E shtune, 27.04.2024, 09:47 PM (GMT+1)

Mendime

Skënder Kapiti: Kosova në FIFA, fitore kombëtare

E marte, 17.05.2016, 07:25 AM


KOSOVA NË FIFA, FITORE E MADHE KOMBËTARE

Nga Skënder S. KAPITI

E quaj fitore të madhe të Kosovës dhe të tërë kombit, pasi brënda 3 javësh Kosova arriti 4 fitore të mëdha historike që fillon me fitoren e ekipit përfaqësues të xhudos në Rusi në Prill 2016; pastaj me antarësimin e Federatës së Futbollit të  Kosovës në Federatën Europiane, UEFA me 3 Maj 2016; një ditë më vonë pas saj Komisioni Europian rekomandoi Liberalizimin e Vizave për qytetarët e Kosovës dhe që arriti kulmin me dt.13 Maj 2016 me antarësimin e FFK-së, pra të Kosovës në “Organizatën e Kombeve të Futbollit”që njihet si FIFA.

Kjo nuk është rastësi dhe as e papritur, pasi Kosova është djepi i shqiptarizmës dhe ndjenja e lartë e sakrificës dhe e dinjitetit të lartë kombëtar të edukuar, kalitur dhe e trashëguar te shqiptarët e Kosovës e bën Kosovën edhe krenarinë kombëtare shqiptare edhe në sport sepse: po marrim si shembull për ta vertetuar këtë realitet rastin e medaljeve të arta në sportin e xhudos si kampione bote dhe dy herë Europe te sportisteve shqiptare kosovare; fakti i fitoreve dhe rezultateve të shkëlqyera të boksierëve shqiptarë nëpër ringjet europiane dhe botërore; rezultatet e shkëlqyera në sportin e basketbollit  etj,. Por më të mëdhatë janë arritjet dhe paraqitja dinjitoze e futbollit kosovar, lojtarët e së cilës kanë mbushur klubet e njohura të Europës dhe kanë mbërritur deri në SHBA e Australi; futbollistët nga Kosova janë në përfaqësuesen e Zvicrës e cila mori pjesë në Kampionatin e fundit botëror zhvilluar në Brazil ku vendimtarë për kualifikimin në atë kampionat botëror dhe për në këtë Europianin që do të zhvillohet në qershor 2016 faktor pothuajse dhe për rezultatet e saj janë futbollistët shqiptarë nga Kosova që luajnë në përfaqësuesen zvicerane. Por më e rëndësishme për t’u theksuar është fakti se edhe në përfaqësuesen e Shqipërisë që u kualifikua për në Europianin e Francës 2016, për herë të parë në një kampionat europian, shtylla kurrizore e kombëtares së Shqipërisë janë futbollistët nga Kosova.

Bota sportive, opinioni sportiv dhe organizmat, organizatat dhe federatat ndërkombëtare organizative të sporteve të ndodhura përballë këtij realiteti dhe presioni të fuqisë sportive shqiptare kosovare, UEFA dhe FIFA nuk mund të vazhdonin më me mëkatet e derimësotme  për të penguar dhe moslejuar rininë e Kosovës  shqiptare që të marrë pjesë në evenimentet më të rëndësishme kontinentale dhe botërore të futbollit.

E gjithë kjo fitore globale sportive e Kosovës është meritë e sportistëve, pasi fatmirësisht nuk ka të bëjë fare me politikën shqiptare se po të kishte qenë sporti një aspekt politik me siguri që nuk kishte për ta marrë antarësinë FFK-ja as në UEFA dhe as në FIFA. Këto arritje të mëdha sportive të sportit dhe të sportistëve të Kosovës na kanë larguar përkohësisht nga streset dhe nga monotonia bajate mediatike dhe publike e politikës dhe të politikave dështake, të papërgjegjshme, mashtruese dhe të korruptuara të cilët po e mbajnë shoqërinë shqiptare në ankth, të çorodidur, të varfër, të papunë dhe të paintegruar; kjo politika aktuale shqiptare po e mban peng progresin dhe integrimin e dy shteteve shqiptare.

Mirënjohje sportistëve të Kosovës, FFK-se, kryetarit te saj Fadil Vokrri dhe bashpuntoreve te tij edhe për leksionin që i dhanë kështu politikës shqiptare se si duhet me përkushtim, me moral, me përgjegjshmëri dhe se duhet edhe sakrifikuar diçka edhe personale madje në shërbim të qytetarëve, të shtetit dhe të kombit. Dhe në se ju politikanë nuk e bëni këtë, se deri më sot nuk e keni bërë, përveçse të kundërtën po, të paktën duhet të interesoheni, të impenjoheni dhe të kryeni detyrën për të ndihmuar, respektuar dhe përkrahur me ligjet e shtetit njerëzit që kontribuojnë e sakrifikojnë në të mirën e përgjithshme kombëtare, për prestigjin dhe dinjitetin kombëtar siç janë edhe shkrimtarët, artistët, intelektualët dhe sportistët e talentuar, dhe mbi të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e kombit. Tani i urojmë Kosovës sa më shpejt antarësimin edhe në OKB dhe në BE.

Një këshillë kam për futbollistët dhe sportdashësit e Kosovës, që në ndeshjet e kampionatit të Kosovës por dhe në aktivitetet ndërkombëtare të tregojnë disiplinë dhe sjellje të larta morali dhe kulture qytetare dhe sidomos edukatë sportive dhe të mos infektohen dhe të mos marrin shëmbullin negativ të disa ndeshjeve futbolli të kampionatit në Shqipëri  që jo në pak raste kanë shëmbëllyer dhe kanë dhënë imazh të keq duke u kthyer në arena dhune, të padenja dhe të pahijshme për sportin si aktivitet fisnik, burrëror, afrimi e paqtimi. Edhe  pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pata shkruar që politika e re e shtetit të Kosovës nuk duhet të marrë si yrnek dhe as të imitojë politikën e papërgjegjshmërisë, të abuzimit, të korrupsionit, të padrejtësisë, të tradhëtisë dhe të pandëshkueshmërisë që ka realizuar e praktikuar në përgjithësi politika e këtyre 25 viteve të tranzicionit në Shqipëri e që fatkeqësisht po e tillë është dhe ajo në Kosovë, pavarësisht pranisë, monitorimit dhe ndihmës e përkrahjes  nga ndërkombëtarët veçanërisht SHBA. Futbolli kosovar nuk duhet të bjerë pre e trukimeve të ndeshjeve dhe të shitjes së tyre por duhet të realizojë standartet europiane sportive  dhe të jetë i pandikuar dhe e painfektuar nga politika e papërgjegjshme, e korruptuar dhe e painteresuar për interesin kombëtar.

Duhet të ndërgjegjsohemi masivisht për rëndësinë e madhe kombëtare që ka antarësimi i Kosovës në FIFA, për vetëm faktin se shiko se çfarë angazhimi armiqsor të jashtëzakonshëm jo vetëm sportiv por edhe shtetëror, politik dhe diplomatik luajti dhe ndërmori Serbia dhe aleatët e saj për të moslejuar antarësimin e Kosovës në UEFA dhe në FIFA, sepse politika dhe shteti serb e dinë mirë se antarësimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA sidomos, i hap rrugën antarësimit të Kosovës edhe në UNESKO ku politika dhe diplomacia shqiptare si e asaj të Shqipërisë dhe e Kosovës dështuan pak kohë më parë në Nëntor të vitit 2015 dhe e humbën njëherë betejen dhe Kosova nuk u antarësua, aq më keq akoma për politikën dhe diplomacinë shqiptare kur abstenuan dhe votuan kundër Antarësimit të Kosovës në UNESKO edhe shtete që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, dhe për ta pësuar përsëri po prej paaftësisë dhe prej papërgjegjshmërisë politike dhe diplomatike shqiptare në Dhjetor 2015 aprovimin nga KiE të 4 amendamenteve serbe kundër Kosovës për vetëm faktin që nuk ishin prezent dhe nuk votuan dy deputetet shqiptare, njëra nga Maqedonia dhe tjetra nga Shqipëria. Kur përmënd politikën në këtë shkrimin tim, nuk kam në konsideratë politizimin e sportit por dua të tregoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka sporti për lartësimin e kombit pasi nacionalizmi dhe kombëtarizmi janë mbi interesin personal dhe mbi politikën e interesit personal.

Sporti ynë ka treguar se është kombëtarisht mbi politikën e politikanëve aktualë shqiptare, pasi fakti që kishte shtete që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovën dhe nuk votuan apo  abstenuan si në rastin UNESKO dhe UEFA të shtyjnë të mendosh se a ka lobuar dhe e ka punur seriozisht Shqipëria dhe Kosova politike për njohjet e reja të Kosovës, si dhe për prosperitetin dhe integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës, apo edhe ato njohje janë falë lobimit, ndihmës, kontributit dhe dashamirësisë së shteteve kryesore të BE dhe sidomos të SHBA-së, ashtu sikurse SHBA dhe BE po përballen prej tre vitesh me politikën e dëmshme antireformiste, të korruptuar, bllokuese dhe kudërintegruese pozitë-opozitë të politikanëve  në Shqipëri.

Tjetra është se  Serbia e di po kaq mirë  se antarësimi i Kosovës në FIFA përshpejton dhe është një argument tepër i vyer dhe i fortë  për njohje të reja ndërkombëtare për Shtetin e Kosovës dhe për antarësimin e saj  në OKB dhe në NATO e BE. Prandaj ne duhet të ndërgjegjsohemi për rëndësinë historike jashtëzakonisht të madhe që ka dhe që u shërben  të gjithë shqiptarëve antarësimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA si ngjarjet më të mëdha pas lirisë dhe Pavaresisë së Kosovës dhe një fitore e madhe për tërë  kombin shqiptar, pasi e gjithë bota tashmë e di se Kosova është shqiptare, dhe pse Kosova është Shqipëri prandaj Serbia e Rusia bënw maksimumin për të moslejuar antarësimin e Kosovës në UEFA dhe në FIFA, përpjekja e të cilëve dështoi, dhe ky dështimi i tyre qe i madh, pasi 80% e kombeve të FIFA-s votuan për Antarësimin e Kosovës në FIFA, gjë e cila në të vërtetë i shërbeu njohjeve dhe ndërkombëtarizimit akoma më shumë të Shtetit Shqiptar të Kosovës në arenën botërore. Triumfi i Kosovës është kështu pra dhe triumf kombëtar i afirmimit, i rritjes së imazhit, prestigjit, autoritetit, integrimit dhe të rolit  global të kombit shqiptar.

Në mbyllje dhe një urim për ato medie që i mundësojnë opinionit të gjërë informimin e sakt dhe në kohë rekord duke e mbajtur në kontakt me zhvillimet  e ngjarjeve  dhe të evenimenteve të tilla me rëndësi kombëtare, ku edhe i mundësohet  opinionit qytetar qe  të shprehë lirshëm dhe paanshëm analizat, opnionet dhe vlerësimet nga pikëvështrime të ndryshme.

Skënder S.KAPITI, Durrës

Autor i librit “TRIUMFI I KOMBIT”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora