E merkure, 30.04.2025, 03:49 PM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Disa pyetje për ministrin e Jashtëm

E enjte, 14.08.2014, 07:38 PM


Disa pyetje për ministrin e Jashtëm

Nga Alma Lama

Pas disa aksioneve të Policisë së Kosovës për të arrestuar disa eksponentë të fondamentalizmit, duket sikur në Kosovë është krijuar një momentum i ri. Edhe mund të shihet kështu pas një apatie totale të atyre që kishin përgjegjësinë për të vepruar; pas flirtimit të dukshëm me ta gjatë zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme, pas ngritjes kokë në debatin publik të një ideologjie, që në thelb është totalitare dhe që po mbjell vdekje kudo që po përhapet nëpër botë. Nuk dua ta zgjasë në këtë pikë, pasi shumë incidente janë raportuar gjerësisht në media këto dy-tre vjetëve të fundit, incident që arritën deri tek përdhosja e majave më të larta të kombit, Nënë Terezës dhe Skënderbeut.

Mund të konsiderohet krijimi i një momentum të ri, edhe për faktin tjetër. Shumëkujt iu hap goja për të folur rreth këtij problemi këto ditë. Disa liderë partish, memecë deri tani, befas dolën me deklarata distancimi, po kështu disa deputete e madje edhe zonja e vetme kryetare e Komunës, e cila nuk pat hezituar ta presë në zyrën e saj plot dashamirësi, kryevahabistin e Kosovës, i cili gratë shqiptare i pat etiketuar si “lavire.”

Sikur të mos i dija rrethanat paraprake, pra se ishte Departamenti i Shtetit ai që ua nxori maskën agjentëve të veahabizmit, për pak do të mendoja se kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim të klasës politike, më në fund. Por mos të ngutemi, servilët mbesin servilë. Në fillim flirtuan me ata që i shajnë sot, duke u servilosur për vota, e kur Departamenti i Shtetit ua mëshoi në shuplakë turinjve, e kthyen pllakën, filluan t’i servilosën Ambasadës.

Në listën e gjatë të këtyre kameleonëve e shoh edhe ministrin e Jashtëm, z. Enver Hoxhaj, i cili në një shkrim autorial të titulluar “Ekstremizmi fetar nuk ka vend në Kosovë” e adresonte gjerësisht  këtë çështje. Pajtohem plotësisht: ekstremizmi fetar nuk ka vend në Kosovë, por zoti ministër pse nuk përgjigjeni në radhë të parë se, pse ky ekstremizëm ka vend në partinë tuaj? Sa i besueshëm jeni ju, kur në listën e partisë kur konkurruat si deputet në zgjedhjet e fundit, ju zoti ministër i Punëve të Jashtme kishit në krah promovuesit e kësaj ideologjie në punët tona të brendshme, madje ua mundësuat që të hyjnë edhe në Kuvend e prej aty të na e përdhosin prapë Skënderbeun e Nënë Terezën?

Madje madje, njerëz të tillë do të ulen mu në mes të “patriotëve” të PDK-së e prej aty do të kërkojë të mos votohet ligji për ata që shkojnë e luftojnë në Siri, do të kërkojë futjen e shamive në shkolla publike, për të cilat ju lavdëroheni se e keni ndaluar me një Udhëzim Administrativ (këtë Udhëzim e anuloi kryetari juaj para zgjedhjeve), do të kërkojë futjen e lëndëve fetare në shkolla e madje pse jo edhe vendosjen e Sheriatit.

Mandatin e kaluar i patët partner koalicioni dhe e dini se ministri që udhëhoqi Shëndetësinë deshi të na bëjë Arabi Saudite edhe spitalet, pra të instalojë segregacionin për herë të parë në historinë e shqiptarëve, ku pacientët dhe mjekët duhet të jenë vetëm të së njëjtës gjini.

Unë e di se partia ku bëni pjesë ju, nuk është se iu ka pyetur fort se kë e kanë marrë në koalicion e kë në listë për deputet. Problemi është se pse ata që janë kundër këtij fenomeni që po prononcohen sot, kanë heshtur? Pse ta zëmë ju si ministër i Punëve të Jashtme, barrë e madhe kjo, me këto pikëpamje që unë i mbështes plotësisht, nuk u distancuat, nuk bëtë as sakrificën më të vogël në karrierë për një çështje kaq fondamentale? Fjalët duhet të shoqërohen me vepra, përndryshe i merr era.

Por, mbi të gjitha PDK-ja e mban veten si parti që ka në gjirin e saj nacionalistë, madje madje kur ka nevojë organizon edhe veteranët e UÇK-së për të reaguar si ka mundësi që asnjë nacionalisti nuk i bëri përshtypje, që lideri i tyre po bën koalicion me ata që sulmojnë figurat numër një të nacionalizmit shqiptar?  Por çfarë po them unë: PDK-ja nuk e mbrojti as ministren Çitaku, nga radhët e saj kur e sulmonin ekstremistët në mënyrën më barbare.

Z. Hoxhaj, e përshkruan me saktësi rrezikun e përhapjes së dogmës në shkrim e mbi të gjitha rrezikun që i kanoset shtetit të brishtë të Kosovës, të pakonsoliduar në asnjë fushë. “Rryma të tilla radikale pa dyshim që synojnë kontrollimin e jetës publike, duke promovuar një rend të ri dhe të huaj kulturor dhe moral, që nuk përkon me orientimin perëndimor të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës,”thotë ministri. Shumë e vërtetë. Por z. ministër, a e dini ju se ku e ka bazën përhapja e kësaj dukurie në këtë masë? E ka tek niveli i ulët arsimor i pjesës më të madhe të rinisë së Kosovës. Dhe natyrisht këtu përgjegjësi keni edhe ju sepse keni qenë ministër i Arsimit. Dua të di çfarë bëtë ju si ministër për ta çuar nivelin e arsimimit në një stad tjetër, për ta zhvilluar, për ta bërë më bashkëkohor, për të shëruar plagët që la regjimi i Millosheviqit në këtë fushë?

Mua nuk më kujtohet asnjë strategji kombëtare, asnjë masterplan, asnjë projekt i vlefshëm, me të cilin sot të do të krenoheshim. Të mos harroj, ishte një projekt 44 milionësh për shtrirjen e internetit në shkolla, por dështoi sepse dështoi plani për të vjedhur 22 milion në të njëjtin tender.

Z. Hoxhaj a e dini ju se arma më e fortë për të luftuar çdo lloj ekstremizmi është një arsimim i fortë? A e dini ju se arma më e fortë që kanë në duar ekstremistët për të përhapur ideologjinë fetare të shekullit të shtatë, për të bërë trushpërlarje është pikërisht qeverisja e dështuar dhe e korruptuar, e cila prodhohet nga një politikë e papërgjegjshme?

Mungesa e vizionit për zhvillimin ekonomik që ka pasojë papunësinë e lartë, arsimimi i dobët, krimi dhe korrupsioni janë të gjithë faktorë, që këto ideologji të gabuara po përhapen në Kosovën sekulare, në Kosovën e larë me gjak për liri.

Tani mbani postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe këto ditë, në mënyrë spekulative u sulmuat nga të arrestuarit dhe mbështetësit e tyre se ju jeni ai që keni nxitur të rinjtë të luftojnë në Siri, me deklaratat që keni dhënë si ministër.

Padyshim që unë nuk pajtohem me ta, mirëpo krahasimi i situatës në Siri, e cila filloi si një luftë për demokraci për përmbysjen e një regjimi autoritar, me luftën e Kosovës, e cila luftonte për liri nga një pushtues 100-vjeçar, padyshim që është një gafë diplomatike. Si ministër i Jashtëm, do të duhej ta dinit një formulim jashtëzakonisht të rëndësishëm të aleatëve tanë që na ndihmuan të shpallim pavarësinë: Kosova është rast “Sui Generis.”

Po kështu përshpejtimi për të mbështetur luftën për demokraci të një vendi që ende s’na ka njohur, e mbi të gjitha duke qenë se nuk jemi kurrfarë faktori në arenën ndërkombëtare, gjithashtu ishte një gabim. Ne nuk mund të sillemi si SHBA-ja, çdo ministër i Jashtëm i çdo vendi tjetër në botë e di këtë. As mund të flasim si ata.

E po kështu si Ministri e Jashtme, keni harxhuar një buxhet goxha të majmë për organizmin e konferencave ndërkombëtare në lidhje me tolerancën ndërfetare. Madje, në këto konferenca janë ftuar protagonistët që po mbjellin intolerancën, që erdhën në krye të Bashkësisë Islame me metodat e Putinit. Koha nuk ishte për konferenca, koha  ishte për të vepruar për të parandaluar  ligjëruesit intolerantë nëpër xhamia e shkolla, koha ishte për ta mbrojtur fenë tradicionale nga ideologjitë e huaja që duan të na tjetërsojnë.

Si ministër i Jashtëm, i cili jeni fytyra e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është dashur të brengoseni për këtë imazh të Kosovës, që po nxihet përditë e për të cilin mediet ndërkombëtare po na vendosin krahas Sirisë, Palestinës apo Irakut, në lidhje me temën e ekstremizmit, me fotot e kokave të prera.

Përfundimisht, z. ministër, ju e dini se mua do të më kishit pasur partnere në këtë fushë, pasi e kam ngritur zërin kundër rrezikut nga ekstremizmi, atëherë kur ju të gjithë e fshihnit kokën në rërë si strucët, por kur shoh këtë mungesë sinqeriteti tek ju dhe kolegët tuaj edhe në parti të tjera, nuk kam sesi të mos ua prish idilin e “dashurisë” për luftën kundër ekstremizmit. Sepse sërish qëllimi juaj janë votat.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx