Mendime
Shefik Shkodra: Mashtrimet e institucionalizuara
E merkure, 25.11.2015, 09:50 PM
Si të tejkalohet kriza politike në vend?
MASHTRIMET E INSTITUCIONALIZUARA - VEPRIME TË DËNUESHME
NGA SHEFIK SHKODRA
Vërtet është për t’u tronditur qytetarët. Gjendja ka filluar të stërkeqet, jo veç nga pozita dhe opozita. Sikur dikush me diçka e për hiç çka po përpiqet ta rrënojë krejt këtë që është arritur deri këtu. Nuk mund të mendoj se ka mjaft qëllimkëqij në mese tona, po vlera e punës na bën të kuptojmë se gjendja shkon kah ajo që i thonë destruksion. E dini të gjithë se çka ishte me këtë vend deri në këto kohë. Me çdo kusht nuk duhet që të paralizohet krejt çka ka e çka s’ka. Po ka diçka realisht që (s)mund të tolerohet. Është pak e pahijshme që t’i drejtohem ndonjërit me epitete jo aq të mira dhe jo aq të pranueshme. Sidomos, kur ndonjëri e mban veten si shumë atdhetar, e madje shumë të pa prekshëm. Madje shumë demokrat, pa e ditur ç’është demokracia fare. Megjithatë, duhet të dihet se kujt i atribuohen dhe kush i meriton më parë termat tradhtar, kriminel e hajdut. S’do mend se vetë koalicioni qeverisës, kemi thënë, është i panatyrshëm, prapshtues e abuzues në të shumtën e kohës deri në këtë rast. Dhe kjo nuk duhet të jetë shumë e jashtëzakonshme për opinionin tonë, po as për atë të jashtmin.
Është dashur t’u thuhet e vërteta qytetarëve – ende s’është vonë
Nëse vërtet e kemi pasur “orlin mbi kokë”, më mirë është dashur që të këshillohemi, madje edhe të debatohet me opozitën dhe me opinionin e gjerë publik. Shkurt, është dashur të thuhet qe sa kohë, së paku, të jepet një shenjë se, marrëveshjet në Bruksel janë bërë të detyrueshme. Se duhet të jepet kjo pjesë apo ajo pjesë e vendit dhe, për çfarë arsye të krijohet Republikë etnike e pastër, po çfarë arsye të jepet tokë fqinjëve (nëse është ashtu). Nuk mund të fshihen gjërat që janë me peshë kombëtare. Qytetari i jonë është shumë i vetëdijshëm se, ne kemi shumë detyrime për aleatët tanë. Po për këtë është dashur që të marrë pjesë e t’u dëgjohet zëri edhe atyre, madje jo veç opozitës. Është dashur të zgjidhen njerëz që u themi ekspertë për gjëra që s’mund t’u dalim zot. Ky shekull ka edhe shqiptarë ane kënd botës, madje disa edhe të aftë. Dhe pas gjithë shoshitjeve dhe ngarendjeve,fundi është dashur të shikohet bashkërisht, a pajtohemi me zgjidhjen e problemit. Atje ku preket esenca shtetërore e kombëtare, do të ndalohej me kohë. Nuk besoj se, vendet demokratike, aleatët tanë do të insistonin në mënyrë imperative të veprohet diçka në kundërshtim të vullnetit të qytetarëve të këtij vendi, për të cilin, mendoj se kanë investuar edhe ata mjaft.
E paarsyeshme shtypja e reagimit me aparat shtetërorë
Nuk mendoj se krejt aparati shtetërorë (i sapo formuar) të përdoret kundër qëllimeve opozitare në këtë rast. Puna është shumë e shkapërderdhur. E para, nuk ka drejtësi për një pjesë të madhe të qytetarëve e as për opozitën. Vërtet shteti duhet të mbrohet me mjetet që posedon, por edhe deliktet e veprat e rënda penale, të shumta të atyre në institucione do të duhej të sanksionoheshin kaherë. Kjo deri më tash nuk ka ndodhur dhe një gjë e tillë nuk ekziston te ne. Dhe kjo shihet haptas me korrupsionin e me krimin e organizuar që është legalizuar tashmë, si kategori shoqërore në anarkinë e vendit tonë. Krejt kjo vjen nga qeveritarët dhe institucionalistët e instaluar në pushtet. Dhe kjo është shumë e dënueshme. Asnjë paravënie për nepotizëm. Asnjë tejkalim të gjendjes së mjerueshme të qytetarit të rëndomtë në sigurinë e përgjithshme, si në shëndetësi, arsim, punësim etj. që të gjitha këto janë thënë pa ndërprerë. Asnjë shënim praktik i domosdoshëm, që të ruhet sistemi demokratik shtetërorë. Këto pasoja vijnë nga koalicioni në qeverisje që nga fillimi. Asnjë instancë gjyqësore nuk është në nivelin e tyre përgjegjëse. Ata i presin urdhrat nga politika se, kush duhet të hetohet e kush dhe çka duhet të gjykohet. Për këto gjëra dhe të tjera u kanë thënë opozita, OJQ-të e qytetarët e kategorive të ndryshme sociale. Asnjë ndërmarrje për zvogëlimin e më të keqes kriminale. Përkundrazi,të gjitha janë rritje. Dhe qytetari s’ka ku të mbështetet më. Për të gjitha këto, keni jo veç raportet indikative për mossukses, por edhe raportet e brendshme nuk ju lavdërojnë. Prandaj, ndjekja e deputetëve opozitarë dhe militantizmit të tyre, nuk do të ishte punë e mirë, konsideroj as vepër që do të pëlqehet prej askujt, veç si një shënim historik e shoqërorë për një neodiktaturë të postmonizmit.
Serbia me mashë në dorë
Për pamjet e pamohueshme të manifestimeve protestuese duhet të shqetësohen të gjithë, koalicioni qeverisës, koalicioni opozitar, por edhe qytetarët. Dramatizimet në rrugë nuk mund të mohohen, ato ishin panorama të kahershme me ikjen e qytetarëve nga vendi i tyre me autobusë nëpër Serbi. Kush e prodhoi këtë? Por koalicioni i Qeverisë është i vrazhdët e me sjellje ngacmuese e brutale. Sjellja çfarë është pa, pajtohem, as në sallë të kuvendit e as në pasurinë shoqërore e private nuk tregohet mençuri nga opozita. Po këtë e shkakton një egoizëm i tepruar i pozitës. Nuk mund të justifikohet asnjëri prej këtyre gjesteve e veprimeve të opozitës, sigurisht në kusht normale. Pamjet janë ngjashmëri e viteve të tetëdhjeta e të nëntëdhjeta, në kundërshtim me shtetin okupues serb. Madje edhe më keq. Armiqësimi dhe kokëfortësia për të qëndruar gjithnjë në një mendje, secili sipas vetës, sot për sot e ka liruar Serbinë nga aktrimi konkret, e cila nuk është me dorë të vet duke vepruar, por me organizimin e veprimin e saj që t’i ripërtërijë skenat e veta në Kosovë. Vetëm tash, një “kurdisje” me shqiptarët kundër shqiptarëve. Jepen shenja për një pavetëdije të të gjitha palëve, në radhë të parë të koalicionit qeverisës. Shihet, sikur nuk e dinë çfarë mund të ndodhë më tej. Këto shfaqje, sikur ajo fjala e vjetër, “për inati të re-së, më vdektë djali!” Edhe kjo është tërësisht e pajustifikueshme dhe e demoduar! Çka thonë qeveritarët shqiptarë për ikjen e qytetarëve nga vendi i tyre. Si ruhet shteti, duke kaluar prej afere në aferë – ndoshta kështu mendojnë qeveritarët për pushtet?! Le të kujtohen një pjesë e pushtetarëve, kur e kanë thithë tymin helmues të Serbisë nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës dhe le të mendohen, pas betimit të tyre, si atdhetarë të mëdhenj e të pakalueshëm që e quajnë vetveten, a kanë menduar se, pas 15-16 viteve do t’ua bëjnë bashkëkombësve të vet edhe më të ashpër jetën. Kjo është shumë për gaz të botës! Sado që shteti ruhet dhe ndiqet kushdo që do të shkatërrojë apo përmbysë atë, por në këtë rast, për inati të atij fqinjit është dashur marrëveshje në mes veti.
Me kokëfortësi për interesa individuale e grupore
Shumë punë si duket janë krye pa një unitet, ose me njerëz të parlamentit që s’marrin vesh. Ndoshta, dikush nuk e di se për çka është aty. U vjen më lehtë se, opozita ka qëlluar, bie fjala, e dobët, por edhe qytetarët më të dobët. Kush ka thënë, e kush po thotë se mund të bëhen punët nacionale pa marrëveshje të brendshme. Njëmend, aleatët e vendet demokratike perëndimore na kanë çliruar dhe na kanë ndihmuar, por askush nuk ka dëgjuar se kanë thënë, patjetër vetëm kështu dhe jo ashtu! Çfarë mund të thuhet për këtë gjest të koalicionit. A mundet që kuvendi të jetë një shërbim formal i qeverisë dhe në çfarë përmasash. Nëse opozita (çfarë do që është – s’ka mund dhe s’mund të përjashtohet, sikur që nuk ka mundur të ju përjashtojë askush edhe ju të pozitës) ju lutet për një gjë që nuk është sekrete dhe nuk do të duhej të jetë aq sekrete, të bëhet publike dhe pozita nuk dëshiron të dëgjojë fare për këtë, çka mund të veprohet pastaj? Kjo është shumë e rrezikshme. Kjo nuk duhet të kalojë heshtazi. Prandaj na dalin kundërshtitë qesharake para opinionit botërorë. Prandaj, mund të lindë edhe konflikti i brendshëm, prandaj nuk mund të arsyetohet asnjëherë pozita. Prandaj çështja është shumë historike, që bie në rend të parë në shpinën e pozitës. I shtojmë edhe shumë afera ekonomike, shëndetësore, arsimore, politike e shkatërrim nga korrupsioni e krimi i organizuar, bashkë me këto marrëveshje për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me M. e Zi, që kjo ishte, me siguri e ngjashme para do viteve edhe me Maqedoninë, atëherë si dhe çka ka më keq? Edhe ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen për AKS e kanë të qartë se, nesër do të pjellë një Republikë serbe në Kosovë. Për inati të kujt? Serbia nuk po mundohet që ta rehatojë mbetjen e serbëve në Kosovë, po për një krijesë të re. Pra, reagimi e kundërshtimi është i drejtë. Dhe, pa marrë parasysh se kush janë ata të opozitës, kush po i kundërshton nënshkruesit e marrëveshjeve, pozita nuk mund ta injorojë edhe një pjesë të madhe të qytetarëve. Prandaj është përgjegjësi jo vetëm historike të sillet dikush në këtë mënyrë me këtë vend, por edhe ligjore.
Shteti i Kosovës anon të bëhet policor në dobi të Serbisë
Nuk dua të prejudikoj as të paramendoj se, dikush lufton vetëm për pushtet edhe pse kjo është e ditur. Vetëm ajo çka shihet e dihet, nuk është aq e vetëdijshme asnjëra palë dhe nuk është menduar sa e si duhet për qytetarët dhe jetën e tyre. Ndoshta, kështu dëshiron dikush që, më në fund pas krejt asaj që është bërë një farë vije për këtë vend, ta shkatërrojë dhe ta neutralizoj. Sikur “pas meje guri mbi gurë të mos mbetët!” Edhe për këtë punë kemi shkruar disa herë. Serbinë nuk mund ta kontrolloni, as nuk mund aq lehtë të mbroheni nga propaganda e sah. Lansimin e propagandës politike – gjithnjë rrenë e plason në çdo skutë. Këshilltari i saj është forca veri-lindore. Policia! Policia..! po thërrasin tash, meqenëse këto ditë, vetëm policia ka mbetur të kryejë punën e vet për këtë shtet, tash për tash edhe unë mendoj se, është i vetmi segment qeveritar që vepron diç më mirë se të tjerët. Për këtë duhet ta pagëzojmë me këtë emër Kosovën. Po edhe gjyqësia pas saj po del se është duke mbrojtur shtetin nga “nacionalizmi e irredentizmi...”, duke i ndjekur të opozitës dhe militantët e tyre, me këtë donë ta justifikojnë veten që paguhen për vendin e punës. Nuk flitet për ndjekjen e hajdutëve, kriminelëve dhe atyre kontrabandistëve me Serbinë, për tregtinë e fëlliqtë, për ndarje trojesh e tokash, si ishte ai rasti me Maqedoninë, edhe tash me M. e Zi. Pastaj, e dini si jemi ankuar deri dje, madje të gjithë prej atyre “komunistave”, duke i fajësuar, qofshin një pjesë edhe njerëzit më të mirë se koalicioni i sotëm. Së paku nuk kanë bërë kontrata për tokën e vendit. Me një shtëpi apo banesë e kanë kaluar jetën e tyre. Nuk ua kanë dhënë krejt si që kanë thënë “padronët” dhe tash krejt ju “patriotat” e ... që nuk kishit gjë para shpirtit ua dhatë, jo veç vetës, por edhe atyre. Personalisht isha i gëzuar një kohë se, ju do të jeni ata që do të qëndroni përballë këtyre çakallëve shekullorë. Por ju (e...). S’keni çka dilni para syve të botës së brendshme as atyre të jashtmëve. Cili është më kriminel, ai që ka thyer disa xhama nga revolta e arsyeshme, ka hedhur tym toksik në parlament, apo ai i cili i bën marrëveshjet tinëzisht për shitjen e tokave, për “kurdisjen” e shtetit serb në brendi të Kosovës? Nëse Bashkësia e Komunave Serbe do të pranohet në këtë vend, korridori do të jetë përgjatë gjithë mesit të Kosovës. Çfarë shteti jemi? Nëse kjo ndodh, është më keq se çdo kohë tjetër në të kaluarën. Me dy fjalë telefoni prej Beogradi, ta ndalin rrugën ku të dëshirojnë për një fjalë. Si në kohën e Sllobit policia jonë (nuk kanë faj ata), u jepet urdhri dhe duhet ta ekzekutojnë. E shkelin djalin e ri në qafë mu si atëherë në vitet e tetëdhjeta – nëntëdhjeta, pamjet urrejtëse, helmuese...Ta ruajmë forcën! Na duhet çdo atom, le t’i japim forcë shtetit tonë! Por jo për një grusht njerëzish, sepse mund të na ngrysë terri si gjithmonë historikisht.
Opinionet janë të shumta kundër këtij koalicioni aktual
Nuk duhet të mashtrohemi, askund dhe asnjëherë nuk ndodh të zgjidhen njerëzit më të mirë në institucione qeverie e parlamenti. Porse, mendje “katundari”, pa fije planifikimi dhe rezonimi, për të mos lënë derë në asnjë vend, gjithnjë duke i shikuar punët personale dhe asnjëherë të japë llogari para këtyre qytetarëve, kësaj i thonë – asgjë – hiç! Dhe vërtet populli nuk mashtrohet asnjëherë, por sikur është lodhur, apo sikur ka më shumë fytyrë, që të mos i hedh poshtë krejt këta njerëz të “zgjedhur” për te. Bota demokratike na ndihmoi dhe si duket na lëndoi. Them na lëndoi, sepse faji kryesor është i atyre vendeve aleate që kanë investuar në këtë vend, e kanë parë se kush janë hajdutët dhe kriminelët shqiptarë, në vend se t’i qortonin dhe t’i pushonin menjëherë, ata i stimulonin. Nuk i ndoqën me ata EULEX-at për korrupsion e krim ekonomik, as për atë politik, këta zotërinjtë u bënë padron. E pronësuan tokën e Kosovës me të gjitha asetet e me të gjitha segmentet dhe tash këta po luajnë me popull. Gjoja, ne jemi në gjendje të vetëqeverisemi. Dhe ashtu është menduar. Shqiptarët nuk kanë dashur trazira as tash nuk duan. Janë lodhur. Aq më keq, kur është fjala me shqipfolës, do të thotë, shqiptari kundër shqiptarit. Krejt dashuria për këtë vend është shuar si diçka e huaj. Shkaku i një qeverisje të pabesueshme që ka ndodhur në këtë hapësirë. Vetëm ndonjë që thithë mirë, apo bren ndonjë asht, atij (asaj) do t’i dhimbset ky koalicion që të shkon. Por shumica e qytetarëve intimisht shprehin urrejtje. Këta zotërinj fjalët i kanë të këqija që nga fillimi, nga mosdija ose, kushdi, po mendojnë se janë edhe krijues të një filozofie të kësaj epoke: “ne jemi për shtet e për familje”, të kujt familje? “Ne jemi parti që nuk dorëzohemi!” Ku nuk janë dorëzuar, duhet ta dimë të gjithë? Qytetarët e dinë kur dhe ku nuk janë dorëzuar vërtet. Shumë keq qenkemi mashtruar edhe ne të tjerët. Sepse, kemi mbetur të pabarabartë edhe me familjet tona...
Çka duhet bërë
Koalicioni qeverisës duhet të merret vesh gjithqysh me opozitën dhe me qytetarët. T’i lirojnë të gjithë ata që i ka burgosur dhe të mos ndiqet askush për mendim ndryshe. Nuk kemi ku të shkojmë pos këtij vendi. Nuk jemi të gjithë për të udhëhequr këtë popull. Të formohet qeveri e përkohshme deri në zgjedhje. Problemi nuk është veç koalicioni i sotshëm. Janë parti të njohura me veprimet e tyre që nga fillimi. Partitë i bëjnë njerëzit, të formuar ose jo. Pata rastin të dëgjoj, derisa erdhi ky koalicion në pushtet, një grup hedhurinash nga një mëhallë e një katundi (LDK) vjen në qytet (Gjilan) dhe i drejtohen një drejtori të një sektori publik, për ta larguar njërin (PDK) nga puna. Këto derte i kanë përcjellë këto parti, jo edhe mirëqenia e jeta e përbashkët. Na mbetur në kokë, ankesa dhe pakënaqësia për dikë e për diçka që fare s’ka rëndësi. Kjo tashmë ka dalë për diell si thuhet një fjalë popullore. Kush vjen në pushtet i ndjek të tjerët. Nuk shikohet puna as cilësia, veç militantizmi. Urrejtja për ta ndëshkuar njëri-tjetrin. Mund të shpallen edhe zgjedhjet...Tash, në rast nevoje, është problematike se, çfarë mund të bëhet, kënd mund ta zgjedhin qytetarët. Kush mund të jetë i përgatitur për një plan nga dalja e kësaj krize ekonomike e politike? A gjenden njerëz lakmitarë, që nuk do të veprojnë si këta që na kanë lodhë gradualisht me shije të përgazët e të hidhur. Jo me përvetësimin e pasurisë shoqërore dhe me zhdukje të mjeteve themelore të atyre ndërmarrjeve, edhe të atyre financiare pa u funksionalizuar për qytetarët në këtë vend. Kush do ta drejtojë këtë qeveri dhe këto institucione që nuk i ngjan këtyre të deritashmes. Jo Qeveri monstruoze, me kaq inkuadrime pa masë në administratë, kush do ta drejtojë shëndetësinë që natë e ditë është përdhosur, kush e hedh në brazë arsimin, që secili ka ardhur në hap e ka përzije e keqpërdor, madje edhe ndonjë “direktor” i dhunshëm si në ato kohët e pushtuesit, e ndoshta edhe më keq. Kush do të respektoj ligjin që nuk e shohim askund veprimin efektiv të gjyqësisë dhe prokurorisë. Atyre që ua kemi parë veprimtarinë deri me tash, nëse nuk bëjnë kthesë në vetëdijen e tyre, më mirë është të mos ngarendin pas ndonjë ulëse institucionale fare. Nuk do të flisja për ata që ende nuk kemi pasur rastin t’i shohim si do të vepronin.