E merkure, 01.05.2024, 04:39 AM (GMT+1)

Mendime

Matoshi: Gjeneral Boletini të pushojë ngat Rugovës!

E marte, 26.05.2015, 07:17 PM


Gjeneral Boletini duhet të pushojë në paqe ngat Rugovës!

Nga Halil Matoshi

Figurat e mëdha të një kombi i takojnë historisë së shtetit (pra eshtrat e tyre e kanë vendin në kryeqytetin e shtetit sovran) e nuk u përkasin mëhallëve ose katundeve të tyre, nëse për këtë nuk ekziston një testament i shkruar. Isa Boletini është bashkautor i 14 kërkesave, që më vonë do të njihen si “14 pikat” e Hasan Prishtinës, që janë përpiluar në Prishtinë, më 1912

Propozimi i ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë, ndonëse mund t’i ndajshtohen shumë motive të panjohura dhe konspirative (mundësia e nxitjes së konflikteve në veri të Kosovës dhe mbase edhe mundësia e ndarjes së Kosovës?) nuk është krejtësisht i mbrapshtë, ngase Boletini ka qenë pjesë e kryengritjes për pavarësinë e Shqipërisë, sipas projektit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (që nuk është realizuar në plotëni asnjëherë), pra së bashku me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe Hasan Prishtinën mund të konsiderohet si baba i kombit shqiptar dhe në këtë sens, është njëri ndër propozimet që përmban një logjikë historike kombëtariste.

Në anën tjetër, është krijuar një “bllok i rezistencës” që e do Boletinin në vendlindjen e vet, në Boletin, por këta janë të ndarë në dysh: familjarët që e duan gjeneralin në truallin e të parëve dhe shumë mitrovicas që dëshirojnë që Boletini të prehet në paqe në qytetin e Mitrovicës, që të tri këto propozime mund të konsiderohen të arsyeshme, ndonëse konkurrente.

Mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat e reja të krijuara me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008, rivarrimi i eshtrave të kosovarit Boletini, “kolosit të tradhtuar” do të duhej të bëhej me konsensusin e të gjithë kosovarëve, në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, afër varrit të “kolosit të brishtë”, dr. Ibrahim Rugova.

Dhe kjo për disa arsye madhore dhe jo vetëm për hir të kapricit apo inateve mujshore shqiptare.

E para, shteti i Kosovës do të ketë ende nevojë për kujtesë e figura, për simbolikën e atyre që luftuan për t’i dhënë emër e nam.

Gjeneral Isa Boletini ishte njëri prej tyre.

Varrimi i tij në Prishtinë, afër presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, është edhe logjik, edhe historik, po edhe frymëzim për breznitë, se pushka e pena duhet akoduar dhe shkojnë rëndom së bashku, edhe në kuptimin modern të artit të luftës, nëse lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera (Klauzevic.)

Së dyti, varrimi i Gjeneralit Isa Boletini tek varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Prishtinë, ndërlidh rilindësit që e kanë projektuar lirinë me UÇK-në, e cila, deshi fati dhe simbolikisht realizoi ëndrrat e shumë brezave, duke qenë se pati ndikim në shpejtimin e dinamikave të NATO-s për bombardimin e forcave serbe të sigurisë.

Dhe, së treti, është evokim për ndërveprimet çlirimtare të luftëtarëve dhe politikanëve (diplomacisë) dhe natyrisht si ndërlidhje e krahut ushtarak (Boletini dhe UÇK-ja) me krahun diplomatik (paqësor) që identifikohet me Ibrahim Rugovën dhe LDK-në.

Krejt kjo simbolikë është e vlefshme si kujtesë dhe borxh për ta bërë një shtet modern kosovar, e për ta mbrojtur nëse kërcënohet, pra për t’i dhënë Republikës lojalitet dhe besnikëri

Ndonëse Boletini (vendlindja e heroit) del të jetë opsioni i parë, por që për hir të sigurisë (për shkaqe politike) bie, atëherë jepjani Isës një pëllëmbë tokë Kosove, në Prishtinë, ngat varrit të Ibrahim Rugovës, se për Kosovën e lirë ai e ka bërë luftën!

Përndryshe, ju nuk i keni dhënë prehje n’paqe!

E sa i përket ceremonisë së rivarrimit, në Prishtinë është edhe teknikisht më e lehtë, ngase në kryeqytet do të përcillej me bendin e Gardës së FSK-së, pra do t’i bëheshin nderimet e fundit nga Ushtria e Kosovës, komandant i së cilës Isa ka qenë në të gjitha kryengritjet e viteve 1910 – 1912 e tutje deri në rënien e tij në Podgoricë, i premë në besë.

Në anën tjetër, nëse familjarët këmbëngulin (gjë që nuk do të kishin arsye) që rivarrimi të bëhej në Boletin, natyrisht që për shkaqe politike Garda Kombëtare nuk do të mund ta përcillte kortezhin funebre të heroit, ndërsa për politikanët e Prishtinës do të paraqiste turp që të shfrynin retorikat e tyre nacionalromantike e frymëzuese.

Porse, nga fjalimet e tilla patriotike në një shtet të korruptuar, publiku do të shpëtonte në rastin që Isa të varrosej në Prishtinë!?

Nëse nuk i rivarrosen eshtrat në kryeqytetin e Kosovës, ç‘kuptim kishte sjellja e tyre nga Podgorica dhe atë, sipas të gjithë dëshmitarëve, nën përkujdesjen dhe me ndihmën e gjithanshme të Ibrahim Rugovës?

Sipas pinjollit të Isa Boletinit njëherësh Isa Boletinit të 2-të, nip i heroit, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist deri në vitin 1990, familja Boletini ishte thirrur vetëm njëherë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të nuk ishin ftuar asnjëherë.

”Vlerësimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë kosovarët, ku me iniciativën e vet presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetëra studime rreth figurës së tij”.

Nipi i heroit, Isa Boletini i 2-të, ka thënë se hakmarrja e regjimit komunist shqiptar ndaj familjes Boletini filloi që në vitin 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat djalin e Isës dhe babanë e tij, Adem Boletinin.

Si rezultat i politikës së ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo u ekzekutuan 15 veta dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime. Kështu që nga serbët ishin vrarë: 1. Halil Boletini 1833; 2. Mujë Boletini 1892; 3. Ahmet Boletini 1894; 4. Isa Boletini 1916; 5. Halil Boletini 1916; 6. Seid Boletini 1916; 7. Jonuz Boletini 1916; 8. Halit Boletini 1916; 9. Musa Boletini 1944; 10. Skënder Boletini 1944; 11. Asllan Boletini 1945; 12. Faik Boletini 1947; 13. Isuf Boletini 1947; 14. Rasim Dajçi (nip) 1945 dhe 15. Hysni Rudi (nip) 1945.

Nga regjimi jugosllav ishin burgosur e persekutuar: 1. Mujë Boletini, 3 vjet burg; 2. Kapllan Boletini, 20 vjet; 3. Ali Boletini, i arratisur nga burgu; 4. Tafil Boletini, i burgosur në 1945; 5. Ikballe Boletini, e burgosur në 1945 dhe 6. Kumrie Boletini, e burgosur në 1945.

Ndërsa nga regjimi i Enver Hoxhës janë vrarë dhe burgosur në Shqipëri: 1. Adem Boletini, i vrarë më 1943; 2. Tafil Boletini, i burgosur në 1945; 3. Adile Boletini, e burgosur në 1947; 4. Ismet Boletini, i burgosur në Spaç; 5. Enver Dajçi (nip i Isa Boletinit) i burgosur në Spaç (e bija e Enverit është gazetarja e mirënjohur shqiptare Mimoza Dajçi).

Dhe me këtë rast, duhet bërë thirrje historianëve shqiptarë dhe të tjerëve që ta ndreqin një padrejtësi ndaj Boletinit, ngase me vite të tëra dhe nga goja e disa kinse historianëve dhe kinse dëshmitarëve, është thënë se Isa Boletini kishte tradhtuar lëvizjen, duke u bërë një bashkëpunëtor i serbëve etj.

Por fakti i luftës së tij kundër Armatës së Tretë serbe në Merdar, mu në kohën kur pandehej për aleatë të serbëve, e demanton këtë mallkim;

Tjetër gjë ishte fakti se Boletini ishte një fshatar dhe i pashkolluar...

Historiani Noel Malcolm megjithatë dëshmon se Boletini ndonëse kishte një dashamirësi ndaj serbëve dhe kishte lidhje me Beogradin, edhe me kolonelin famëkeq Dragutin Dimitrijevic - “Apis”, liderin e lëvizjes nacionaliste serbe “Dora e zezë”, ndonëse në gusht të vitit 1912 iu dërgua nga Serbia një sasi armësh, fjala e përhapur se atij i ishin paguar shuma të mëdha parash kurrë nuk është vërtetuar. Gjenerali nuk e kishte tradhtuar lëvizjen dhe as kryengritjen shqiptare.

“… tek ai kishin dërguar emisarë të ndryshëm serbë, enkas për të biseduar më të. Në gushtin e vitit 1912, Isa Boletinit iu dërgua një sasi e madhe armësh; po kështu qe përhapur fjala se Serbia ia kishte paguar atij një shumë të madhe parash; por, siç do të tregojnë ngjarjet, nderi i tij nuk blihej aq lehtë. (Malcolm, Noel: Po aty; fq. 261.)

Në anën tjetër data e rivarrimit është shumë e qëlluar.

10 qershori është dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për idenë e së cilës Boletini është angazhuar tërë jetën, deri në rënien e tij heroike në Podgoricë;

10 qershori, jorastësisht ishte ajo Dita kur Georg W. Bush (2007) tha në Fushë-Krujë se "Kosova duhet të jetë e pavarur. Menjëherë. Kosova është e pavarur”.

Po ashtu, trupat e NATO-s, pas kapitullimit të Serbisë dhe Marrëveshjes së Kumanovës, për kushtet e tërheqjes, më 10 qershor ka nisur zbarkimi i NATO-s në Kosovë.

Historiani mitrovicas Fatlum Sadiku së këndejmi mendon se mosvarrosja e eshtrave të Isa Boletinit në Boletin, e deshqiptarizon veriun e Kosovës edhe nga të vdekurit.

Mirëpo, figurat e mëdha të një shoqërie i takojnë tashmë historisë së shtetit (pra eshtrat e tyre e kanë vendin në kryeqytetin e shtetit sovran) e nuk u përkasin mëhallëve ose katundeve te tyre, nëse për këtë nuk ekziston një testament i shkruar.

© KOHA



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora