Mendime
Dibran Demaku: Fajdet
E merkure, 30.09.2015, 09:11 PM
FAJDET
Nga Dibran Demaku
Fenomeni i Fajdeve(që në gjuhën shqipe do të thotë huazimi i parave nevojtarit , por që nevojtari apo marrësi i atyre parave në kthim tek huazuesi duhet të paguajë paratë e marra dhe një kamatë sipas marrëveshjes së mëherëshme).Fenomeni i Fajdeve si i tillë është illegal dhe krejt privat, pa kurrëfarë garancionesh as fetare, as kanunore e as ligjore, përveq një marrëveshjeje me fjalë(mbase tash edhe me shkrim) në mes të personave privat!Si i tillë, ky fenomen (mase i vjetër sa vetë njeriu) asnjëherë nuk ka gjetur shtrirje kaq të gjërë si në Kosovën e pas luftës!Në mosshtrirjen e tij të mëherëshme, në këto përmasa shqetësuese të tashme, mbase kanë ndikuar edhe ndalesat qofshin ato të rrafshit fetar, kanunor e më pak ligjor!Sipas rrafshit fetar, por edhe kanunor, dhënja e parave hua me kamatë, që do të thotë me fajde ishte dhe gjykohej si një mëkat i pafalshëm!Ata që jepnin para në formë të tillë, dikur numëroheshin në gishtrinj të dorës, por edhe ata që merrnin paranë në formë të tillë, ishin të paktë!Emrat e huazuesve të parave të tilla, por edhe emrat e marrësve të tyre, dikur përmendeshin për të keq, e nganjëherë për të dy palët flitej me urrejtje!...
Fenomeni i Fajdeve( që do të thotë huazimi i parave nevojtarit, por që nevojtari apo marrësi i atyre parave në kthim tek huazuesi duhet të kthejë shumën e parave të marra, por edhe një kamatë sipas marrëveshjes së mëherëshme) zuri të gjejë shtrirje të gjerë dhe shqetësuese në Kosovën e pas luftës!Hallegjinjtë e ndryshëm, që paslufta do t`i gjente si të thuash vetëm me rroba të shtatit dhe me duar në xhepa të atyre rrobave të dalura boje , por edhe të grisura nga vetërsia, si shpëtim për hallin e tyre do të ishin Fajdet!Por, jo vetëm ata! Shpëtim nga Fajdet do të kërkonin edhe të tjerët, që në njëfarë mënyre ishin të kamur, por që me anë të tyre dëshironin që të hapnin biznese të ndryshme dhe të pasuroheshin, duke shpresuar se kur të bëheshin të pasur, paratë e marra me Fajde do t`i kthenin pa kokëqarje?!...Dhe siç thuhet në popull “rrushi e sheh rrushin e piqet”, edhe huazuesit e marrësit e Fajdeve duke parë njëri tjetrin e duke menduar se ai tjetri u bë “qirak”, do të shtoheshin për çdo ditë siç shtohet fara e hithave!Dhe për fat të keq huazimi dhe marrja e parave në formë Fajdesh, u mor edhe nga ata që kishin nevojë e edhe nga ata që nuk kishin nevojë?!Gojëkëqinjtë flasin e thonë se marrësit e parave në formë Fajdesh, përveq të tjersh, me ato para do të bënin edhe në pushime të shtrenjëta verore e dimërore në bregdetin shqiptar e më larg si dhe në Brezovicë e më larg?! Dhe kur dikush do t`i pyeste se përse merrnin para në formë Fajdesh për të shkuar në pushime, ata njëzëri do të përgjigjeshin:-Si të mos vemi ne në pushime, kur shkojnë fqinjtë tanë?! Edhe ne jemi njerëz dhe nuk duam të mbetem prapa tyre!
-Por marrja e parave në formë Fajdesh është me rrezik, sepse ato duhet kthyer me kamatë!-do të shtonte ai dikushi!Ndërkaq marrësit do të ia kthenin:-Hajt baco se Zoti e bën mirë!...
Flitet se para në formë Fajdesh kanë marrë edhe ata që kanë dashur të bëjnë martesën e djalit apo të vajzës! Që të mos mbesin prapa fqinjëve të tyre, por që në njëfarë mase të ua kalonin atyre, kryefamiljarë të shumtë do të merrnin para në formë Fajdesh dhe me ato para do të bënin dasma në sala të shtrenjta restoranesh e hotelesh, që në Kosovën e pas luftës janë ngritur meqindra e mbase edhe me mijëra!Pastaj, për njëfarë kohe dasmat e tyre do të përmendeshin me zili nga të tjerët! Dhe organizuesit e atyre dasmave të shtrenjta do ta ndienin vetën krenarë që kishin bërë dasma të bujshme për vajzat dhe djemtë e tyre, anipse paratë i kishin marrë në formë Fajdesh dhe ato një ditë duhej kthyer edhe me kamatë të papërballueshme?!...
Kështu flitej nga gojëkqinjtë në Kosovë vite më parë, që nga paslufta e këtej!Dikush besonte në atë që thonin gojëkqinjtë e dikush nuk e besonte!-Kështu e kanë llafazanët e pandreqshëm!-do të thonin ata që nuk u besonin atyre!...
Jemi të bindur se fjalët e gojëkqinjëve do të kenë vajtur edhe tek veshët e atyre që merren me punët udhëheqëse të shtetit të Kosovës, por ata të angazhuar me punët politike nuk kanë pasur( e mbase edhe nuk kanë dashur) të mirren me fjalët e gojëkqinjëve, që llapin pa ndalur sa andej-këndej?!Kështu do të vepronin edhe politikanët e shtetit shqiptar në vitet e “piramidave të parave” duke thënë se ato nuk ishin punë të shtetit dhe se ata nuk do të merreshin me “Fenomenin e Piramidave”?! Por, doli që pastaj pikërisht ato, pra, ”Piramidat e parave” të bëheshin shkas për rrënimin e shtetit?!
Shpresojmë që fenomeni shqetësues i Fajdeve në Kosovë mos të jetë i përmasave të “Piramidave të parave” të dikurshme në shtetin shqiptar!Themi shpresojmë, sepse asnjëherë nuk i dihet!
Fenomeni i Fajdeve, në Kosovë ka shkuar deri aty sa të marri edhe jetëra njerëzish! Fatkeqësisht po vërtetohen fjalët e gojëkqinjëve që vite më pare ngrisnin alarmin duke thënë se Fajdet një ditë do të marrin jetëra njerëzish!...Ka ardhur moment(urgjent) që instanca të ndryshme shtetërore të mirren me këtë Fenomen tragjik, sa nuk është bërë tepër vonë! Dhe atë jo vetëm me fjalime retorike, por me veprime konkrete!...