Mendime
Rexhep Shahu: Gruevski tërheq për hunde shqiptarët
E enjte, 28.05.2015, 06:55 PM
GRUEVSKI EMËRON HEROJ DHE TËRHEQ PËR HUNDE SHQIPTARËT
NGA REXHEP SHAHU
Kur shkoi Gruevski në Shkup e tori gjatë këtë atentat me vezë ndaj tij. E thirrën ambasadorin e Shqipërisë dhe e bënë rezil për këtë incident diplomatik.
Ambasadori i Shqipërisë duke kërkue falje, u tha maqedonasve se e kemi kapë dhe dënuar atentatorin që qëlloi me vezë Gruevskin. Por shamata vazhdoi të nxirrte flakë.
Sapo doli nga burgu “atentatori” që qëlloi me vezë Gruevskin, ai u prit me madhështi në Shkup nga Gruevski. U prit si hero. Gruevski e priti me tapet të kuq “atentatorin” e tij. Dhe e “fali”. Dhe tha se unë i fali shqiparët edhe kur bëjnë atentate ndaj meje, si ky me vezë.
Të kishte qenë atentat me plumb hekuri dhe ta kishte dërguar në atë botë Gruevskin, nuk e di a do ta kishte falë ai pastaj atentatorin e tij. Nuk e di.
Doli se Gruevski e kishte porositë vetë këtë atentator ta qëllonte me vezë në Tiranë. Ndryshe s’kishte pse ta thërriste në Shkup dhe ta priste si hero.
Shteti i Shqipërisë e hëngri. Shërbimet sekrete të Shqipërisë e hëngrën sapunin për djathë. Diplomacia në Shqipëri futi kokën në rërë ose vuri syze saldatori që të mos vërbohej nga shkëlqimi e xixat e spektaklit që shfaqi Gruevski ku ishte vetë skenarist, regjizor e aktor përfekt i shfaqjes së tij. Këtë “atentatorin” e Gruevskit ma kujtoi miku im Izet Duraku.
Gruevski krijoi një hero në Tiranë. Shqiptarët e duartrokitën heroin që kishte emëruar si të tillë Gruevski. Kështu Gruevski ua futi gishtat në hundë shqiptarëve dhe i tërhoqi zvarrë.
Kjo histori si shaka vazhdon të përsëritet e të luhet mrekullisht prej Gruevskit. Ai shpik dhe emëron heroj nga radhët e shqiptarëve sa herë të dojë.
Sepse shqiptarët e shohin si të madh, të zotin, të fuqishëm, të pamposhtur Gruevskin dhe veten e shohin të vegjël, inferiorë, të pa dijshëm, të pazotët, dhe i binë në gjunj, i servilosen, knaqen me kockat që u jep Gruevski shqiptarëve që t’i lëpijnë. Knaqen shqiptarët kudo ku janë. Knaqen shqiptarët në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë e kudo.
Edhe kur i dëbon shqiptarët nga Shkupi, edhe kur nuk i lejon shqiptarët të ngrenë selitë e partive shqiptare në Shkup, ata knaqen që i lejon t’i ngrenë selitë e partive nëpër katundet e Maqedonisë. Pa fye askënd, por çdo qytet në Maqedoni, Shqipëri a Kosovë, është katund para Shkupit, Tiranës e Prishtinës.
Gruevski me shërbimet e tij sekrete është para të gjithëve, luan me të gjithë, i sjell vërdallë të gjithë dhe të gjithë bien në rrjetin e tij, të gjithë luajnë lojën e tij, si në Tiranë si në Prishtinë. E pamë se sa shëmtueshëm dikush në Prishtinë u bë zëdhënës i Gruevskit dhe shërbimeve të tij sekrete.
A
udhëhiqet Gruevski nga
Sa më shumë që të mburren, të ngrefosen shqiptarët dhe liderët e tyre në Tiranë, Prishtinë e Maqedoni, aq më shumë tallet Gruevski me ta, aq më shumë ai i tërheq për kërpeshi.
Ndaj me Gruevskin nuk është e lehtë të bësh kuvend, nuk është e lehtë t’i besosh, nuk është e mundur të mos të të bëjë hile, nuk është e mundur të mos përdorë shqiptarë kundër shqiptarëve.
Me Gruevskin, shqiptarët në Maqedoni, pa lejuar që të fusin hundët në problemet e tyre keshe patriotët dhe aventurierët e Tiranës e të Prishtinës, pa lejuar që të përziejnë kaçmakun biznesmenët e pushtetit Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, që pushtetin e konvertojnë vetëm në para, përkulje e puthje dore maqedonasve si sërvilat më të mëdhej ndër shqiptarë, mund të bisedohet thjeshtë, më thjeshtë dhe krejt hapur, pa komplikime e stërkëmbëza.
Torta është në tavolinë. Duhet ndarë domosdo me maqedonasit. Dy janë pronarë të tortës : sllavë maqedonas e shqiptarë. E kam thënë me kohë se njëri nga dy postet kryesore, kryeministri ose kryetari i kuvendit duhet të jetë i shqiptarëve. Presidenti është me shpërnda dekorata. Në këtë logjikë duhet ndarë pushteti, pasi ngatërresat janë për pushtet e të drejta politike atje se nuk ngatërrohet askush në pjata në tavolinë e as për kurva që fluturojnë si pëllumba e s’ndalen, s’pengohen në trafikun e çoroditur e të ngarkuar politik.
Pa gjuhë
shqipe, pa të drejta të garantuara, pa hise të caktuar e të mbrojtur, nuk ka
bashkëjetesë shqiptaro-maqedone dhe shqiptarët duhet të kërkojnë model tjetër
shteti. Nga serioziteti, këmbëngulja, qëndresa e mos lëshimi i shqiptarëve
varet gjithçka.
Marrëveshja e Ohrit është hartim i gjatë, tekst i stërholluar. Më thjeshtë ka më shumë vlerë. Por me mendje të ndarë, pa lëshime.
Pasi të gjenden intelektualë shqiptarë sepse nuk qeveriset kurrë asnjë shtet me partizanë, qofshin meritorë ose jo meritorë sa duhet për në kohën e luftës. Historia e Shqipërisë, Kosovës dhe vetë Maqedonisë e ka vertetuar e po e verteton përditë se nuk bëhet shtet nga partizanët e as nga komandantat e tyre, të cilët mund të kenë shkëlqyer në luftë por në paqë kanë rezultuar se u pëlqen të jenë plaçkitës e haraçistë shembullorë. Partizanët vrasin me yrysh. Trimërinë e munguar në luftë duan ta shfaqin pas lufte me xhambazlleqe. Nuk u mjafton lavdia e luftëtarëit të lirisë, por duan hise, hisen më të madhe, në mos duan krejt atdheun ta përvetësojnë me idenë se u takon. Ata të cilëve u takon atdheu në fakt, kanë marrë nga dy metër tokë dhe prehen të knaqur.
Maqedonia nuk funksionon pa shqiptarë e sllavë maqedonas si dy këmbët e një trupi. Njëra këmbë është më e trashë, më e fuqishme, por nuk bën vetëm me një këmbë që edhe pse është më e hollë është e domosdoshme që trupi të ecë me këmbët e veta. Shqiptarët nuk janë patericë por janë këmbë. Patericë e bënë politikanët shqiptarë.
A bëhet marrëveshje me Gruevskin?
Dikush thotë se bëhet, pasi ai që din të bëjë konflkte, di të bëjë edhe paqen.
Bëhet me Gruevsk e me këdo marrëveshje.
Por me kushtin e vetëm që shqiptarët të jenë esëll, që shqiptarët të gjejnë intelektualë safi shqiptarë, intelektualë që nuk vuajnë për fresk, për lavde, për pasuri, për merita, pasi duhet të gjejmë shqiptarë që janë meritorë dhe nuk kanë nevojë të pompohen nga turmat e militantët, duhet të gjejmë shqiptarë që flasin sakllam shqip e jo shqiptarë të shpikur si të tillë sipas oreksit e deshirave të Gruevskit e të maqedonasve që jetojnë me histori të shpikur.