E diele, 28.04.2024, 08:01 AM (GMT+1)

Mendime

Nezir Bata: Platformat serbe kundër shqiptarëve

E marte, 17.05.2016, 08:00 AM


VESHTRIME MBI PLATFORMAT SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

Nga Prof. Nezir Bata

Hartimi i programeve politke për një Serbi të Madhe apo Serbi të Vjetër tek serbët është i kahershëm dhe në kurriz të zotërimeve osmane dhe austro-hungareze. Një proces i tillë në Ballkan do të fillonte në shekullin e XIX veçanërisht pas formimit të shteteve nacionale në këtë regjion kur qarqet e tyre drejtuese përpiluan projekte e platëforma për tu zgjeruar në kurriz të kombeve të tjerë ballkanikë.Të tilla ishin Megali-idea për Greqinë e Madhe, Naçertanja më 1844 për Serbinë e Madhe, dhe Traktati i Shën Stefanit më 1878 për Bullgarinë e Madhe.

Naçertanja e hartuar më 1844 nga ministri i brendshëm i Serbisë, politikani e shtetari i politikës së jashtme të Serbisë për gjysmën e dytë të shekullit XIX Ilija Garashanin, ishte program që pati ndikimin më të madh në strukturimin e mendimit politik serb në këtë kohë. Ky projekt në të vërtetë ishte program i politikës së jashtme të Serbisë prandaj mendohet se për këtë arsye u mbajt i fshehtë si dokument shtetëror deri në vitin 1906 kur u botua. Ky projekt kishte rëndësi aktuale për Serbinë  por do të përcaktonte edhe politikën shtetërore të saj për të ardhmen. Kjo për arsye se prej që atëhere ideologjia nacionale serbe  dhe politka e shtetit serb që buronin prej saj  janë ofensive, dhe kanë për qëllim shpërngulje, shpopullim, shfarosje, kolonizim, zgjerime e pushtime, sidomos në dëm të shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre etnike.

Sipas Garashaninit Serbia na paskësh mision historik, prandaj nuk mund të ndalet në kufijtë e saj të tanishëm por duhet të përpiqet të bashkojë gjithë popujt serbë që e rrethojnë. Kufijtë e shtetit të madh serb duhet të përputhen me kufijtë e të gjithë serbëve-ashtu siç thoshte babai i nacionalizmit serb Vuk Karaxhiçi kur theksonte se:” atje ku është edhe një serb atje është shteti serb”. Me ardhjen në pushtet të partisë radikale serbe të drejtuar nga Nikolla Pashiqi, Naçertanja u pranua si program politik bazë për monarkinë serbe. Dhe në të vërtetë që nga viti 1879 kur erdhi në pushtet Pashiqi e deri më 1903 ai i qëndroi besnik kësaj platforme dhe si rezultat i politikës agresive të qeverisë serbe u realizua në masë të madhe  duke u bazuar në ekspansion territorial, spastrim etnik, kolonizim të dhunshëm.

E frymëzuar prej projektit të Ilija Garshaninit Serbia ka hyrë në disa luftra duke filluar në vitet 1876-1878 me Perandorinë Osmane, në luftën me Bullgarinë në vitin 1885, në luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike 1912-1913, në Luftën e Parë Botërore e deri në luftrat e fundit të shekullit XX me Kroacinë më 1991, Bosnjen 1992-1994, Kosovën dhe Naton më 1998-1999. Patjetër që në këto luftra fitoret dhe tragjeditë për Serbinë kanë qenë të mëdhaja.

Në Kongresin e Berlinit më 1978 Serbija hyri me 34 mijë km2 dhe doli me 48 700 km2, përveç të tjerave ajo tashmë i ishte afruar ndjeshëm Kosovës. Ajo kishte marrë Nishin, Pirotin, Leskovcin, Prokuplien etj ku banorët ishin në shumicë shqiptarë e myslimanë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Serbisë i jepen Kosova prej 10 600 km2 me popullsi shumicë dërrmuese shqiptarë, Maqedonija prej 25 713 km2 në pjesën perendimore të së cilës popullsia shqiptare ishte po ashtu popullsi dërrmuese, pra 36 000 km2. Para luftës Ruso-Turke të viteve 1876-1878 Serbia kishte 37 700 km2 , pas kësaj lufte dhe Kongresit të Berlinit do të ketë 48 300 km2, ndërsa pas luftrave ballkanike 1912-1913 do të ketë mbi 80 000 km2, pas Luftës së Parë Botërorë do të bashkojë Vojvodinën prej 21 800 km2. Në të vërtetë njëri nga ideologët serb Stojan Protiç më 1913 duke theksuar se: “është rritur e forcuar aq shumë sa ka arritur deri në pallatet e vjetra mbretërore në Shkup dhe në Prizren e kjo përveç sakrificave të bijve të saj i duhet ditur për nderë edhe Rusisë dhe Europës”.

Lidhur me Serbinë e vjetër historianët, gjeografët, etnografët, gjuhëtarët publicistët, politikanët serbë kanë mendime të ndryshme jo vetëm për vjetërsinë por edhe për shtrirjen e Serbisë së Vjetër. Disa mendojnë se Serbia e Vjetër, zanafillën e ka tek Nemanja (themeluesi i dinastisë mesjetare të Nemanjiçëve, prandaj Serbia e Vjetër duhet të quhen tokat e sunduara prej serbëve në kohën e Nemanjës. Disa të tjerë zanafillën e Serbisë së Vjetër e kërkojnë te Stefan Dushani, pra shteti që sundoj sa ishte gjallë ai, ka nga ata që e kërkojnë tek Knjaz Llazari i cili më 1389 u vra duke mbrojtur Serbinë e Vjetër në betejën e Fushë-Kosovës). Pas Kongresit të Berlinit Serbia e Vjetër do të bëhej lajtmotivi i politikës, publicistikës dhe i shkencës serbe. Studiues, shkrimtarë, publicist, gazetarë e politikanë projektuan të kaluarën e serbëve por duke përjashtuar të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve.

Në këtë kuadër për problemet demografike në Turqinë Europiane nga autorët serbë mund të përmendim Spiridon Gobçeviçi me punimin e vet “Serbija e Vjetër dhe Maqedonija” botuar në Beorad më 1890 (në të vërtetë e pat botuar në anglisht në Vjenë më 1989 me titull  “Maqedonija dhe Serbija e Sipërme”). Ajo që bie në sy këtu është deformimi i të vërtetave mbi përbërjen etnike të popullisë sidomos në trojet verilindore të shqiptarëve me synim që të provojë se ishte popullsi e nacionalitetit serb ajo që përbënte shumicën në këto troje dhe në hapsirën që ai e quan Maqedoni. Të dhënat që paraqet Gobçeviçi mund të përdoren  për të vetmin shërbim pasi tregojnë pretendimet e Serbisë drejt territoreve shqiptare të Vilajetit të Kosovës dhe zotërimeve osmane në Maqedoni.

Ndërsa në fillim të shekullit XX mund të përmendim autorët serbë: Pavël Orleviçi  Dr. Jovan Haxhivasiljeviçin, Jovan Cvijiçin. Orleviçi në veprën e vet “Çështja e Serbisë së Vjetër”, botuar në Beograd më 1901, përpiqet të argumentojë se Kosova të cilën ai e quan Serbi e Vjetër është provincë serbe, dhe se, shqiptarët aty janë vendosur gjatë sundimit osman, madje sipas tij gjysma e popullsisë shqiptare të Kosoves, janë “serbë të shqiptarizuar”, këtë zbulim të madh “se shqiptarët e Kosovës janë serbë të shqiptarizuar”, do ta mbronte sidomos në punimin e tij të dytë botuar po në Beograd më 1904 me titull “Serbija e Vjetër dhe Shqiptarët”.

Ndërkohë Haxhivasiljeviç në punimin e tij “Serbija e Vjetër dhe Maqedonija”, më 1906 nuk e veçon Vilejetin e Kosovës që e quan Serbi e Vjetër nga Maqedonia, por e quan pjesë të saj. Duke folur për Kazanë e Kumanovës në veprën e tij Serbija e Vjetër Jugore, studim historik dhe etnografik-rajoni i Kumanovës edhe pse e njeh këtë rajon dhe popullsinë e tij si pjesë të Dardanisë Ilire, ai megjithatë i mbahet tezës së historio-grafiasë serbe, sipas së cilës popullsia e Kumanovës ka ardhur këtu gjatë pushtimit osman nga viset pëerendimore shqiptare. Më pas në punimin e tij Arnavutët-Arnavutashët tanë të një gjaku përdor në vend të termit Albanci, Arnavutash, duke u kthyer tek teza e vjetër antishqiptare serbe sipas së cilës shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë nuk janë shqiptarë të vërtetë si ata të pjesës veri-perendimore e jugore që ai e quan “Shqipëria e Vërtetë”, por “serbë  të shqiptarizuar” ose “shqiptarët tonë”.

Një tjetër autorë i njohur në letërsinë serbe ballkanike e më gjërë, është Jovan Cvijiçi nga i cili po përmendim punimin e tij më të plotë me titull “Bazat e gjeologjisë dhe të gjeografisë së Maqedonisë dhe të Serbisë së Vjetër”. Edhe profesori i Beogradit Cvijiçi megjithëse pranon origjinën e shqiptarëve nga Ilirët Dardanë e nga fiset e tjera ilire që shtriheshin nga rrethet e Nishit, në Kosovë, në pjesën e sipërme të Vardarit e në perëndim deri në bregdetin e Adriatikut, ai mbron tezën se shqiptarët u romanizuan, dhe më vonë në mesjetë u sllavizuan. Sipas tij serbët patën njëfarë asimilimi në Iliri e më pas gjatë sundimit osman patën një asimilim shqiptarë të cilët arritën të shtriheshin në gjithë hapsirën nga Danubi deri në Maqedoninë Jugore ku vazhdoi deri vonë serbizimi. Vepra e etnografit serb, vijim në të cilën bëhen përpjekje për të vënë bazat shkencore pretendimeve serbe mbi trojet shqiptare dhe atyre maqedonase, pra duke bërë pushtimin e Kosovës dhe të Maqedonisë, domosdo për krijimin e një shteti të fortë ballkanik sllav, çfarë herë e quante Serbi e madhe e më pas Jugosllavi, ky  Cvijiçi siç do të thoshte nxënësi i tij shpirtërorë Vasa Çubriloviç, vë bazat gjeografike të pretendimeve serbe në Kosovë e Maqedoni, në të vërtetë bazat e politikës shtetërore serbomadhe pushtuese në luftrat ballkanike. Por vijimi solli një element të ri në propagandën nacionaliste serbe, për Serbinë e Vjetër, meqenëse pakica serbe në Kosovë e Maqedoni ishte shumë e vogël, duhej mohuar karakteri shqiptarë i Kosovës e Maqedonisë Perendimore duke i quajtur ata të banuar me serbë të shqiptarizuar.

Çështja e përzënies dhe e zhdukjes së shqiptarëve nga trojet e tyre etnike verilindore dhe vendosjes së kolonëve serbë mbi këto treva ka qenë që nga fillimi i shekullit XX, temë e projekteve e veprimeve të qarqeve nacionaliste serbe. Autoritete shtetërore, politike, ushtarake, shkencëtarë e shkrimtarë, publicistë, klerikë, etnografë, hartografë, historianë, ushtarakë, klerikë etj, u vunë në shërbim të kësaj politike shfarosëse ndaj shqiptarëve. Këtu duhen përmendur personalitete të rëndësishme të jetës politikë të Serbisë si Vladan Gjorgjeviç, Stojan Protiç, Nikolla Pashiq, Vasa  Çubriloviç, Aleksandër Rankoviç, Sllobodan Millosheviç, Dobrica Qosiç, Voisllav Koshtunica etj.

Vlladan Gjorgjeviçi, kryeministri i qeverisë së Serbisë, ministër arsimi, përfaqësues diplomatikë i Serbisë në Athinë, Stamboll ishte angazhuar në maksimum për lançimin e një përfytyrimi sa më të shtrembër për shqiptarët nëpërmjet fyerjeve, shpifjeve, si popull pa histori, pa gjuhë e pa kulturë. “Nji katalog ma komplet të mungesave tona kombëtare si edhe të gjithësa shpifjeve qi mund ti bahen nji populli, ska mundun bir nane tjetër me na e vue përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke”, shkruan përkthyesi i këtij libri Mustafa Kruja në parathënien e botimit të parë në gjuhën shqipe në vitin 1928. Ndërsa autori i parathënies të botimit që po promovojmë studiuesi Izet Duraku shkruan:”Pa pikën e turpit, magjia e zezë e autorit e shëndërron përrallën në histori dhe ngjarjet historike në përrallë”.

Një tjetër kryeministër i Serbisë Stojan Protiçi, ka shkruar një libër me titull “Problemi shqiptar dhe Serbia e Austro-Hungaria”, botuar më 1913, i cili si edhe Gjeorgjeviçi ka patur për qëllim të arsyetonte aspiratat e Serbisë e të Malit të Zi që me ndihmën e Rusisë të rimëkëmbnin Serbinë e Madhe të Vjetër. Përpos denigrimit të shqiptarëve, Protiçi, përpiqet të bëjë dallim midis shqiptarëve të jugut dhe atyre të veriut në pikëpamje gjuhësore, kulturore, fetare e deri antropologjike, si pjesë të arsenalit për të përçarë shqiptarët dhe lehtësuar sundimin e tyre.

Nikolla Pashiqi kryeministri i Serbisë madje edhe kryemistri i qeverisë serbo-kroato-sllovene nuk mbeti mbrapa të tjerëve në denigrimin e shqiptarëve, dhe megjithëse Serbia e kishte zgjeruar dy herë territorin e saj pas luftrave ballkanike, Pashiqi donte ta shtrinte shtetin serb deri ne portet shqiptare të Adriatikut sepse këto porte sipas tij kanë qenë porte të vjetra serbe,  ku ka jetuar populli serb i cili nën tirani është detyruar të ndërrojë fenë dhe kombësinë.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, çështja shqiptare ishte më problem se kurrë për Jugosllavinë, ndonëse prej krijimit të saj më 1918  kishte qenë çështje me të cilën më së shumti ishin marrë xahandarmëria, ushtria dhe komisionet e konolizimit, tashmë kjo çështje bëhet e tillë që fillojnë të merren institucionet e tjera shtetërore, politike, shkencore dhe kulturore në Serbi. Përpjekjet për shkombëtarizimin e trojeve etnike shqiptare të pushtuara nga serbët nuk e kishin dhënë rrezultatin e pritshëm, zgjidhja e çështjes kishte të bënte me shpërnguljen njëherë e përgjithmonë të shqiptarëve, kolonizimi njëherë e përgjithmonmë nga serbët, kjo zgjidhje përfundimtare do të quhej një vepër e pavdekshme për popullin serb. Do të deklaronte njëri prej referuesve të grupit kulturor serb ku u paraqit edhe projekti më i plotë programorë serb, ku përcaktoheshin masat dhe mjetet që duhen zbatuar për zgjidhjen e çështjes, program i Vaso Çubrillovuçit “Shpërngulja e Arnautëve”.

Vetëm dy vite më vonë më 1939 do të paraqitej projekti i Ivo Andriçit  i cili merret me çështjen shqiptare në tërësi dhe sipas tij kufiri i Shqipërisë duhet të jetë në lumin Mat dhe në Drin të Zi, Shkodra dhe pjesë të tjera të Shqipërisë ti bashkohen Jugosllavisë. Nobelisti i ardhshëm Andriç përpiqet ta “zgjidhë” çështjen shqiptare jo më pak se çkishte punuar ta zgjidhte para dhe pas tij shteti serb. Projekte të tilla do të pasonin edhe më vonë siç ishte ai i Ivan Vukotiçit, Stefan Moleviçit, ku  del shumë qartë ideja e Serbisë së Madhe, Serbi homogjene në hapsirat e Jugosllavisë.

Lidhur me shqiptarët, serbët kanë lëshuar më së shumti shpifje dhe gënjeshtra nga më të papranueshmet. Në këtë veprimtari janë përfshirë gati të gjitha segmentet e shtetit dhe të shoqërisë, si politika, shkenca, mjetet e informimit, kleri, diplomacia, shërbimet e brendshme, gjyqësori etj. Serbët për realizimin e synimeve të tyre ekstreme nacionaliste gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, gjatë pjesës së parë të shekullit XX dhe në periudhën midis dy luftrave botërore kanë zhvilluar në mënyrë të pandërprerë propagandë të shfrenuar kundër popujve të tjerë sidomos kundër shqiptarëve. Kjo fushatë eskaloj sidomos në fund të shekullit të XX kur doli hapur në skenë qëllimi për demonizimin e disa popujve të hapsirës të ish-Jugosllavisë.

Në fund për projektet politke nacionale serbe mendojmë se nuk ka nevojë për vlerësime të hollësishme sepse ato kanë përmbajtje e qëllime të qarta të cilët mohojnë jo vetëm të drejtat e shqiptarëve por edhe të etnive të tjera në ish-Jugosllavi. Ato janë dëshmi të një ideologjie të pastrimeve etnike për të rrealizuar qëllimet e veta përshtrirëse. Ato justifikojnë  një politikë që ka sjellë genocide dhe humbje katastrofike në Ballkan.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora