E shtune, 25.01.2025, 12:59 PM (GMT)

Mendime

Thanas Gjika: Shinasi Rama mbylli kohën e mashtrimit

E marte, 22.12.2015, 07:32 PM


SHINASI RAMA E MBYLLI KOHEN E MASHTRIMIT

Nga Thanas L. Gjika

Lëvizja studentore e dhjetorit 90-të ngjalli shumë shpresa për përmbysjen e diktaturës komuniste. Për këtë arsye asaj iu bashkuan plot ëndrra dhe emocione shumë njerëz të ndershëm që kishin vuajtur gjatë regjimit komunist, sidomos të përndjekurit e ndërgjegjes. Mirëpo që në javët e para të saj studenti Shinasi Rama me disa bashkëstudentë/e doli kundra procesit të manipulimit që filloi të zhvillohej brenda kësaj lëvizjeje me hyrjen e Sali Berishës, Gramos Pashkos e të elementëve që futi aty Ramiz Alia për të realizuar porositë që kishte dhënë në Katovicë Mikhail Gorbaçovi.

Shinasi Rama me disa shokë u detyrua të largohej nga atdheu e të vijonte formimin e tij politik në USA, prej ku shkruante herë pas here për të vërtetën e lëvizjes së dhjetorit, por pak lexues e besonin sepse shtypi e media në Shqipëri manipuloheshin prej njerëzve të Ramiz Alisë dhe shpifnin kundër tij. Pas vitesh studimi e pune Shinasiu arriti të mbronte gradat master e doktor (Ph.D.) dhe të merrte titullin Profesor në shkencat politike, të ishte një mësimdhënës në universitete amerikane, të merrte pjesë aktive në UÇK për çlirimin e Kosovës, etj.

Shumë intelektualë, sidomos të përndjekur, midis të cilëve mund të përmend Eugjen Merlikën, Lek Pervizin, Pëllumb Kullën, Mërgim Korçën, Visar Zhitin, etj, përjetuan zhgënjim ndaj Sali Berishës dhe filluan të shkruanin për të treguar gabimet dhe dëmet e berishizmit. Sipas tyre, Sali Barisha dhe stafi i tij nuk mund të drejtonte tranzicionin e shoqërisë shqiptare për të kaluar në një sistem vërtet pluralist demokratik me ekonomi të lirë tregu. Ata kritikuan shkelje të ndryshme të rregullave të lojës politike në pluralizëm dhe shfaqjen e totalitarizmit. Madje pati edhe nga bashkëpunëtorët e afërt të tij, si grupi i mocionistëve që i dolën kundër, por që duke mos pasur ideale dhe karakter të fortë, u ribashkuan përsëri me Berishën duke u kënaqur me poste pushteti. Ndonjë si gazetari Mero Baze, pasi u largua nuk u pajtua më, dhe vijon botimin e gazetës më opozitare ndaj Berishës e berishizmit. Kurse avokati Spartak Ngjela jep sqarime për gabimet e bëra prej gjithë klasës së sotme politike.

Në kuadrin e 25-vjetorit të lëvizjes studentore, Shinasi Rama ka disa muaj që ka shkuar në atdhe së bashku me disa kolegë dhe po përpiqet të dëshmojë mbarimin e kohës së mashtrimit. Në fjalimet e intervistat e tij ai po mëshon tek fakti se Sali Berisha është i pandreqshëm, se berishizmi ka hyrë në historinë e Shqipërisë si mashtrim i pafalshëm i proceseve të tranzicionit. Ndër kohë z. Shinasi Rama duhet të bëjë të qartë qëndrimin e tij edhe ndaj Ilir Metës e partisë së tij LSI, si dhe ndaj kryeministrit të sotëm z. Edi Rama dhe partisë PS, që ky drejton.

Krijimi i një opozite të vërtetë kërkon që të aktivizohen në radhët e saj njerëz të pakorruptueshëm, njerëz që nuk janë përzier, as ata as prindërit e tyre, në detyra pushteti gjatë diktaturës dhe as gjatë këtyre 25 vjetëve të tranzicionit mashtrues.

E ndjej për detyrë morale t'ju bëj thirrje gjithë atyre që ndjehen të zhgënjyer e të pakënaqur ndaj klasës së sotme politike, gjithë të përndjekurve të ndërgjegjes dhe çdo shqiptari të ndershëm që t'i bashkohen lëvizjes së re që po organizon Shinasi Rama, si një lokomotivë, e cila po të vihet mbi shina, mund ta shpjerë popullin shqiptar drejt rigjenerimit politik, moral, shpirtëror dhe ekonomik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora