Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Dosja nr. 1333
E marte, 12.04.2016, 08:55 PM
DOSJA NR. 1333...
PSE I VRANË DY PROFESORËT NË SHKODËR ?!
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e VIII.
PROF. AVOKAT PAULIN PALI DHE PROF. KOLË PRELA...
?“... Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” - vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 - 1990” fq. 36, 1993.
?Kush ishte Prof. Avokat Paulin Pali?
Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot.
“Avokat Paulin Mark PALI është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946...” Paulini deklaron: “Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizren. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit... Jam arrestue nga forcat partizane tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946...”
?Në vitin 1992, më tregonte zonja Terezina Pali (Zorba), ish bashkvuejtëse e Avokatit në kohen e hetimeve: “Kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë...Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun ju përgjegja: “Kush?”...Ai u përgjegj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”.”Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël sa mezi mund të futej një fëmijë.
Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana... derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.”
?Do të ishte me interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh që, nuk m’u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, po mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Burrave që s’ njohën frikën: Prof. Kol Prelës, Av. Paulin Palit, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit.
?Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material. E vetmja dishmi per Te, asht ajo e Loro Vatës, që ishte prezent kur u holl nga dritaria... E kjo ngjante si pasojë e torturave e presioneve per dishmi fallso nga krimineli Fadil Kapisyzi.
?Edhe pse të ndodhun para gjakajtorëve kriminel’ e vrasës: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Fadil Kapisyzi, Xheudet Miloti, etj., asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së Tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së Tyne nga torturat.
?Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka, deputeti i Dukagjinit në zgjedhjet e vitit 1945?
Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon:“Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935.
Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940. Në 1944 ishte në Shkodër, përgjegjës i Seksionit Ekonomik. Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945. ?Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që u arrestue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm Shkodër.
?Prof. Kol Prela deklaron: “Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim...Loro Vatën e njof për ftyrë por nuk kam pasë lidhje. Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë por unë i kam kundërshtue. I kam tregue për Konferencën e Paqës që ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe. Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e Francë.
?Procesi vazhdon: Zoji Themeli arrinë që Kola të ballafaqohët me vëllain Markun, për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, dhe se Kola i ka dhanë udhzime asaj Organizatë, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë Kola, do të më kishte tregue... Zoji Themeli d.v.”
?KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit...
?ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve...
?KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333).
? Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kap. Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit: “1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba, 4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza, 6. Abdyl Riza Rusi dhe 7. Mehmet Mahmut Daiu...
Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.
Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste. Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit. Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë nga të huajtë imperialistë...
***
?“Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali, sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën me pyetjen e të pandehurit:
?Prof. Kol Prel GJOKA: “...vjeç 30, i pamartuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më 19 shtator 1946, deklaroi: Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”
?Prof. Av. Paulin PALI deklaron: “Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, ...në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra sajë, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike.
Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. ..Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia.
?Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta. Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera por, as që kam bisedue për té me njeri.
Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!..
Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.
Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht!”
Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon. Kerkoj mëshirë!”
?Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin:
PAULIN MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë.”
?“Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e sajë me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap. II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës
1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetët në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”
?Cili ishte vullneti i tyne i fundit? Kur u ekzekutuan? Kush i ra mbas kokës...
Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, por nuk e njohti....E pau se merr frymë dhe, e pyeti: “Kush jé ti?”
Ai u përgjegj: - “Jam Paulin Pali”...
***
HAPNI DOSJEN 1333 e shikoni, sa intelektualë u zhduken nder ata dy vjetë...
?Të gjithë të pafajshem, të varfen, pa shtëpija, pa familje, po edhe... PA VARRE!
?Vetem kështu, rrenohej përgjithmonë thëmeli kulturor në Shkoder!
Vazhdon Pjesa IX...