E hene, 29.04.2024, 04:41 AM (GMT+1)

Mendime

Shefqet Dibrani: Flini rehat?!

E merkure, 13.08.2014, 07:11 PM


Flini rehat?!

Shkruan Shefqet DIBRANI

Kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa i sugjeroi qytetarët e Kosovës të mos bëhen merak, ata le të flinë rehat, po të duan munden edhe zbathur të flinë, pse jo?! Po, ai do të qeverisë Kosovën pa kushte, ndonëse as qytetarët nuk duhen të kërkojnë një gjë të tillë, sepse ai nuk ka pranuar kushtëzime për t’ia dhuruar postin e pa negociueshëm AAK-së, (kryeministërllëkun), të cilin e pat ëndërruar ta udhëhiqte vet ai. Qytetarët duhet të mjaftohen me faktin se ai është shëndosh e mirë dhe do t’i udhëheq pa kushte dallaveret e tij. Edhe rrugën vet e dinë?! Kështu ka thënë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, se kthim prapa s’ka, bile as pas të gjitha dështimeve. Vërtetë ai nuk është fajtor pse qytetarët nuk kanë dalë në zgjedhje, dhe as për ata të tjerët që nuk ia kanë qitur votën. Pa dyshim, ai s’ka faj, fajin e ka populli?! Por, çfarë na qenkan ato humbje, se a mos u mbyll ndonjë fabrikë apo ka mbetur dikush papunë.

Por elektorati po dyshon me arsye, pasi e ka frikën e rrugës drejt humnerës dhe fundit të pafund të LDK-së, e bashkë me të edhe të filozofisë rugoviane.  Marrëveshja e z. Mustafa ku do të jetë bërthama e ardhshme e qeverisë së Kosovës në përbërje LDK-AAK-NISMA, nuk garanton qeveri të qëndrueshme dhe as me kohezion të plotë. Andaj të gjithë  “ata që brengosen se dr. Isa Mustafa përsëri do të luaj”, kanë shumë arsye, pasi e din se kryetari i LDK-së e ka të kushtëzuar frymëmarrjen, e le më kushtëzimet nga ky apo ai subjekt në qeverisjen e ardhshme. Kot së koti thotë Isa Mustafa , “të flenë rehat", qytetarët dhe elektorati i LDK-së nuk duhet të flijnë rehat, sepse të gjithë e dinë si pat thënë, dhe sa herë pat thënë të flinim rehat edhe në kohën e ndryshimeve kushtetuese, atëherë kur Kosova e humbi autonominë e saj, refren që e pat përsëritur disa herë sa ishte kryesues i ekipit të tagërmbledhësve  në Qeverinë e Kosovës në ekzil. Edhe kur e pat marrë Huan Popullore po ashtu nga veprimtarët dhe elektorati i LDK-së në Diasporë, Isa Mustafa pat thënë disa herë se duhet të flinim rehat. Po a nuk u ka thënë edhe ushtarëve e ushtarakëve të shumtë që të flinë rehat. A nuk e ka përsëritur këtë refren edhe kundër institucioneve Shtetërore të Kosovës, në kohën e pushtimit klasik nga Serbia, atëherë kur funksiononte shteti paralel në Kosovë. Po këtë refren ia pat përmendur  edhe shefit të QIK-ut z. Enver Maloku kur ia pat rrudhur e ndalur buxhetin financiar, po ashtu me dhjetëra herë këtë refren ia ka përsëritur edhe dr. Ibrahim Rugovës pse shkonte drejt Amerikës, kur kishte shtete e vende të shumta në Evropë?!

Isa Mustafa gjithmonë na ka sugjeruar të flinim rehat, dhe këtë e ka përsëritur edhe në tri palë zgjedhje në të cilat ai vazhdimisht doli humbës. Flini rehat iu tha edhe intelektualëve të shquar të LDK-së dhe të gjitha Degëve të LDK-së në Diasporë, se ai di me kë me bërë koalicion. Ne e dimë rrugën tonë ka thënë ai, dhe vërtetë po dëshmohet se ai e po e din pse nuk e mban fjalën, pse s’ka asnjë përgjegjësi para elektoratit të LDK-së dhe Kosovës për të gjitha dështimet. Megjithatë vlen për ta sugjeruar anëtarësinë e gjerë të LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm dhe Kuvendin e Partisë, se kanë arsye të flinë rehat, bile ata mund edhe të zbathën se tanimë është vapë, por ata që e duan Kosovën, vërtetë duhet të shqetësohen?!

2.

RTK , mediumi publik i Kosovës, i cili financohet edhe nga taksat e qytetarëve të Kosovës, lajmet qendrore të orës 19:30 të datës 10 gusht 2014, i nisi me lajmin bombastik për rënien e një “Heroi - Shehidi” në fushat e nderit diku në Luftën për tokën e shenjtë në Irak. Patrioti edhe nga emri  Patriot, është pritur se me plotë patriotizëm do të  shkoj shehid, këtë e kanë thënë edhe familjarët e tij. Sigurisht ai  besonte se RTK, do t’i kushtoj rënies së tij minutazhin më kryesor të lajmeve të asaj dite.

Por për çudi RTK, kurrë nuk e lajmëroi me kaq pompozitet se “X” a “Y” ushtari i UÇK-së kur bënë vetëvrasje, nga skamja, nga varfëria, nga sëmundja apo nga plagët e luftës etj, e le më tu jap kaq rëndësi arritjeve pozitive, ta zëmë siç ishte, po të njëjtën ditë, rasti i sportistëve kosovar me kërcim dallëndysheje nga Ura e Fshejtë, ku shiheshin mjaftë dashamirë të këtij sporti të gëzuar dhe të hareshëm. RTK, ka marrë mundim të shkojë edhe në fshatin e lindjes së Sheidit muhaxhedin të ISIS,  ashtu siç e pat pritur në Stamboll edhe Fuad Ramiqin kur shkoi me turqit për të luftuar kundër Izraelit. RTK më rrallë shkon te dhjetëra aktivitete të tjera kulturore, sportive dhe të arritjeve në sfera të ndryshme të jetës, që i bënë një gjeneratë e re e cila nuk është e implikuar në politikë , e shumë më pak tek ata që kritikojnë politikën.

Madje familjarët e Patriotit nuk i paskan lënë as të xhirojnë atje, por të paktën Shërbimi i Sigurisë Kombëtare, të nesërmen u ndie se është gjallë, ata bashkë me policinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë është dashur ta dijë nëse në të pamen për Patriotin mos kanë qenë edhe ndonjë funksionar i lartë politik, qoftë edhe i nivelit lokal të kësaj komune, të cilët gjatë fushatës zgjedhore me mburrje ngritin një gisht se “Allahu është Një” dhe 4 gishtërinjtë   në shenjë  simbolizmi të vëllazërisë myslimane. Tani kjo komunë do t’ia sjell parlamentit të Kosovës edhe deputeten e parë me shami, mbulesë religjioze e cila nëse jo gjë tjetër do të dëshmoj  “simbolin e tolerancës fetare që po lulëzon në Kosovë?”, dhe me të do t’i shesin mend  Evropës, për kulturën evropiane të shqiptarëve?!...

Gjithsesi një gjë më provokon se gjithë kjo që po flasim është të dihet nëse mediumi publik i Kosovës “RTK”, ka të punësuar ndonjë sociolog  a psikolog,  apo edhe RTK me avazin e partive politike të cilat po i injorojnë studiuesit mbi shkencat shoqërore që merren me shoqërinë dhe rolin e individit në shoqëri! Ata i dinë më mirë se kushdo tjetër efektet e këtyre lajmeve!

3.

Sipas të gjitha parashikimeve muaji shtator do të jetë muaji i nisjes së fushatës zgjedhore brenda në LDK, ku pritet të garoj për kryetarin e kësaj partie edhe dr. Bujar Bukoshi i cili mund të jetë kundërkandidati më serioz i dr. Isa Mustafës për mandatin katërvjeçar në postin e kryetarit të LDK-së. Ndërsa kryetari aktual i LDK-së, dr. Isa Mustafa, elektoratin e kësaj partie do ta sugjeroj përsëri që të flejë rehat, pasi bashkë me dr. Bujar Bukoshin në krye të LDK-së e kanë më të lehtë, (kuptohet në rast se e marrin edhe Kosovën), me i bërë rrush e kumbulla tërë parat dhe buxhetin e Kosovës, ashtu siç e patën bërë në një kohë jo aq të largët buxhetin e Qeverisë së Kosovës në ekzil.

Po vërtetë LDK-ja dhe Kosova po sakrifikojnë shumë për ta shkëputur Kosovën nga Bashkimi Evropian dhe për t’ia prishur LDK-së miqësinë me Amerikën. Absurdi i gjithë kësaj cirkusiade do të jetë kur LDK-ja, për Kryetar të Kosovës do ta propozojë kë tjetër pos Veton Surroin, me të cilin kjo kryesi e LDK-së do ta kompletonte mozaikun tragjik të demokracisë dhe rugovizmit të proklamuar!...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora