E diele, 28.04.2024, 07:05 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Butaforia e “Mbrëmjes së Maturës”

E diele, 08.05.2016, 11:43 AM


BUTAFORIA E “MBRËMJES SË MATURËS”

NGA NDUE DEDAJ

Jemi në maj dhe përgatitjet për “Mbrëmjen e Maturës” kanë filluar, që sa vjen e bëhen më të ethshme. Tashmë dihet se ka një lloji aventurimi të maturantëve me mbarimin e shkollës. Duket se e gjitha finalizohet te mbrëmja e fundit, një sfilate mode, ku është zbehur pjesa ceremoniale, ajo e “diplomimit”, që nga të rinjtë shihet si rutinë. Mendja e tyre punon vetëm se si të paraqiten sa më sharmantë, si yjet e pasarelave, se “njeriu njëherë në jetë e mbaron maturën”. Preokupimi më i madh i vajzave është fustani i maturës, që po e konkuron fustanin e nusërisë. “Nuk dija çfarë doja saktësisht”, thotë një vajzë për fustanin e asaj nate, “ama doja diçka që të mos e kishte patur askush”. Si duhet të jetë ai, fustani magjik, i gjatë, i shkurtër, i hapur, i mbyllur, lara - lara, me tollumbace? Fantazia këtu është më pjellore se në orët e letërsisë, algjebrës, filozofisë. Kurse meraku i djemve është si të gjejnë një makinë të shtrenjtë për atë ditë. Kështu ajo e bekuar mbrëmje kthehet qëllim në vetvete, përfshin floktoret, stilistet, restorantet, serviset. Askush nuk mendon a thua ka ardhur koha që të dilet nga ky lloji deliri rinor dhe festa e maturës të bëhet e thjeshtë, e hijshme, me shpenzime të arsyeshme, pasi sot për sot është një butafori që ka ngërthyer jo vetëm shkollat, po dhe sheshet e rrugët e qyteteve. Sigurisht një problem edukativ, psikologjik dhe social, që i ka vënë poshtë edukatorët, le pastaj prindërit, ku jo pak prej këtyre të fundit e shohin dhe si një çast afirmimi të fëmijëve të tyre.

Përherë ka patur diçka për t’u mbajtur mend në “Mbrëmjet e Maturës”, një ritual jo vetëm shqiptar, mes solemnes dhe festives, fjalë përshëndetëse të eprorëve, çertifikata mirënjohje, shpërblime, recitime, ritme muzikore, polifoto, si dhe ato fletoret tradicionale e shënimeve me mbresat e maturantëve për njëri-tjetrin. Por në vend që kjo të përkryhet si një spektakël pjekurie e bukurie, nuk iu ka shpëtuar deformimeve të tranzicionit. Ende nuk ka një konceptim të qartë se si duhet të jetë festa e maturës, përderisa ajo ngjet si dy pika uji me një dasmë rurale, gjer te dekorimi allaturka i lokalit me shami të kuqe nëpër shkallë, që mezi presin të shfaqet nusja dhe dhëndri?! Një vajzë thoshte në TV se mbrëmja e fundit duhet të jetë “si një dasmë e madhe”. Ndokush tjetër e sheh si gallatë. Maturantët sikur mezi e kanë pritur atë ditë, të vishen dhëndërisht e nusërisht, të shpalosin atë “alegri” që nuk kanë mundur më parë. Ku është e bukura e ndonjë gjimnazi të kryeqytetit, që lamtumira e maturantëve vjen duke u lyer e përlyer me miell e vezë, pastaj vrap e në lavazhin e makinave?! Modeli i sotëm i këtyre mbrëmjeve “galà” është fshikulluar dhe nga vetë të rinjtë, disa prej të cilëve gjer duke i refuzuar.

Ndokush mund të thotë jo kaq të “ashpër” me maturantët, ata kanë ditën e tyre të gëzojnë, pastaj kjo nuk është një dukuri vetëm tek ne, në Angli e Amerikë ka patur maturante qe kanë shkuar në mbrëmjen e maturës jo vetëm me limuzinë, po dhe me helikopterin e vogël familjar, duke u ulur drejt e në oborrin e shkollës. Doemos, ka ndodhur dhe kështu, deliri nuk njeh racë, kombësi, shtet, por nuk janë skupet ato që duhen marrë për model. Nuk është as kali, as avioni ai me të cilin mund të vemi në mbrëmjen e maturës. Është natyrshmëria dhe thjeshtësia e një të riu që ka kryer shkollimin e mesëm dhe në festën e maturës duhet të bëjë gjera të pjekura që të mbahen mend dhe jo aventura qesharake. Nuk po themi që maturantët të venë në “rresht” në Mbrëmjen e Maturës, por të mos mungojë ajo gjëja shkollore, thënë në mënyrë të figurshme diploma. Pa të ç’kuptim do të kishte fustani i shtrenjtë apo kostumi firmato?

Të gjithë kanë të drejtë të kremtojnë pas 12 vitesh shkollim, por kryekrejet maturantët e mësueses së matematikës Vera Balla në gjimnazin e Lezhës, që vitin e kaluar e stolisen me dhjeta fundin e maturës së tyre, ku vetëm në njërën nga klasat e katërta (B) të kësaj shkolle me 42 nxënës, 31 prej tyre u vlerësuan me notën 10. Kurse në “matematikë e avancuar”, nga 25 nxënës - 20 u vlerësuan me 10 e të tjerët me një a dy nota më ulët. Janë motive të tilla që e kanë shtyrë DAR Lezhë të organizojë ceremoni të posaçme me maturantët e ekselencës të tre rretheve. Po ashtu vlen për t’u përmendur rasti i “Harri Fultzit” Tiranë, ku ceremonia për ndarjen e diplomave është e ngjashme me ato universiteteve, meqë dhe aty njerëzit marrin profesione; ka pse të gëzojë matura e kësaj shkolle profesionale, pasi 20 përqind e maturantëve të saj studiojnë në universitetet më të mirë të SHBA dhe Europës. Edhe shkolla të tjera kanë treguar klas në ceremoni të tilla, në Shkodër, Elbasan etj. Ashtu si shkolla e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, që veç të tjerash kishte sjellë një këngë kushtuar maturës. Nuk është një gjë mbyllja e maturës si provime dhe një gjë tjetër “Mbrëmja e Maturës” si dëfrim, ku në këtë të fundit qëllon që shkolla vete e ftuar nga maturantët, tashmë të “pavarur”!?

Shkolla dhe këtu duhet të krijojë modele të kohës, por ato nuk arrihen pa vizion modern e vullnet për të ndryshuar pozitivisht. Kemi përgjegjësi vëçanërisht ne, edukatorët, që na ra për “barrë” një rini e dhënë jo pak pas qejfit, dukut, ku është venitur modestia dhe përkorja, virtyte jo vetëm të traditës sonë, por të çdo qytetërimi. Mbrëmja e Maturës është një dukuri që përfshin 40.000 maturantë, prindërit, mësuesit etj. Institucionet e edukimit kanë gjithë tagrin dhe mundësitë të ndikojnë në bërjen e më të mirës për festën e maturantëve, mjaft që kjo të shihet si një projekt qytetarie, që, në një mënyrë a në një tjetër, ta përmbajë kontekstin shqiptar, çka deri diku e vëren në shkollat e Kosovës etj. Nuk është fjala për të shkuar me xhubletë e fustanellë në mbrëmjet e maturës, por as për të imituar tendencat kinse moderne, që shoqëria globale nuk i ka bërë të vetat, por i sheh si kalimtare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora