E premte, 02.05.2025, 01:01 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Marrëveshja e Ramës për mbrojtjen e Fullanit

E merkure, 06.08.2014, 08:26 PM


Marrëveshja e Kryeministrit Rama me Prokurorin e Përgjithshëm Llalla për mbrojtjen e Fullanit

Nga Kastriot Myftaraj

Më në fund, në 6 gusht 2014, saktësisht 14 ditë pasi është bërë publike vjedhja në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, erdhi reagimi i Qeverisë “Rama” për ngjarjen. Reagimi nuk është drejtpërdrejt i Kryeministrit, por në një njoftim për shtyp të Qeverisë thuhet në mënyrë të papërcaktuar se Këshilli i Ministrave diskutoi me shqetësim për “ngjarjen shumë të rëndë të grabitjes në Bankën e Shqipërisë”. Së pari këtu të bie në sy formulimi juridik gjoja i gabuar. Sipas Qeverisë në Bankën e Shqipërisë paska ndodhur një grabitje?! Qeveria supozohet që t’ i përdorë termat në konotacionin ligjor të tyre dhe nga pikëpamja juridiko-penale, grabitja është një vepër penale ku vjedhja kryhet me forcë. Kështu del se sipas Qeverisë në bankën qendrore na paska ndodhur një sulm nga jashtë, nga një bandë e armatosur, që paska grabitur Thesarin e Bankës. Në Qeveri ka disa juristë, të cilët duhet ta kishin vënë në dukje gjatë diskutimit se nuk ka ndodhur një grabitje. Mund ta imagjinoj lehtë se si, fjala vjen, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, një jurist penalist me përvojë, ka ulur kokën kur ka dëgjuar këtë absurditet juridik, që ishte shërbyer në tryezë qeveritare nga kuzhina juridike kryeministrore. Por edhe Kryeministri Rama, ka mjaftueshëm juristë në stafin e vet, me të cilët është këshilluar për atë që ka ndodhur, aq më tepër që ky diskutim qeveritar ndodh 14 ditë pasi vjedhja në Thesarin e bankës qendrore është bërë publike.

Edhe këtu ka një paradoks kërshëror. Meqënëse ajo që ka ndodhur në Thesarin e bankës qendrore është vërtet një ngjarje shumë e rëndë për Qeverinë, siç thotë njoftimi qeveritar, atëherë përse Qeveria priti 14 ditë qëkurse vjedhja në Bankën e Shqipërisë është bërë publike nga Banka, për të diskutuar dhe reaguar për të? Në njoftimin qeveritar nuk thuhet se kur erdhi në dijeni Qeveria për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Djalli fshihet në detajet, thotë një fjalë e urtë. Sigurisht që Qeveria nuk ka ardhur në dijeni, së bashku me publikun e gjerë, në 23 korrik, por duhet të ketë ardhur më parë në dijeni, së paku Kryeministri Rama po se po. Banka e Shqipërisë e ka bërë kallzimin penal në Prokurorinë e Tiranës në 21 korrik, por deri më sot nuk ka thënë zyrtarisht se në ç’ datë kanë marrë dijeni drejtuesit e saj, Guvernatori dhe Këshilli Mbikqyrës, të cilët kanë marrë vendimin për të bërë kallzimin penal. E theksoj se këtu flas për njoftim zyrtar të Bankës, jo për thëniet e punonjësve të arrestuar të bankës, të cilët flasin sipas interesit që kanë në situatën që ndodhen, dhe eventualisht ndonjëri sipas marrëveshjeve që kanë bërë me drejtuesit e bankës.

21 korriku, dita kur është bërë kallzimi penal, është ditë e hënë, çka do të thotë se vjedhja nuk është zbuluar as në 20 dhe as në 19 korrik që janë ditë pushimi, por së paku duke nisur që nga dita e premte, 18 korrik e poshtë. Gjëja e parë që Guvernatori Fullani duhet të bënte me të marrë dijeni se ishte vënë dorë në Thesarin e Bankës, dhe para se të bëhej një auditim i Thesarit, ishte që të vinte në dijeni Kryeministrin dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kjo për dy arsye. Prekja e Thesarit të bankës qendrore është një çështje që ka të bëjë me stabilitetin financiar të vendit, dhe sipas nenit 102 të Kushtetutës Kryeministri “koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to”. Kjo do të thotë se Kryeministri është personi kryesor përgjegjës në vend edhe për stabilitetin financiar të vendit.

Gjithashtu, me t’ u konstatuar prekja e Thesarit, Guvernatori duhet të kishte vënë në dijeni Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ose së paku Drejtorinë e Policisë së Tiranës, e cila duhet të kishte bërë veprimet e para të domosdoshme policore, para se çështja t’ i shkonte Prokurorisë. Pavarësisht se sa kartmonedha qenë marrë nga Thesari i bankës qendrore, vetë akti i vënies dorë në mënyrë të kundërligjshme në arkat me para, përbën një krim dhe, që në momentin kur konstatohet se ka ndodhur ky krim është e detyrueshme që të vihet në dijeni pa vonesë Policia e Shtetit. Në raste të tilla veprimet e para policore janë me rëndësi shumë të madhe për zbulimin e asaj që ka ndodhur në të vërtetë. Guvernatori Fullani është edhe jurist i diplomuar, përveçse financier dhe i ka të qarta këto gjëra edhe vetë, pa pasur nevojë që ta këshillojnë juristët e stafit të tij, të cilët nuk i mungojnë dhe madje janë të mbipaguar.

Mosvënia në dijeni e Policisë së Shtetit nga ana e Guvernatorit pas konstatimit të vënies dorë në mënyrë të kundërligjshme te Thesari, nuk mund të jetë bërë me qëllim tjetër veç atij për të përfituar kohë që të mbulohej e vërteta. Të gjitha këto përbëjnë mosveprime me të cilat është konsumuar së paku një vepër penale, në zinxhirin e veprave penale që ka konsumuar Guvernatori Fullani në këtë çështje. Faktet që do të parashtroj më poshtë mund të konsiderohen si spekulime, ose të shpërfillen si teori konspiracioni, por ato mbeten në fuqi si pista hetimore, sa kohë që nuk është dhënë zyrtarisht nga Guvernatori dhe Qeveria dinamika e ngjarjes. Nuk ka arsye pse të jetë sekret shtetëror se kur Guvernatori e ka njoftuar Kryeministrin dhe kjo mund të shpallet sekret veçse nëse kërkohet të fshihet marrëveshja e fshehtë në trekëndëshin Bankë-Qeveri-Prokurori për këtë çështje.

Guvernatori Fullani e ka vënë në dijeni Kryeministrin Rama për ngjarjen që në 18 korrik, me anë të burrit të ministres Gjermeni, z. Marian Gjermeni, krahut të djathtë të Fullanit në Bankën e Shqipërisë, dhe ka kërkuar një takim konfidencial me Ramën, me qëllim që të siguronte mbështetjen e tij. Rama i ka premtuar Fullanit mbrojtje, nëse ndjek udhëzimet e tij, dhe i ka kërkuar së pari që çështjen të mos ia adresojë Policisë së Shtetit, por Prokurorisë. Arsyeja se përse Rama e kërkoi këtë gjë ishte që çështja të kalonte drejtpërdrejt te Prokuroria, duke u shmangur Policia, në mënyrë që Qeveria të distancohej sa më tepër nga përgjegjësia për zbulimin e ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të saj. Këtë e them se Policia e Shtetit është në varësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë. Synimi është që të krijohet përshtypja në opinion se meqënëse Prokurorin e Përgjithshëm Llalla e ka emëruar Berisha në këtë post, atëherë të duket se Llalla po e mbron Fullanin për hir të Berishës. Berisha qartësisht ka dhënë të kuptohet se do të ishte i lumtur nëse Fullani dilte i pandëshkuar nga kjo histori, por duket e pabesueshme që Prokurori i Përgjithshëm të mbrojë Fullanin vetëm për mirënjohje ndaj Berishës, ose për shkak të ndonjë të mire që i ka bërë Fullani. Z. Lllalla mund t’ i hynte aventurës së rrezikshme të mbrojtjes së Fullanit vetëm me miratimin e Edi Ramës.

Guvernatori Fullani, duke mos e vënë në dijeni Policinë e Shtetit në momentin që erdhi në dijeni se ishte prekur Thesari i Bankës, ka kryer veprën penale të moskallzimit të krimit. Kësaj përgjegjësie Fullani nuk mund t’ i ikë me kallzimin e mëvonshëm në Prokurori. Çdo qytetar kështu mund të shfajësohet për moskallzimin e një krimi në Polici, madje të refuzojë shoqërimin në Polici kur është dëshmitar i një krimi, duke thënë se do të bënte më vonë një kallzim në Prokurori! Kallzimi që bëri Fullani në Prokurori, duke anashkaluar Policinë e Shtetit është rezultat i marrëveshjes së fshehtë Rama-Fullani, të inicuar në 18 korrik, dhe të konfirmuar në takimin e tyre të fshehtë të 20 korrikut. Por Fullani e ka bërë kallzimin në Prokurori pasiqë ishte bërë një marrëveshje e fshehtë mes Kryeministrit Rama dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla se deri në çfarë niveli do të shkonte përgjegjësia për këtë çështje. Vetëm duke qenë e mbuluar Prokuroria nga marrëveshja e fshehtë e titullarit të saj me Kryeministrin, do të merrte guximin drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, i cili është përgjegjës i drejtpërdrejtë për çështjen të neglizhonte atë detyrim që ka çdo Prokurori në botë kur ndodh një vjedhje në Thesarin e bankës qendrore, pra që Prokuroria të verifikojë fizikisht arkat e parave në Thesar, për të parë gjendjen e tyre të vërtetë, dhe për të konstatuar pas numërimit fizik, nën praninë e prokurorëve, shumën e parave në to.

Merret vesh, është rezultat i marrëveshjes së fshehtë Kryeministër-Kryeprokuror që Prokuroria nuk ka vënë dorë drejtpërdrejt në arkat me kartmonedha të Thesarit, për të verifikuar gjendjen e tyre, por ka pranuar si të mirëqena të dhënat e auditit të Bankës së Shqipërisë, të kryera nga njerëzit e Fullanit, sa i përket shumës së parave që janë vjedhur në Thesar. Edhe sot, 17 ditë pasi Prokuroria ka regjistruar kallzimin e bërë nga Banka e Shqipërisë, prokurorët nuk guxojnë të prekin me dorë arkat e kartmonedhave në Thesarin e bankës qendrore dhe të konstatojnë shumën e vërtetë të parave që është vjedhur. Inspektorja e Përgjthshme e Bankës së Shqipërisë, zonja Elivar Golemi, e cila është në krye të drejtorisë së kontrollit të bankës qendrore, ndonëse është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, është një ish-vartëse e Fullanit, e cila ka punuar tetë vite në Bankën e Shqipërisë para se të merrte këtë detyrë, dhe që karrierën e saj bankare ia detyron Fullanit. Merret vesh se çfarë kontrolli do të bëjë ajo.

Mund të bëhet pyetja se përse ka interes Rama që ta mbrojë Fullanin. Këtu së pari duhet thënë se që Rama po e mbron Fullanin, kjo është e dukshme. Në njoftimin e sotëm të Qeverisë, as që përmendej emri i Guvernatorit Fullani, si njeriu që ka përgjegjësinë kryesore ligjore për t’ i sqaruar Qeverisë, Kuvendit, dhe tekefundit publikut, atë që ka ndodhur. Në njoftimin e sotëm të Qeverisë ngjarja në Bankën e Shqipërisë cilësohej si “një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë, duke nisur nga Prokuroria që duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës.” Se përse Policia e Shtetit mbeti që në fillim jashtë loje në këtë çështje, kjo gjë nuk thuhet as nga Qeveria, as nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila sipas rregullit që ka vënë Kryeministri, nxjerr komunikatat ditore dhe javore në emër të Policisë së Shtetit. Rama po e mbron Fullanin pikësëpari për shkak se Fullani ka pranuar që të paguajë gjobën prej 50 milionë euro që i ka vënë Kryeministri në takimin e fshehtë që të dy patën në 20 korrik.

Është e qartë se Fullanin po e mbron Prokuroria, por gjithashtu është e qartë se që nga data 4 gusht Prokuroria e Përgjithshme e konfirmoi që është vënë nën kontrollin e plotë të Edi Ramës. Që ka një marrëveshje të fshehtë mes Kryeministrit Rama dhe Prokurorit të Përgjithshëm, për çështjen e Bankës së Shqipërisë dhe shumë më tepër se kaq, kjo u kuptua nga fakti se Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar çështjen penale që ka të bëjë me marrëveshjen detare me Greqinë, sipas nenit 210 të Kodit Penal (“Marrëveshja për dorëzim territori”). Pavarësisht se hetimet po bëhen për specialistët që kanë përgatitur hetimet, kjo çështje penale është një kërcënim i qartë për arrestimin e kryetarit të opozitës Basha, i cili ka nënshkruar marrëveshjen si Ministër i Punëve të Jashtme. Synimi është edhe që të shantazhohet Basha, duke u detyruar që të pranojë pjesëmarrjen e PD-së dhe aleatëve të saj në zgjedhjet vendore, ku opozita ka paralajmëruar bojkotin.

Fillimi i çështjes penale për një marrëveshje ndërqeveritare që tashmë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, është një akt shumë kompromentues për Prokurorinë e cila për më tepër e ka nisur çështjen kryesisht. Nëse do të ndiqet e njëjta praktikë, kjo do të thotë që të nisë çështja penale për miratimin që ka dhënë në mënyrë jozyrtare Qeveria Rama për sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri. Kryeministri Rama ka bërë pohime publike duke e quajtur vendimin e tij personal sjelljen apo mossjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri. Nga pikëpamja e pasojave, kjo çështje është shumë më e rëndë se e kufijve detarë, se bëhet fjalë për ardhjen në Shqipëri të një prej arsenaleve më të mëdha me armë kimike në botë, çka rrezikonte zhdukjen e krejt popullsisë së Republikës së Shqipërisë. Duke konsideruar rrezikshmërinë e çështjes, çfarëdo pranimi sekret i Kryeministrit, përbën një akt që kërcënon seriozisht sigurinë kombëtare dhe vetë ekzistencën e kombit shqiptar, pasiqë pasojat do të qenë vdekjeprurëse edhe në trojet shqiptare përtej kufirit. Në të dy rastet, kemi të bëjmë me marrëveshje të arritura me dy vende të NATO-s, Greqinë dhe SHBA. Pra Prokuroria ka detyrimin që të veprojë me të njëjtin standard.

Është e qartë se Prokuroria e nisi pikërisht tani çështjen penale për kufijtë detarë, për të ulur pak efektin publik të çështjes së vjedhjes në Thesarin e Bankës. Por me këtë Prokuroria vetëm sa tregoi se tashmë është nën kontrollin e Edi Ramës. Tashmë është çdo veprim i Prokurorisë në çështjen e vjedhjes së Thesarit të bankës qendrore, duhet t’ i atribuohet Edi Ramës.

Prokuroria e Përgjithshme duhet ta ketë të qartë se po merr një përgjegjësi shumë të madhe mbi vete duke mos vepruar për të zbuluar atë që ka ndodhur në të vërtetë në Thesarin e Bankës dhe duke mos sqaruar publikun për këtë. Stabiliteti financiar i një vendi ku është vjedhur Thesari i bankës qendrore, nuk mbrohet duke duke shpallur sekrete faktet e asaj që ka ndodhur, por duke bërë transparencë që rikthen besimin e humbur te banka qendore, që është shtylla e stabilitetit financiar të vendit.

Prokuroria e Përgjithshme duhet ta marrë pa vonesë çështjen në ngarkim të saj, duke ia hequr Prokurorit Ramadan dhe t’ ia nisë punës seriozisht duke iu adresuar pyetjet e duhura personave-kyç në këtë çështje. Një nga gjërat e para që duhet ta bëjë Prokuroria është të thërresë Kryeministrin dhe ta pyesë se kur erdhi në dijeni për ngjarjen në Bankën e Shqipërisë, dhe ç’ veprime ndërmori. Gjithashtu duhet të thërrese Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ta pyesë se kur erdhi në dijeni për ngjarjen dhe ç’ veprime ndërmori. Natyrisht se pasi të jetë pyetur Fullani mbi këto dhe të tjera detaje që kanë lidhje me çështjen. Kështu Prokuroria do të mund të orientohet në labirinthin e ngatërruar të zbulimit të së vërtetës së kësaj çështjeje. Kështu do të zbërthehet i gjithë konspiracioni qeveritar-institucional i ngritur për të mbrojtur Fullanin.

Fullani, Kryeministri, Kryeprokurori kanë komoditetin që opozita, Basha, Berisha, heshtin për këtë çështje, se është e kompromentuar me Fullanin në kohën kur ka qenë në pushtet. Por përgjegjësia e opozitës në çdo vend të botës është morale, ndërsa përgjegjësia e Kryeministrit, Kryeprokurorit etj., është ligjore, në momentin që zbulohet ngjarja kriminale. Nëse vjedhja te Banka e Shqipërisë do të ishte zbuluar kur Berisha ishte kryeministër dhe Rama kryetar i opozitës, përgjegjësia e Berishës do të ishte ligjore, ndërsa ajo e Ramës morale. Askush nuk po i kërkon Kryeministrit Rama që të mbajë përgjegjësi se përse nuk e ndaloi vjedhjen te banka qendrore qëkurse erdhi në pushtet, apo tre muaj, gjashtë, muaj, nëntë muaj pasi erdhi në pushtet. Përgjegjësia e Ramës nis që në momentin kur erdhi në dijeni për vjedhjen, ashtu si edhe përgjegjësia e Saimir Tahirit dhe Artan Didit. Përgjegjësia e Fullanit është e përhershme, dhe vetë vonesa në vënien në dijeni të Kryeministrit, Policisë së Shtetit etj., është pjesë e përgjegjësisë së Fullanit. Mosndëshkimi i Fullanit për të gjitha fajet e tij është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Prokurorit të Përgjithshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx