Mendime
Ndue Dedaj: Një princ i bletarisë shqiptare
E diele, 17.04.2016, 09:07 AM
NJË
PRINC I BLETARISË SHQIPTARE
NGA NDUE DEDAJ
Sa herë kalon Rrugës së Kombit, bregut të Fanit të Vogël, poshtë Gurit të Nuses, kujtohesh për një legjendë a të vërtetë të atij guri përrallor, në mesin e tij gjendet një gurrëz, që kullon parreshtur mjaltë. Thonë se aty brenda është një bletë mijëvjeçare, që lëshon vit për vit, por mjaltin e saj mund ta hanë vetëm shqiponjat që ngrihen mbi bjeshkët e Xhuxhës dhe majën e Zepës. Të kishte rrjedhur pak më dukshëm ai mjaltë, me siguri që te guri “zgjua” do të kishim vënë shtambat për të mbledhur pikë-pikë qumështin e bletës dhe fuqitë e rënda për të gurgulluar mjalti, ndoshta duke u ndeshur dhe me arinjtë e murrmë!... Sigurisht, përtej kësaj rrëfenje të bukur, në malet tona ka patur një traditë bletarie që vjen deri më sot duke u kultivuar. Tani bletarët janë me “shkollë”, lexojnë manualet e bletarisë, i shtegtojnë parqet e bletëve sipas stinës, përdorin ilaçet që vijnë nga Europa, marrin këshilla nga specialistët e njohur, njëri ndër të cilët është Prengë Pepa. Deri sa kishe njohur atë, për ty të gjithë bletarët ishin njësoj, ai ishte doktori i tyre, i bletëve dhe i bletarëve, si me thënë ustai i ustajve. Teksa bisedon me Prengën, thua me vete: nuk ka dalë më kot ajo shprehja që kalliri plot rri me kryet ulur.
Libri i tij i “xhepit” - “Lahuta e Malsisë”, mësuar përmendësh qysh në fëmijëri
Mund të mos e nisnim shkrimin, në stil të “vjetër”, kushtuar një sipërmarrësi të kohës së sotme, por mbase kështu është më mirë, pasi lexuesi jo rrallë haset me tipa që shndrisin nga kallaisja e jashtme, kurse në thelb nuk përfaqësojnë kushedi se çfarë, as në biznes, as në politikë, as në jetën sociale. Tash që është mbushur vendi me individë të rrejshëm, është detyrim e mediave të qëmtojnë profile njerëzish që nuk bëjnë asgjë për “marketingun” e tyre publik, edhe pse personazhi i këtij shkrimi nuk është i panjohur për mediat, ai ka qenë i ftuar në emisione televizive, si “Pasdite në Top Chanel” etj. Biznesin e ka në Lezhë, Tiranë dhe në të gjithë vendin, kurse shtëpinë-vilë vazhdon ta ketë në fshatin Zejmen, gjëja më e çmuar e së cilës është biblioteka me libra në shqip dhe në gjuhë të huaj. Pasioni i tij është libri, ai është mik i përhershëm i panaireve të librit. Është mëkuar qysh në vogli me Fishtën dhe është ndoshta i vetmi autor për të cilin nuk bën “kompromis” përsa i përket rendit të shkrimtarëve të traditës, teksa ndjek dhe poetët bashkëkohorë, i ka në shtëpi botimet e tyre të fundit. Kemi qenë të ftuar të tij, në një drekë krijuesish, në një nga lokalet e Vraninës, buzë liqenit të Shkodrës, ku ai ishte ciceroni i kullës së famshme të Oso Kukës, si dhe recituesi pa pushim i “Lahutës së Malsisë”. Prenga di aq shumë vargje dhe këngë nga poema madhore fishtiane, që thotë se e ka mësuar nga ia ati, kur ende nuk kishte hyrë në shkollë, ani se kjo gjë askohe ishte herezi. Është një biznesmen që mbështet kulturën, veprimtaritë e fëmijëve lezhianë, botimet e ndryshme letrare dhe shkencore etj., por nuk jep një “kokërr leku” për koktejlet e politikës. Nuk flet thuajse asnjëherë për politikën, ani se dikur pati kandiduar dhe vetë për deputet, në fillimet e demokracisë. Të bën përshtypje një foto e hershme e tij me Kadri Roshin, kur studenti i dalluar i veterinarisë luante me trupën teatrore të Institutit të Lartë Bujqësor. Kishte dashur letërsinë, teatrin, por biografia e kishte lejuar sa për veteriner. Thënë ndryshe, nuk mund të merrej me njerëzit, por vetëm me kafshët! Sot mund të duket habi, por atëherë ishte një kriter ideologjik, i pashkruar. Megjithatë Prenga nuk i kishte kaluar zanatit nëpër të, përkundrazi e kishte marrë seriozisht, duke bërë emër si specialist. Në kushtet e reja të ekonomisë së tregut, këtë profesion ai do ta adresonte dhe te njëri nga djemtë.
Në panairin e bletarëve të Kosovës
Rasti e solli që me Prengë Pepën të udhëtonim së bashku drejt Gjakovës, në një panair të bletarëve të Kosovës. Ata e therrisnin “profesori” dhe i vinin gjithnjë në krye të vendit, si në panelin për shkëmbim përvoje etj. Ishte 6 nantori i vitit të kaluar. Festa e mjaltit u organizua në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”, nga shoqata e bletarëve gjakovarë, nën kujdesin e komunës, me ekspozime të llojeve të mjaltit, mjaltë gështenje, trumze, akacie, livadhi, njëqindpërqind natyral. Nga Shqipëria binin në sy veçanërisht prodhimet e kompanisë së njohur “Morava” Korçë etj. Folën aty Haxhi Demukaj, kryetar i bletarëve të Kosovës prej 40 vitesh, doktor Prengë Pepa, doktori i shkencave Agim Nelaj, një mjeke e spitalit të Gjakovës, bletarë nga Peja, Mitrovica etj. Biblioteka “Ibrahim Rugova” për dy ditë u hap për kumtimet e bletarëve, por dhe botimet e tyre më të fundit. Manualet e bletarisë kanë nganjëherë më shumë lexues dhe se letërsia artistike. Ajo është mjeshtri që kërkon art. Demukaj thotë se në Kosovë ka 90 mijë shoqëri të bletëve. “Bletaria tek ne ka qenë e begatë, e shëndoshë, por sot brenga më e madhe e bletarëve tanë është importimi nga rajoni i bletëve të sëmura”, si një apel pushtetarërve që të mos lejojnë importim të bletëve të sëmura nga Maqedonia etj. Panairi nuk ka vetëm mjaltë, por dhe kujtime, informacione të reja. Aliu nga fshati Osek-Hilë thotë se kur vinte miku i “pritej” një bletë, si të thuash, një bagëti. Zefi në Gjakovë ka një park me 300 bletë. Veziri tregon tri llojet e mjaltit, dyllin dhe ushqimin e bletëve sipas sezonit. Edhe ai e ka traditë familjare, me rreth 500 koshere. Duke kuvenduar me këta bletarë doktor Pepa thotë së një mbretëreshë mund të udhëheqë deri në 50 mijë bletë, duke shtuar me humor se kjo shërben dhe për femrat në drejtim e administrim, të cilat janë më të zonjat se burrat. Diskutimet mes bletarëve nuk janë gjithnjë “mjaltë”, ata kanë dhe mjaft probleme në mbarështrimin e bletëve. Për disa zona, doktor Agimi nga Saranda, thotë se është shtuar numri i bletarëve dhe është ulur numri i bletëve. Në themi andej nga Jugu mbetet çobani më kërrabë në dorë...
Tradita shqiptare e bletarisë, pararendëse e bletarisë moderne
Bletaria është e lashtë sa vetë njeriu. Bleta është stampuar deri në stolitë e grave dhe monedhat e vjetra antike. Duke bërë fjalë për gjurmët e bletarisë iliro-shqiptare, studiuesit thonë se ilirët kanë qenë bletarë të shkëlqyer dhe mjeshtër të mirë të prodhimit të mjaltit, ashtu si dhe të verës. Ti, që nuk të intereson dhe aq historia e bletarisë, natyrshëm rikthehesh te fëmijëria jote, te “bletët” tua të një kohe jo dhe aq të largët. Në shtëpinë tonë, në Shëngjergj (Mirditë), deri aty nga vitet ’70 kishim nja njëzet zgjoje bletësh prej lisi korrotiç, rreshtuar në një cuprrele sipër shtëpisë, në korijën me lisa. Kur babai iu merrte bletëve në mënyrë primitive, thjesht me një tymçe, dhe hojet e mjaltit viheshin në tavolinë e kullonin në enë, ishte një kënaqësi e patreguar. Koolektivizimi i dha fund kësaj zeje tradicionale, prodhimit të mjaltit nga vetë fshatarët, si në kohët pagane. Asokohe filluan të shiheshin dhe zgjojet e parë modernë, siç quheshin, që ngjanin me ca kubikë të verdhë. Nuk kishte më bukur se kur bleta lëshonte dhe ne fëmijët për të mbledhur bletën e re, në zgjuan e ri, rrihnim dy gurë në duar dhe të vjetrit këndonin dhe ndonjë këngë rituale. Ishte e para “duartrokitje” jona ajo për lindjen e bletës së re. Ajo që të intrigonte pa masë te bletët ishte mbretëresha e tyre, që udhëhiqte gjithë atë koloni gazmore e zhuzhitëse. Ndërkohë që nuk kishin ndonjë mbret apo mbretëreshë të tyre anzat, grerëzat, mizat, bubuzhelat, kandrrat. Bleta kishte familje si njeriu, ajo kur shumohej, ndahej po ashtu si njerëzit. Mbase për të gjitha këto, për bletën, ndyshe nga të gjithë krijesat e tjera shtazore, shpendore, insektore, nuk thuhej ka ngordhur, por ka vdekur, njëlloj si për njeriun. Po të thoshe ndryshe, kishte hyrë në gjynah, se sipas mendësisë popullore bleta vdiste, nuk ngordhte. Koha e dytë e bletëve, në lagjen tonë Qafë-Vorrës të Kaçinarit, ishte ajo e bletërritësve që vinin nga Zadrima, kryesisht nga rrethina e Balldrenit, me tufat e fermave apo kooperativave, afër 50 zgjoje për shoq dhe pak zgjoje private (mes tyre), ku si dy kapitenë të tyre ishin Mëhilli më zë basi dhe Myrtja urtak etj. Tashmë kishte dhe bletërritës të rinj mirditorë që i shtegtonin bletët deri në Tropojë te masivet e gështenjave në Markaj etj. Qenë bërë shkak bletët e Pyjores së Mirditës që pata shkelur për herë të parë në “Bajram Curri” me 1980, mes bletarëve hokatarë, me një makinë “Zis” bojë hiri, rrugës së mundimshme nga Qafa e Malit dhe qeshë kthyer prej andej me një reportazh, që do të botohej te “Zëri i Rinisë”. Teksa si shkollar isha befasur nga titulli “Bleta shqiptare”, përmbledhja me këngë popullore e Thimi Mitkos, që kishte kuptimin se ai i kishte mbledhur ato këngë si bleta nektarin, lule më lule. Me bletët punëtore kishte dhe fjalë të urta. Vendet tona vërtet rrisnin dhe “lulen e helmit”, por dhe plot bimë ambëltore, mbi të cilat ulen bletët e “kokrrojnë” nektarin, pas shtegtimesh të gjata. Ja, të gjitha këto i sjellim ndërmend sa herë me Prengë Pepën dhe ai qesh, duke e mbajtur “vrapin” nëpër bletoret e rruzullit.
Në aeroportin e Shangait, në kërkim të mbretëreshës së bletëve
Prengë Pepa bën shumë udhëtime pune dhe mbresat i ka përmbledhur në një libër publicistik, “Shko vetë te burimi”, pasi gazetaria ka qenë pasioni i tij i hershëm. Ke kthyer fletën e fundit të librit të tij për bletarinë dhe të ngjan se ai tashmë gumëzhin brenda teje si një zgjua bletësh. E ke pasuruar njohjen tënde me një botë të re, të panjohur, që ka një mbretëreshë e ti natyrshëm kërkon të njohësh dhe princërit e asaj mbretërie. Dhe beson se njërin nga ata e ke takuar dhe është pikërisht ai për të cilin shkrun këto radhë. Ai jo vetëm që njeh traditën e bletarisë, terrenin e mbarështrimit të bletëve në shkallë vendi, mangësitë e menaxhmit tradicional të tyre, por dhe përvojat më të mira botërore. Për këtë qëllim ai nuk është ndalur në rajonin tonë e rreth e qark tij, por ka shkuar deri në Francë e Itali, në Greqi e Poloni, në Kinë e Australi, në Ukrainë etj. Për të bleta është një perëndeshë e ambëlsisë, bukurisë, fluturimit anë e mbanë dheut për të mbledhur polenin. Sa e vetme në kërkimin e saj të pakrahasueshëm për te “mushti” i luleve, aq dhe banore e një kolonie të pafundme bletore. Asnjë familje tjetër gjallesash nuk ka aq shumë frymorë brenda një shtëpie sa bleta, të paktën njëzet mijë frymë, e cila kur ndahet dhe i nxjerr bijat në shtëpinë e re, e bën këtë duke lajmërur njeriun, që të kujdeset dhe të merrë pjesë në këtë ritual të rrallë... Aeroportet janë të çuditshëm, për njerëzit që presin dhe përcjellin. Aty mund të shohësh diplomatë me valixhe diplomatike e komisionerë të lartë që nxitojnë të venë në takime me kancelarët e shteteve, presidentët, apo Mbretëreshën e Anglisë, ashtu siç mund të vëresh në aeroportin e Shangait biznesmenin shqiptar Prengë Pepa, që nxiton vërtet të takojë një mbretëreshë, por atë të bletëve, saktësisht për të marrë pjesë në “një trajnim kinez trejavor për prodhimin e mbretëreshave të seleksionuara.” Këtu mund të zbulosh dhe një lloj pasioni që ai ka për Kinën, ku ka qenë dhjetë herë, ka vizituar kompani të integruara, që bëjnë gjithçka që ka lidhje me bletën: prodhim mjalti, qumësht blete, përpunim, tregtim, kërkim shkencor, trajnim, të gjitha sipas standarteve më të larta ndërkombëtare. Mëson nga shënimet e tij se njëra nga ato kompani kishte ndërtuar dhe një park të madh agro-shkencor, që quhej “Mbretëria e Bletëve”. Por dhe një muze ku mund të shihje zgjoin më të madh të bletëve, në një sipërfaqe prej 16 metra katrore, me 1.4 milion bletë dhe me 40 mbretëresha brenda tij.
***
“Shko vetë te burimi” është i mbushur me plot informacione për qytetërimin gumzhitës të botës, brenda një koshereje bletësh. Informacioni është jo vetëm bashkëkohor, vjelur nga guidat, katologët, kongreset botërore të bletarisë, por dhe i dhënë më një gjuhë të stilit enciklopedik. Lëvrimin e publicistikës e pati nisur qysh herët kur ai ishte student, rreth 40 vite më parë, në shkrimet debutuese në “Studenti i Bujqësisë”, më pas te “Zëri i Popullit”, “Koha Jonë”, revistën “Bleta” etj. Prenga nuk shkruan vetëm manuale të dobishme për bletarinë, por dhe artikuj problemorë nga kjo fushë. Ai i mëshon idesë që bletarët shqiptarë lypet të sigurojnë prodhime natyrale bletarie, si prirja më e rëndësishme e bletarisë së sotme, në kuadrin e përpjekjeve botërore për shtimin e prodhimeve bio. Prengë Pepa është drejtues i “Farma-vet Lezha”, me shtrirje në të gjithë republikën. Për pesë vite ka drejtuar dhe Shoqatën Kombëtare të Bletarisë. Ai është më të vërtetë një princ i bletarisë shqiptare. Tonja, bashkëshortja e tij, mësuese biologji-kimie, ka qenë gjithnjë një këshilltare e “brendshme” e kompanisë, por pas daljes në pension, ajo është dhe më e pranishme në menaxhimin e saj.