Kerko: a
Tajar Zavalani: Ferexheja dhe qytetërimi
E merkure, 24.06.2020, 09:35 AM
FEREXHEJA DHE QYTETËRIMI
Nga Tajar Zavalani
Rryma përparimtare që ka kapur shoqërinë shqiptare është kaq e fortë sa pozitat e botës së vjetër po vihen një pas një në rrezik. Të vjetrit e ndjejnë se nuk mjafton vullneti i tyre dhe forca brutale për të ruajtur këto pozita dhe prandaj përpiqen të përligjin prapështinë e botës së tyre me argumente... “filozofike”.
Njerëzit nuk kanë aq ndërgjegje sa të thonë “kështu e kemi gjetur, kështu do ta vazhdojmë, se kështu na e do interesi”, por mundohen të mbajnë me sofizma ngrehinat e asaj bote të dënuar nga historia, nga arsyeja dhe nga jeta vetë, bëhen odiozë ose qesharakë.
Një nga mbeturinat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Natyra hipokrite dhe e urryer e kësaj forme skllavërimi ishte kaq e dukshme (ashiqare) sa nuk kujtonim të kishte nevojë të provohej. S’na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente gjoja serioze, fshehjen e gruas myslimane mbrapa një perde të zezë.
Por ja, ku na dolën zotërinjtë e “Zanit të naltë” dhe deshën të na provojnë pa qeshur se ferexheja nuk e pengon qytetërimin e gruas myslimane.
Edhe sa çudira do të shohim në këtë Shqipërinë tonë të vogël?
Ndofta s’e vlen të humbasësh kohë për të rrëzuar një tezë kaq absurde dhe pa pikë bujarie, por ka shumë burra që në shkrimet e “Zanit të Naltë” gjejnë shkak për të mos lejuar heqjen e çarshafit. Prandaj do ta marrim punën seriozisht, sado që s’e meriton.
Të merremi vesh mirë. Ç’kuptojmë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit deri sa ky e detyron të dalë e mbuluar.
I pari
çap i saj në rrugën e qytetërimit duhet të jetë grisja e çarshafit.
Mjafton të qëndrosh një orë në një rrugë kryesore të Tiranës për të parë se si gruaja myslimane mundohet me një mijë mënyrë të kufizojë efektin e asaj mbulese që urrën me gjithë shpirt. Kur shef disa gra të veshura mirë, gadi si në një kënd të botës së qytetëruar, dhe vetëm me një peçe të zezë mbi fytyrën, të bie në sy i gjithë shëmtimi i kësaj zgjedhe të shpikur nga një shpirt sadist.
Një mjet që përdoret gjoja për të ruajtur namuzin dhe shpesh herë nuk bën gjë tjetër veçse të mbulojë imoralitetin më të përbuzshëm!
“Me i zbulue gratë nuk asht vështirë,-thotë “Zani i naltë”.- Puna e vështirë asht më i prue gratë në atë gjendje që t’a çmojnë detyrën e tyne”.
E pranojmë. Por që të çmojë detyrën e saj, gruaja duhet të ketë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të dinjitetit të vetë. Si mund të zhvillohen këto ndjenja në një grua që rritet e jeton si skllave dhe nuk ka të drejtë as të mendojë, as të gjykojë, as të vendosë me mendjen e vetë. E përdorin gruan në vend të një plaçke, e përbuzin kur ajo guxon të shfaqë një mendim të sajnë, dhe pastaj duan që të çmojnë detyrën e saj dhe betohen se nuk e pengojnë të qytetërohet.
Qëllimi i
qytetërimit është që gruaja të mos kufizohet në rolin e një kafshe shtëpiake
por të marrë pjesë aktive në jetën e shoqërisë krah për krah me burrin.
Qytetërimi i vërtetë fillon atëherë kur gruaja
Shkrimtaret si Zonja Collete, dijetare si Zonja Curie, ministreshat si Miss Perkins janë gra që me veprat e tyre kanë sjellë një kontribut të veten në thesaret e vlerave morale të njerëzimit dhe qëndrojnë shumë më lart nga shumë burra që krekohen si pjesëtare të ashtu-quajturit seksit të fortë.
Mjerisht në botën myslimane s’kemi as një shembull të tillë. Atje mbretëron errësira, injoranca, ndjenjat e vrazhda, instinktet e këqija që përjetohen brez pas brezi sepse fëmija janë pema e edukatës që u japin nëna të skllavëruara. Prandaj në shtet myslimane që hyjnë në rrugën e qytetërimit çlirimi i gruas nga zgjedha e çarshafit është një nga të parat as që merren midis reformave shoqërore. Shembullin klasik në këtë drejtim na e jep Turqia kemaliste.
Nuk
provon gjë argumenti i “Zanit të Naltë” që pyet si pa të keq; pse malësorja
shqiptare me gjithë që
Por ndofta zotërinjt’ e “Zanit të Naltë” mund të na quajnë ekstremistë dhe të frymëzuar nga një urrejtje krejt subjektive kundër çarshafit. Kujtojmë se ata si shqiptarë të mirë peshojnë së paku fjalën e një Naim Frashëri. Nuk mund të verë njeri në dyshim faktin që apostulli i shqiptarizmës, ka dashur me zemër të përvëluar përparimin e këtij vendi dhe lartësimin e këtij kombi. Ja pra, se ç’ka shkruar Naim Frashëri për gruan myslimane:
“Të fshehurit dhe të mbuluarit e fytyrës së gruas s’ka qenë në kohën e profitit por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vejë mbroth një komb kur gratë, domethënë gjysma e njerëzisë, rron e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijës, dhe këto qysh mund të bëhen kur burri rri veç gruas? Ç’dashuri, ç’arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një të tillë familje...!?
Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë nga burri sepse fëmija së pari nga mëma e marrin arsimin dhe mësimet... Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt i njerëzisë” .
Çdo koment do të ishte një e fyeme për kujtimin e krijonjësit të mistikës sonë kombëtare.
Vetëm një gjë është për t’u vajtuar... që gratë e mbuluara si bashkëshorte të burrave muhamedanë kontribuojnë, me anën e subvencioneve të majme që shteti ynë afetar u jep komuniteteve fetare, në mbajtjen e një reviste si “Zani i Naltë” që kërkon përjetësimin e ferexhesë si mjet kulture.