Mendime
Idriz Zeqiraj: Kriminalizimi i strukturave të LDK-së
E shtune, 30.05.2015, 06:01 PM
KRIMINALIZIMI I STRUKTURAVE TË LDK-SË
SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ
Kolegu dhe miku im, Xhevat Rexhaj, shkruan se në LDK-e ka demokraci të brendshme. Por, këtë pohim, me dashje apo pa dashje, e vetëdemanton, kur thotë se Vjosa Osmani nuk përkrahet nga strukturat e LDK-së! Thënë troç, Vjosë Osmani, deputetja më e votuar e LDK-së, është e preferuar e anëtarësisë, e elektoratit të LDK-së, por e padëshiruar, bilëz, e luftuar, madje marrëzisht e kriminalisht, nga strukturat drejtuese të LDK-së!
Ky fakt flet shumë për gjendjen e rëndë dhe alarmante, të krijuar në Partinë - Lëvizje kombëtare të Presidentit Rugova; partinë avangardë të çlirimit, lirisë, pavarësisë, shtetësisë të Kosovës, LDK-së famëmadhe. Mbështetja e popullit, nga njëra anë, për kandidatën për kryetare të LDK-së, Vjosë Osmanit dhe urrejtja patologjike, në anën tjetër, nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, dëshmon për kriminalizimin e skajshëm të këtyre strukturave, të cilat kanë paralizuar, deri në qelizë, LDK-në tonë, dikur krenare, tani, të përtokur e mjerane.
Katandia e LDK-së nuk është diç e papritur. Rrënimi i saj ka filluar me shuarjen, amëshimin e kryezotit të saj dhe të Kosovës, Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Egoja karrieriste, mungesa e idealeve të mirëfillta demokratike, e shpuri LDK-në në ndarje, në greminë, në Kuvendin e 6-të të saj. Përgjatë kësaj kohe, u konsolidua një klan, i cili e la në monolog kryetarin e vet, duke heshtur edhe atëherë kur duhej ngritur zëri deri "në kupë të qiellit", kundër veprimeve individuale e klanore, në dëm të LDK-së dhe të Kosovës.
Premtimet reformatore në Kuvenbdin e 7-të të LDK-së, rezultuan boshe. Zgjedhja transparente, e ligjshme, e kryetarit Isa Mustafa, edhepse ishte ardhje aksidentale në krye të LDK-së, sepse nuk kishte asnjë lidhje e ndjesi shpirtërore, me këtë subjekt politik, u pasua nga emërime të paligjshme të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë të LDK-së. Këtu e ka nismën edhe kriminalizimi i strukturave drejtuese të LDK-së, sepse keqpërdorimi i strukturave partiake, për interesa personale, në dëm të partisë, është krim.
Kuvendi i 7-të, mund të quhet tubim të kuadrove të partisë, biseda të pafundme holleve të Hotel "Grand-it", por, assesi Kuvend i njëmendët i LDK-së. Paraqitja skenike e ish-kryetarit dhe të kryetarit të ri, u kaluan në heshtje, pa asnjë reagim, pa debat, pa vërejtje. Përjashtim bënte autori i këtij shkrimi, me ngritjen e dhunshme, me ankesën e përsëritur, se në Kuvend nuk ka demokraci, ka ngulfatje, nuk ka debat.
Shumë më të lirë e kam ndjerë vetën unë, në vitet '70-a dhe '80-a, në "burgun e vdekjes", siç është quajtur burgu namkeq i Burrelit, ku duhej hapur 7 dryna, 7 dyer, për të dalë jashtë mureve, se sa 359 delegatët e Kuvendit të 7-të të LDK-së, në sallën festive, zgjedhore, në Hotel "Grand". Ata heshtnin dhe heshtnin, kryeulur, të turpëruar, nga mungesa e guximit, për ta kundërshtuar atë maskaradë "zgjedhore", më sakt, zgjebore. Leximi i ngutshëm i 107 emrave për Këshillin e Përgjithshëm, nga kryetari i porsa zgjedhur, Isa Mustafa, dëshmoi se Kuvendi ishte ilegal dhe përjetësisht do të mbetet njollë e zezë, në historikun fort të lavdishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Rrjedhojat qenë fatale. Kryetari Isa Mustafa ishte njeri i zanatit, premto e mos realizo; bërrylime e anashkalime të të gjithë atyre kuadrove, që kishin autoritet dhe integritet. Të parët do ta pësonin kuadri rugovianë, të sprovuar në paqe dhe në luftë. Ai do të mbështetej, kryesisht, në klanin e trashëguar nga paraardhësi i tij, sepse duke u klanizuar e korruptuar, kishin humbur edhe atë pak integritet, që u kishte mbetur.
Duke folur në emër të strukturave partiake, kryetari Mustafa inkriminoi Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm dhe kryetarët e Degëve të LDK-së. Për 8 (tetë) muaj radhazi, u keqpërdorën, madje, pacipërisht, këto struktura, për ta shembur rivalin e mundshëm, kryetarin e Nderit të LDK-së, Fatmir Sejdiun.
Privatizimi i egër i LDK-së
Një mini-leje hileqare, të marrë nga Këshilli i Përgjithshëm, vetëm për të biseduar se çfarë mendon PDK-ja, për një koalicion të mundshëm, zoti Mustafa e bëri fakt të kryer. Ai pa asnjë konsultim me strukturat vendim-marrëse, emëroi qeverinë dhe ministrat e LDK-së, në përzgjedhje u pëkujdes edhe Hashimi. Zoti Mustafa aprovoi emërimin e kryekrimit, Kadri Veselin, për kryeparlamentar dhe Hashimin zëvendës të tij dhe ministër të jashtëm. Ai tha: "Koalicion po, por jo amnistim të krimit".
Dhe, mos vallë, nuk e dinte Isa Mustafa se Hashimi dhe Kadri Veseli janë në krye të krimit plotik, me ekzekutimin e 1.800 kuadrove, veprimtarë dhe ushtarakë të Ibrahim Rugovës?! Sikur nuk mjaftoi kjo, zotëri Mustafa firmosi marrëveshjen për emërimin President të Kosovës të Hashim Thaçit, në vitin 2016! Kjo kulmon kriminalizimin e strukturave të LDK-së, sepse kryetari Isë thirret në emër të këtyre strukturave, ndërkohë që Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm, heshtin si peshqit, si mumjet. Turp, deri në pakufi!
Gazetari Xhevat Rexhaj, më se njëherë, ka thënë se Isa Mustafa është më rugovistë se sa ata që e akuzojnë për mungesë të rugovizmit!?! Por, ai nuk përmend një deklarim publik të Isës se "do ta krijomë një LDK-e të re!" Dhe, vërtet, këtë e realizoi. Ai u shkëput tërësisht nga fryma rugoviane, duke i dërguar agjentët e vet nëpër Degët e komunave, duke hartuar lista paraprake të Kryesisë dhe të delegatëve për Kuvendin e 8-të zgjedhor. Si kurrë më parë, u bë përzgjedhja private e emrave pro - kryetarit Isë.
SHIK-u nuk lejon ndryshime në LDK
Kryesia e LDK-së është e kapur nga SHIK-u dhe dikton vendimet e tij brenda kësaj kryesie, kuptohet, nëpërmjet agjentëve të tij. Për rrjedhojë, kjo Kryesi pengon çdo nismë për ndryshime, sepse vetëm me këtë garniturë mund të realizojë obligimet që dikush ka marrë nga SHIK-u. Dëshmi faktike: Hetimin e SHIK-ut nga një Komision Parlamentar, e bllokoi Kryesia, më sakt, njerëzit e SHIK-ut brenda Kryesisë. Sepse ata janë peng i SHIK-ut, nuk kanë guxim të veprojnë ndryshe, ngaqë SHIK-u i ka në dorë, në ingranazhin e tij, duke qenë se dosjet e tyre janë kompromentuese, madje, deri në përgjegjësi penale. Ata nuk guxojnë as të vetëtërhiqen nga organet vendim-marrëse, me inisjativën e tyre, por, duhet të ndihmohen nga pjesa e shëndoshë, e pakontrollueshme nga SHIK-u kriminal.
Tepëria e kompetencave të kryetarit
Dibranët kanë një urtësi: "Një mendje - asnjë mendje, dy mendje - gjysmë mendje, tri mendje - një mendje". Pra, drejtimi ekipor, në grup, do të ishte më i shëndetshëm, më i suksesshëm. Kryetari i LDK-së, në qendër, por, edhe kryetarët e nëndegëve dhe të degëve, në bazë, janë kalaveshur me tepëri kompetencash, duke krijuar hapësirë për klane dhe vendime individuale e klanore. LDK-ja e pësoi, pikërisht, nga klanet dhe anashkalimi i bazës, duke harruar organizimin, vizionin dhe veprimin rugovian. Pësimi, dështimi duhet të shërbejnë si reflektim.
Vendim-marrja personale e klanore, duhet të zëvendësohet me vendim-marrjen ekipore, me konsultimin dhe përfilljen e strukturave të partisë. Pas shuarjes të kryetarit Rugova, shefat e partisë, mashtrueshëm dhe me hipokrizi, janë thirrur në strukturat e partisë, sepse, realisht, nuk i kanë pyetur, pothuajse, për asgjë. Ky është ndryshimi i madh që duhet bërë, nëse duam ta rrisim e shumëzojmë elektoratin, nëse Lidhja Demokratike e Kosovës synon pozitën faktike, pushtetin faktik, kthimin e dinjitetit njerëzor dhe shtetëror të Kosovës.
E drejta e propozimit, përzgjedhjes nga kryetari i LDK-së, përkatësisht, kryetarëve të degëve dhe të nëndegëve, të dy të tretave të kryesisë dhe të delegatëve, është tepëri e kompetencave të ushtruara, në dëm të kryesive dhe të anëtarësisë. Propozimi i kandidatëve për deputetë të Parlamentit të Kosovës, zgjedhja e ministrave dhe e zëvendës-ministrave në Qeverinë e Kosovës, e bën Zot, Perëndi në tokë kryetarin e partisë, duke i dhënë fuqi enorme, të krijojë klan, klikë, bandë partiake, njësoj si partitë e krimit ekonomik, krimit politik, duke vënë në ankand territore të Kosovës, siç bëri Presidenti i ardhshëm, i viti 2016, Hashim Thaçi, të krimit vrastar, siç është ekzekutimi i kuadrove të LDK-së dhe të ushtarakëve institucionalë, vjelja masive e reketit, haraçit të dhunshëm, deri në vrasje, dhe shkatërrim të pronës me tritol, shantazhimi për vota dhe vjedhja e hapur e votave, pa guxuar më i denoncuar bandat dhe banditët kriminelë partiakë!
Fitorja e Isa Mustafës do të ishte si "Fitorja e Pirros"
Është
politizuar dhe komplikuar
Vazhdimi i statuskuosë, mosreformimi i LDK-së në këtë Kuvend, i jep mandat zgjedhor Isa Mustafës. Ka një shpërputhje fatale në mes të anëtarësisë dhe delegimit aktual në Kuvend. Testimet faktike e bindëse rezultojnë se nga 100 anëtarë të LDK-së, të paktën, 80 anëtarë janë për ndryshim, reforma. Ndërkohë që nga 10 delegatë, për në Kuvendin e 8-të LDK-së, 8-të syrësh janë të privilegjuar, të punësuar në dikastere komunale apo ministrore, në vartësi të drejtëpërdrejtë partiake e shtetërore të kryeministrit dhe klanit të tij, tashmë, të zgjëruar.
Ndryshimin e këtij raporti do ta bënin idealistët e demokracisë dhe atdhetarët, të cilët, interesin vetjak ia nënshtrojnë interesit të LDK-së dhe të Kosovës. Përndryshe, zhgënjimi i elektoratit është aq i madh, në kryetarin aktual dhe klanin e tij, tashmë, numerikë, sa jo vetëm që nuk do ta shtojë elektoratin e LDK-së, por, do ta pakësojë atë, duke e kthyer fitoren e mundshme, të Isa Mustafës, në "Fitore të Pirros".