, bazuar në faktet që ai disponon, për përbërjen e këtyre delegatëve, unë besoj në gënjeshtrën e qëllimshme të tij. E vërteta është se nga 9 delegatë të Degës të LDK-së në Gjermani, për Kuvendin e 8-të të LDK-së, pesë syrësh ishin pjesëtarë të mirëfilltë të Familjeve të viktimizuara të organizatës kriminale e terroriste të SHIK-ut.

Me keqardhje, nuk është hera e parë që të tjerët duan tëpërfitojnë nga Familja Simbol dhe Institucion - Rugova. Kështu kanë vepruar edhe të tjerë nga LDK-ja e jashtë saj. Reagimi i disa miqve të kësaj Familjeje ka qenë kritik për pasardhësit e Presidentit Rugova, duke thënë: "Pse i pranojnë në shtëpi"!? Por, harrohet fakti se tradita nuk lejon mbylljen e derës, qoftë edhe për atmiq. Familja Rugova duhet të lihet e qetë edhe në rastin e zënkave brenda partisë. Heronjtë e Kosovës, Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Rugova ishin shokë në Gjimnazin e Pejës dhe bashkantëtarë të Klubit letrar të këtij Gjimnazi. Ata ishin shokë edhe në fakultet si dhe miq në mjeshtërinë e letrave. Prandaj, Donikë Gërvalla është mike e veçantë dhe e devotshme e kësaj Familjeje, sepse i lidh e kaluara dhe e tashmja e këtyre dy Famijlejeve, në atdhetarizmin e dëshmuar.

Kryeministri Isa Mustafa ka përkrahjen e LDK-së, pra, edhe të atyre që kërkojnë reformimin e saj, sepse është më i përgadituri nga kryeministrat profanë pararëndës. LDK-ja është mal kuadrosh, qoftë për ta drejtuar LDK-në, qoftë qeverinë e Kosovës. Është Kadri Veseli me bandën e tij, i cili kërkon revansh, për t`ia zënë vendin Isa Mustafës. Veseli me bandën e tij arriti deri atje sa të akuzojë për paaftësi  e dështim edhe dy ministrat më simpatikë, më të vyeshëm të kësaj qeverie: Avdulla Hotin e Haki Demollin, edhepse krijimii ushtrisë është çëshje e Brukselit dhe, aktualisht, nuk varet nga ministri përkatës.

Shqetësimi i reformatorëve është i bazuar, sepse kasta aktuale e LDK-së, me politikën përjashtuese, madje, në vijimësi, e ka humbur shansin dhe mundësinë, për ta aktivizuar në mbështetje e votim LDK-në e tërë. Ndërkohë, që ky elektorat rezervë i Presidentit Rugova, do të ishte i bollshëm, për ta vënë në krye, sërishmi, LDK-në. Qëllimi i luftëtarëve për reforma në LDK-e, është i pastër, fisnik dhe krejt transparent. Ndërsa politika e amulltë, e qulltë, e mefshtë, pse jo, edhe konspirative e gardës aktuale të LDK-së, është rehatia personale, gadishmëria dhe ujdia për të qenë vasalë të PDK-së; me mendësinë se humbjen në zgjedhje e kompensojmë me karrikën e përjetshme të deputetit, në saje të miratimit - Kosova me një zonë zgjedhore!

Është fakt se për vite me radhë, fushatën zgjedhore LDK-së po ia bën gazeta kombëtare "Bota sot", duke thënë të vërtetën, madje në shkallën sipërore, për sabotimin e luftës dhe krimet seriale, gjatë dhe pas luftës, të partive-banda majtiste, me deklarim të rrejshëm si të djathta. Por a mjafton vetëm ky angazhim mbështetës i gazetës në fjalë, për të fituar zgjedhjet? Sigurisht se jo. Prandaj, LDK-së i duhet një konsensus, një marrëveshje dhe ndarje të punëve për të gjithë ata që përfaqësojnë, realisht, tërë elektoratin e LDK-së.

Strukturat aktuale të partisë, duhet të jenë të ndergjegjshme, për emërimin e tyre dhe duhet të jenë të gatshme, për të bashkëpunuar me ata që u privuan për t`u provuar në një votim demokratik. Dihet se Shoqëria civile dhe mediet janë, kryesisht, leva të së majtës ekstreme, sepse ata i trashëgojnë këto që nga monizmi. Por, ato pak medie, që ia duan të mirën LDK-së dhe Kosovës, duhet të jenë të balancuara, duke shmangur përzgjedhjen e cenzurës selektive, sidomos, në dëm të atyre që janë në "opozitën" partiake. Kjo është e shëndetshme edhe për vetë mediet, që aspirojnë të mbesin në qendër të vëmendjes të lexuesëve masiv.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora