E premte, 06.12.2024, 10:53 AM (GMT)

Mendime

Azem Parllaku: Në linjën rrëshqitëse të sigurisë

E enjte, 28.05.2015, 06:58 PM


Në linjën rrëshqitëse të sigurisë

Nga Azem Parllaku

Dikur një popull "i gjithi ushtarë" e me shumë armiq, shqiptarët e në vitin 1997 mësynë njërin prej aseteve më të rëndësishëm të Sigurisë Kombëtare, Forcat e Armatosura, duke nisur kështu një luftë të tillë, ku dhe shkuarja për në shkollë ishte e rrezikshme.

Në njëfarë mënyre "triumfi" në betejën me vetveten, ende deri sot nuk është analizuar seriozisht, ndërkohë që, e vetmja gjë e cila u kuptua ishte qasja se: sa periferike kishte qenë Shqipëria, sipas termave konvencionalë të koncepteve strategjike të fundit të shekullit të njëzetë.

Gjatë atij gjysmmë shekulli Shqipëria kishte mbetur si një vend i paangazhuar si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve ideologjike ndërmjet Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe rreshtimit të saj kah Lindja.

Edhe pse aftësitë interpretuese të historisë dhe deri diku ato të gjeopolitikës, janë munduar të sqarojnë esencën e asaj periudhe, sërish debati mbetet i hapur. Vërtetë Shqipëria në pikpamje gjeopolitike u rreshtua nga Lindja, por nuk i'u nënshtrua ndikimit mbytës dhe rivalitetit të fortë të Fuqive të Mëdha.

Zhvillimet e pas Luftës së Ftohtë, i lanë vendin një politike më racionale për t'iu përshtatur një situate të re që, po krijohej, e cila u shoqërua me zvogëlimin në limit të konfliktit të mundshëm midis më të fuqishmëve, ku Europa njohu një përshpejtim të integrimit të saj të brendshëm dhe të jashtëm, dhe kur numri i kërkesave të depozituara për anëtarësim në NATO, u rrit, duke i lënë vendin zhvillimeve shpresëdhënëse.

Por, si pakuptuar kishte ardhur epoka e ndeshjeve kulturore dhe racore, kohë kur mbrojtja kombëtare sa vinte e bëhej më lokale, e rrjedhimisht shqetësimet e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Serbi, e në Malin e Zi, po ushtronin një ndikim destabilizues.

E gjendur përballë me këtë situatë Shqipëria, edhe pse ishte vendi i parë ish-komunist që bëri kërkesë zyrtare për antarësim në NATO, nuk mundi dot vetëm t'i jepte gueriles kosovare një shans të mirëseardhur të pajiset lirë me armë, e t’i ushtrojë luftëtarët e saj në kampe të Shqipërisë veriore.

Ndërsa regjimi i Beogradit e solli më tutje spiralen e dhunës, Shqipëria u bë streha e sigurtë dhe shpresëdhënëse për shqiptarët e Kosovës që, u shpërngulën forcërisht nga vendbanimet e tyre, teksa NATO ishte angazhuar në operacione konkrete.

Zhvillimet në Ballkanin e viteve 1998-1999, kishin një impakt të thellë dhe shërbyen si një "hartë e rrugës" për politikën mbarëshqiptre, e cila tashmë kërkonte përmbushjen e të gjithë aspiratave.

Në prag të mijëvjecarit të ri, shqiptarët po shijonin një epërsi të pakrahasueshme në raport me fqinjët e tyre kryesisht Serbinë, dhe Maqedoninë. Ishte koha, kur Shqipëria e përpunoi  Diplomacinë e Mbrojtjes, duke i shembur muret e mosbesimit dhe armiqësisë, kohë kur në Kosovë qytetarët ishin të sigurtë, mbasi forcat e KFOR-it, gjindeshin kudo, ndërkohë shqiptarët në Maqedoni besonin fort Marrëveshjen e Ohrit.

Ndërsa, Greqia shteti fqinj u anëtarësua në Unionin Europian dhe Shqipëria i'u bashkangjit  NATO-s, rajoni promovonte shpresat e një të nesërme më të paqme.

Një kohë ku kur shumë ngjarje të dukshme dytësore, u bënë gjithnjë e më të përditshme. Në "Republikën e Lirisë" kryesisht asaj shqiptare liderët e politikës dekoronin njëri-tjetrin, sa në Tiranë, në Prishtinë e në Tetovë. Ishin ditët ku në cdo mëhallë të Kosovës ngriheshin me inisiativa familjare e fisnore lapidarët e "komandantëve pa ushtarë" të Luftës. Komandantët e gjallë u shndërruan në folkloristët më të devotshëm të medias sociale. Idealistët nga ana e tyre kuronin hartat "Autochthonous", ndërsa Shkupi dhe qytete të tjera në Maqedoni bjerreshin nga shqiptarët, kohë kur besimtarët gjithnjë e më shumë frekuentonin kremtet, e kur politikanët e rinj të bërit politikë e kishin pasion ashtu si të bërit dashuri një veprimtari thellësisht njerëzore.

Gjërat shkuan pikërisht kështu. Një relacion më pak romantik se ai që ndodh në të vërtetë, përbën një pikënisje të nevojshme për të kuptuar dilemat e reja që faktori shqiptarë u desh të përballojë dhe që i interpretoi e i interpreton me vështërsi.

Ishte koha, kur diplomati i madh amerikan Henry Kissinger shkruante; "Në këtë mënyrë, realitetet e Ballkanit kanë imponuar në vetvete një bravado morale të diplomacisë së re. Përsa i përket rolit të NATO-s në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë, pas përfundimit të armiqësive, ai është i krahasueshëm me pozicionin e mëparshëm të perandorive austriake dhe otomane në rajon, që arritën të impononin një armëpushim ndërmjet fraksioneve etnike rivale, por asnjëherë nuk mundën përfundimisht të mposhtnin konfliktet e tyre me njëri-tjetrin".

Zhvillimet e mëvonshme për të mbrritur deri në këto ditë, dëshmuan qartësisht këtë këshillë të njohësit më të mirë të Mardhënieve Ndërkombtare, amerikanit me origjinë gjermane Henry Kissinger.

Shpresat e dobësimit dhe shembjes eventuale të ndikimit dhe intreseave perandorisë Ruse në Europën Lindore nuk paskan qenë aq ngazëllyese. Edhe pse Rusia u shtërngua të dalë nga Europa Lindore, rizgjedhja e Vladimir Putinit president, konflikti ushtarak në Ukrahinë, kanë kontribuar në rritjen e autoritarizmit dhe të nacionalizmit rus. Sot, Rusia po përdor rezervat e gazit dhe të naftës për të marrë rolin e superfuqisë në fushën energjitike. Diplomacia ruse, duket se po përfiton nga: pamundësia Bashkimit Europian për të zhvilluar një identitet të vetin politik në të gjithë kontinentin, nga përqëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit, dhe zhvillimeve të pasfitoreve ushtarake në Lindjen e Mesme.

Aktualisht po bëhet gjithnjë e më e sigurtë që, Rusia po kërkon të destabilizojë rajonin, më konkretisht Maqedoninë, si shteti më me pak stabilitet dhe me më shumë problematika. Për të mbajtur larg Ukrahinës vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, po kështu dhe për faktin se Rusia e di mirë që është kërcënimi strategjik i drejtpërdrejtë për Europën. Rusia është e interesuar për ta mbajtur të ndezur Ballkanin, me qëllim ripërsëritjen e kontrollit të saj mbi ish-Bashkimin Sovjetik. Sipas këndvështrimit rus, kjo është një përpjekje për vendosjen e një sfere ndikimi minimal, e që në thelb është një masë mbrojtëse.

Mirëpo, ajo c'ka mund të fillojë në mënyrë mbrojtëse, mund të evolojë në mënyra të paparashikuara.

Është e ditur se që nga koha e parashikuesve të lashtë të orakullit të Delfit, në një mënyrë ose në një tjetër gjithmonë ka pasur agjenci shërbimesh sekrete të ndryshme. Spiunazhi është po aq i vjetër sa lufta. Nëse do t'i referohemi konfliktit të armatosur mes forcave të policisë maqedonase dhe një grupi të armatosur i përbërë kryesisht nga shqiptarë të Kosovës në Kumanovë, patjetër që vihet në dyshim mungesa e shërbimeve inteligjente të afta.

Nga brenda Ballkani është ende inert, ende i tronditur nga luftrat, por ndikimi nga jashtë, në rastin konkret si përpjekja e rusëve për të rindërtuar perandorinë e tyre, mund ta ripërtërinin sërish linjën e vjetër të rrëshqitjes në mënyra të ndryshme.

Ngjarja e Kumanovës ndodh pikërisht në ditën kur, në krah të presidentit rus Vladimir Putin në paradën e fitores mbi nazizstët ishin përfaqësuesit e Serbisë dhe ai i Greqisë. Qeveria ruse e ka mbështetur hapur nëpërmjet deklaratave të saj kryeministrin Nikola Gruevski, duke anatemuar opozitën maqedonase në rritje. Ministri i Jashtëm rus Lavrov, akuzoi Tiranën dhe Sofien, se donin të ndanin Maqedoninë dhe se Rusia do të ndërhynte forcërisht. Serbia e dëshiruara e Rusisë menjëherë lëvizi forca dhe mjete ushtarake në kufirin me Maqedoninë.

Misterit që mbart ngjarja e Kumanovës, i janë shtuar deklaratat e zyrtarëve rus se: grupi i Kumanovës ka lidhje me ISIS-in, duke cituar kosovarët që shkojnë e luftojnë vullnetarisht përkrah me luftëtarët e ISIS-it.

Aleanca që qeveria e re greke ka bërë me nacionalistët nën emrin "Grekët e pavarur", është një dorë tjetër e ngrohtë për Putinin në Ballkan. Këto ditë disa media në Shqipëri kanë raportuar lëvizje të ish-ushtarakëve të lartë dhe misionarëve fetar grek në Jug të vendit. Ndërsa shtypi i huaj ka shkruajtur se Rusia po punon për një aleancë orthodokse në Ballkan me pëlqimin e Athinës dhe Beogradit.

Rusia, duke frymëzuar qarqe politiko-fetare në Ballkan, po vendos në test Unionin Europian, i cili patjetër duhet të përshpejtojë hapat për integrimin e rajonit në familjen e madhe kontinentale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i besojnë fort rolit të Gjermanisë në nismat për t'a zhvilluar rajonin dhe për të lënë anash urrejtjet stërgjyshore, me qëllim që linja e vjetër e rrëshqitjes të mos ripërtrihet më.

Duke i'u referuar atmosferës ballkanike të kohëve të fundit, faktori shqiptarë,  patjetër është e rreshtuar në kampin e duhur, duke mos e dëshiruar rivalitetin mbytës të më të fuqishmëve, interesat e të cilëve duhen konsideruar gjithësesi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora