E hene, 29.04.2024, 08:48 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Me hipokrizi kundër fundamentalizmit

E marte, 12.08.2014, 07:33 PM


Me hipokrizi kundër fundamentalizmit

Nga Arbana Xharra

Grupet fundamentaliste islamike në Kosovë nuk u zbuluan dje me arrestimet e 40 të dyshuarve për përfshirje në organizatat terroriste të ISIS-së dhe të “Al Nusra”-së. Tash e sa vjet një grup imamësh predikojnë lirshëm nëpër xhami të Kosovës ideologji ekstremiste, madje duke bërë thirrje haptazi që të rinjtë të shkojnë për të luftuar në Siri.

Ata nuk kanë pikur nga qielli, por kanë gjetur strehë, duke u punësuar nga vetë Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Dhe tash sa kohë ata janë në krye të xhamive kryesore nëpër qytetet e Kosovës, prej nga lehtësisht mund të dëshmohen thirrjet e tyre plot urrejtje. Ndërkohë që fytyrat e përfaqësuesve të grupeve të tilla fetare, të cilat mund të jenë dukur numerikisht të pakta, me vite të tëra kanë bërë propaganda radikale fetare, duke shtrirë lehtësisht dita-ditës rrjetin e tyre.

Pra, nuk kemi të bëjmë me një paraqitje të befasishme të të rinjve që mbështesin organizata terroriste, sepse ka disa vjet që ideologjia e tillë shtrihet pa u penguar nga askush. Ata jo vetëm se janë toleruar madje, disa prej tyre edhe janë shfrytëzuar për të mbledhur vota gjatë fushatave të fundit zgjedhore nga disa parti politike në vend.

Edhe atëherë kur deklaratat e tyre fyese ndaj femrave dhe etiketimi i tyre si lavire, poshtërimet e figurave kombëtare, Skënderbeut dhe Nënë Terezës, edhe rrahja e disa imamëve, të cilët kanë dalë kundër ekstremizmit fetar, nuk kanë marrë asnjë reagim zyrtar. Edhe atëherë kur në vazhdimësi deklaratat e tmerrshme të tyre u bënë pjesë e debatit publik, Bashkësia Islame e Kosovës dhe shumica e partive politike në vend heshtën duke futur “kokën në birucë”.

Kalkulimet e tyre për përfitimet personale reflektuar me amnistimin e këtyre grupeve edhe atëherë kur e rrahën Xhabir Hamitin, kur ju thye dora imam Osman Musliut, kur ju dogj vetura hoxhë Musli Verbanit, kur u kërcënua me heqje koke aktivistja, Ajnishahe Halimi, kur publikisht u fyen deputetet femra, Alma Lama dhe Vlora Çitaku e shumë të tjerëve.

Është absurditet të dëgjosh sot disa politikanë, zyrtarë të BIK-ut dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile teksa deklarojnë se Kosova është në rrezik nga kjo dukuri, duke dalë nga zori në mbështetje të arrestimeve të Policisë, derisa kurrë deri më tani nuk e kanë hapur gojën.

Vetëm atëherë kur morën sinjale të ashpra nga Bashkësia Ndërkombëtare, pas publikimit të fotove të mostrumit Lavdrim Muhaxherit teksa pret kokën e një fëmije në Siri dhe raportit të State Departmentit jo të mirë për Kosovën, për t’u distancuar gjoja nga këto grupe, nisen me deklarata se “Kosova qenka në rrezik nga terrorizimi”, derisa në Kosovë tash sa kohë hyjnë e dalin pa problem “shokë” të Lavdrim Muhaxhirit.

Me vetë faktin se brenda pak orësh arritën që të arrestohen 40 prej tyre, është fakt i mjaftueshëm se organet e sigurisë kanë pasur mjaftueshëm informata për ta.

Presidentja, Atifete Jahjaga, e ka provuar në lëkurën e vet fyerjen dhe kërcënimin nga këto grupe. Është dashur shumë më herët të mbledhë institucionet e sigurisë. Kurse, kreu i PDK-së Hashim Thaçi, duhet të dijë më mirë se kushdo tjetër se çfarë kanë bërë bashkëpartiakët e tij, ish-përfaqësues të SHIK-ut, të cilët mburren se “kanë mbledhur informata për grupet ekstreme fetare” nga paslufta. Madje, edhe financimi i tyre është bërë në emër të luftimit të organizatave terroriste.

Pra, situata sot në Kosovë nuk është befasi. Të gjithë kanë qenë dëshmitarë për kërcënimet publike, që kanë marrë jo pak kritikues të islamit radikal në Kosovë, pa harruar imamë të Kosovës, që e kanë provuar në lëkurën e tyre presionin dhe dajakun vetëm pse kanë dalë kundër ekstremizmit fetar.

Pra, Thaçi nuk na e mbush mendjen me 40 arrestime. Duam të shohim distancim të plotë të partive politike, ndalim të predikimit të urrejtjes nga imamët radikalë, miratimin e ligjit që parandalon shtetasit e Kosovës të luftojnë jashtë vendit, kontroll të financave, shpalljen e paligjshme të partive politike, që predikojnë sheriatin.

E për t’i shkuar kësaj pune deri në fund, duhet arrestuar kokën dhe jo vetëm bishtin. Hetim ndaj dhjetëra organizatave që veprojnë në Kosovë në këtë drejtim, konviktet ilegale të shtrira nëpër gjithë Kosovën, paratë që vijnë nga shtete arabe dhe në fund pasurimin e imamëve dhe prijësve fetarë, që zyrtarisht kanë vetëm një pagë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora